Ndërtimi, përfundon “epoka rozë”?!


Sektori i ndërtimit shqiptar, një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike, në të ardhmen e afërt mund të mos jetë po ai që njihet aktualisht nga statistikat zyrtare. Pavarësisht ngërçit të lejeve të ndërtimit që prej kohësh është evidentuar si problem nga vetë ndërtuesit, kësaj radhe duket se edhe lejet nuk po rezultojnë aq të rëndësishme sa një vit më parë.
Ofertat e fundit që vijnë nga tregu i pasurive të paluajtshme, e në veçanti nga ai i apartamenteve flasin për një rënie drastike të çmimit për metër katror. Diçka e tillë evidentohet edhe nga vetë ofertat zyrtare të kompanive të ndërtimit, madje edhe nga ato më seriozet e që ofrojnë banesa të cilësisë më të lartë.
Shenjat e para u dhanë që në verën e 2008-ës, kur u vërtetua një rënie e konsiderueshme çmimesh e apartamenteve, dyqaneve, zyrave apo ambienteve të tjera me qera. Gjatë vitit 2007, qeraja e banesave në Tiranë qe mesatarisht 5-7 euro për metër katror në muaj. Në verën e 2008-ës zbriti në 3-5 euro për m2. Në zonat në periferi të Tiranës, apartamente 1+1 apo 2+1 të ndërtuara rishtazi, u ofruan për qera mujore 25-30 mijë lekë. Në zonat e reja urbane si në Kinostudio apo Unaza e Re, çmimet ranë nën 15 mijë lekë në muaj. Sot çmimet kanë shënuar një rënie të mëtejshme të lehtë, por megjithatë jo shumë të ndjeshme që nga vera e vitit të kaluar.
Ndërkaq, ndryshimi i vërtetë duket të ketë ndodhur në shitjen e apartamenteve. Një nga firmat më të njohura në tregun shqiptar njofton ulje çmimesh që në totalin e ofertave të listuara mund të qëndrojë në një mesatare rënëse prej rreth 1/4 e asaj që çmimet ishin më parë. Në disa raste skontot janë të frikshme, nga 1600 euro në 700 euro për metër katror. Dhe uljet janë reale nëse pyet qytetarë që me qëllim blerjen e një banese të re kanë monitoruar personalisht tregun e pasurive të paluajtshme. Nga ana tjetër, burime pranë firmave të ndërtimit flasin për një rënie të ndjeshme të kërkesës për apartamentet e reja.

Skenari zyrtar paraqitet “rozë”
Sipas të dhënave zyrtare, sektori i ndërtimit, gjatë vitit 2007 dhe 2008-ës, vazhdon të mbetet më i rëndësishmi në rritjen ekonomike të vendit. Të dhënat nga Ministria e Financave flasin për një rritje të të punësuarve në masën 86 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2008. Konkretisht, indeksi i numrit të të punësuarve, si dhe ai i fondit të pagave të paguara gjithsej ka pësuar rritje sa i takon sektorit privat.
Numri i të punësuarve në sektorin e industrisë në total është rritur mesatarisht rreth 6.8 për qind kundrejt nëntë muajve të parë të vitit 2007, ndërsa fondi i pagave me rreth 19.4 për qind. Sektori i ndërtimit ka qenë sektori me performancën më të lartë gjatë këtij viti me një rritje prej rreth 86 për qind dhe kjo rritje u atribuohet në masën më të madhe investimeve publike kryesisht në infrastrukturën rrugore.
Numri i të punësuarve në këtë sektor është rritur me rreth 36 për qind, ndërsa fondi i pagave ka pasur një rritje prej rreth 63 për qind. Indeksi tremujor i prodhimit, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2008 ka regjistruar një rritje mesatare reale prej rreth 16.6 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Prodhimi në sektorin e industrisë, gjatë kësaj periudhe nëntëmujore ka rezultuar mesatarisht rreth 32.8 për qind më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Aktivitetet e përfshira në këtë sektor, industria nxjerrëse, përpunuese dhe ajo e prodhimit të energjisë elektrike, gazit e ujit, kanë pasur një rritje mesatare në terma vjetorë respektivisht prej rreth 19, 16 e 62 për qind.

Skenari “tragjik” i Përmbarimit
Burime të Revistës në një nga bankat më të mëdha në vend flasin se një masë e madhe sekuestrosh të apartamenteve pritet të ndodhë. Shkak është rritja e konsiderueshme e huamarrësve që nuk arrijnë të shlyejnë kredinë e marrë në bankë për blerje pasurish të paluajtshme. Brenda muajve që vijnë pritet që kjo valë sekuestrosh të ekzekutohet nga Përmbarimi. Një tablo e ngjashme paraqitet në shumicën e bankave të tjera.
Por ndërsa kjo situatë ka shumë pak gjasa të ketë ndonjë ndikim te sektori bankar, përveç se në statistikat e kredive të këqija dhe në masat që Banka Qendrore mund të marrë si rrjedhojë, pasojat e vërteta pritet të ndjehen direkt te firma te ndërtimit. Sakaq BSH ka ulur normën e interesit për të lehtësuar situatën e kredive, por kjo situatë e bën të domosdoshme një ulje pasuese, e cila pritet të mos vonojë shumë.
Si rrjedhojë e situatës së krijuar, prona e sekuestruara do të nxirren në shitje me ankand, duke rezultuar në një fluks apartamentesh e pronash të tjera në treg, me çmime potencialisht më të lira nga ato që ofrohen nga vetë firmat e ndërtimit.
Diçka e tillë flet për një situatë të re konkurrence, në kushtet kur për vetë tregun ka dyshime të forta se është tkurrur. Ky skenar shpjegon edhe uljet thuajse të befta në çmimet e shitjes së apartamenteve të reja.
Gjithashtu kjo situatë është dëshmi në mos e shenjave të qarta të një krize ekonomike, së paku të efekteve të para të saj, kombinuar me faktorë të tjerë, si pasiguria e publikut, një menaxhim jo adekuat i sistemit të kreditimit nga institucionet shqiptare apo edhe të pasigurisë që krijohet nga afrimi i zgjedhjeve.
Një tjetër problem lidhet me faktin se në sektorin shqiptar të ndërtimit, marrëdhëniet ndërmjet firmave që kryejnë procese të ndryshme në ndërtimin e një pallati, për shembull, nuk kryhen në formën e transaksioneve financiare, por në formë shkëmbimi në natyrë. Kryesisht në dhënie apartamentesh apo në formë përqindjeje nga shitjet. Situata e krijuar në treg është kambana e një oguri të keq edhe për këto forma transaksionesh që paraqiten në dukje me rrezik të ulët nga palët e përfshira në biznes. Burime nga sektori thonë se mund të ketë viktima ndër firmat e vogla, disa prej të cilave po përgatiten sakaq për më të keqen.

Probleme me prokurimet publike
Nga ana tjetër, ndërtuesit paraqesin vërejtje për sistemin aktual të prokurimit publik, duke marrë shkas nga prania gjithnjë e më e lartë e kompanive fantazmë, të cilat krijohen befas për të përfituar nga tenderët abuzivë. Përmes një letre dërguar Agjencisë Së Prokurimit Publik-APP dhe Këshillit të Ministrave, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë kërkon marrjen e masave për të bërë sa më transparente procesin e tenderimit. Tashmë në një kohë krize, ndërtuesit nuk po shohin zhvillime pozitive në sektorin e tyre, nisur nga rënia e kërkesës.
Në letrën e dërguar në fillim të muajit janar 2009, shoqata kërkon në radhë të parë rritjen limitit të kërkuar për eksperiencën në sektorin e ndërtimit. Që një firmë ndërtimi të marrë pjesë në një tender publik, i duhet të paktën të ketë punuar tre vjet, ndërsa propozimi është pesë vjet. Shqetësime vërehen edhe tek ofertat fituese. Sipas shoqatës, jo gjithnjë duhet marrë në konsideratë oferta më e ulët e fondit limit, sikundër e parashikon ligji. Ata paraqesin një sërë masash, të nevojshme për zhvillimin e një tregu të lirë e konkurrent.
Ministria e Punëve Publike në bashkëpunim me Shoqatën e Ndërtuesve, kanë hartuar sistemin e ri të licencimit të shoqërive të ndërtimit, i cili konsiston në kategorizimin e shoqërive të ndërtimit në shtatë nivele në vartësi të llojit, natyrës dhe vlerës së punimeve që ato kryejnë. Për vet ndërtuesit, kategorizimi realizon një seleksionim dhe parakualifikim të shoqërive të ndërtimit.
Administrata shtetërore, pra komisionet e vlerësimit të ofertave duhet të marrin në konsideratë heqjen e kufizimit prej tre vjetësh për punime të ngjashme si një kufizim diskriminues dhe i padrejtë për shoqëritë. Sipas ndërtuesve, periudha që duhet mbajtur parasysh duhet të përfshijë të gjitha vitet e eksperiencës dhe të punës për punime të ngjashme të kryera nga një shoqëri ose minimalisht jo më pak se pesë vite. Problemi tjetër lidhet me ofertën fituese, e cila ose është deri në 20 për qind të fondit limit ose 0.2 për qind. Ndërtuesit propozojnë kriterin e mesatares.
Në fakt, jo pak herë, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave janë bërë pengesë për zhvillimin e procedurave normale dhe konkurruese të prokurimit publik. Këtë problem nuk e paraqet vetëm Shoqata e Ndërtuesve, por edhe Avokati i Prokurimit, i cili në raportin e vitit 2007 kishte evidentuar një sërë shkeljes si rrjedhojë e mungesës së profesionalizimit. “Anëtarët e komisionit nuk duhet të kenë kryer ose nuk duhet të kryejnë asnjë funksion tjetër apo detyrë teknike e administrative të lidhur me prokurimin e punimeve. Ata nuk mund të bëjnë pjesë në organizmat që kanë funksione të mbikëqyrjes dhe kontrollit mbi punimet që prokurohen. Emërimi i anëtarëve të komisionit dhe ngritja e komisionit bëhet pas mbarimit të afatit të dorëzimit të ofertave” thuhet në letrën e ndërtuesve dërguar qeverisë.

6 Komente

Skenari “tragjik” i Përmbarimit
Burime të Revistës në një nga bankat më të mëdha në vend flasin se një masë e madhe sekuestrosh të apartamenteve pritet të ndodhë. Shkak është rritja e konsiderueshme e huamarrësve që nuk arrijnë të shlyejnë kredinë e marrë në bankë për blerje pasurish të paluajtshme. Brenda muajve që vijnë pritet që kjo valë sekuestrosh të ekzekutohet nga Përmbarimi. Një tablo e ngjashme paraqitet në shumicën e bankave të tjera.
 

Armiku i klases punetore po godet! Kapitalizmi i eger e çnjerzor po nxjerr ne rruge me mijera njerez qe nuk mund te shlyejne kredite per shkak te interesave te larta te gjakpiresve.

O Qafe! A do bosh nje artikull tamon ti apo si e ke hallin? Ku jone keto roniet e çmimeve nga 1600 ne 700 euro mer shoku se une po kerkoj shpi ne Tirone e s'po kom bythe me e ble se jone ala çmimet te papame. Ku ke mrena unazes pa 1000 euro mer daje?

Me 1600 euro jane pallatet e mira te Liqeni. Po ma gjete me 1000 ta mor direkte. Futi ti ne xhep 300 lek (te jashtme) per M2!

 

hahahahhahaha

 

Ja ky shoku, po don na hudh hi syve kot me duket.keto te Mapos, dua me doemos, te krijojne nje pershtypje qe jemi ne prag te katastrofes.

 

O shoku pseudo gazetare, tregu shqiptare eshte pjekur, ka shkuar nje cope toke per m2 sa duash, Edhe firmat, kurre skane me i ul aq shume ato cmimet si thua ti. Po normal, qe cmimet e dyqaneve do te bien, se kishin marre per kot, palidhje, cdo cep dyqan, dihet qe do te falimentojne. kurse apartamente nuk kane rene,e as nuk kane per te rene.

 

vallaj dhe une sot dola me pa per shpi e me iku tepeleku. Ishin rrit smiley 

Mos shkruni kshu artikujsh se hajt t'i mushim mendjen robve qe jane jashte se nuk po u vjedhim leke. Une u them eshte 900 euro m2 i apratamentit te liqeni, ata me flasin ftohte smiley 

nese shikojme ca te dhena qe na solli Llukani ca kohe me pare, do duket qarte qe sektori i ndertimit eshte rritur nga investimet publike, dhe vecanerisht nga rruga Durres-Kukes. Kjo eshte thene ne cdo statistike, biles dhe nga ato te INSTAT qe tregonin qarte qe rritja fantastike ekonomike vinte si rezultat i sektorit te ndertimit. Por kjo nuk do te vazhdonte sipas parashikimit 2010-2012 qe gjithashtu u soll tek peshku

deri ne 2012 nuk e di Amerika ca do behet, do e dime ne?

 

normal qe sdo te kete, me kete vrull ndertimi,se do te bie kerkesa, se skemi aq shume kapital ne si popull,qe ta bllokojme te teren ne Shtepi.

 

Do arrij nje pik, si cdo sektor bussinesi, pastaj kur tregu te arij ngopjen, ose me sakte e ka arritur qe tani do te jene Turizmi, bujqesia edhe aktiviteti trektare prodhues qe do e mbajne ekonomine gjalle.

 

Shqipëri: Investime të reja në qytetin bregdetar të Sarandës

Zeri i Amerikes

Në bregdetin jugor të Shqipërisë ka tashmë disa projekte zhvillimi. Në Sarandë po bëhet një investim në rrugën hyrëse, i cili pritet të  lehtësojë ndjeshëm fluksin e turistëve gjatë verës. Ndërkaq në Portin detar të Sarandës, autoritetet vendosën  të mos ndryshojnë tarifat për hyrjen e vizitorëve të huaj.

Krahas investimeve në qytetin e Sarandës, segmenti rrugor nga Saranda në Vlorë është kthyer në një kantier ndërtimi, i cili pritet të mbyllet mesin e këtij viti. Ndërkaq në Gjirin e Kakomesë sapo kanë nisur punimet për një kompleks turistik. Por çështja e pronave dhe ajo e ndërtimeve pa kriter vazhdojnë të bartin mjaft probleme në këtë rajon dhe të ndezin herë pas here edhe tensione. Gjatë ditëve në vazhdim ju do të ndiqni disa kronika nga bregdeti.//ii

http://www.youtube.com/watch?v=KxyUsgMkjYk

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).