"Mendo gjelbër" dhe "vepro gri"

Bashkia e Tiranës mbështet projektin 'Think Green' (mendo gjelbër)" ishte lajmi i transmetuar nga të gjitha mediat në mesjavën e shkuar. Padyshim një lajm i gëzueshëm për cilindo. E ardhur nga goja e vetë Edi Ramës lajmi merr një domethënie më të madhe e nuk mbetet vetëm një ndjeshmëri e ditës.
Vetëm pak ditë më parë ishte Sali Berisha, që shprehu edhe me më shumë bujë një "think green", gati magjepsës me mbjelljen e 20 milionë ullinjve. Diçka po ndryshon për mirë? Mbetet për t'u parë, por aksioni i deritashëm tregon se udhëheqja e vendit dhe ajo e Bashkisë së Tiranës është në pozicionin "act grey" (vepro gri). E thënë disi ashpër ajo që po ndodh është të hedhësh disa jeshillëqe në gjellën me mish të qelbur që po gatuhet.
Pritet nga dita në ditë që Edi Rama t'i kalojë Sali Berishës, të famshmin Plan Rregullues të Tiranës sipas të cilit, do vazhdojnë ritmet e larta të dendësimit nëpërmjet të betonizimit të mëtejshëm të Tiranës. Vërtet Edi Rama po përpiqet të gjejë ndonjë gropë bosh nëpër rrugët e Tiranës për të mbjellë ndonjë pemë dhe bën shumë mirë, por nëse njëherazi për çdo 1 pemë të mbjellë, ndërtohet një pallat e shtohen 10,000 makina në vit a ka ndonjë vlerë?! Sipas kalkulimeve shkencore, një pemë e rritur (jo shkurre) absorbon 19 kg dioksid karboni (CO2) në vit dhe çliron 10 kg oksigjen (O2) në vit (burimi: Greenpeace), por një makinë (sipas standardeve të Perëndimit) që përshkruan mesatarisht 15 km në ditë çliron rreth 1 ton CO2 në vit, pra për absorbimin e CO2 të një makine të shtuar duhen afërsisht 50 pemë të shtuara që të ruhet bilanci aktual, që do të thotë se  Tirana duhet të mbjellë çdo vit rreth 50,000 pemë. Ky raport mjaft negativ për CO2 në Tiranë pasqyron automatikisht raportin në favor të ndotjes në rritje edhe për gamën e gjerë të ndotësve në dëm të mjedisit dhe shëndetit të shkaktuar nga raporti ndërtim - gjelbërim, dukshëm në përkeqësim. Tashmë, të gjithë e kuptojnë se nuk mund të ndodhë që të prishen pallatet e të ndërtohen parqe në vend të tyre, por po aq e qartë është, së paku për banorët e Tiranës, që nuk mund të vazhdohet të dendësohet Tirana gjithnjë e më shumë me pallate shumëkatëshe dhe të zvogëlohen hapësirat e gjelbra në raport me këto ndërtime. Dhe ecja me kokfortësi drejt kësaj rruge, që dënon një popullsi milionëshe në favor të një grushti ndërtuesish dhe miqve të tyre vendimmarrës është e papranueshme.
Vetëm qendra e re me pallate deri 33 kate nën digë të Liqenit, që e ka aq për zemër Rama, është shembulli më i qartë se si injorohen gjithë parametrat jetësorë të një qyteti dhe merr fuqi vetëm një kriter, ai i çmimit, euro për m2.
Situata drejt përkeqësimit mjedisor në Tiranë (dhe jo vetëm në Tiran&eumlsmiley do të përshpejtohej nëse në Durrës do të ngulej super TEC-i ndotës i ENEL-it. Mjafton të përmendet që ky TEC do të "vjellë" 9 milionë ton CO2 në vit, që është sasi më e madhe se ajo që prodhon e gjithë Shqipëria sot dhe që është e barabartë me emesionet e 9 milion makinave gjatë 1 viti. Po të shtosh këtu dhe  4 fabrika çimentoje, me nga 1 milion ton CO2 në vit, për të cilat Qeveria gri e Berishës ka hedhur firmën dhe po të shtosh akoma këtu dhe CO2 e 10 mijë kamionëve në ditë, që i korrespondon 100% sasisë së mallit të shkarkuar e ngarkuar në portin më të madh në Mesdhe të projektuar në Vlorë (me numër kontejnerësh 8 herë më të madh se Porti i Selanikut), po të shtosh dhe terminalin e gazifikimit në Seman më i madh në…(akoma nuk dihet në Ballkan, Mesdhe..), po të shtosh dhe AMBO-n me 1 milion fuçi në ditë etj., etj., shifrat "çmenden" dhe, edhe grija bëhet e zezë. Për të gjitha këto bëma antimjedisore të Berishës, Rama ka heshtur, pra del që i ka mbështetur ato. Nga ana tjetër Berisha i ka kërkuar Ramës të dërgojë sa më shpejt tek ai për aprovim Planin e Rregullimit të Tiranës.
Sidoqoftë, ka dhe një shans që Berisha dhe Rama të jenë disi të besueshëm në ato që po thonë. Konkretisht, Rama të ketë guximin të anulojë planin holandez me 33 katësha tek Liqeni dhe të hedhë në publik alternativën e zgjerimit të Parkut të Madh në këtë hapësirë. Berisha të heqë dorë nga TEC-i me qymyr i ENEL-it dhe nga MEGA-t e tjera dhe të ofrojnë alternativa të tjera, dashamirëse me mjedisin që janë jo MEGA, por që janë të shumta dhe janë në të mirë të shqiptarëve, në të mirë të mjedisit, në të mirë të së ardhmes, gjithashtu.

3 Komente

Shume fakte interesante. Me pelqen sqarimi i situates
dhe eshte e vertete, mesazhi i Edit dhe Saliut per punen
e gjelberimit duket me shume si nje teknike marketingu
per te mcefur prapaskenat.

Urime per artikullin!

 Lavdosh, i fute ne nje thes gjithe projektet, si ato qe mund te behen si ato qe s'do behen kurre. Po s'ka problem per kete, problemi eshte qe disa gjera edhe na duhen ore, s'do ndricohemi le LED te tere qe te mbrojme mjedisin.

Cfar gjelberimi Tirana eshte bunkerizuar bombarduar me e mira pallatet lyer njgjyra njgjyra per orientim te popullsise makinat njerezit pluhuri ushqimet rrugeve peme ska fare as parqe. Pamja e qytetit eshte tmeruese abjenti i ndotur te fut friken njerezit qe sorrollaten dyndja e ndertesave dyqaneve ...  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).