Politikanë që fshihen pas Jalës

 

Pronari i 20 ha tokë në Jalë, Konstandin Minella Kapo, pohon se pa zgjidhjen e çështjes së pronës nuk mund të ketë një masterplan për bregdetin. Rrëzimi i projektit, i pritshëm për banorët

TIRANË - Pezullimi i projektit të zhvillimit të bregdetit të jugut nga Banka Botërore nuk ka habitur aspak banorët e këtyre zonave. Sipas tyre, fati i këtij projekti ishte përcaktuar që në momentin që në asnjë rresht të vëllimit voluminoz nuk shkruhej as edhe një fjalë mbi çështjen e pronësisë. Por duket se ky nuk është mëkati i vetëm që mbart projekti i drejtuar nga Jamarbër Malltezi. Përjashtimi i vendasve në debatet e diskutimit, ndërthurja e interesave politike dhe ndërtimi i fshatrave turistikë, pas të cilëve qëndrojnë investitorë të dyshimtë, kanë mjaftuar që banorët e këtyre zonave të kundërshtojnë krejt projektin, i cili deri më tani ishte reklamuar me të madhe si sukses i qeverisë “Berisha”. Kambanat e alarmit ranë në Jalë këtu e dy vjet të shkuara, ndërsa pak ditë më parë, zyrtarisht Banka Botërore kontestoi financimet e kryera prej saj. Në një intervistë për gazetën “Korrieri”, një nga pronarët e këtyre zonave, Konstandin Minella Kapo, rrëfen fushatën e shkatërrimeve pa leje e deri te projekti që, sipas tij, nuk do të mund të zbatohet, derisa qeveria shqiptare të marrë përsipër zgjidhjen e çështjes së pronësisë.

 

-Zoti Konstandin, në një raport të Panelit të Inspektimit të Bankës Botërore, thuhet se në gjirin e Jalës shkatërrimet e disa ndërtimeve kanë ardhur për hir të interesave klienteliste. Çfarë ka ndodhur realisht aty?

“Është e vërtetë që në gjirin e Jalës nuk janë prishur të gjithë ndërtimet, por vetëm disa prej tyre. Policia u justifikua se ndërtesat e shkatërruara ishin pa leje, çka bie ndesh me projektin që merrte përsipër të zhvillonte  turizmin elitar në këto zona. Por problemi shtrohet se a ishin këto ndërtime të vetmit të paligjshëm në këtë zonë? Fakt është që në Jalë nuk janë prishur të gjithë ndërtimet që janë pa leje, dhe kjo është bërë shkak për koniunktura dhe ndërthurje të interesave. Ndaj është e kuptueshme pse në Jalë u bë ky shkatërrim krejtësisht selektiv, duke lënë hotelin e njërit dhe duke prishur lokalin e tjetrit. Por, megjithatë, unë mendoj se këto janë interesa të vogla që ndërthuren në këtë të ashtuquajtur Projekt për Zhvillimin e Bregdetit të Jugut. Çështja që shtrohet është sesi do të zgjidhjet problemi i kësaj zone? Po kështu, çështja nuk është nëse u rrëzua projekti i Bankës Botërore, edhe sepse kjo gjë mund të pritej”.

-Pse mendoni se një kontestim i tillë ishte i pritshëm?

“Mesa jam në dijeni unë, ky është projekti i katërt që bëhet për zhvillimin e bregdetit të jugut. Njëherë është bërë nga italianët, më pas ishin kroatët dhe tani projekti u bë nga Banka Botërore, nën drejtimin e Jamarbër Malltezit. Pra, gjatë këtyre viteve, KRRTRSH-ja është mbledhur disa herë për të miratuar masterplane të zhvillimit të jugut. Por të gjithë këto masterplane janë  rrëzuar vetëm për një fakt kryesor, që është çështja e pronësisë. Pra, po nuk u zgjidh çështja e pronësisë, është e kotë të fillosh të diskutosh projekte. Që në zanafillë, qoftë Banka Botërore, qoftë Malltezi, qoftë edhe qeveria tallen në radhë të parë me veten, dhe më pas me popullin e tyre, duke cënuar interesat e  popullsisë autoktone. Pra, nuk mund të fillojë një projekt po nuk u zgjidh çështja e pronësisë. Nuk besoj se mund të ketë investitorë të huaj që të vënë një tullë, pa pyetur se e kujt është kjo pronë. Pra, të dalë qeveria dhe të thotë se këto janë prona shtetërore! Por këtë nuk e beson askush. Nuk do të ketë kurrë zhvillim turizmi në bregdetin e jugut, nëse pikësëpari, nuk zgjidhet çështja e pronësisë”.

-Pas fushatës së shembjes së ndërtimeve pa leje u përfol se do të niste puna për ndërtimin e një fshati turistik. Çfarë ka ndodhur përgjatë këtyre dy viteve në Jalë?

“Shembjet bënë që e gjithë zona të ketë një pamje krejt të trishtueshme. Flitet shumë për ndërtimin e fshatrave turistikë, por deri tani askush nuk ka ardhur, qoftë edhe për të diskutuar një projekt zhvillimi. Unë, personalisht, kam qenë në pritje të një takimi të tillë, sepse jam ndër pronarët që vetëm në zonën e Jalës, me dokumente të rregullta, disponoj 20 hektarë tokë. Kam pritur që përfaqësuesit e shtetit tim të më marrin qoftë edhe një mendim, sepse asnjëherë nuk kam menduar që qeveria mund të më marrë me dhunë pronën time. Megjithëse në Shqipëri mund të ndodhë edhe kjo!”

-Pas gjithë kësaj historie, çfarë keni ndërmend të bëni me pronën tuaj në fshatin e Jalës?

“Unë deri më tani nuk kam bërë asnjë ndërtim në Jalë, edhe pse kam pasur mundësi, ashtu si gjithë të tjerët, që të ndërtoja qoftë edhe një lokal. Kam pritur dy gjëra nga shtetit shqiptar: njohjen e pronësisë dhe aprovimin e një masterplani të zhvillimit të zonës. Me këto dy elemente, unë jam në gjendje të gjej vetë investitorin, qoftë ky edhe i huaj, dhe nuk është aspak e nevojshme që në tokën time një gjë të tillë ta bëjnë individë të caktuar, që kryesisht kanë lidhje me politikanë apo edhe me investitorë të dyshimtë”.

-Zoti Konstandin, a keni marrë ju pjesë në takimet e organizuara nga agjencia, pas miratimit të masterplanit, i cili tashmë kontestohet nga vetë Banka Botërore?

“Absolutisht jo. Jo vetëm unë, por edhe njerëzit që unë njoh në këtë zonë nuk kanë marrë pjesë në asnjë takim të këtij lloji. Por nga informacionet që ne kemi, në këto takime janë shfrytëzuar disa individë të caktuar dhe të  veshur me pushtet, të cilët kanë folur në emër të komunitetit të këtyre zonave”.

-Kush janë këta persona?

“Mund të jenë grupe kryepleqsh, anëtarë të komitetit të Himarës apo edhe persona që jo vetëm nuk janë pronarë, por as banojnë në këto zona. Nëse do të ishte marrë mendimi i pronarëve realë, mendoj se sot nuk do të kishim një problem të tillë. Ne nuk kemi pasur asnjë njoftim për këto takime që janë zhvilluar në Sarandë dhe Himarë. Asnjëri prej nesh nuk e ka ditur dhe pjesa më e madhe e njerëzve as që e ka idenë e projektit, ku do të zhvillohet dhe në ç’formë do të investohet në këto zona. Dihet se kush futet në politikë e bën këtë për interesa personale, por unë ju garantoj se në zonën e bregut, asnjëherë nuk do të ekzekutohen këto interesa, në qoftë se nuk merr zgjidhje çështja e pronësisë”.

1 Komente

 Zoteria aty e ka mire, se pa u zgjidhur çeshtja e prones ne Bregun e Detit, nuk ka zhvillim.  çorba qe ka gatuar Berisha, kete rremuje do t'sjelli.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).