Plehra

Bota e heronjve. Ka që thonë se është botë plehrash. Nuk është e vërtetë. Është botë ëndërrash. Ëndërrash të llahtarëshme nga ato me gjak me krime dhe batërdira, të cilat, gjatë gjumit...të tmerrojnë, por kur zgjohesh ndjehesh më mirë. Ku është ajo botë ? Sa larg, lart, poshtë, anash, majtas, djathtas, nesh ? Ku prehen ata njerëz sot ? Në cilat lëndina kullosin ata trima ? Ku livadhisin, ata azgana ? Si i kalojnë ditët ata vigana ? Me se merren ata diva ? Punojnë apo rrinë kot ? Janë në mardhënie pune, apo kanë dalë në pension ? Flasin apo heshtin ? Janë seriozë apo qesharakë ? Gënjejnë apo thonë të vërtetën ? A thashethemnohen ? A spiunohen ? A shpifin ? A thurin intriga ? A kanë të hanë, të pinë, të vishen, të mbathen ? Si janë me shëndet ? Truri, a u punon ? Këmbë e duar, a u lëvizin ? Gjaku, a u rrjedh ndër deje ? A teshtijnë, a kolliten, a u varen qurret, a i zë gripi, kur prishet moti, kur vjen vjeshta ? A sëmuren ? Si ia bëjnë për ilaçe, për doktora ? A shohin filma ? A bëjnë mbledhje kolektivi ? A mblidhen nëpër konferenca dhe kongresse ? ? A kanë një qeveri që i bën zap ? Kryeministër ? Parlament ? Kryetare të Parlamentit ? Kryeprokurore ? Ata fluturakët atje lart, a na e qajnë ndopak hallin ne zvarranikëve këtu poshtë, apo, tek lozin bixhoz apo mbushin skedina futbolli duke uluritur vetëm për lavdinë e vet, hanë e pinë e bëjnë qef, dhe për ne, gjall’ a vdek’, s’pyesin hiç ?
“Heroi i Heshtur” për shembull, ai i cili, përtej kryedyshimit të secilit hero nëse ishte vërtet hero apo plehër, ai urithi pa zë dhe pa fytyrë pra, të cilin zë dhe të cilën fytyrë sot po ka guximin ta nxjerrë ndonjëherë, ai që lavdinë e fitoi dhe e shijoi gojëkyçur, e ka më pisk se të gjithë. E mundon dilema; A vallë heshta shumë ?! Tani ç’të bëj ? Të flas a’ të mos flas’ ?! Të hesht apo të buças ?! Të hesht duke buçitur në stil idealist, duke bërë të njëjtën punë, të jap të njëjtin kontribut kombëtar, mes miqve sot si dikur mes armiqve, dhe në këtë mënyrë të korr suksese të reja, apo të buças që të mos më thahet gjuha nga mospërdorimi ?! Apo ta lë me kaq, sepse të zezat që bëra s’kanë asnjë lidhje me të bardhat që u shkruan nëpër libra ?!
“Heroi i Ditës”, ai që majat e suksesit i arriti përmes namit të zi që la duke grirë fate njerëzish duke dërrdëllitur, mendohet për të kundërtën. Meraku i tij është se mos ka llapur pak. Meditim pas meditimi, sidomos duke vënë re se zagari që e ka zëvëndësuar sot në jetën publike është ku e ku më i zi se ai, fillimish i dha karar se e mira do ishte t’a ndërronte rolin me të parin. Domethënë ta këmbente zanatin e gojëshqyerjes me atë të gojëkyçjes, pra llapën me drynin. Por hoqi dorë. Ndjeu mëshirë për rracën e vet jo të pakët në numur, heronjtë e tjerë. Të cilët, në këtë eventualitet, do duhej t’i vuanin të zezat e të dyve nga fillimi. Meqënëse edhe një rrugë e mesme, pra që, duke bërë lëshimet përkatëse, secili të dërrdëlliste mesatarisht, nuk iu duk e arësyeshme ngaqë do sheshonte kontrastet, me fjalë të tjera do t’i jepte fund pluralizmit heroik, edhe kjo nuk ia mbushi mëndjen. Dhe ashtu e shtyn, duke përplasur kokën mbi një shtylle, duke rrahur mëntë si t’ia bëjë të kthehet nga Hero i Ditës proletar i regjur, në Hero i Natës borgjez i fëlliqur.
“Heroi i Naftës”. Shërbeu me devotshmëri. Por pa kuptuar asgjë. Këtij vërtet shpirti i ka fluturuar mbi qiell, por trupi i ka mbetur atje ku u gropos, rrotull një pellgu nafte nën dhe’ ? Pranë atij pellgu të zi që, mbledhje pas mbledhjeje, spiunim pas spiunimi, i mori jetën e përkohëshme, por i dha lavdinë e përjetëshme. Mu aty, me lot në sy, duke medituar për zanafillat e heroizmit, po reciton “Liqeni”-n e Lamartinit,
Kështu gjithmonë ndër brigjet e zhgënjimit,
Në natën e përjetë, në terrin e pa kthim,
S’ do mundem, veç një dite, në oqean të amshimit
Të ndalem për pushim ?!
“Heroi i Punës Socialiste”, i përpirë nga misteret e aftësisë së vetshpalljes hero, duke kujtuar gjithato hilera, truke, marifete, procedura, që atë vet’ e bënë të tillë, vështron dekoratat mbi sup, dhe thot’ me vete; Si bre’ si ndodhi kështu, si ndodhi që prej vërrës nga dola, u vërtita sa u vërtita, prap’ atje u futa ?!
“Heroi Pozitiv”, duket krejt i lumtur duke sjellë ndër mënd shumë gjëra. Së pari se në të vërtetë nuk ka ekzistuar kurrë dhe kurrkund, veçse nëpër libra të neveritshëm dhe filma të pështirë. Por një kunj, një goxha kunj që hera-herë ia gërryen ndërgjegjen duke ia prishur çehren e ka edhe ky. Dhe e shpreh kështu; Mirë bëra që s’ekzistova. Dhe shumë mirë bënë që askush s’më mori seriozisht. Por pse vallë më sajuan, çhall patën, pse iu vlejta ?! Një herë kur për këto pyetje i kërkoi përgjigje simbiotikut të tij, Heroit Negativ, negativi i tha; Dëgjo, mos u lodh kot duke bërë pyetje dhe duke pritur përgjigje nga vetja. Është e pa mundur. Është njëlloj sikur të pështysh veten. S’bën asnjë efekt. S’ka asnjë produkt. Ato përgjigje mund të t’i jap unë. Por nuk e bëj. Edhe unë goxha i përvjellur kam qënë. Por jo sa ti. Ti pozitivi, ishe aq negativ, aq i shëmtuar, aq kriminal, sa nuk duhet të rreshtësh së vuajturi kurrë. Prandaj, rehat mos gjetsh ! Zi e më zi të pafsha.
“Nëna Heroinë”. Ajo me mbi tetë fëmijë. Ajo që, në formë nxitje për të pjellë edhe më tepër, gëzonte privilegje shtetërore. Fëmijët të gjithë në emigracion. Tek sheh veten si është katandisur nga lindjet e shpeshta, mbulon fytyrën me pëllëmbë dhe mes lotëve thotë; Më hëngërt kolera më hëngërt. Pika që s’më ra. Sa budallaqe u tregova. Ndihmova ta bëjnë Shqipërinë Kinë ata që tani rekomandojnë prezervativa.
“Heroi Kombëtar”. I vetmi që po buzëqesh. Qindra vjet që kam vdekur, po grinden për mua ! Nuk thonë kot, pemës me kokrra i gjuajnë me baltra.
Ata të asaj botës qiellore heroike atje, nga e marrin hovin frymëzues për të riprodhuar rracën, për të lindur të tjerë heronj, heronj të heronjve, superheronj ?! Nga kjo bota këtu ?! Emrat e këtyre u vënë rrugëve, shkollave, shesheve, të parajsës ?!
A u mbeti qefi atyre prej guri që i hodhën mbi plehra? S’ka pse. Është ide e mirë për raste të tjera. Heronjtë më këmbë mbi plehra ! Ku është e keqja ?! Plehrat plehra janë, plehra do vdesin. Për më tepër që, plehrat dhe heronjtë, duke qënë aq pranë-e-pranë, do mund të shquhen. Për të kjartësuar disa gjëra; Cilat plehra mbahen për heronj ? Kemi më tepër heronj apo plehra ? Nuk është pra gabim të hedhësh heronj mbi plehra. Gabim është të hedhësh plehra mbi heronj.

8 Komente

Kur mendon qe deri para nja 6 muajsh - per mua - Ypi ishte ne top-listen e gazetareve qe shkruanin nga Shqiperia....

PS. Yp, nuk di a lexon si dhe cfare shkruajne ca cuna te rinj qe andej; ua sjellin shkrimet automatikisht edhe ketu te peshku. Nqse jo, sugjeroj qe t'u hidhesh nje sy.

ky ben aluzion ndoshta per monumentin e 5 heronjve ne shkoder qe e zhvendosen tek varrezat e deshmoreve te mbushura me plehra?

Të ka mbetur edhe një tjetër hero, Edison,

"Heroi i Popullit".

Edhe atë në plehra? Enver Hoxhën sikundër Ismail bej Qemalin? Babë Myslymin sikundër Bacë Bajramin? Haxhiun e Lleshajve sikundër Cerçizin e Topullajve?

Të shpëtoi nga vështrimi apo e harrove enkas?

Eshte munduar me rreshtin e fundit ti jape nje kuptim ironik tip Fishte "A nin zotni qi rrin mi shkam / Une mbas sodjet shqiptar ma nuk jam.Gabim eshte te hedhesh plehra mbi heroj!!!!!!!E pamundur .Ke hedhur shume plehra mbi herojte, o Pishtar i Demokracise.....

E lexova deri ne fund. Dhe madje nga fillimi. Pershtypja e pare : shqipe e bukur. Te pakten nga ana e ndertimit, shprehjeve, gjetjeve. Vertete lexohet kendshem.

Pika tjeter eshte c'ka thene Ypi. Ketu kam qelluar fort ligsht, fort koketrashe dhe rralle here kuptoj synimet dhe aluzionet e autoreve. Ka mundesi qe te kete shume te drejte, por ndoshta dhe me pak. Diskutimi per kete pune eshte.

Persa i perket fjales "hero", e vertete qe kjo fjale ka qene perdorur mbare e mbrapsht per gjithkend. Madje bej cudi se ne boten kapitaliste, rralle here e degjoj kete fjale. Nganjehere pyes veten : more po, a kane heronj keta derra qe mbushen me sandvica ?

Neper ca lapidare te huaja qe kam pare, nuk kam pare gjekundi fjalen "hero". Me teper shkruajne : ketu rane, ose ketu vdiqen 74 vete, ne lufte kunder armikut gjakatar.

Pjesa me e bukur eshte ajo e "heroit pozitiv" dhe "heroit negativ", ose ndryshe : komisari Memo kunder Suat bej Verdhomes.

Memua ishte gjithmone nje njeri aq gojembel me te varferit dhe aq i pameshirshem me shfrytezuesit, qe per bela kishin qelluar nga te familjeve te medha ! - ta marre djalli ta marre, po tani, nga t'ia mbajme ?

Goni nuk donte te shkonte ne hekurudhen Milot-Rreshen-Klos. Donte t'i binte qitares djali me nje gangster dasmash qe gjuante femra. Mirepo aty qellojne dhe shoket dhe shoqet e Gonit, me shalle ne qafe, dhe Goni, ne castin e fundit, i therret ndergjegjes dhe shkon ne aksion. Gangsteri i qemanes i nxjerr gjuhen vetes ne pasqyre. Cfare pike kulminante ! Rrenqethje te siguruara.

Pastaj kemi dhe ate burrin qe kishte harruar te shtrengonte bulonat e nje Skode dhe nje njeri vdes ne spital. Te kallxoje apo te mos kallxoje ? C'i thote ndergjegja ? Vini re rreshqitjen nga faji i krimit ne nje faj te mostregimit te krimit. Gati te duket sikur ai do te lirohej ne vend po te tregonte historine e bulonit te pashtrenguar te frenave me ajer. Partia i donte dhe kriminelet por ama me nje NDERGJEGJE te paster qe i pohojne gabimet, dhe ajo ua fal.

Pastaj kemi dhe Doren e Ngrohte, ku xha Ahmetit i ka ardhur shpirti ne maje te hundes nga jeta, dhe i duhet per me teper te merret me pirjet dhe vjedhjet e djalit te gruas. Ahmeti eshte shpirtzi, i lig, ai s'mendon per edukimin e Besimit 18 vjec qe per dreq dashuron dhe femren me te bukur te shkolles. Por Margarita (emer lule, vini re !) nuk mund ta flijoje jeten per dashurine e saj per nje burgaxhi. Partia ka menduar nje te ardhme me te bukur per te. Ja nje hero i keq qe E KANE FUTUR NE RRUGE TE SHTREMBER, dhe Partia deshiron te mbledhe cdo dele te humbur nga tufa (kujtoni fjalen e Krishtit per Perendine).

E shume e shume heronj te tjere qe kane ndritur faqet me te bukura te letersise shqipe te asaj kohe QE NUK EKZISTON ME.

Te mos ta politizojme shkrimin djema,  per mua ishte shkruar bukur artistikisht.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).