Kujt i duhet shteti?

Është interesant të shtrohet kjo pyetje sot: kujt i duhet shteti? Shteti nuk është mistifikim, as ndonjë substancë magjike; ai nuk është simbol, as altar para të cilit duhet përkulur e falur. Shteti është krijesë shoqërore; si e tillë, ai është një krijesë materiale me funksion dhe rol të caktuar në marrëdhëniet shoqërore. Rolin e shtetit më së miri do ta kuptojmë duke u nisur nga realiteti i grevave, të cilat i kemi përjetuar shpesh në Kosovë në vitet e fundit, duke filluar nga punonjësit e arsimit, deri te ata të shëndetsisë e të shërbimeve publike – të gjithë këta sektorë të rrezikuar nga ritmi i pandalur i privatizimeve dhe shkatërrimit të sektorit publik, bosht ky i politikës neoliberale të institucionalizuar në Kosovë nën petkun e “modernizmit” të ekonomisë (lexo: zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve monetare në të gjitha sferat e jetës).

Por dukuria e grevave të shpeshta të punonjësve publikë dhe kundërthëniet rreth tyre kanë nxjerr në shesh një të vërtetë të thjeshtë: se populli i Kosovës tashmë është ndarë në dy grupe sociale, në ata që kanë dhe ata që nuk kanë nevojë për shtetin. Ndërsa disa kanë nevojë për funksionin efektiv, të drejtë dhe gjithpërfshirës të shtetit, siç janë grevistët të cilët presin shpërblim adekuat për punën që kryejnë si shërbëtorë civilë dhe publikë, për të tjerët shteti është thjesht një instrument, për disa edhe një pengesë. Është bërë një fakt pothuaj evident se gjatë viteve të pasluftës në Kosovë ka lindur një klasë njerëzish e cila realisht nuk ka nevojë për shtetin. Të mbështetur materialisht dhe ekzistencialisht në tregun e një variante primitive por megjithatë të globalizuar të kapitalizmit, duke jetuar brenda kornizave ekonomike por jashtë kushteve materiale në të cilat jetojnë shumica e popullsisë kosovare, kjo klasë, me prejardhje nga më të ndryshmet sociale, familjare e rajonale, gradualisht po realizon nevojat e veta jashtë kuadrit të shtetit publik, për të jetuar në një univers paralel të jetës së bollëkut midis varfërisë dhe degradimit social të përmasave katastrofike.

Të siguruar nga sigurime private, të izoluar nëpër rezidenca gati të blinduara, tani edhe të shkolluar nëpër shkolla private, ky grupim shoqëror shkon gjithnjë e më tepër duke u shkëputur nga fati i njeriut mesatar në Kosovë (në qoftë se mund të thuhet se ekziston vërtetë një mes në rangun e shkallëve sociale në Kosovë, e karakterizuar sot më shumë se kurrë nga pabarazia drastike). Kjo është klasa që prodhoi tregu i pasluftës, një treg që mbështetet në parimin e nënshtrimit ndaj më të fortit, e në shfrytëzimin e mizeries skamnore të të dobëtit kundër tij, e për të cilën nevoja për shtet shkon duke u minimalizuar, pos kur vetë shteti përbën shans për nxjerrjen e përfitimit material në kurriz të thesarit publik që shteti administron.

Interesi universal dhe i dyanshëm i profitit i bën edhe dallimet midis partive gjithnjë e më të parëndësishme për këtë grupim shoqëror sepse çdo parti, kur nuk është drejtpërsëdrejti në shërbim të tyre, hap krahët për ta, sepse kjo klasë komunikon me gjuhën universale të parasë të kuptuar nga çdo kllapë liderësh politik, burokratësh partiak e nëpunësish ministror. Veprimet e vetëdijshme materialiste (të përllogaritjes ekonomike dhe logjikës së akumulimit të pafundëm) të kësaj klase bashkëjetojnë me të pavetëdijshmën e efektit material të saj (të kostos shoqërore që paguhet), ndërsa skamja e tjetrit arsyetohet me gjuhën e tregut të lirë dhe zhvillimit ekonomik. Ndërsa kjo klasë, e shprehur politikisht në formën e pushtetit aktual, paraqet pikëmbështetjen e forcës anti-publike në Kosovë, sepse mekanizmi i tregut, i qarkullimit të pakontrolluar të kapitalit, e i shitblerjes së gjithçkaje (madje edhe të dijes akademike që i vihet në shërbim), është e vetmja vlerë sublime të cilës i nënshtrohet kjo klasë.

Patriotizmi dhe nacionalizmi nuk janë antipodë të kësaj klase sepse patriotizmi dhe nacionalizmi nuk janë për ta vlerat e një shteti dhe të një shoqërie por marka të një kamuflazhe retorike nën të cilën fshihet veprimtaria anti-shoqërore dhe anti-publike e strukturave aktuale të pushtetit. Patriotizëm anti-shtetëror dhe nacionalizëm anti-kolektiv, ai që mbetët i cunguar në simbole e kremta e jo në substancë shoqërore, jo në solidaritet e bashkësi por në legjitimimin e autoritetit paternalist e të pakontrolluar dhe të nënshtrimit të shumicës përderisa këtë e kërkon interesi material dhe kalkulimi sipas aritmetikës së pazarxhiut. Kjo është esenca e strukturës shoqërore që po ndërtohet sot në Kosovë. Mosnevoja për shtet për këtë klasë është e dyfishtë.

As shteti i së drejtës, as shteti social nuk është i nevojshëm për këtë shtresë. E shtetin e definojnë pikërisht drejtësia dhe barazia (e mundësive në qoftë se jo e rezultateve) të cilin ai është i obliguar të krijojë në shoqëri. E para nuk i duhet sepse për drejtësi nuk ka nevojë, e kur ka këtë e zgjidh zyrtarisht përmes kanaleve jozyrtare (edhe policët dhe gjykatësit kanë çmim, apo jo). Kurse shteti social është edhe më pak i nevojshëm, apo i nevojshëm vetëm për t’i qetësuar shpirtërat e masës, për t’i dhënë lëmoshë sa një familjeje skamnore, gati njëjtë një familje pensionisti, mësuesi apo nëpunësi komunal, të cilëve u thuhet se mizeria e tyre nuk është çështje kolektive por problem personal i tyre.

Antiteza e shtetit nuk është anarkia, por shoqëria e nënshtruar ndaj forcave shoqërore të cilat ajo, kolektivisht, nuk është në gjendje t’i vëjë nën kontroll, të forcave të cilat do ta shfrytëzojnë shoqërinë, për t’i marrë të gjitha që ajo jep për t’i mos dhënë asaj asgjë mbrapa. Kjo është natyra e shtetit (apo e jo-shtetit) i cili po ndërtohet sot në Kosovë — një shtet anti-publik, anti-kolektiv, privatist e nepotist në kuptimin më të ngushtë fisnor e familjar, i mbështetur në gllabërimin e edhe asaj grimce të mbetur që është e përbashkët, kolektive, vetë nocioni i së cilës po bëhet gjithnjë e më arkaik dhe i pakuptimtë. Korrupsioni është vetëm një shenjë e suksesit e këtij projekti të pashpallur për ta degjeneruar atë që është publike, është shenjë se tregu po funksionon jashtëzakonisht mirë, sepse edhe ligji dhe organet e tij për të janë fleksibil, të kapërcyeshëm dhe kurdo të disponueshëm para ankandit. Korrupsioni është shenjë e tregut që i ka futë brenda suazave të veta edhe strukturat e shtetit, se shteti në vend se ta kontrollojë tregun është vetë i kapërdirë nga tregu, kur edhe strukturat më të larta shtetërore kanë çmim. Korrupsioni është pika bashkuese e politikës zyrtare ekonomike dhe ekonomisë jozyrtare politike që bëhet sot në Kosovë, ajo që ka ngritur gllabërimin dhe prostitucionin e pushtetit, përdhosjen e ligjit dhe prishjen e solidaritetit, në vlerat më të larta patriotike e në virtytet më të çmuara kombëtare.

Kjo rrymë shoqërore e politike përbën forcën themelore që i jep shpirt e mish vazhdës së shkatërrimit të po atyre institucioneve që për një dekadë, në kushtet më të vështira e më të rrezikshme i bënë ballë një pushteti të egër represiv të Serbisë millosheviqiane. Po atyre institucioneve që dje ekzistonin si mburrje dhe pararojë e e rezistencës e që sot gjallërojnë si një barrë kolektive e dhembjes dhe e turpit — arsimit, sistemit shëndetsor, universitetit e të gjitha institucioneve tjera që lindën në kohë të vështira, mbijetuan kohë edhe më të vështira që vetëm sot në kohën e “çlirimit” të kalojnë nëpër duart e kasapit të quajtur pushtet politik, për t’i degjeneruar, diskredituar, demoralizuar e skamnuar. Kjo nuk është thjesht çështje teknike kompetencash, reformash e finesash të tjera juridiko-administrative, as çështje buxhetesh e e ndarjes së të hollave, fjala është te një logjikë e caktuar pushteti e autoriteti që rrënon, degjeneron dhe privatizon në emër të popullit atë që është publike, atë që i takon atij e për të cilën shteti është kujdestar.

Klasa akumuluese (lumpenborgjezia e re e kapitalizmit kosovar), partitë paternaliste që arkën publike e trajtojnë si pronë private, dhe struktura administrative ndërkombëtare që në emër të progresit ka institucionalizuar konservatorizmin neoliberal si parim operacional të organizimit shtetëror, janë bashkuar në një aleancë të heshtur por megjithatë të përbashkët për ta shndërruar shoqërinë kosovare në një moçal mbi të cilin fluturojnë pehlivanet, në një pazar korbash e një djerrinë të moralit kolektiv. Këtij triumvirati, secilit për një varg motivesh e interesash të ndryshme, i intereson demokracia formale, demokracia përderisa ajo nuk përbën një forcë kundër tyre, një demokraci që ekziston në rrafshin simbolik, në formën e slloganeve dhe të premtimeve megallomane, në formën e demagogjisë dhe të “zgjedhjes” midis jo-alternativave, por që është i ndrydhur në rrafshin institucional, në rrafshin e marrëdhënieve shoqërore e të rendit social, në rrafshin e politikës publike e të pushtetit politik.

Sot kur Kosova gjendet në prag të zgjidhjes së “statusit”, harrohet se as pavarësia formale, nën kushtet aktuale, nuk përbën revolucion, nuk do t’i ndryshojë drastikisht raportet shoqërore ndërsa shoqëria kosovare do të vazhdojë të jetojë nën dominancën e po të njëjtës strukturë shoqërore, po të njëjtës logjikë të intensifikimit marramendës të pabarazive sociale dhe po të njëjtës ideologji destruktive anti-publike, mbase edhe i përforcuar nga një autoritarizëm gjithnjë e më i hapur dhe arrogant. Nuk është çudi që vetë nocioni i pavarësisë, i nënshtruar ndaj formulimeve juridike dhe interpretimeve kavaliere politike e diplomatike, është zhveshur nga dimensioni normativ i tij, nga asociacioni i tij me lirinë kolektive e me solidaritetin shoqëror, për t’u reduktuar dhe shabllonizuar në gjuhën teknike të “statusit” e të çështjeve juridike të lidhur me të — një akt administrativ që zbatohet nga një komision pothuajse teknik e administrativ (që është Ekipi i Unitetit) e jo një akt politik që ndryshon thelbin e formacionit aktual shoqëror.

Kjo gjuhë politikisht demobilizuese i shërbën strukturave dominante, sepse një mobilizim real kolektiv për pavarësi do të ishte në të njëjtën kohë mobilizim kundër kësaj forme të pushtetit anti-publik dhe anti-qytetar dhe e strukturave që e mbështesin, pushtet nga i cili përfiton një pakicë e vogël ndërsa nga shumica kërkohet që ta gjejë ngushllimin në gjeste verbale dhe t’i bëjë ballë vuajtjeve si gjoja çmim që po paguhet për të ardhmen. Por ku qëndron antipodi, apo cila është ajo forcë antagoniste shoqërore që mund t’i kundërvihet kësaj rryme që po shkatërron çdo formë të jetës kolektive, të asaj që përbën esencën e një shoqërie të organizuar e të një kombi të institucionalizuar? Cilat janë ato grupime e shtresime që, përkundrazi, kanë nevojë për shtetin, për institucionet e tij si vërtetë institucione me cilësi publike e kolektive e jo si resore të klaneve partiake e të interesave të profitit?

Nuk është populli, të paktën jo i kuptuar në abstrakt, të paktën jo popull që konceptohet si një subjekt unitar, i pandryshueshëm dhe një krijesë që ekziston pothuajse jashtë procesit real historik. “Populli” si subjekt është një mistifikim që i konvenon retorikës politike të triumviratit të lartpërshkruar, ndërsa edhe argati më i pashkolluar e din se raporti i secilit me shtetin është i ndryshëm, se dikush është i varur nga shërbimi që ai jep, nga një shkollë apo shtëpi shëndeti që ai ndërton, e se për dikë institucionet publike janë objekt denigrimi e talljeje, lluks ky i mundësuar nga fakti që për dikë janë gjithmonë afër shërbimet superiore të privatnikut që ky ka aftësi t’i paguajë. Kujt i duhet shteti? I duhet pikërisht atyre shtresave dhe atyre segmenteve të shoqërisë, atyre klasave që kanë nevojë për shtetin si mburojë, si mbrojtje e si institucion që i shërben atyre për nevojën elementare të zhvillimit të një jete dinjintoze. Këta janë arsimtarët, punëtorët, punonjësit publikë dhe sindikatat që i tubojnë këta, janë nxënësit, studentët dhe konsumatorët e thjeshtë, janë tregtarët e vegjël, bujqit dhe argatët e pazareve të punës, janë artistët, të papunët, pensionistët, bonjakët e të sëmurët e spitaleve, janë viktimat e luftës dhe ata që akoma jetojnë në streha refugjatësh, ata që nuk mund të dalin nga qarku i urrejtjes e ato që i nënshtrohen dhunës në shtëpi, të gjithë këta “njerëz të vegjël” e “të parëndësishëm”, që megjithatë përbëjnë shumicën dërrmuese, kanë nevojë për shtetin, për funksionin dhe funksionimin e tij, për drejtësinë e ligjit dhe sundimin e drejtësisë. Vetëm një lëvizje e vërtetë sociale e përbërë nga po këta “njerëz të vegjël” mund ta hapë mundësinë për ndërtimin e një shteti që bën punë të mëdha.

2 Komente

Shteti është krijesë shoqërore; si e tillë, ai është një krijesë materiale me funksion dhe rol të caktuar në marrëdhëniet shoqërore.

Ku e je gjetur këtë përkufizim të Shtetit, ô Besnik Pula? apo e ke shpikur nga mendja? Në se është rasti, më naiv - për të mos e quajtur thjesht foshnjor - nuk më kanë zënë sytë!

Përse nuk hap librat, ato për të qenë, për të dhënë një përkufizim të denjë? P.sh: sociologu gjerman Franz Oppenheimer (në se ja ke ndjerë emrin) që në vitin 1926 e ka përkufizuar atë kështu: "Shteti është organizimi i rrugës politike; është sistematizimi i procesit grabitës mbi një territor të dhënë.... si koncept sociologjik, Shteti në gjenezën e tij [..] është një institucion shoqëror, i imponuar nga një grup njerëzish fitues mbi njê grup hupësish, qëllimi i vetëm i të cilit është të rregullojë dominimin e grupit fitues mbi tjetrin, sikundër dhe të mbrohet nga revolta e brendshme dhe nga sulmet e jashtme. Teleologjikisht, ky dominim s’ka asnjë qëllim tjetër veçse shfrytëzimin ekonomik të hupësit nga ana e fituesit ».
 

 

Shteti eshte nje organizim politik  i caktuar qe ka autoritetin e shumices se popullit ,dhe ushtron detyren e tij me ane te regullave dhe ligjeve te caktuara ,te cilat miratohen nga nje suprem me i lart ,sic eshte Kuvendi .

Pa shtet nuk ka ekzistence te shoqerise njerezore .

Pyetja

 kujt i duhet shteti?

 

 

..dhe i gjithe ku shkrim idiot i Pules,nuk ja vlen te sillet tek Peshku ,eshte ne nje nivel   te ulet shtjellimi , mbi shtetin dhe arsyet ,e ekzistences se tij ,dhe si rrjedhim me mire eshte qe komentuesit  e Peshkut ti japin nje mesim te mire Pules qe te kete nje konsiderate me te drejte per shtetin dhe rolin e tij ne shoqeri,sepse me keto koncepte qe ka ky ,tru Pula nuk shkohet as ne hale !!

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).