Obobo, abetarja…!

Marre nga Blogu i gazetes Shekulli

Kësulëkuqja nuk shkon më në pyll për të takuar gjyshen e sëmurë. Personazhi me kësulë të kuqe mbi kokë, ndryshe nga ç’mëton në përrallë, na del se i bika nga bjeshka për të parë gjyshen që lëngon në shtrat. Dhe nxënësit e vegjël, të cilët jo shumë kohë më parë kishin mësuar nga edukatoret e tyre, një histori krejt të ndryshme, tani nuk dinë kë të besojnë.
Belaja ka gjetur edhe mësueset, të cilat duhet t’u mbushin mendjen nxënësve se teta dhe xhaxhi autori shqiptar ia kanë futur paksa kot me këtë punën e bjeshkës, e se tjetër është e vërteta mbi historinë që i ngjau Kësulëkuqes me ujkun. Menjëherë pasi kemi mësuar mbi ndodhinë e fundit, në pamundësi për të kontaktuar me personazhin e famshëm veshur me të kuqe, kemi bërë verifikimin përkatës në një nga abetaret e klasës së parë, një nga të shumtat e dala nga reforma ALTERTEKST.
Gjithçka na doli se ishte e vërtetë. Nxënësit nuk ia kishin futur kot. Në faqen 45, na beh para syve Kësulëkuqja, që për çudi nuk është hiç e trembur nga ujku, që e pret serbes-serbes në një lëndinë. Madje, po të shikosh me kujdes ilustrimin, duket sikur Kësulëkuqes, nuk është se ia ndien shumë për ujkun, që mban veshur kominoshe tornitori. Në rrëfenjën “shqiptare”, na del se Kësulëkuqja pa papritur ujkun dhe e ndaloi për ta pyetur për rrugën që të çon në bjeshkë. Sigurisht që ujku do ta çonte në rrugë të gabuar. “Shko këtej, se i bie shkurt”,- i tha ai. Dhe ndodhi ajo që pritej. Kësulëkuqja humb rrugën dhe shkon me vonesë te gjyshja që e priste, po në bjeshkë. Këtu historia ndërron sërish. Kësulëkuqja i bie tri herë derës tak, tak, tak; “Gjyshe hape portën! Jam unë, Kësulëkuqja! Jam këtu jashtë! Normale, po t’i besojmë origjinalit, gjyshja nuk ka se nga të flasë, pasi e ka kullufitur me gjithë lecka, ujku.
Por, versioni që japin autorët tanë, që kanë botuar tekstin shkollor, është më i drejtpërdrejtë. Dialogu i famshëm midis Kësulëkuqes dhe ujkut të veshur si gjyshja, nuk duket gjëkundi. Nuk ka më “gjyshe, pse e ke mbështjellë kokën kështu”, apo “gjyshe po hundën pse e ke kaq të madhe”. Tani me abetaren e re, Kësulëkuqja hyn direkt e në temë. E njeh ujkun menjëherë. “Uaaa! Ti je ujku”,-i foli ajo, shkruhet në tekst. Ku është gjyshja ime? Këtu normale, ujku, sikurse pritej, sipas skenarit, duhet t’i sulej Kësulëkuqes. Por jo! Nuk qenka e thënë!
Në momentin kulminant të zhvillimit të ngjarjes, na mbin papritur rojtari i shpejtë i “bjeshkës”. Nuk mësohet se kush e lajmëroi dhe as se me çfarë e vrau rojtari ujkun. Versioni që paraqitet në abetare të shpie në mendimin se rojtari i ka ndjekur personazhet këmba-këmbës në bjeshkë dhe se ka rol të dyfishtë në ngjarje. Po kështu, nuk dihet se pse gjyshja është transferuar në bjeshkë. Ed Paja, malësor nga bjeshkët e Kelmendit, na ftillon se bjeshkët në toponiminë veriore, janë vendi ku verojnë bagëtitë. Thua që edhe gjyshja e Kësulëkuqes të ketë ngritur stanin në bjeshkë…?

Versioni shqiptar, Pinoku me hundë si kremviçe
Belaja kur të zë, hapi derën, thonë. E pëson Kësulëkuqja, por autorët nuk lënë rehat as Pinokun, personazhin e famshëm të krijuar me aq dashuri nga Baba Xhepeto. Në abetaren e klasës së parë, ose më saktë, në një nga këto të servirura nga ALTERTEKST-i, na vjen një imazh krejt ndryshe i hundës së marionetës prej druri. Në versionin origjinal, të parë shumë herë, qoftë në filma të animuar, por edhe në ilustrimet e librit, hunda e Pinokut, duke qenë se është prej druri, ka formën e konit. Sa herë që gënjen, hunda rritet dhe në fund të saj dalin disa gjethe. Kështu thuhet në versionin e sjellë për lexuesit nga shkrimtari italian Carlo Collodi, në vitin 1881. Por ja që nuk qenka edhe fort kështu. Autorët shqiptarë të teksteve shkollore, kanë menduar të bëjnë ca mutacione të vogla gjenetike, në plastikën e Pinokut. Ja se si e sjellin ata. Në abetaren e klasës së parë, hunda e Pinokut del me dy standarde. Në faqen 38, Buratini vjen me hundën origjinale. Deri këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Kështu është edhe në libër. Në faqen 102, kemi sërish Pinokun, por tani si gënjeshtar. Nëse i thërrasim pak kujtesës, hunda e Pinokut, sa herë që gënjen rritet dhe në fund të saj dalin gjethe, por tjetër ide kanë autorët tanë shqiptarë të abetares. Për ta, hunda e Pinokut duhet të ketë formën e kremviçes, që zgjatet e zgjatet dhe skuqet sikur të ishte në zgarë me prush qymyri.
Se mos vetëm Pinoku. Edhe Hirushja ka shkarë nga origjinali. Lexojmë faqen 45 të abetares. “Hirushja humbi këpucën. Hapi dritaren e i kërkoi ndihmë hënës”. Po t’i referohemi origjinalit, Hirushja u kërkon ndihmë fatave apo zanave, si na pëlqen. Tani dy gjëra ka. Ose autorët nuk i kanë lexuar kur ishin të vegjël përrallat, ose kanë marrë përsipër të ndryshojnë imazhin e fëmijëve për personazhet aq shumë të dashur për ta.

Fëmijë me mustaqe, ja çfarë mëson abetarja

Gafat e abetares janë të papara. Në fletoren e punës mund të gjesh çudira. Ja njëra prej tyre. Autorët, në faqen 67 të fletores ku fëmijët stërvitin dorën dhe mendjen, në fund të saj parashtrojnë një pyetje më se normale; Si janë fëmijët që shikon në figurë? Deri këtu çdo gjë është në rregull. Pyetje e thjeshtë, lehtësisht e kapshme dhe kuptimore, për më së shumti. Çudia është poshtë, aty ku janë paraqitur ilustrimet. Në vend të fëmijëve, për të cilët shtrohet pyetja, janë katër burra me mustaqe, të veshur dëng, të mbërthyer paq, me përmasa të ndryshme trupore. Ç’të ketë ndodhur vallë? Një mësuese, në bisedë e sipër, thotë se e ka zënë taksirati me fëmijët. Që kur fillon ora, gjëja e parë që bën, është sqarimi i nxënësve. “Të keqen mësuesja, kalojmë në ushtrimin tjetër”. Përpiqet t’u shpjegojë nxënësve që nuk ka fëmijë me mustaqe. Por më kot, fëmijët, ngulmojnë. Dhe nuk kanë faj. Kështu thuhet në fletoren e punës dhe nuk ka si të jetë ndryshe.

Gjergj Elez Alia na ishte me dy plagë mangët

Në përfundim të çdo viti shkollor, drejtoritë e shkollave, kërkojnë nga mësuesit nxjerrjen e të gjitha gabimeve të gjetura gjatë punës me tekstet shkollore. Mësuesit, sidomos ata të ciklit fillor, thonë se janë me dhjetëra gabimet që mund të gjesh në tekste. Në vitin e kaluar, nxënësit që mësuan për herë të parë shkrim e këndim, njohën në orët e leximit Gjergj Elez Alinë. Ata mësuan se Gjergj kreshniku, luftoi dhëmbë për dhëmbë me Bajlozin dhe se mori 7 plagë nga 9 që njihen në “Eposin e Kreshnikëve”. Dy plagë, me shumë gjasa, sikurse thonë me të qeshur mësueset, autorët nuk e kanë parë të arsyeshme t’ia njohin Gjergjit. Të paktën, këtë vit, ky lapsus jo i vogël në formimin e nxënësve, është rregulluar, megjithëse në një vend, në tekst, Gjergji kërkon Bajlozin dhe diku tjetër gjarprin. Sidoqoftë, gabimet në tekstin e abetares mbeten trashanike dhe krijojnë një imazh krejtësisht të rremë në formimin e mëtejshëm të nxënësve. “Duke lexuar tekstet e deformuara të përrallave në abetare, nxënësit kanë krijuar një tjetër imazh për personazhet e tyre të dashur. Tani Kësulëkuqja, Pinoku apo Hirushja, në perceptimin e nxënësit, janë zbehur si imazhe. Duke lexuar të tillë tekste, fëmijët e kanë më mirë të përshtaten me personazhe të rinj luftarakë që mbushin ekranet e televizionit, sesa me ato tradicionalë, që fiken në këtë mënyrë, sepse dikujt i do qejfi”,- shpreh shqetësimin një nga mësueset e ciklit fillor.

6 Komente

E ç të komentojë njeriu i zi?   Ç të të qaj më parë o Shegan, të të qaj lëkurën që e ke copë copë, të të qaj brazdën që ma bën shtrembër, apo të të qaj parmendën që ma thyen?

Në fakt, përpiqem që ti mbush mendjen vehtes se këto janë gabime pa dashje, por jo, kurrë nuk do ta besoja se gabimet dhe fajet e njëjta përsëriten pa dashje.  Mirë thonë, nuk të lë i ligu të ngresh shtëpi!

Eh rri urtë aty. Kësulëkuqja, Pinoku, Hirushja, dhe Gjergj Elez Alia duhen ç'mitizuar. P.sh. ato dy plagët ekstra i janë shtuar Gjergjit nga komunizmi.

Ujku vetëm si kafshë e egër nuk e simbolizon egërsinë ashtu siç duhet.... ku më mirë se t'i veshësh një palë kombinoshe punëtori (natyrisht që duhet të jetë dhe komunist smiley )... Shyqyr që egziston edhe DRUVARI (dmth Kryetari antikomunist) që vigjëlon në bjeshkët tona.

Nëse këto janë shembujt se si do të trajtohet dhe Historija e Shqipërisë, atëhere, bir Saliu i nënes ç'të të qaj më parë...

Mos e kini problem se do i shohin ne televizor, se lexojne Abetaren fare.

mir qe nuk fusin dhe Berishen ne abetare...

P.sh xhaxhi Berisha eshte nje ujk i mire?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).