Kritika midis teatrit dhe publikut

Kur spektatori përton të vijë në teatër dhe parapëlqen të pijë një gotë birrë diku apo të vrasë kohën dhe boshin e logove të kafeve pafund, e ç'peshë mund të ketë kritika? Në këtë pasqyrë kritiku duhet të dallojë ç'është vlerë dhe ç'është spekulacion, se në një thes të gjitha s'mund të futen

Të gjithë e dimë se kritika është një ndërmjeme mes teatrit dhe publikut. Rëndom çmohet si disiplinë e veçantë e dijes teorike estetike.

Por as kohë, as vend, as medium s'ka të diskutohet në rrafshe mirëfilli estetike. Kur trupi i teatrit lëngon, si mund të lumnohet kritika?

Kur themi "krizë-krizë", viroza e saj ka zënë kritikën më së pari. Kur spektatori përton të vijë në teatër dhe parapëlqen të pijë një gotë birrë diku apo të vrasë kohën dhe boshin e logove të kafeve pafund, e ç'peshë mund të ketë asiherë kritika? Në fund të fundit, kritika e njëmendtë s'është veçse në thelb reagimi estetik i publikut ndaj një vepre a shfaqjeje:

E pëlqej dhe vij, s'e pëlqej dhe e s'vij, e lë. Pra, e para gjë që të lind në mendje kësodore është fakti se sa ne, kritikët, bëhemi "gojë" e pranimit apo mospranimit të produktit teatror prej publikut, sa jemi ne artikulues të pëlqimit apo mospëlqimit të tij. Çfarë përkrahim (edhe gabimisht), dhe çfarë mohojmë e kritikojmë (edhe gabimisht). Jemi me të, kundër tij, apo as me të e as kundër tij, por me vetveten. Nxitim prirje apo i pengojmë ato?

Jemi në krye të procesit teatror apo në bisht? Ky, gjykoj unë, është problemi më i madh i kritikës: dje, sot e nesër.

Flas për publikun si koncept në receptimin e një shfaqjeje teatrore, por edhe si hallka e dytë e ekzistencës së vetë teatrit, pa reagimin dhe praninë e të cilit teatri s'bëhet, vdes. Dhe këtu dua të zbres në një pjerrinë, ku këmbët na rrëshqasin të gjithëve shpesh e ndonjëherë kemi thyer kokën: kush është viktima e madhe, teatri ndaj publikut apo publiku ndaj teatrit?

A kënaqet publiku me shfaqjet tona apo i shpërfill ato dhe ne vuajmë shpërfilljen e tij. Pse e përçmojmë kur nuk e sjellim dot, të themi, në një vepër të shquar nga kalendari i autorëve të njohur të absurdit dhe, përkundrazi, fërkojmë duart tinëzisht kur po ky publik na mbush sallën porsa zgjedhim ndoca komedi dhe zbrazim aty një torbë banalitetesh, të sharash, nëntekstesh seksuale, humor të lehtë, gjeste e shtrëmbërime fytyrash?

Ky është një problem: raporti midis kiç-kulturës, pop-teatrit dhe pjesës epërane, filozofike, sublime të tij; dhe e dyta, midis anës argëtuese, "qejfit" siç e thoshte troç Brehti, dhe misionit madhor të teatrit për të bërë terapi në shpirtrat e lënduar, të sëmurë, mes dyzimesh e lëngatash ekzistenciale.

Andaj, nga kjo fushëpamje, unë i çmoj po kaq të bukura shfaqjen Për një fjalë goje e Natali Sarrotit, me regji të Arben Kumbaros, ku tekstit i dhanë hir dhe vlerë aktoriale Ndriçim Xhepa dhe Timo Flloko, sikundër shfaqjen Pamje nga ura e Artur Milerit, e një tjetër tipologjie, më konkrete, më pranë përjetimeve të fundme të njeriut shqiptar si popull emigrator, dhe ku e ku e mbushur ding me spektatorë, që as mund të krahasohej me ata që erdhën te drama e Sarrotit.

Ose, të themi, drama Xhaxha Vanja të Çehovit, e para në versionin e Hervin Çulit, gjegjësisht filologjisë, korpit ideor dhe stilit (pak a shum&eumlsmiley çehovian, dhe e dyta në versionin e regjisorit maqedonas Slobodan Umkovski me nëntitull Daja Vanja, tanimë pjesërisht në përputhje me idetë e ardhura nga logosi i dramës, tutje stilit çehovian dhe me risemantizime enkas kundërthënëse në lojën e disa aktorëve (Voinici i Bajrush Mjakut, Sonja e Eftiola Laçkës, Irini e Blerta Sylës, Serebriakovi i Enver Petrovcit); po kështu në mizanskenë, në detajet shprehëse, ku poetika, mirësia dhe thirrja e krishterë për durim e pranim të fatit shndërrohet në klithje për tejkalim, shpërdorim, vetëposhtërim apo gjendje paradoksale njerëzish të gjymtë, të kompleksuar dhe alogjikë.

Pikërisht në raste të tilla kritiku ka nevojë të shndërrohet në një medium të kualifikuar midis teatrit dhe publikut. Ç'është e mirë dhe duhet vlerësuar dhe ç'është e keqja dhe duhet kritikuar. Ç'është më e pranushme dhe ç'është e papranueshme...

Krejt ndryshe nga gjithë artet e tjerë, publiku në teatër është bashkëpjesëmarrës virtual në procesin krijues që zhvillohet lart në skenë. Atëherë, teatri formon vetveten apo publiku e formon atë sipas shijes dhe kërkesave të tij?

Dhe ndësjelltas. Sa teatri e udhëheq formimin estetik dhe shijen e hollë të publikut të vet? Sa kushtëzohet nga kategoritë e publikut vetë teatri dhe llojet e tij?

Ka ardhur një çast, them, që uria e fillimviteve '90 ndaj teksteve të dëgjuara e fort të lakmuara të modernistëve e postmodernistëve po vjen duke u fashitur.

Ne u turravrapëm pas Beketit, Joneskos, Mrozhekut, Zhenetit, Pinterit, Ollbit e të tjerë sivëllezërve të tyre dhe harruam gjeninë teatërformuese të Shekspirit, më tutje të Molierit, të Ibsenit, të Strindbergut, të Uilliamsit dhe autorëve të kumteve thelbësore të qytetërimit në shekullin që mbyllëm.

Hosana një regjisori periferik grek që vuri, paçka se me jo pak dobësi, Trojanet e Euripidit; një duartrokitje miqësore befasisë së talentit të Mikel Kalemit me Medean e tij. Antikët munguan 50 vjet, ende mungojnë edhe sot.

A do të vijohet ende kësisoji? Një buzagaz edhe Erik Vinjetit që solli një stilistikë të tipit formalist me Berberin e Seviljes të Bomarshesë, sidoqë ia ndrydhi jo pak humorin, intreçion dhe energjinë.

Përshëndetje Roland Mingës së Vlorës që tashmë me një tekst mirëfilli formalist, ku veçse shijohet loja e fjalës dhe filigrana filologjike, ndryshe pra nga Bomarsheja, i dha suksesin Oskar Uajlldit në Shqipëri me Rëndësia për të qenë Ernesto.

Mendoj që ne kemi nevojë të konsumojmë tekste të testuara tashmë, sesa ato që gjurmojmë në lundrimet tona spekulative në internet duke i quajtur që të gjithë autorët "gjigantë", që kanë fituar aq e kaq çmime botërore etj., etj.

A mund të bëjë kritika diçka në përzgjedhjen e repertorit? Them se po, nëse ajo ftohet sinqerisht në diskutim dhe paguhet; nëse ajo është pjesë e bordeve, ku (çudi!) s'heqkan dorë madje as deputetët, militantët e të tjerë sosh prej andej.

Jo çdo tekst i prodhuar në shoqëritë e ngopura, të paqme e të sofistikuara alla pariziane është i volitshëm edhe për Tiranën, ku ende këmba shkel në baltë dhe s'di si ta mbyllësh muajin. Problematika lëndonjëse për publikun tonë - ky duhej të ishte kriteri i parë.

Nëse do të prek plagën e rëndë të krimit të organizuar, doemos bëjmë mirë që zgjedhim një diadramë si Kamarieri misterioz i nobelistit anglez Harold Pinter, por kur bëjmë fjalë për përgatitjen e publikut drejt këtyre paradigmave dramaturgjike të absurdit, sigurisht duhet llogaritur sa shfaqje mund të japim: një, dy...?

Po a mund të rrojë e të përtërihet teatri me dy shfaqje? Loja mund të jetë e mirë, por impakti me tekste kësisoji, në të cilët hermetizmi, pakuptimësia, krijimi i një suspanse ankthi me dialogë të rëndomtë janë përtej e përkundër teksteve "të qarta", me të cilët ushqehet dendurazi spektatori.

Dhe prandaj këtu duhet dalluar ç'është, ta quajmë, "eksperimentale", dhe ç'është shfaqje e repertorit, që tërheq mijëra njerëz. Këtu lëviz, gjithashtu, një prag i ngushtë: ai i vlerës estetike dhe ai i komunikimit të saj masiv.

Pra, Kamarieri misterioz dhe simotrat e saj, të cilën e mora veçse si shembull, mund të realizojnë edhe vlera estetike, por publikun masiv e kanë vështirë ta sjellin në teatër. Në këtë pasqyrë prej Meduze, kritiku lipset të dallojë ç'është vlerë dhe ç'është spekulacion, sepse në një thes të gjitha s'mund të futen, përndryshe nuk do të kishte as në botë antidrama, drama të absurdit, drama postmoderniste etj.

Ato janë pjesë e sprovave për të çarë udhë të reja në teatër, duke i ofruar atij kode të kohës në rileximet e pritshme. Porse, nga ana tjetër, teatri ka një histori mbi 25 shekullore me vepra të sprovuara. Dhe në këtë vështrim unë pyes: Ku është Shekspiri i madhërishëm me "Hamletin", "Otellon", "Mbretin Lir", "Makbethin" etj?

Tre tragjeditë e para kanë, së paku, 50 vjet që frymuan në skenën tonë, dhe janë kalçifikuar në kujtesë si ngjarje kulturore. "Makbethit" as i është qasur ndonjëherë teatrit. Ndoshta është tragjedia më e tmerruar (sipas Nolit) dhe "tmerri i dështimit" të mundshëm të mban larg.

Por dhe atëherë qenë regjisorët rusë që i vunë në skenë. Sot mund të huajten regjisorë të huaj. Por ata duan hakën e punës.

A ka vallë teatri të paguajë me atë buxhet mjeran që i jepet nga Ministria e Kulturës? Janë shfaqje që duan angazhime serioze e shpenzime të konsiderueshme, veçse cilësia e tyre mund të popullojë sallat bosh të teatrit.

Sfida për ta sjellë publikun e sotëm në teatër, me kaq shumë argëtime e shanse, s'është aq e lehtë sa dikur. Në ndërmjemen midis teatrit dhe publikut kritika ka funksionin e vet. Por kur gjella e shijshme mungon e, ç'mund të bëjë kritika?

Asaj i prishet oreksi ca më keq, ndaj dhe s'bëhet ndërmjetëse iluministe midis veprës, krijuesve dhe publikut.
 

1 Komente

"Kur spektatori përton të vijë në teatër dhe parapëlqen të pijë një gotë birrë diku apo të vrasë kohën dhe boshin e logove të kafeve pafund, e ç'peshë mund të ketë asiherë kritika?"

Te pije nje birre e nje kafe? Ne qofte se Tirana eshte hapesire birrash dhe kafenesh, pse mos hyje edhe Kritika ne keto lokale e pabe? Pse mos hyje teatri? Kujton se muzika nuk degjohet ne te tilla vende?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).