Me duar të ndyra

Deklartë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Qëndrimet e politikanëve dhe analistëve në debatit aktual për hapjen e dosjeve, na e zbulojnë se ky debat është simptomë për një tjetër debat që mungon: debati për atë se çka ishte Jugosllavia si shtet për shqiptarët dhe Kosovën. 

Jugosllavia e Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it, më parë sesa proserbe ishte antishqiptare. Sigurisht që këtu ka ndikuar fakti se shqiptarët ishin popull josllav në shtetin e sllavëve të jugut. Partia Komuniste e Jugosllavisë në mbledhjen e dytë të AVNOJ-it, të përfunduar me 29 nëntor 1943 në Jajce të Bosnjes, i ndau më tutje shqiptarët edhe ashtu të ndarë. Shqiptarët që kishin mbetur jashtë Shqipërisë i ndau nëpër republika të ndryshme të sllavëve të jugut: më shumë shqiptarë në Serbi sepse ajo ishte më e fuqishme, mesatarisht shqiptarë në Maqedoni, meqë ajo ishte mesatarisht e fuqishme, dhe më së paku shqiptarë në Mal të Zi, meqë ai ishte më i dobët. Pasuan vrasjet e dëbimet, diskriminimi i njerëzve e eksploatimi i resurseve të shqiptarëve. Edhe sot e kësaj dite mbretëron një asimetri drastike e të drejtave: në shtetet ku shqiptarët trajtohen si pakicë, ata kanë shumë më pak të drejta sesa pakicat kombëtare në vendet ku shqiptarët janë shumicë. Kjo asimetri, kjo mungesë e reciprocitetit i vendos shqiptarët në pozitë të pabarabartë (sidomos karshi fqinjve të tyre) dhe rrjedhimisht pa dinjitet kolektiv.

Dosjet sigurisht që duhet të hapen. Fatkeqësisht nuk i kemi ato. Lëvizja VETËVENDOSJE! e përkrah plotësisht fushatën e Organizatës për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet – ÇOHU!, për një drejtësi të vërtetë dhe pa diktat. Nuk bën assesi që policët që kanë torturuar, prokurorët që kanë akuzuar dhe gjykatësit që kanë dënuar për politikë, të jenë tash sërish në sistem (ndërkohë që, siç e dimë, ata janë edhe në pozita të larta). 

Në anën tjetër, duket që sa më të vjetra të jenë dosjet, aq më i madh pasioni i politikanëve dhe analistëve që të flasin për to. Dosjet më të rëndësishme për jetën tonë sot nuk i ka vetëm Serbia, por edhe UNMIK-u dhe shërbimet informative sekrete të huaja, që i shantazhojnë politikanët tonë dhe i bëjnë kështu të qullët siç po i shohim përditë. Këto dosje duhet të hapen, por kjo s’po kërkohet sepse asisoj do të duhej ballafaquar mandej me UNMIK-un, EULEX-in dhe sundimin ndërkombëtar në përgjithësi.    

Prerja cilësore në vitin 1989 që e bëjnë disa politikanë e analistë, e bën Jugosllavinë të duket shumë më e mirë se Serbia. Jo vetëm pas vitit 1989, por edhe para suprimimit të autonomisë, shumica e krimeve nuk kanë qenë krime të komunizmit por të serbizmit nacional-shovinist. As shqiptarët që dënoheshin nuk dënoheshin pse ishin komunistë të një nënlloji tjetër, e as Serbia (me ndihmën edhe të disa shqiptarëve) nuk dënonte si komuniste. Thirrja në parime ideologjike ishte maskë e pretekst për spastrim të brendshëm politik. Mbi të gjitha, pushteti serb e jugosllav dhe ata që i shërbyen atij me devotshmëri dëshironin të kenë sa më shumë pushtet dhe të jenë sa më gjatë në pushtet. Kush u dilte në rrugë etiketohej, persekutohej, syrgjyrosej, dergjej në burgje e madje edhe vritej. 

Shumica e politikanëve dhe analistëve nuk reagojnë ndaj dosjeve të hapura, ndaj rasteve që dihen qartë, porse kanë aq shumë zell për dosjet e fshehta. Ky është perversitet. Politikanët e analistët kanë më shumë zell për t’u marrur me krimet e vjetra sesa, për shembull, me atë të policëve rumunë të UNMIK-ut, që i vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn me 10 shkurt 2007. Për më tepër, edhe në EULEX ndodhet kontigjenti rumun i policisë. EULEX-i i ka dosjet edhe të këtyre politikanëve. UNMIK-u tashmë i ka dorëzuar 4.500 dosje të krimeve serioze (korrupsion i lartë, krim i organizuar etj.): prej tyre vetëm 10% ShPK-së e të tjerat EULEX-it. Politikanët janë të urtë e të butë për këtë çështje pikërisht për shkak të aktualitetit të saj. Më me qejf merren me krimet e Luftës së Dytë Botërore (e mbase edhe të Luftës së Parë Botërore), mu për shkak se një gjë e tillë nuk i konfronton me regjimin në fuqi. 

Thuhet që dosjet duhet të hapen dhe shqyrtohen në mënyrë institucionale. Por edhe aty ka aq shumë njerëz me duar të ndyra, që s’janë distancuar nga e kaluara e tyre: Rexhep Haxhimusa, Hilmi Zhitia etj. Dhe, si t’ia bëjmë tash: këta t’i trajtojnë këto dosje?! Kështu del se këta politikanë e analistë duan t’i hapin dosjet, por me kusht që asgjë të mos ndodhë. Në vend që të dëbohen nga puna Haxhimusa e Zhitia për ato që dihen (si dhe të ngjashmit me ta jo vetëm në sistemin e drejtësisë por edhe në polici), propozohet që ata t’i trajtojnë dosjet që s’dihen. Ngrihet çështja se si dhe kur të hapen dosjet e mbyllura, kur ato tanimë të hapura po rehabilitohen. Prandaj, paradoksalisht, çështja e vërtetë dhe emergjente është se si të hapen dosjet e hapura? Si të largohen nga puna Rexhep Haxhimusa e Hilmi Zhitia dhe të ngjashmit? Rishikimi dhe korrigjimi i historisë (përmes hapjes së dosjeve) mund të bëhet vetëm nga lartësia e një sistemi politik demokratik në një Kosovë sovrane e kurrsesi nga administrimi jodemokratik ndërkombëtar i kombinuar me krerët e korruptuar vendorë.  

Prishtinë, 4 shkurt 2009

1 Komente

Thuaje cope mor tungjatjeta, Ibrahim Rugova nen petkun e pacifizmit dhe Sali Berisha nen petkun e antikomunizmit kane qene dhe mbeten dy Cerberet per te ruajtur Kombin Shqiptar te mos prosperohet dhe te mos bashkohet me popujt e tjere te Evropes.

Keto jane Dosjet e Para qe duhen hapur, pastaj te hapen dosjet e imoraleve dhe prosteve te Komunizmit,. Na c..... b me ket komunizmin. Ca mut komunizmi paska pasur ne Shqiperi e Kosove Maqedoni?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).