Koleksionistët hapin thesaret

Në gjurmët e historisë, përmes objekteve të rralla që vijnë si dëshmi e gjallë e ditëve të vështira e të lavdishme. Ekspozita e hapur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve sjell fotografi të vjetra nga ngjarje të rëndësishme, dorëshkrime të zverdhura nga koha, flamuj njëshekullor të formave dhe modeleve të ndryshme, që nga ata që i përkasin viteve 1444 deri më 1912, për të ardhur më tej tek flamujt e rrallë shqiptarë të viteve 1910-1920. Fotografi origjinale e "Bandës së Lirisë" të Korçës, e themeluar në tetor 1908. Ajo mbahet mend më shumë për faktin se në mes të vitit 1909 ka luajtur edhe Himnin e Flamurit. Mbi 400 libra të shekujve XVII-XIX, ndër ta libra të rilindësve dhe albanologëve vendas dhe të huaj, emblema të klubeve patriotike, fotografi origjinale të patriotëve e ngjarjeve të mëdha, si Kongresi i Manastirit, Elbasanit, Kuvendit të Dibrës etj, fotografi të ndryshme të epokës së Rilindjes, të cilat përbëjnë vlera unikale për sa i përket kujtesës kombëtare. Gjithashtu, një pavijon i veçantë është për ekspozimin e kartëmonedhave të ndryshme, hartave gjeografike, fizike e etnografike, vula e stampa origjinale. Të gjitha objektet që po paraqiten në këtë ekspozitë, janë ekzemplarë të rrallë të koleksionistëve të ndryshëm nga qytetet Tiranë, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Shkodër dhe Strugë. Një ekspozitë e veçantë që hapet nga koleksionistët dhe bukinistët shqiptarë në kuadër të Muajit të Kulturës, Shqipëri-Kosovë. Ajo mirëpret personalitete të shumtë të politikës dhe kulturës, vizitorë të ndryshëm, në tri ditët që kjo ekspozitë do të jetë e vizitueshme. Ekspozita ka për qëllim njohjen në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet fakteve, objekteve të ndryshme dhe dokumenteve të panjohura më parë mbi veprimtarinë e rilindësve, patriotëve dhe luftëtarëve shqiptarë, të cilës çuan me pushkë e me penë kombin shqiptar drejt pavarësisë. Në këtë ekspozitë do të paraqiten eksponate, dokumente. Duket sikur koleksionisti shqiptar, i apasionuar pas grumbullimit të informacioneve dhe fotografive të klubeve të para shqiptare, i njeh të gjithë dhe di çdo gjë mbi ta.
Flamuri i vitit 1912
Vangjo Ilo, djali i patriotit Spiridon Ilo, ka ekspozuar disa objekte, ku më i rëndësishmi është flamuri që e ai thotë se e ka realizuar i ati në vitin 1916. "Është stampuar në Amerikë. Babai më ka thënë që është kopje e flamurit që u ngrit në Vlorë më 1912. Në këtë vit im atë, Spiridon Ilo, ka qenë me Ismail Qemalin në Bukuresht dhe kanë ardhur së bashku me të në Durrës e pastaj kanë shkuar në Vlorë. Flamurin me të cilin është shpallur pavarësia ai e ka mbajtur në gjoks. Ka disa variante që deklarohen tani. Unë, sipas atyre që më ka thënë im atë, ata e kanë përgatitur flamurin në Bukuresht më 1912, dhe ky e ka sjellë nga atje deri në Vlorë", - thotë Vanglo Ilo. Pas shpalljes së pavarësisë, atdhetari Spiridon Ilo ka shkuar në Amerikë në vitin 1914, dhe pas dy vitesh qëndrimi atje, ka bërë këtë flamur, që është kopje e flamurit që u ngrit në Vlorë. Nga ata flamurë ka bërë disa dhe i ka shpërndarë në Amerikë e në vende të tjera. Përveç stampimit të flamujve në ato përmasa, ai ka bërë edhe disa kartolina me modelin e flamurit që u ngrit në datën 28 nëntor 1912. Duke qenë se ishte grafist, ai bëri disa grafika me të cilat realizonte kartolinat. Këto i përkasin vitit 1920. Për çdo kartolinë ka edhe stampat me të cilat i ka prodhuar. Më 1926, kur u kthye përfundimisht në Shqipëri, i mori me vete. Më 1920, ai përveç kopjes me përmasa të mëdha të flamurit të pavarësisë, ka bërë edhe një me përmasa më të vogla. Të gjitha këto janë prodhuar në Amerikë.
Republika
Shqiptare e Korçës

Republika Shqiptare e Korçës, nën kujdesin e pushtuesve francezë, përveç administratës, realizoi edhe shenjat e saj si republikë. Ndërtoi edhe një flamur të veçantë të dizenjuar nga një ushtar francez, që ishte skulptor. Në ekspozitë vjen një kopje e rrallë e atij flamuri, që i përket viteve të Republikës së Korçës. Ishte një situatë e acaruar politike mes forcave austro-hungareze dhe franceze. "Në 10 dhjetor të vitit 1916, patriotët korçarë, me në krye Themistokli Gërmenjin, duke qenë se e kërkonte situata, krijuan një komision prej 14 vetash, ku kishte myslimanë dhe të krishterë. Të gjithë shkuan në godinën e prefekturës franceze të Korçës, ku u formua një këshill shqiptar. U shpall Republika Shqiptare ose krahina autonome e Korçës. Unë do të thosha se ajo ishte në të mirë të vendit. Shqipëria ishte e pushtuar nga të gjitha anët", - shprehet koleksionisti Niko Kotherja, që ka sjellë ekzemplarin e flamurit të kësaj krahine. Sipas tij, ai është një model i veçantë flamuri. Mendohet se është qëndisur për pajë ose për ta mbajtur në ambiente familjare. Flamuri i ngritur më 10 dhjetor 1916 ka pasur fushë të kuqe, por të njëjtin model shqiponje. Krahina e Gorës, Oparit dhe Korçës u vu nën juridiksionin francez, dhe këtij flamuri iu shtua edhe një pjesë trengjyrëshe, që ishin ngjyrat e flamurit francez. "Ky është interesant, sepse është punim i asaj kohe. Një nga të rrallët ekzemplarë që kemi për sa i përket qëndisjes ose stamposjes së kësaj lloj shqiponje. Flamuri që është ngritur në Korçë, në datën 16 dhjetor nuk dihet se ku është. Unë nuk kam parë asnjëherë bezë si kjo", - thotë Kotherja. Ai flamur i përket periudhës kur ka funksionuar administrata e Korçës. Deri më 1917, Korça u quajt Republika Vetëqeverisëse e Korçës. Pas vdekjes së Themistokli Gërmenjit, që u pushkatua, pullat e postës dhe kartolinat që u shtypën, u shtypën me emrin Republika Shqiptare e Korçës. Më pas francezët nuk lejuan asnjë delegat të Korçës të merrte pjesë në Kongresin e Durrësit, që u mbajt në dhjetor të 1918, dhe as në vitin 1919, nuk i la të shkonin në Konferencën e Paqes në Paris. Pullat janë shtypur në Korçë dhe janë me mbishkrimet Republika e Korçës dhe Republika Vetëqeverisëse e Korçës.
Shqiponja në
flamurin e
Republikës
Shqiptare të
Korçës
Sipas Niko Kotheres, koleksionist që merr pjesë në ekspozitë, shqiponja është realizuar nga një ushtar francez që ishte pjesë e forcave pushtuese në qytet. Ai ishte edhe skulptor dhe ka stampuar pullat e postës dhe disa kartëmonedha që janë përdorur në atë kohë. Ato quheshin "një skënder" dhe kjo ishte vlera e atyre kartëmonedhave. Në to ishte figura e Skënderbeut, që ishte mbi një kalë dhe kishte në dorë një flamur. Si stampa ishin të punuara në dru nga ushtari francez. "Kartëmonedhat e tjera, gjysmë frangëshe dhe një frangëshe, në krahun e majtë kishin xhami dhe në të djathtin kishin kishën, për të përfaqësuar kështu të dy besimet fetare që ishin atëherë në Korçë", - thotë Niko Kotherja. Kjo bëhej për të treguar vëllazërinë mes qytetarëve dhe mes lagjeve të Korçës, që ishin Varosh dhe Kasaba, ku tek e para jetonin të krishterët dhe tek e dyta myslimanët. Kartëmonedhat u shtypën në shtypshkronjën e Mihal Xoxes dhe të Dhori Kotit, në Korçë. Në pullat dhe kartëmonedhat e para që dolën në vitin 1917, sipas koleksionistit Niko Kotherja, shkruhej Republika Shqiptare e Korçës dhe kartëmonedhat ishin ato me Skënderbeun. "Meqe-nëse u themelua administrata e këtij shteti korçar, lindi nevoja e të pasurit paratë dhe pullat e veta të postës. Për të kaluar nga një fshat në një tjetër, duhet të merrje një leje që quhej 'La se Pase', që quhej leje-kalimi e që duhet të ishin të firmosura nga ushtarakët francezë. Nga kjo lindi nevoja që kjo administratë të kishte kartëmonedhat e veta, sepse do të kishte marrëdhënie tregtare me të tjerët. Por, ajo duhej të kishte edhe shenjat e veta identifikuese, si për korrespondencat private, si për ato zyrtare. Kjo ishte edhe arsyeja pse u bënë pullat, të cilat kanë edhe ngjyra të ndryshme".

2 Komente

 'La se Pase', që quhej leje-kalimi e që duhet të ishin të firmosura nga ushtarakët francezë

 

 

Laissez-passer, eventually, Fat-mire.

Ky Kotherja qenka figure e madhe ?

E more Koth, kujtove se nuk po te zbulojme se kush je, po mik i Themistokli Germenjit qenke ore, mustaqet i ke akoma?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).