Obama shton trupat në Afganistan, firmos për 17 mijë ushtarë

Presidenti Barack Obama ka miratuar vendosjen në Afganistan të një force shtesë prej 17 mijë ushtarësh amerikanë. Në një deklaratë me shkrim, presidenti tha se trupat do të dërgoheshin për të stabilizuar atë që e cilësoi "gjendje të përkeqësuar".
Korrespondenti i BBC-së në Uashington, Andy Gallacher, thotë se ky është vendimi i parë i rëndësishëm i Presidentit Obama në fushën ushtarake.

Lufta në Afganistan u pat cilësuar edhe si "luftë e harruar", por tani Presidenti Obama thotë se gjendja në Afganistan e Pakistan "kërkon vëmendje urgjente dhe masa të menjëhershme".

Për përmbushjen e këtyre nevojave, zoti Obama ka miratuar vendosjen e 12 mijë trupave shtesë në Afganistan deri në pranverë dhe të një personeli ndihmës prej pesë mijë vetash deri në verë. Aktualisht në Afganistan janë dislokuar afro 35 mijë ushtarë.

Gjatë gjithë fushatës presidenciale, zoti Obama tha se, nga pikëpamja strategjike, gjendja në Afganistan kishte më shumë rëndësi se ajo në Irak.

Mendohet se më vonë Presidenti Obama mund ta dyfishojë numrin e trupave ne Afganistan, duke e çuar atë në 60 mijë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).