Lindja e një shteti

Pas vitesh të gjata lufte dhe përpjekjesh diplomatike, Kosova më në fund u bë e pavarur. Cilat janë sfidat e vendit tuaj?

 

Ju keni të drejtë, se janë dekada të tëra të përpjekjeve të brezave të shumtë dhe natyrisht, falë gjithë asaj pune të madhe që është bërë në kohë të vështira, është përmbyllur cikli i pavarësisë së Kosovës. Më në fund Kosova është shtet sovran dhe i pavarur.

Deri tani e kanë njohur 54 shtete, nga 4 anët e globit dhe për ne është me shumë rëndësi që e kanë njohur shtete me influencë të madhe ndërkombëtare, sidomos ato vende që e kanë mbështetur nën trysninë e madhe të regjimeve serbe.

Shteti ynë sovran i sapolindur ka peripecitë e veta, në kuptimin e asaj që të dëshmojë qëndrueshmërinë e vetë politike, por nuk ka dyshim se Kosova e ka hapur portën e ekzistencës së saj. Gjithmonë kemi thënë dhe themi: kemi përballë shume sfida, sidomos ato që lidhen me pjesën e qëndrueshmërisë ekonomike të Kosovës. Do të thoja se Kosova ka shansin e vet, është një vend me një nëntokë jashtëzakonisht të pasur, me pasuri minerare, ka një popullsi jashtëzakonisht të re në moshë dhe kjo popullsi është e shkolluar në pjesën e saj më të madhe.

Sfidat tona sigurisht janë ato të një shteti normal.

Shoqëria jone është një shoqëri që ka përjetuar trauma dhe natyrisht kërkon kohë dhe hapësirë që të mbërrijë në një konsolidim shpirtëror, dhe me këto probleme bashkë është edhe pajtimi qytetar. Kini parasysh se sot nuk ka ende një integrim të plotë të komunitetit serb në Kosovë, ata e refuzojnë për shkak dhe të një ndjenje tjetër, të të qenit hegjemonë dhe supremaci ndaj të tjerëve për një kohë të gjatë, dhe për këtë shkak e kanë me hezitim integrimin në jetën e përditshme institucionale.

Ne ua kemi krijuar mundësinë e vazhdueshme, një pjesë e tyre e rëndësishme janë në institucione në pushtet qendror, në qeveri. Ata kanë të njëjtat të drejta me shumicën, madje dhe më tepër se shumica, të drejtat e pakicave janë të garantuara me pakon e Ahtisaaarit, me Kushtetutën e Kosovës, dhe me ligje specifike. 41 ligje janë nxjerre për ta me parime të veçanta, te cilët garantojnë pakicat në Kosovë, si në fushën e vendimmarrjes me 2/3 sipas parimit të Badinterit, dhe me vendet e rezervuara në qeveri dhe në parlament, që deshëm s'deshëm do të ishin kundër demokracisë. Dolën apo s'dolën në proceset zgjedhore, fituan apo s'fituan në zgjedhje, ata kanë vende të garantuara në institucionet kosovare, kjo ka qenë pjesë e sfidës sonë, po them paralelisht, dhe pjese e bujarisë të shumicës, e cila nuk jeton me ndjenjën e revanshit, ne dëshirojmë të mbyllim atë kapitull të tragjikes së përjetuar në nivel të kujtesës dhe t'i hapim rrugë proceseve të vendimmarrjes, të bëjmë përmbushje të përbashkëta të kritereve për të qenë të integruar në BE dhe në NATO, sigurisht kjo e fundit jo vetëm për Kosovën, po për sigurinë e krejt rajonit.

 

Cilat janë kërcënimet që i kanosen Kosovës? Përse?

 

Shikoni, ne kemi dalë nga periudha e pasluftës me një ecje që s'ka qenë e lehtë, që ka zgjatur 9 vjet dhe me një idhnim të madh të Republikës së Serbisë për të vazhduar rolin shtypës ndaj Kosovës. Këtu është paradoksi, do të thoja, se ajo ende s’ka kërkuar falje për krimet që ka bërë kundër Kosovës, kundër Bosnjës, dhe ende vazhdon me avazin e vjetër për të vazhduar veprën e saj apo tendencën të mbajë kontrollin e vazhdueshëm të vendeve të rajonit, gjë që është e pamundshme dhe ta mbaje Kosovën si koloni. Unë e them gjithnjë që Serbia asnjëherë s’e ka çarë kokën për qytetarët serbë në Kosovë, por gjithnjë për pasuritë e Kosovës dhe kjo lakmi vazhdon edhe sot e kësaj dite. Megjithëse elita e sotme politike serbe mund të duket më pro-perëndimore, ajo duhet të japë prova që ta lërë Kosovën rehat, së pari që të zhvillohemi dhe të ndërtojmë perspektivën tonë, dhe të ketë raporte të mira fqinjësore me vendet e rajonit. Serbia duhet të dorëzojë kriminelet në Hagë, se qeveria serbe duhet ta dije se ku fshihen kriminelet, siç qe rasti i Karaxhiçit! Sfidat dhe kërcënimet janë ende në këtë përpjekje, por besoj se ka një bindje në Kosovë dhe te ndërkombëtarët që nuk mund të ketë kthim prapa.

 

D.m.th., kërcënimi është... ?

 

Unë them se në këtë plan mund të jete ndonjë mbështetës i Serbisë që kërkon të mbaje pezull ende çështjet e njohjeve të mëtejshme të Kosovës. Për arsye të caktuara, federata ruse fatkeqësisht ka pasur një qasje joracionale edhe në Këshillin e Sigurimit, edhe në debatet e mëvonshme, në kuptimin e trysnive dhe kushtëzimeve me procese të caktuara të marrëveshjeve ekonomike apo të marrëveshjeve të llojeve të tjera për vendet, të cilat duhet të njihnin Kosovën. Kosova nuk është një precedent, është një karakter “sui generis” i përcaktuar dhe në planin Ahtisaari, po ashtu dhe në tiparet e veta që ka, qoftë në aspektin historik apo dhe në aspektet e zhvillimeve të saj kushtetuese, si dhe në pozicionet që ka pasur në kuadër të federatës së shpërbërë dhe deri në të drejtën e vet, sikundër dhe vendet e tjera. Madje, dhe bashkësia ndërkombëtare e ka hedhur poshtë sovranitetin e dikujt tjetër që ka pretenduar mbi Kosovën dhe natyrisht, kjo politikë çoi deri në shpalljen e plotë të pavarësisë së Kosovës në një akordancë të plotë me ndërkombëtarët. Dhe ne e quajmë të rëndësishme, se partneret e Kosovës e kanë mbështetur dhe me pas Kosovën për zhvillimet më të rëndësishme, sidomos mbështetja me Konferencën e Donatorëve, një ndihmë e veçantë që i është dhënë Kosovës dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm me shpenzimet e këtyre mjeteve.

 

Si e shpjegoni ju që kaq pak vende e kanë njohur Kosovën? Përse njohja ka ecur kaq ngadalë?

 

Besoj që ka pasur një prognozë, po unë s’kam operuar me shifra asnjëherë. Çdo shtet sovran ka natyrën e lindjes së tij. Ne jemi të kënaqur me numrin e deritashëm. Për ne është me shumë rëndësi që Kosovën deri më sot e kanë njohur më tepër se 2/3 e Bashkimit Evropian, se e kanë njohur vendet që krijojnë më shumë se 60% të GDP botërore, se e kanë njohur 7 vende nga G8, dhe se e kanë njohur vende që me buxhetin e tyre mbajnë mbi 80% të buxhetit të OKB. Prandaj, këto vende i janë gjendur Kosovës në kohëra të vështira dhe do të vazhdojnë në këtë qasje. Unë besoj se njohja do të vazhdojë më tej.

 

Gjykata Ndërkombëtare, me padinë e Serbisë, a do ta ngadalësojë njohjen?

 

Unë mendoj se në një kuptim jo! Ka qenë një përgjigje e tri vendeve në ditën e debatit që t'i jepet kjo mundësi Serbisë për ngritjen e padisë, dhe atë ditë Portugalia, Mali i Zi dhe Maqedonia e kanë njohur Kosovën, Emiratet e Bashkuara Arabe e njohën gjithashtu. Një përgjigje kjo jashtëzakonisht e mirë dhe ky cikël i përmbyllur me vende të rajonit, vende fqinje, është një përgjigje dhe për vende tepër të largëta për të thënë që Kosova ka problemet e veta, po s’ka probleme me të tjerët, fqinjët. Qëllimi ynë është qasja e fqinjësisë së mirë, madje dhe me Serbinë nesër! Natyrisht që e ardhmja e SEE është në bashkëpunim, në të gjitha fushat, edhe ato që lidhen me paqen dhe me sigurinë, si dhe ato që lidhen me komunikimet e lira të qytetarëve, aspektet ekonomike dhe të gjitha të tjerat, në suaza të një qëllimi të përbashkët për të qenë anëtarë të BE.

 

Kur mendoni se vendi juaj do të bëhet anëtar i OKB?

 

Natyrisht që do duhet ta njohin mbi 90 vende. Ne besojmë se do të përmbyllet pranimi i Kosovës në OKB. Besoj se do të ndodhë dhe ka premtime të shumta.

 

Cilat janë organizatat e tjera ndërkombëtare që Kosova synon të bëhet anëtare? Pse?

 

Paralelisht, për Kosovën është i rëndësishëm anëtarësimi në FMN, ndërsa me Bankën Botërore procedurat kanë nisur. Ndërkohë që anëtarësimi dhe integrimi në BE dhe NATO do të jenë procese mbase pak më të gjata. Ne na gëzon fakti që vendet e rajonit gati e kanë mbyllur ciklin; për ne është me shumë rëndësi që Shqipëria ka marrë ftesën, që Kroacia gjithashtu, që do të jenë anëtare të NATO-s dhe po përmbushin kriteret për të qenë anëtare të BE.

Kosova ka një shans të mirë që të mos përjetojë trajektoren dhe gjatësinë kohore që kanë pas këto vende me traditë më të gjatë sovraniteti dhe të pavarësisë së tyre, në kuptimin se legjislacioni i Kosovës është i përmbushur me kritere dhe standarde ndërkombëtare. Ne kemi punuar gjatë gjithë kësaj kohe me përfaqësues të BE që janë në Prishtinë në konsorciume të caktuara. Kosova është në një bazë të standardeve dhe besoj se do të arrijë vendet e tjera në rrugën e integrimit në proceset e ardhshme.

 

Populli i Kosovës dhe e gjithë klasa politike i janë kundërvënë planit të OKB, gjashtë pikësh, plan, i cili e ka vënë në pozicion të vështirë dhe bashkësinë ndërkombëtare në Kosove. Cilat janë arsyet e këtij refuzimi? Si e shpjegoni ju këtë qorrsokak?

 

Mendoj se janë disa gjëra që duhet të shpjegohen në opinion. Ka qenë një qasje e gabuar e të dërguarit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për të nisur një dialog, i cili në qasjen e tij apo në idenë e tij themelore prek tema, të cilat ne i kemi përfunduar. Ka çështje që në gërshetin e tyre prekin dhe në indin e sovranitetit dhe të strukturës shtetërore të Kosovës, në parimet e ndërtuara mbi bazën e projektit Ahtisaari dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Po ashtu, është gabuar që ai ka anashkaluar qëndrimin e Prishtinës. Me këtë s'dua të them që ne kemi një qëndrim kapriçoz ndaj sjelljes së të dërguarit special, por kemi një qëndrim parimor, për arsye se pikat e ofruara në elemente substanciale të tyre pikërisht shembin këtë konstrukt të ndërtuar e të mbështetur ndërkombëtarisht të shtetit të Kosovës, dhe asnjë shtet sovran, dhe as Kosova, megjithatë nuk do të lejonte që të ketë diçka që në një formë apo tjetër të dëmtonte këtë ecje, këtë rezultat dhe këtë konstrukt të pergjithshem te arritur dhe po e them, të mbështetur ndërkombëtarisht. Asnjë vend që e ka njohur Republikën e Kosovës deri tani nuk ka patur deklarime të tjera, përveçse e njohim Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, që nënkupton integritetin e saj; e njohim Republikën e Kosovës, e cila është zotuar në zbatimin e projektit Ahtisaari, ndërsa projekti Ahtisaari anashkalohet në këto gjashtë pikat; e njohim Republikën e Kosovës për të qenë partnerë të rëndësishëm të bashkëpunimit dhe, prandaj, asnjë shtet s’mund të jetë neutral në këtë proces. Kjo lojë që ai njeri ka udhëhequr dhe në njëfarë mënyre ka marrë me të parën pëlqimin e Beogradit, për Prishtinën është e papranueshme, pra dhe dokumenti si i tillë. Por kjo nuk do të thotë asnjëherë se Prishtina ka qenë kundër vendosjes së EULEX në Kosovë. Vendosja e EULEX në Kosovë mbështetet në parimet e ditura mirë dhe të ndërtuara më herët.

 

Në planin Ahtisaari apo jo?

 

Absolutisht, ju e keni parasysh se EULEX është ftuar apo parashikuar që të jetë në bazë të projektit Ahtisaari. Si një prezence civile ndërkombëtare, e cila jo vetëm që do të mbështesë zbatimin e planit Ahtisaari, por dhe do të japë mbështetjen në fushën e sigurisë. Çështja e dytë është se, me deklaratën e pavarësisë është krijuar bazë, po ashtu, e rëndësishme për të patur EULEX në Kosovë. Më 4 shkurt 2008, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është një vendim i përbashkët apo një platforme e dokumentuar e Bashkimit Evropian në joint-action plan, plani i përbashkët i veprimit mbi mandatin e EULEX. Është në Kushtetutën e Kosovës e paraparë që do të jetë EULEX apo prezenca civile në Kosovë; është në ligjet specifike që kanë të bëjnë me fusha të caktuara; është në ftesën që unë si president i Kosovës i kam bërë BE për t’i patur këto institucione, çfarë duhet tjetër? Pse të ketë nevojë tashmë të negociohet dhe të futemi në rrafshe të reja të përplasjeve për diçka që është përfunduar dhe kjo është joparimore, dhe s’mund të ketë argumente askush për të thënë: “Eja të shohim që të krijojmë një bazë më të saktë”. Për ç’arsye? Këto janë dy tendenca, tendenca e parë e Serbisë që nëpërmjet bashkësisë ndërkombëtare apo mbështetësve të saj, të cilët kanë kushtëzuar procese të caktuara, të rihapë edhe njëherë një kapitull të bisedimeve për të thënë që çështja e statusit të Kosovës nuk ka përfunduar. Në Këshill të Sigurimit nuk ka pas luhatje, dhe ne nuk do të lejojmë që t'i rikthehemi negociatave. Ne do t'i përmbahemi marrëveshjeve të mëparshme që janë arritur për vendosjen e EULEX në Kosovë dhe assesi nuk do të pajtohemi të zbatojmë pika, të cilat në një formë apo në një formë tjetër janë në përputhje me këtë gjashtë pikësh të ashtuquajtur dhe që prekin në sensin e shtetit të Kosovës.

 

A po bën gabim bashkësia ndërkombëtare në këtë drejtim?

 

Unë mendoj se është një qasje joracionale, nëse dikush insiston në këtë.

 

Cilat janë gabimet që bashkësia ndërkombëtare ka bërë në Kosovë apo që është duke bërë?

 

Unë kam menduar se kemi mundur ta kryejmë më shpejt procesin e investimeve në Kosovë, sidomos me kohëzgjatjen e UNMIK. Nuk them se gjithnjë ka qene idil, po janë bërë megjithatë punë të mira në Kosove. Nëse shohim fillimin dhe fundin, është kaluar një distance kohore e gjatë, Kosova mos harroni se ka zhvilluar pese cikle zgjedhore gjatë kësaj periudhe dhe rigjenerimin e forcimin e institucioneve. Zgjedhjet në Kosovë janë shpallur si zgjedhjet më të mira në të gjithë Evropën Juglindore, dhe kjo është cilësi. Dhe kjo s'është bërë në formë të dhunshme, por është pjesë e vullnetit të vazhdueshëm të qytetarëve të Kosovës për të shprehur nivelin e kulturës së tyre politike dhe shtetformuese. Janë këto zgjedhje gati një tip referendumi për të ardhmen e Kosovës, sepse njerëzit kanë votuar për shtetin e tyre, përmes votës së lirë ata kanë shprehur mendimin e tyre, dhe këto kanë shkuar në proces të qetë.

 

A e konsideroni gabim të bashkësisë ndërkombëtare çështjen e Mitrovicës?

 

Po, mund të them se po! Po të kishte pasur veprime energjike që në fillim, sigurisht që situata do të qe ndryshe. Nuk duhej të lejohej dhe tolerohej veprimi i strukturave paralele, të cilat kanë qenë gjithmonë struktura ilegale, dhe ato të kenë mundësi që në njëfarë mënyre të kapërcejnë dhe të bëjnë punën e tyre destruktive, sepse i kanë marrë peng qytetarët serbë të Mitrovicës. Nuk i kanë lejuar që ata t'i kthehen realitetit, nuk i kanë lejuar që të shohin perspektivën. Megjithëse lufta ka mbaruar, qytetarët serbë të Mitrovicës kanë qenë tërë kohës nën tensionin e luftës; është atje një pjesë njerëzish që kanë borxhe dhe duhet ta kenë frikën e përballjes me drejtësinë ndërkombëtare, sepse kanë bërë krime në Kosovë. Ata janë stacionuar dhe janë pjesë e skuadrave të ndryshme që kanë qenë në lëvizje dhe kanë bërë masakra, një pjesë e tyre kanë dalë nga burgu i Mitrovicës, dhe është kjo kategori njerëzish që nuk e duan stabilitetin. Atyre iu intereson të ketë mjegullnajë të vazhdueshme, të mos ketë rend ligjor, të mos ketë dogana dhe të mbledhin haraçin vetë. Dhe kjo është një konsekuencë e bashkëfajit edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Këto grupe janë konsideruar nga OSBE dhe nga UNMIK si bandat e urave, përse bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar? Nuk them se duhej bërë me dhunë, po me aksione të koordinuara pak nga pak do kishte mundur të zinte atë hapësirë, prandaj këto janë pjesë e të pabërës...

 

E gabimeve?

 

Natyrisht!

 

Rusia përfitoi nga shpallja e pavarësisë së Kosovës për të avancuar në konfliktet e veta në Kaukaz. Si e shpjegoni ju ofensivën serbo-ruse në OKB kundër Kosovës? Si e parashikoni fundin e kësaj ofensive?

 

Mund të jetë një shkas, një casus belli, që Rusia kërkon të krijojë paralele me vendet e Kaukazit, po që nuk mund të jenë të qëndrueshme. Por përballjet e saj kanë interesa më të mëdha globale. Dhe unë ua kam përsëritur vazhdimisht edhe përfaqësuesve perëndimorë, po edhe të tjerëve - vija e kuqe e mbështetjes parimore dhe të drejtë të Perëndimit s'mund të kapërcehet nga një trysni që vjen nga Lindja, në rastin tonë nga Federata Ruse, dhe në kuptimin e testimit të fuqisë dhe të karakterit të energjisë së përbashkët evropiane dhe amerikane për një proces që është përmbyllur suksesshëm.

Të lejohet të hapet çështja e Kosovës për shkak të pretendimeve të Rusisë për të hyrë në Gjeorgji etj? Të lejohet shembja e Kosovës për shkak të interesave të saj, përballjes me sistemet raketore dhe format e tjera? Të lejohet prishja e një koncepti të përbashkët evropian të komunikimeve ekonomike dhe të komunikimeve të tjera për shkak të interesave ruse? Të daljes në bregdet në Mesdhe dhe të formave të tjera, dhe për të mbështetur gjithmonë në vijën më të keqe të mundshme një qasje negative? Rusia ka qenë anëtare e Grupit të Kontaktit dhe ka qenë e përbashkët në konkluzionin se duhet të realizohet vullneti i shumicës në Kosovë. Gjatë negociatave të statusit, që unë vetë i kam udhëhequr, kërkohej një zgjidhje që të sigurojë fazën e stabilitetit, po cila është ajo zgjidhje? Është pavarësia e një kombi! Rusia ka qenë anëtare e treshes ndërkombëtare dhe prapë ka pasur këtë qasje proklamatave. Pse të ndodhë diçka tjetër? Përse të ndodhë të mbështetet qëndrimi i Serbisë dhe të mos shihet se çfarë ka bërë Serbia ndaj Kosovës? Në fund të fundit, Kosova s'ka qenë asnjëherë pjesë e Serbisë dhe përballja është e interesave më të mëdha, ku Kosova s'mund të luajë asnjë rol, po ajo që është e sigurt, është se Kosova ka ecur mjaft në rrugën e saj historike dhe s'do të ketë kthim prapa.

 

Në Kosovë vihet re ende një turbullirë legjislative mes qeverisë së Kosovës, UNIMK dhe EULEX! Si po e përballon shteti, në krye të të cilit ju qëndroni, këtë rrëmuje administrative?

 

Unë nuk besoj se vazhdon ky dualitet, ne jemi duke e kapërcyer këtë periudhë. Është e vërtetë që është një periudhë kohore e caktuar, në të cilën UNMIK e kreu mandatin e tij dhe po i kalon pushtetin EULEX, për aq sa EULEX ka mandat këtu.

 

A nuk është kjo e rrezikshme për Kosovën?

 

Në nivel parimor Kosova do të ketë vetëm Kushtetutën e saj dhe ligjet e saj. Unë mendoj se kjo periudhë e tranzicionit të tanishëm do të jetë shumë e shkurtër.

 

Partia juaj, LDK, është në aleancën qeverisëse me kryeministrin, Hashim Thaçi. Si po kalon bashkëjetesa mes dy forcave politike?

 

Them se është një qeverisje e dy partive më të mëdha në Kosovë, ky është një koalicion për Kosovën. Kjo nuk do të thotë që të mos bashkëpunohet me forcat e tjera. Unë mund të them se Kosova e ka kaluar suksesshëm këtë periudhë tepër të rëndësishme në një koherencë të plotë të gjithë spektrit politik. Kini parasysh, edhe Kushtetuta, edhe ligjet, edhe shpallja e pavarësisë janë bërë në konsensus të plotë dhe kjo është e mrekullueshme! Mendoj se kjo frymë do të vazhdojë, mund të ketë dhe divergjenca mes pozitës dhe opozitës, por mund të them se për karakterin e ecjes që kemi pasur, kemi pasur qasje unike në çështjet e interesit të vendit.

Një qeveri e interesave kombëtare!

 

Tashmë mund të thuhet se Kosova ka ushtrinë e saj? Kush ju ka ndihmuar për ta krijuar ushtrinë e Kosovës?

 

Kosova tashmë e ka të themeluar Forcën e re të Sigurisë së Kosovës që në një sens është Ushtria e Kosovës. Kjo force do të ketë 2500 trupa aktive dhe 800 rezerve. Puna po bëhet nën mbikëqyrjen e plotë të NATO-s. Për ne NATO është partner i rëndësishëm, jo vetëm në pjesën e asaj që mund të quhet mbrojtje logjike e qytetarëve të Kosovës dhe perspektivës së saj, por dhe një partner i rëndësishëm në zhvillim dhe strukturë, në të cilën aspirojmë të anëtarësohemi si vend në të ardhmen.

 

Është gjithashtu partneri juaj kryesor për t'ju hapur dyert e integrimit euroatlantik të Kosovës?

 

Absolutisht.

 

Si po bëhet procesi i decentralizimit? Kur mendohet të përfundojë? Kjo ishte thembra e Akilit e negociatave të Vjenës!

 

Ka qenë thembra e Akilit dhe ju e dini se kemi pasur biseda të gjata, janë bërë zgjedhje jo-racionale, por që i kemi bërë me vetëdije, si përgjigje në kërkesat e palës serbe. E quaj joracional një vendim që komunës së Novobërdës t'i shtohen disa fshatra, të cilët janë afër Gjilanit, disa kilometra nga Gjilani, dhe janë gati 30 km larg nga qendra ku duhet të shkojnë dhe të marrin dokumentet. Kjo ka qene një zgjidhje, për të cilën kanë reaguar dhe qytetarët serbë të këtyre vendbanimeve. Për ne është me rëndësi që të shohim që ky proces të zbatohet në një proces gradual.

Unë iu kam shtruar pyetjen ndërkombëtarëve: Është irracionale që presidenti, kryeministri, ministri i Pushtetit Lokal të dalin të zbatojnë çka është parashikuar në planin Ahtisaari, dhe nga ana tjetër të ofrohet një tjetër qasje irracionale ndaj Kosovës vetë?! Prandaj duhet të merren gjërat shtruar, projekti ekziston, duhet bërë një lobizim pozitiv në kuptimin integrues të qytetareve. S'mund të krijohen partikularizma dhe shembje e karakterit unitar të Kosovës. Decentralizimi do të jetë një shans më tepër për të gjithë qytetarët.

 

Si janë marrëdhëniet tuaja me përfaqësuesit e minoritetit serb të Kosovës?

 

Të gjithë i trajtoj si qytetarë të barabartë të Kosovës. Unë kam raporte jashtëzakonisht korrekte me njerëzit që janë në institucione. Shfrytëzoj rastin shpesh të vizitoj familjet e kthyera apo nëpërmjet medieve të tyre kam pasur komunikim me publikun e atjeshëm. Ka pasur raste që institucioneve të caktuara, mbase u ka kushtuar komunikimi me ta. Unë kam shkuar në 2006 për Pashkë në Manastirin e Deçanit bashkë me përfaqësuesin special të UNMIK, dhe ka ndodhur që i kanë shkarkuar, pse ata kane ngrënë dreke me mua! Po unë do të vazhdoj me qasjen time që të gjithë t'i trajtoj si të barabartë. Nuk e lë të më kalojë asnjë rast i festave të rëndësishme dhe iu drejtohem me mesazhe urimi. Dhe natyrisht, vijnë qytetarë serbë në zyrën time, paraqiten, bëjnë shkresa dhe unë mundohem t'u jap zgjidhje problemeve të tyre.

 

Në planin ekonomik, rezultatet nuk janë aq spektakolare, sot Kosova gjendet në një situatë të vështirë, ku vihet re një nivel i madh papunësie dhe një krize sociale e thellë... Si mendoni ju se do ta tejkaloni këtë krizë?

 

Ne kemi probleme sociale e ekonomike, të cilat janë pasojë e shkatërrimeve të hershme dhe të mungesës së investimeve për një kohë të gjatë në Kosovë, dhe para se gjithash kane buruar edhe nga statusi i pazgjidhur i vendit.

Por, për këto vite, përballja e institucioneve ka qenë me çështjet që realisht janë ashtu siç janë, në përpjekje të përmirësimit të kësaj gjendjeje. Tashmë, si një vend i pavarur e i njohur ndërkombëtarisht po punojmë që shumë shpejt të krijojmë mundësitë që të kemi një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe që do të sigurojë mundësi më të mira punësimi e përparimi, si dhe në veçanti të investimeve nga jashtë, duke siguruar kushte sa më të favorshme për këtë. Kosova është në euro-zonë dhe është me rëndësi, se kemi qenë të disiplinuar në respektimin e kritereve.

 

Çfarë i ofron Kosova investuesve të huaj?

 

Në Kosovë janë bërë një numër investimesh në procesin e privatizimit të objekteve të ndryshme, janë bërë investime do të thoja jo ende me efekte të plota në fushën e energjitikës, por mendoj se do të bëhen investime strategjike në këtë fushë. Kosovës ende i mungojnë investime që lidhen me zhvillimin e sektorëve të caktuar ekonomikë, dhe ne kemi paradoksin, se kemi një vend me pasuri të pashtershme minerare, ndërsa nuk ka investime në këtë drejtim deri më tani.

 

Me konkretisht, në ç’fusha prisni se do të ketë investime?

 

Do të ketë investime të rëndësishme në fushën e energjisë, do të përfundohet me projektin e Kosovës C apo Kosova e re, do të përfundohet me projekte në agro-ekonomi. Kosova ka një tokë të mrekullueshme, dhe duhet të gjenden mundësitë që të investohet në ndërmarrjet e PME, si dhe investime në fushat të tjera. Siç e përmenda më lart, ne jemi një vend mjaft i pasur me pasuri minerare dhe po ashtu kemi burime njerëzore, popullatën me moshe të re mjaft aktive, të interesuar për edukim sa me cilësor e përgatitje sa më të mirë profesionale. ..

 

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Shqipërinë? Projekte të përbashkëta? Uniformizim i politikave të rëndësishme për vendin? A mbetet Shqipëria vetëm në rolin e një partneri strategjik apo do të ketë dhe zhvillime të tjera?

 

Janë marrëdhënie të shkëlqyeshme. Mund të themi se janë marrëdhënie që rrjedhin natyrshëm nga njerëz të një gjaku. Për ne është me rëndësi se Shqipëria ka qene mbështetëse e fuqishme për të gjitha proceset që kane shoqëruar Kosovën deri në pavarësi, po tashmë janë natyrisht marrëdhënie të dy vendeve sovrane. Ne e çmojmë këtë realitet politik të konstelacioneve të krijuara në Evropën Juglindore. Dëshirojmë që të vazhdojmë bashkëpunimin me Shqipërinë, si dhe vendet e tjera. Me Shqipërinë kemi një bashkëpunim të shëndoshë, në një numër të madh projektesh.

Para disa ditësh isha në vizitë zyrtare në Tiranë dhe propozova pikërisht që të krijohet si një shembull i mirë i gravitimit tonë të vlerave evropiane dhe të komunikimit, të krijojmë një si mini-Schengen të Evropës Juglindore, derisa të kemi integrimin në BE. Pse njerëzit te mos lëvizin lirshëm vetëm me një letërnjoftim, pa patur nevojë për pasaportë?! Nëse Shqipëria ka marrë një vendim dhe që është i drejtë, që gjatë verës njerëzit të shkojnë në bregdet, kur fluksi është shumë i madh, që njerëzit mos t'u nënshtrohen formaliteteve në kufi, përderisa e aplikojmë gjatë muajve të verës, pse mos të jetë e njëjte dhe për pjesën tjetër të vitit? Mali i Zi gjithashtu ka bërë të njëjtën gjë.

 

Si janë marrëdhëniet tuaja me Maqedoninë, Malin e Zi dhe me vendet e tjera të rajonit?

 

Jashtëzakonisht të mira, janë marrëdhënie praktike, dhe akoma më mirë tashmë me njohjen. Maqedonia ka pasur arsyet e veta pse e kishte zvarritur pak njohjen, Mali i Zi i mund të ketë pas akoma dhe më tepër, po ne i falënderojmë vendimet e tyre sovrane për njohjen e shtetit të Kosovës.

 

Zgjedhja e presidentit amerikan, Barack Obama, a është pozitive për Kosovën?

 

Mendoj se SHBA kanë treguar dhe njëherë në një proces elektoral vlerat e demokracisë dhe ky është një refleksion i kulturës shtetërore. Dhe për ne është me rëndësi që presidenti Obama ka marrë mbështetjen e shqiptareve të USA. Ata kanë një politikë konsistente ndaj Kosovës. Jam i bindur se ata do të vazhdojnë të njëjtën gjë pa hezitim.

 

Emërimi i Hillary Clinton si sekretare Shteti a është pozitiv për Kosovën?

 

Janë pjesëtarë të historisë së Kosovës....

 

Cilët janë politikanët aktualë që e kanë kuptuar më së miri çështjen e Kosovës?

 

Mendoj se ka qenë një gjenerate tepër e rëndësishme që ka mbështetur Kosovën. Nuk mund të harroj pozicionin e presidentit Bush në 1992, as rolin e presidentit Clinton në heqjen qafe të shpatës që priste koka në Kosovë, s'mund të harroj asnjëherë mjaft - shprehjen e presidentit George W. Bush më 10 qershor 2008 dhe s'mund të harroj dhe përkushtimet e dhjetëra senatorëve amerikanë.

Po s'mund të harroj kryeministrin Blair, presidentin Shirak, s'mund të harroj qasjen që ka kryeministri Brown, dhe sigurisht s'mund të harroj përkushtimin që ka presidenti Sarkozy. Një rol të madh kanë luajtur dhe udhëheqësit e shteteve të Quintit, si dhe udhëheqja shqiptare.

 

Cila është ëndrra juaj për Kosovën?

 

Ëndrra është realizuar te ne. Kam kujtimin e shumë njerëzve që me vdekjen e natyrshme kanë shkuar me sy çelë se si po bëhet Kosova. Kam respektin për shumë njerëz që sakrifikuan gjatë luftës gjithçka për të parë këtë që u realizua: Lindjen e shtetit tonë! Do të dëshiroja që tash e tutje të jetë e natyrshme buzëqeshja e fëmijëve të Kosovës.

 

Ilda Mara eshte studiuese dhe këshilltare pranë revistës franceze “Politique Internationale”

2 Komente

 Intervista ishte e shkelqyer, mendimet e pjekura, dhe si perfundim do te shtoja se sa me shume ekonomikisht te forcohet Kosova dhe shoqeria e saj aq me mire dhe aq me lehte do jete per te.

Interviste teper interesante, rrjedhshmeri mendimi dhe gjykime te matura. Qeveria e Kosoves dalengadale duhet te filloj te tregoje me teper prezence ne vendimarrje dhe pergatitjen e politikave ne vend.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).