Në Paris, "e arta" histori e fotografisë shqiptare

Loic Chauvin dhe Cristian Raby i janë kthyer edhe një herë çështjes së fotografisë shqiptare. Dy studiuesit, prej vitesh i janë kushtuar gjurmimit të imazheve shqiptare, duke nisur nga më të hershmet në kohë. Pas kësaj gjithçka arritën ta dokumentonin duke përgatitur në qershor të vitit 2007 një ekspozitë, si dhe një botim me të gjitha materialet e mbledhura mes qindra negativave. Gjurma më e hershme e fotografisë shqiptare, sipas studimit të tyre fillon në vitin 1858 për të vijuar deri në vitin 1945. Kësaj periudhe i është kushtuar studimi i tyre. Kur u çel ekspozita, ata deklaruan se fotografia shqiptare, kjo trashëgimi e madhe, meriton një vend në historinë e fotos botërore. Sot, dy vite më pas, "Shekulli i artë i fotografisë shqiptare 1845-1945" do të jetë tema e një seminari që dy studiuesit Loic Chauvin dhe Cristian Raby do të organizojnë në datën 12 shkurt në Universitetin e Çikagos në Paris, me mbështetje të Ambasadës Shqiptare në Francë. I pari që do të çelë këtë diskutim në tavolinën e rrumbullakët do të jetë pikërisht studiuesi Loic Chauvin. Tema që ai do të marrë në diskutim është "Zbulimi i dinastisë Marubi". Pas tij, historiani Kaliop Naska, do të referojë mbi fotografinë shqiptare si dëshmi e kohës. Ndërkaq, Christian Raby, profesor i filozofisë dhe fotografisë do të referojë mbi atë që quhet "Mosha e artë e fotografisë shqiptare". Aurel Plasari, do të jetë një tjetër referues, ndërsa gazetari Dashnor Kokonozi, do të komentojë rolin e fotografëve të perandorisë austro-hungareze në Ballkan. Albert Kahn dhe albanologu Robert Elsie do të jenë dy referues të tjerë në këtë seminar kushtuar fotografisë shqiptare. Shkrimtari dhe gazetari, Luan Rama, do të prekin temën "fotografia dhe censura gjatë epokës totalitare në Shqipëri". Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Ylljet Aliçka, do të moderojë mbi fotografinë shqiptare duke nisur nga vitet 1858 në 1945. Kristian Ruby ka zgjedhur të flasë mbi temën "Fotografia ekzotike shqiptare dhe evropiane", ndërsa Jean-Paul Champseix mbi "Fotografinë në regjimin e Enver Hoxhës". Pasionantët e fotografisë, do të kenë mundësi kështu të njihen edhe me emrat e mëdhenj të fotografisë shqiptare. Do të diskutohet në Paris jo vetëm për dinastinë e famshme Marubi, por edhe për emra të tjerë si: Kristaq Sotiri, Xhimitiku, Vani Burda, Pici, Ded Jakova e Vangjush Mio. Ashtu si edhe për shumë studiues, aventurierë apo kureshtarë, Shqipëria në syrin e Loic Chauvin dhe Cristian Raby

ishte vendi i izoluar, i egër, me nuanca ekzotike që duhej eksploruar patjetër. Kjo kureshtje shtyu në fundin e viteve ‘80 Chauvin-in që të vizitonte Shqipërinë. Pikërisht atëherë pati fatin të hynte në fonotekën e Marubit ku prej albumit të vizitorëve, iu dha mundësia të njihej me foto të rralla. Pas një botimi me foto të Marubit, titulluar "Albanie, visage des Balkans", të shoqëruara me tekst origjinal të Ismail Kadaresë, atij i lind ideja të njihet edhe me të tjerë fotografë shqiptarë, të cilët sigurisht që lanë gjurmë të patjetërsueshme në historinë e fotografisë shqiptare. Kështu, së bashku me mikun dhe profesorin e fotos, Cristian Raby, në vitin 2006, nisi një tjetër projekt sipas të cilit do të punohej me kërkimin e arkivave të ndryshëm fotografikë, që gjendeshin në Shqipëri dhe që kishin dokumentuar etapat e ndryshme në historinë e shqiptarëve. Pak më vonë, do të shihej mundësia e krijimit të ekspozitave të vogla, por edhe ruajtja dhe dixhitalizimi i arkivave. Faza e dytë do të ishte krijimi i një libri me historinë e fotografisë shqiptare dhe fill pas saj edhe organizimi i një ekspozite të madhe sipas imazheve të librit. Ata kanë prekur arkivat shqiptarë, mes tyre Arkivin Kombëtar, Muzeun Kombëtar, Fototekën e Shkodrës dhe koleksionet private. Mbështetur prej Ministrisë së Kulturës në Shqipëri, ata kanë realizuar udhëtimin e jashtëzakonshëm ku kanë parë gjithë vendin e shqiponjave nëpërmjet mjeshtërve të fotografisë shqiptare. Ky shekull i artë i fotografisë shqiptare, megjithatë është përzgjedhur e seleksionuar edhe nëpërmjet tematikave të ndryshme ku vend të veçantë zënë ceremonitë fetare, ushtarët shqiptarë dhe luftëtarë të ndryshëm të njohur të kohës, portrete të njerëzve të njohur, por edhe të panjohur, zë vend aty edhe jeta e përditshme, arumunët, skena të ndryshme që japin ndryshimin politik nga Perandoria Otomane drejt Shqipërisë Moderne, skena urbane etj. Fotografitë e përzgjedhura janë zgjedhur edhe prej kriterit të cilësisë. Në Paris, më 12 shkurt, referuesit, do të sjellin edhe një herë në vëmendje më të mirën e kësaj trashëgimie të kulturës shqiptare. Ata do të komentojnë fotografinë, këtë art të bukur, i cili sipas dy studiuesve francezë, është krejtësisht i panjohur. Megjithatë, dy francezët, tashmë pasionantë të fotografisë shqiptare kanë thënë se "identiteti kombëtar shqiptar dhe zhvillimi i fotografisë shqiptare ka ardhur në një kohë dhe ato kanë frymëzuar njëra-tjetrën". Pikërisht për këtë arsye ajo duhet të zërë një vend të veçantë dhe të pazëvendësueshëm.

1 Komente

Aliçka: E vërteta e fotos "denigruese"Elsa Demo | 06/02/2009 Shekulli  E vërteta e fotos  Ambasadori i Shqipërisë në Francë reagon ndaj lajmit për foton e "vajzës me perçe" e cila mendohej të ishte imazhi në Paris i aktivitetit për trashëgiminë fotografike shqiptare ndërmjet viteve 1858-1945. Ylljet Aliçka: "Një vullnet i tillë dizinformues e ka burimin te mërzitja dhe dëshpërimi që kapëllon rëndom qenien njerëzore kur nuk ka se ç'të denigrojë pandershmërisht."

"Sinqerisht mbeta i befasuar nga jehona e një veprimtarie e cila për hir të së vërtetës jo vetëm nuk i ka përmasat që pretendohet, porse është shumë larg së vërtetës", u shpreh Ylljet Aliçka, ambasador i Shqipërisë në Francë.

 Reagon disa ditë pas qarkullimit në internet dhe botimit në "Shekulli" të fotos që mendohej të prezantonte trashëgiminë fotografike shqiptare në Paris. Përse ishte zgjedhur imazhi i një "vajze me perçe", pra i një Shqipërie myslimane dhe të tejmbetur pas ishte pyetja që vinte bashkë me lajmin.

 Ambasada shqiptare është bashkorganizatore e aktivitetit në bashkëpunim me Universitetin e Çikagos në Paris, prandaj ambasadori komenton jehonën e parakohshme që i është bërë "ekspozitës" dhe sqaron se së pari nuk është fjala për ekspozitë, por për një kolokium shkencor propozuar nga Universiteti amerikan në Paris.

"Periudha e artë e fotografisë shqiptare 1858-1945" është kolokium i programuar për një pasdite kulturore më 12 shkurt 2009, nga ora 14-20.00, në formën e një debati mbi vlerat historike të fotografisë së vjetër shqiptare, që nga fillimi i saj deri në vitet 40, pasuar nga një tavolinë e rrumbullakët për letërsinë shqipe.

 Thënë ndryshe, kolokiumi synon të nxjerrë në pah vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare. Për këtë arsye këtij aktiviteti i është bashkuar si partnere dhe ambasada shqiptare në Paris."

 Aliçka vë në dukje se fotografia që u bë sebep për këtë reagim, ishte një variant që organizatorët i propozuan atij për modelin që do të kishte ftesa e aktivitetit. "Fotoja e botuar paraqet një foto të vjetër të Idromenos, që daton fillimin e shekullit të kaluar dhe që për ironi nuk rezulton një grua myslimane por një grua katolike. Sidoqoftë e përsëris se ky ishte një ndër variantet e ftesës dhe në realitet, për arsye të ndryshme nga ato që pretendohet, nuk u përzgjodh si variant përfundimtar.

 Ajo që të bën përshtypje është fakti se ende pa u materializuar në versionin final, nga konsultimet në një rreth jo më shumë se katër pesë personash, (si në një roman të verdh&eumlsmiley para se të merrte miratimin tim si ambasador, ky variant mori dhenë, komentuar si një formë e sofistikuar nga ana ime për të denigruar kulturën shqiptare nëpërmjet një ekspozite!"

Nuk dihet se si është e mundur që ajo foto të cilën po e botojmë përkrah të zgjedhurës si model ftese për kolokiumin "Periudha e artë e fotografisë shqiptare 1858-1945", të kërcejë nga tryeza e bisedimeve të një diplomati shqiptar në Paris deri në Shqipëri.

 Por e sigurtë është që për pasditen shkencore kushtuar trashëgimisë sonë dhe për paraqitjen e saj me një ftesë realizuar një foto të vjetër shqiptare, kanë punuar dy studiues të huaj, dy francezë emrat e të cilëve nuk janë të panjohur për ne.

Loïc Chauvin dhe Christian Raby, organizuan në vjeshtë 2007 një turne të ekspozitës "Vështrim historik i fotografisë shqiptare" në qytetet Shkodër, Berat, Korçë dhe Tiranë me 62 foto të zgjedhura nga arkivat e Marubëve, Mios, Sotirit, Idromenos, Xhimitikut, Picit. Mbahet mend prezantimi që ata i bënë në Galerinë Kombëtare të Arteve kësaj pasurie që nuk ishte ekspozuar dhe as botuar ndonjëherë.

 Rezultati i Raby-së, profesor i Filozofisë dhe Fotografisë në Universitetin e Çikagos dhe Chauvinit i cili në vitin 1994 realizoi albumin e parë "Marubi" i botuar në Paris me parathënie të Ismail Kadaresë, ishte mbyllja e një cikli disavjeçar kërkimi dhe studimti të materialit fotografik në arkivat shtetërore dhe ato familjare shqiptare.

Dhe në nëntor 2007 e paraqitën në Strasburg, në Këshillin e Evropës, fotografinë e vjetër shqiptare me një tematikë të larmishme: ceremonitë fetare, ushtarë dhe luftëtarë shqiptarë, portrete njerëzish të shquar apo të panjohur, skena të jetës së përditshme, pejzazhe, pamje urbane etj.

 

Një fotografi që përtej kuadrit historik, ka një vlerë bashkëkohësie. Fotografët shqiptarët japin një Shqipëri në "kapërcyell", e shkëputur më në fund nga perandoria otomane dhe e orientuar drejt Oksidentit. Ky "dimension evropian" që Raby-n dhe Chauvin-i gjejnë në trashëgiminë fotografike shqiptare të periudhës së artë 1858-1945, nuk i lë indiferentë.

 Prandaj është krejt e natyrshme të vijë prej këtyre dy individëve iniciativa - për të cilën meritojnë mirënjohje - e kolokiumit në Paris.

 Kur u deklaruan rezultatet e tyre në shtypin shqiptar patën thënë se Shqipëria ka një trashëgimi fotografike ndoshta unike në Ballkan. "Megjithatë, zyrtarisht, Shqipëria nuk ekziston në historinë botërore të fotografisë. Asnjë referencë, asnjë emër që të tregojë se ky vend ka pasur fotografë artistë të talentuar."

 Për habinë e atyre as dinastia e Marubëve nuk figuron ndërmjet emrave të mëdhenj të fotografisë universale.

Megjithë injorimin që i është bërë kësaj pasurie brenda dhe përtej kufijve të Shqipërisë, për Raby-n dhe Chauvin-in një gjë është e sigurtë: të gjitha këto imazhe përcjellin emocione të forta dhe na zhysin në mendime.

Mbase këtë do donte të shtonte ambasadori shqiptar në Francë, njëherësh shkrimtar, skenarist dhe burokrat i regjur në administratën shtetore dhe atë ndërkombëtare. Por reagimi i Aliçkës nuk ka prolog:

"Sa më sipër më lind e drejta të mendoj se një vullnet i tillë dizinformues më tepër se sa ndjenjat e sinqerta të dikujt që do të mbrojë vlerat e identitetit shpirtëror e kulturor shqiptar, e ka burimin te mërzitja dhe dëshpërimi që kapëllon rëndom qenien njerëzore kur nuk ka se ç'të denigrojë pandershmërisht."
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).