Përse nuk kemi shoqëri civile?

Së pari duhet të pranojmë që shoqëria civile tek ne nuk është as shoqëri as civile. I vetmi grup autentik i shoqërisë civile siç janë mediat më shumë sesa me shoqërinë kanë lidhje me politikën apo me biznese të veçanta, prandaj vështirë të quhen civile. Grupe të tjera, siç janë OJQ-të, nuk janë aspak shoqërore, pasi përfaqësojnë dhe nuk i japin llogari askujt tjetër përveç atyre që punojnë aty dhe të donatorëve që i financojnë. Së, fundi, bota akademike ose ajo universitare është tejet e zënë me mbijetesën. Shtoji kësaj traditën konformiste të akademizmit shqiptar dhe faktin se dinamika e tregut mediatik tashmë e ka zëvendësuar intelektualin me analistin dhe kupton se roli i botës universitare në shoqëri është tejet i kufizuar. Me pak fjalë pothuajse nuk ekziston shoqëria civile si një hapësirë ku ndërveprojnë dhe artikulohen grupime autonome interesash sociale, që si të tilla ushtrojnë presion mbi procesin politik. Edhe pse në teori flitet shumë për forcimin e shoqërisë civile.  

Forcimi i kësaj shoqërie është thjesht retorikë boshe, pasi vetë logjika dhe frymëzimi i sistemit politiko-ekonomik që ne kemi ngritur e bën të vështirë krijimin e shoqërisë civile përtej ndonjë shoqate biznesi apo pronarësh. Shoqëria civile nënkupton grupe sociale me interesa të caktuara politike dhe ekonomike. Ama artikulimi i këtyre interesave bie ndesh me modelin tonë politiko–ekonomik, që bazohet mbi disa shtylla të padiskutueshme, siç janë tregtia e lirë, tërheqja e investimeve të huaja, disiplina fiskale apo tërheqja e shtetit nga shoqëria dhe ekonomia. Prandaj tek ne mungojnë grupe reale shoqërore interesi si fermerë, lëvizje për të drejtat e gruas, sindikata apo shoqata të tjera me synime të qarta politike. Në vend të këtyre ne kemi disa OJQ që flasin në emër të grupeve inekzistente që nuk krijohen dot pikërisht si pasojë e kufizimeve strukturore, ideologjike apo sistemike të qeverisjes sonë sot. Le të marrim me radhë disa nga këto grupe.

Kur flitet për OJQ-të e grave në shumicën e rasteve bëhet fjalë për disa OJQ që merren me mbrojtjen e të drejtave të tyre, dhe kjo në vetvete është diçka pozitive. Por në një nivel më makro dhe më sistemik disa nga problemet e grave janë strukturore; papunësia që prek së pari faktorin femër, varësia ekonomike që krijon varësi dhe nënshtrim social ndaj abuzimit, mungesa e çerdheve dhe e investimeve publike që lehtësojnë futjen e tyre në tregun e punës, e kështu me radhë. Prandaj nëse do të flasim seriozisht për përmirësimin e pozicionit të femrës në shoqëri, duhet të flasim për politika konkrete që nxisin dhe lehtësojnë futjen e tyre në tregun e punës. Por kjo në vetvete kërkon një ri-konceptim të politikave ekonomike, të politikave buxhetore dhe financiare që vështirë se mund të bëhet po të kemi parasysh kondicionalitetin ekonomik ku ndodhet sot Shqipëria. Në mungesë të këtyre politikave ne flasim për kuota në parlament (jo se nuk duhen, por janë thjesht dekor) dhe për emancipimin kulturor të femrës. Në mungesë të emancipimit ekonomik emancipimi kulturor i femrës reduktohet tek shkalla e feminitetit, e lakuriqësisë dhe e luksit të bashkëshortit të saj, çka e bën haremin vendin ideal për femrën moderne shqiptare.

Për arsye të ngjashme strukturore është e vështirë të flasësh për sindikata në kushtet e një papunësie galopante, apo kur prioriteti i qeverisë janë investimet e huaja, që para së gjithash kërkojnë krah të lirë dhe jo të organizuar pune. Nuk mund të flasësh as për grupe të organizuara fermerësh, pasi ajo që çdo grup i organizuar fermerësh kërkon është mbrojtje e produktit bujqësor nga shteti. Ama kjo bie ndesh me marrëveshjet e tregtisë së lirë që ne kemi përqafuar në kuadrin e procesit të integrimit. Këtë nuk e dëshiron as BE-ja, as OBT-ja dhe as Banka Botërore, dhe për pasojë nuk e duan as politikanët dhe as shoqëria jonë civile. Në mungesë të grupe të organizuara të fermerëve që prodhojnë kemi grupe fshatarësh që punësohen në administratë publike ose emigrojnë. 

Aq më pak mund të bëhet fjalë në Shqipëri për stimulimin e grupeve sociale fetare, siç ndodh p.sh. rëndom në SHBA. Së pari, si pasojë e vetë nacionalizmit shqiptar që i shikon fetë si kërcënim të identitetit kombëtar. Së dyti, si pasojë e vetë demokracisë liberale që e shikon fenë me dyshim si burim të fondamentalizmit. Po t’i shtojmë kësaj faktin që Shqipëria ka një shumicë fetare myslimane, ideja e grupeve fetare bëhet edhe më e papranueshme në kuadrin e luftës antiterrorizëm që shpesh njehson Islamin me terrorizmin dhe prapambetjen. Lëre më pastaj të flasim për organizata fetare me kërkesa qartësisht politike, kjo do revoltonte edhe dashnorët më të mëdhenj të shoqërisë civile.

Pra, në thelb sistemi ynë politik edhe pse teorikisht flet për shoqërinë civile, praktikisht i trembet funksionimit të saj real. Kjo për faktin e thjeshtë sepse shoqëria civile është në thelb një shoqëri politike. Një grup social grupohet rreth një identiteti apo interesi politik, dhe jo thjesht për sport. Një grup fermerësh, punëtorësh, grash, pronarësh tokash apo biznesesh, mblidhen jo vetëm për të vrarë kohën me njëri-tjetrin, por edhe sepse kanë një identitet dhe synim të përbashkët politik. Edhe shoqatat qytetare në disa nga qytetet kryesore në vend, si Tiranë, Elbasan apo Durrës janë në thelb shoqata me identitet politik. Në tërësinë e tyre ato janë shoqata me ideologji konservatore, ku shumica dërrmuese e pjesëmarrësve janë meshkuj, nga ’familjet e mira’ urbane me orientim antikomunist, përgjithësisht me identitet të djathtë, pavarësisht se për cilën parti politike votojnë (partitë tona kanë pak identitet politik gjithsesi).  

Rrjedhimisht nuk mund të ketë një shoqëri civile të fortë pa një shoqëri politike të fortë. Është organizmi rreth identiteteve dhe interesave (në kuptimin e gjerë të fjalës) të caktuara që prodhon grupime sociale aktive. Dhe ky është një proces thellësisht politik, edhe pse jo domosdoshmërisht partiak. Problemi i shoqërisë shqiptare është se mungon pothuajse tërësisht shoqëria politike. Njerëzit më shumë sesa të ndarë në identitete të gjera politiko-ideologjike janë përgjithësisht të bashkuar në apatinë politike. Vetëm një pjesë e vogël janë të ndarë në klientela të ngushta, që më shumë sesa politike janë partiake, socialiste, demokrate apo LSI-ste. Në Shqipëri politika jo vetëm që nuk e ka përçarë popullin, siç pretendon Rama, por e ka lënë shumicën e tij tërësisht indiferente. Por për sa kohë nuk kemi identitete të qarta politiko-sociale, por thjesht klientela të ngushta partiake, nuk mund të flasim dot për një shoqëri civile aktive, që është një shoqëri me një sens të fortë identiteti politik, jo thjesht partiak.

Ama një identitet i fortë dhe i qartë politik nënkupton kontestim të politikave të caktuara ekonomiko-sociale, që sot ashtu si dje nuk vihen aspak në dyshim. Pjesërisht kjo ndodh sepse intelektualët shqiptarë në traditën më të mirë komuniste janë që të gjithë pro sistemit. Me ndonjë përjashtim të rrallë vështirë të gjesh sot ndonjë ekonomist shqiptar që të jetë kritik ndaj modelit tonë ekonomik të zhvillimit apo ndaj deklaratave të udhëheqjes së lartë, si BE-ja, FMN-ja apo Banka Botërore. Kjo ndodh edhe sepse mungojnë grupet e organizuara sociale që ta kontestojnë sistemin aktual në raport me identitetet dhe interesat e tyre politike. Këtij kontestimi politik i trembet edhe faktori ndërkombëtar, që për pasojë thekson papushim që shoqëria civile duhet të jetë apolitike. Në fakt ky është edhe një nga kushtet e financimit të saj nga donatorët e huaj. 

Një shoqëri civile apolitike do të thotë disa OJQ që janë bosh si në identitet politik ashtu edhe në anëtarësi. Këto grupe në pamundësi për të artikuluar interesa dhe politika konkrete fokusohen tek lufta për të drejtat e njeriut, tek shteti ligjor, tek integrimi euroatlantik apo tek antikorrupsioni. Fenomene që në pamundësi për t’u trajtuar politikisht si dështime sistemike në analizën e fundit  trajtohen si dështim i politikës dhe politikanëve, apo si pasojë e mungesës së vullnetit politik. Këtu buron edhe ligjërimi antipolitik dhe populist i shoqërisë sonë civile, që ndër të tjera ushqen edhe iluzionin e “klasës së re politike”. Ideja e çuditshme se zgjidhja është tek ndryshimi i klasës politike, pak rëndësi ka se çfarë do bëjë ndryshe kjo klasë e re politike, mjafton të jetë e freskët. 

Kemi të bëjmë me një shoqëri civile që në pamundësi për të përfaqësuar grupe të veçanta flet në emër të popullit në përgjithësi.  Ama shoqëria civile nuk mund të artikulojë një identitet të qartë politik të popullit, pasi asaj vetë i mungon ky identitet. Për pasojë populli mbetet një kategori e pazhvilluar, homogjene dhe rudimentare, që përcaktohet kryesisht në raport me kërcënimin e politikës. Kështu përfaqësuesit e “shoqërisë civile” denoncojnë politikën në veçanti në emër të popullit në përgjithësi, duke theksuar ndarjen popull-politikë. Në këtë ndarje artikulimi i grupeve sociale me identitete dhe interesa politike shpesh kontradiktore (ish-pronarë vs. banorët e zonave informale) humbet në kategorinë homogjene “popull”. Kështu prodhohet një rreth vicioz, ku mungesa e shoqërisë civile nëpërmjet ligjërimit antipolitikë riprodhon vetveten.

17 Komente

I ke ra nga Kina per "shoqnine"...Nuk eshte e kollajte te kesh "civile" ne nje shoqeri te mbarsur me mentalitet " Policesh" dhe kur per fat te ka rene I pari i Cilivilave eshte - KUMANDAR  Mixha! Shqipria ka KOHE qe drejtohet prej Mentalitetit -Bajraktar "se Bushin zotrij " por edhe "Berluskonin e kam mik mer jahu" . Po kta i japin paret per civilet , nga ti gjejne shoqnite qe te bohen civile dhe te mos jene Politike ???????

Konstatim mese i drejte. Edhe ne rezultatet e nje sondazhi publikuar dje (serish sondazh, s'ke c'i ben), pretendohej se OJF-te dhe shoqeria civile qendronin bashke ne dy radhet e fundit te shkalles se besueshmerise qe ka publiku te to.

Ka disa arsye perse kjo ndodh. Me te theksuarat kane te bejne me natyren e orietuar nga politikat paradhenese te donatorit per secilen OJF dhe shpesh edhe me klientelizmin e tyre.

A jane shnderruar ato ne vegla? Shumica prej tyre po. Vegla qe i sherbejne interesave te vockla e te ngushta fare te atyre qe i zoterojne.

Por, ka edhe raste qe ia vlen te vecohen, edhe pse nuk mbeshteten masivisht.

Per nje detaj te vogel fare ne lidhje me "te drejtat e grave". Nuk eshte e vertete qe te gjitha organizatat kane luftuar vetem per 30%-in ne parlament. Por, ne rastet kur eshte kerkuar ndihme per "Gender Responsive Budgeting" per shembull, ku kerkohet prani ne vendim-marrje qe ne hartimin e politikave dhe ndarjen e buxheteve duke pasur parasysh ndikimin e tij ne baze gjinie, projektet nuk jane miratuar as nga UNIFEM, e jo me nga te tjere donatore. Kjo shifra 30% eshte me teper vegel e vete donatoreve, sepse sherben edhe si nje tregues i matshem per gjoja investimet e tyre.

Sidoqofte, tema sjell nje problem qe qendron.

Edhe ne rezultatet e nje sondazhi publikuar dje (serish sondazh, s'ke c'i ben), pretendohej se OJF-te dhe shoqeria civile qendronin bashke ne dy radhet e fundit te shkalles se besueshmerise qe ka publiku te to.

Po sepse njerzit u lodhen se zhgenjyeri, sa nga partite poltike aq dhe nga shoqatat "jopolitike". Dhe kjo ndjenje e mosbesimit ndaj shoqerive civile dhe ne te tashmen apo te ardhmen, si rezultat i zhgenjimit paraprak ndaj kesaj kategorie pergjate viteve qe kane kaluar, eshte mbase pasoja me e madhe, pasi nuk ka me nxitje apo mbeshtetje per te tilla shoqata, qe jane ne fakt nje institucion i domosdoshem i demokracise.

Ironia eshte qe kjo apati qytetare u krijua si pasoje e marrjes peng te ketij institucioni te rendesishem te demokracise nga disa kokra qe i benin thirrje njerzve per te shkundur apatine.

 

Por, ka edhe raste qe ia vlen te vecohen, edhe pse nuk mbeshteten masivisht.

Po kjo qendron, vetem se thuajse c'do gje e mire dhe e dobishme qe mbin ne horizotin shqiptare, mbytet lehet ne te ngrysur duke mos len variante per te stimuluar ate qe nisen te benin. smiley

Dhe me te drejte populli dhe "civilizimi" mbetet shume prapa, ne atdhe akoma mbizoteron ideja dhe ai mentalitet (c'me duhet mua, pse te ngaterrohem kot, te bejen c'te duan large meje.) smiley

Nuk ka rezultat, nuk ka dicka inkurajuese qe te mbeshtielli ne gjirin e vete agimin e fazes se re! smiley

Përse nuk kemi shoqëri civile?

Ca lesh pytjesh qi bon dhe ky pinxhi.

Per nje shoqeri qe lufton ende per buken e gojes nuk vlen kjo pyetje.

Grupet e organizuara te interesit mund te ngrene peshe. Por sa kohe interesi i shumices se popullates eshte si te shtyje muajin me buke dhe ngrofje keto grupe smund te jene te forta dhe per rrjedhoje smund te gjenerojne presion dhe per rrjedhoje as ndryshim.

Kur interesi i shoqerise shqiptare te kaloje cakun e "te menduarit sot per neser" dhe "per buken e gojes" athere mund te shtrohen pyetje dhe shqetesime te tilla.

Perndryshe, grupet qe kane fuqi ekonomike, gangsterre dhe politike do bejne ligjin dhe shoqeria demek civile do ushqehet me leket e shoqerise jo civile !!!

P.S. Poshte OJF-te 

smiley   

smiley

Shume xhan te kam o Nexh, kur shpjegohesh sic nuk mundem smileysmiley

me pak fjale ashtu si thonin do latine te vjeter...

Primum vivere, deinde philosophare

He me mire, sic thoshin ne vaktit: gjith popli ushtar. C'na duhen civilet?

Sidomos te keput shpirtin kur veren mungesen e grupeve sociale fetare, sic lulezokan ne SHBA. E sa mrapa dynjos qi ina! As ketra s'kemi fare, si ne SHBA dmth.

I kuriozitet te vogel, ky flet gje me vehten ne gazete, ne ven te pasqyres. Se sikur mahej si etaloni i civilsit. Apo s'vje pranvera me i dallendyshe. smiley

E ka thone me kohe Marksi e perpara Marksit me siguri ndokush tjeter, se njeriu perpara se te meret me politike, grupime per mbrojtje interesash, etj. duhet te haje, te pije, te strehoet, te vishet. E ketu tek ne varferia eshte ulur kembekryq dhe zgjidhja eshte vetem arratia. Kryengritja do te ishte njera forme e revoltes, por qe kerkon organizim.  

Hmmm, kjo teme me kujtoi naivitetin studentor, kur ne nje "research paper" shkruajta:

... an established, consolidated civil society is a sign of a healthy democracy; it’s the lungs of a nation-state that make possible the breaths of freedom.

Shqiperia, ne krahasim me vende te tjera ish-komuniste, si psh Polonia, nuk kishte rrethana pri-ekzistuese per formimin e nje shoqerie civile.  Pervec arsyeve te permendura ne artikull dhe nga komentuesit me lart, nje nga arsyet e tjera eshte vala e madhe e emigracionit per capita, dhe sidomos midis akademikeve (qe presupozohet se jane avant-garde ne mendimin e pavarur.)  Dhe per me tej, perqindja teper e ulet e kthimit te studenteve qe shkollohen jashte (shifrat ne 2006 ishin 5%.)  Megjithese ceshtja e brain-drain eshte teme me vete efektet e rrethit vicioz te krijuar nga ky fenomen ndihen dhe ne shoqerine civile. 

Krijimi i Mjaft ne 2003 shenoi nje faze te re ne shoqerine civile shqiptare (11 vjet pas renies se komunizmit.)  Jo vetem krijimi i Mjaft, por dhe i OJQ-ve te tjera ishte nje sinjal pozitiv per shoqerine civile.  Nuk dua te ndalem te Mjaft, sepse mendimet e peshqeve per kete organizate jane polarizuese dhe si rrjedhoje ne diskutime dhe ne nje kendveshtrim me te gjere, bien jo vetem vlerat specifike, por dhe ato simbolike te kesaj organizate. 

Nje nga problemet qe verehet me shoqatat eshte mungesa e PR.  Kjo vjen nga mungesa e fondeve, t_red e ka shqyrtuar si problem, por per mendimin tim, duhet shtuar dhe nje dimension tjeter.  OJQ-t per vete natyren e problemeve ne Shqiperi, duhet te jene me mikro ne agjenden e tyre.  Nga njera ane, perben rrezikshmeri per terheqje fondesh, por nga ana tjeter, e ben me te mundur realizimin e kesaj agjende.  Shoqeria jone ka probleme akute te cilat kerkojne zgjidhje apolitike.  Jo vetem kerkojne por behen te mundura vetem me zgjidhje apolitike, jashte vorbulles dhe paaftesive te nje partie ose tjetre, te nje fushate apo tjetre. 

Kam shume respekt per shkrimet e z.Kajsiu, por ky artikull me duket si i zene ngërç qe ne konceptim.

Se pari (dhe se fundi se nuk po shkruaj artikull me vetesmiley, kur themi shoqeria civile gabimisht imagjinojme nje teresi shoqatash e grupimesh kur ne fakt duhet folur per nivelin e shoqerise-ambjentit ku jetojme, sa civil eshte e çfare normash te perparuara, çfare hapesirash angazhimi dhe prodhimtarie toleron.Ky eshte testi i vertete i shoqerise.

OJQ-te, OJF-te, organizatat jopolitike etj, jane (duhet te jene) lobues efektiv per perparimin e axhendave te tyre. Nuk jane perqasje thelbesore ndaj shoqerise civile, mendoj une. Qe mund, te jem gabim.

Dmth, pyetja "Perse nuk kemi shoqeri civile" me duket pa vend, shoqeri civile kemi (çdo njeri eshte i garantuar ne te drejten e tij per tu organizuar e angazhuar); tjetergje, ne çfare shkalle eshte, çfare cilesie ka, dhe me e rendesishmja: ku e si ka vend te permiresohemi.

Per mendimin tim ata qe jane ne OJQ jane thjesht disa sahanlepires ne rastin me te mire ose agjente ne rastin me te keq, te atyre qe ju japin paret.Nese doni raste mund tju jap plot,por ma merre mendja se i dini vete.Nese do te isha ne qeveri thjesht do te jepja urdher qe te mbylleshin keto organizata-shushunjeza qe thjesht harxhojne paret dhe nuk bejne asgje.Po keshtu do te doja qe te mbylleshin edhe shoqatat "bamirese" pasi si OJQ edhe ato misione spiunazhi dhe rekrutimi jane.

Sa per shoqerine civile u duk sikur po bente dicka qe kur u formua PAD.Personalisht asnjehere nuk kam dyshuar qe PAD ishte thjesht nje strofull karreristesh qe nuk kishin fare te benin me shoqerine civile.Koha e tregoi qe kisha te drejte.Fatkeqesisht mendoj qe ne ketu ne PPU japim me shume kontibut se sa e ashtuquajtura shoqeri civile atje.

Ma falni por me mire te flas troc se sa me dorashka.

 

Ne kete shkrim ka gabime ne perkufizimin e koncepteve. 

 

"Ky eshte popull raja, Pjero" ,  me thosh nje shoku im dikur. 

Sepse:

  • Nje pjese e mire e kesaj shoqerie e cila pati shansin e madh te pasuronte kulturen e vet me ate perendimore tani e shpenzon kohen me te madhe ne kompjuter dhe eshte kthyer ne shoqeri virtuale me ndikim vetem ne Google dhe ne Facebook
  • Shumica e te gjithe atyre qe kane mesuar te lidhin dy fjale ne kete jete ( bashke me artikullshkruesin)  kane mbetur ne nivel teorik, aspak dell, damar apo ndjenje per tu shkuar gjerave ne praktike
  • Nje shoqeri pa gjak e ndjenja te cilet sapo perballen me problemin e pare rendin pas politikes, fshihen ne kafet e bllokut apo pas ndonje fustanelle OJQ-je

 

I nderuar Z. Kajsiu e te tjere

Mjaft me me pyejte - Kapitujt filozofik jane mbyllur me kohe, shekulli i 20-te mbylli ato teorik e tani jemi ne ate te prakticitetit. Mos e lodhni mendjen e nje populli me gjera qe vetem degjohen e lexohen. Ose ofroni Zgjidhje ose Zhdukuni tek kafja me e afert qe keni.

Së pari duhet të pranojmë që shoqëria civile tek ne nuk është as shoqëri as civile. 

E pa kuptueshme kjo!

Po cfare eshte nje shoqeri civile si koncept ?,-kete nuk e shpjegon mire Blendi!

Ndoshta nuk funksionojne si duhet ...

..shoqatat e ndryshme ne shqiperi nuk qenkan shoqeri civile?

Hapsira midis qeverise dhe jo qeverise eshte nje shoqeri civile ,te gjitha grupet jo qeveritare,qe perfaqsojne interesat e tyre ,jane shoqeri civile, si ka mundesi qe simbas Blendit ,"tek ne nuk eshte as shoqeri ,as civile"!!!!

Per mua nuk ka sens kjo shprehje!

 

 

 

I vetmi grup autentik i shoqërisë civile siç janë mediat më shumë sesa me shoqërinë kanë lidhje me politikën apo me biznese të veçanta, prandaj vështirë të quhen civile .

 As edhe kete nuk e kuptoj!

Pse vetem gazetare ,paska shoqeria shqiptare,(civile)?

 

Grupe të tjera, siç janë OJQ-të, nuk janë aspak shoqërore, pasi përfaqësojnë dhe nuk i japin llogari askujt tjetër përveç atyre që punojnë aty dhe të donatorëve që i financojnë.

Ndoshta nuk perfaqsojne si duhet interesa te caktuar ,ato jane shoqerore si kallep,por realisht nuk reflektojne si duhet!

Problemi ketu eshte tek donatoret ,ata qe i organizojne ,te cilet nuk kontrollojne financimet e tyre.,dhe efektet e ketyre shoqatave.Pra ketu eshte mungesa e organizimit si problem.Ndoshta keto jane korruptive,nje zot e di .

Ne pergjithsi si kallup shteti dhe shoqerite civile ne shqiperi ekzistojne ,por nuk japin frytet e duhura per nje funksionim normal te shoqerise ,dhe zhvillimit te saj!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).