Kë të qajmë më parë, krizën apo korrupsionin

Sa më shumë të hapet një shoqëri drejt botës së përparuar, aq më shumë ajo ...do të bëhet e vetëdijshme dhe e përgjegjshme, për të kuptuar më qartë se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe për të. Kjo është një teori e vërtetuar në të gjithë botën e qytetëruar, në ato vende, zhvillimi i të cilave ka qenë aq befasues për të gjithë ne, sa nga thellësia e shpirtit na ka dalë pyetja: "Po ne a do bëhemi ndonjëherë si ata?". Realiteti që jetojmë, pothuajse ta djeg si alternativë përgjigjen "po" sepse teoria për të cilën fola më lart, e vërtetuar katërçipërisht në të gjitha shoqëritë e evoluara, nuk gjen zbatim në realitetin tonë. Të krijohet përshtypja sikur shqiptarët sa më shumë gjëra negative dëgjojnë, aq më shumë mësohen me to, duke sofistikuar indiferencën e tyre e duke bërë sikur asgjë nuk u intereson, paçka se rripi u shtrëngohet ditë pas dite. Prandaj dhe në plan të parë të refleksionit tim kësaj here, nuk kam politikanët, por zgjedhësit e tyre. Nëse para viteve '90, shpesh vinim shpirtin në paqe pasi nuk dinim se çfarë bëhej, sepse regjimi diktatorial kishte instaluar një propagandë dizinformuese shembullore, sot nuk ka më justifikim. Falë masmedias, e cila ka ecur më përpara se çdo aspekt tjetër i shoqërisë sonë, zor se mund të ketë gjasa që ndonjë ngjarje negative me interes për komunitetin, sado e vogël që të jetë, të mos bëhet publike, kjo edhe për arsye të konkurrencës së fortë mes mediave. Por fatkeqësia më e madhe është se konsumuesit e këtyre lajmeve janë të pandjeshëm për çka ndodh përreth tyre. Ja p.sh, a ka lajm më të keq për shqiptarët, kur mësojmë se organizata ndërkombëtare "Transparency International" e rendit vendin tonë të tretin në botë për nga niveli i korrupsionit? Nëse shumë prej jush mendojnë se kjo është diçka që nuk u përket, gaboheni, pasi korrupsionin e vuani të gjithë. Dhe në Shqipëri ajo është në variantin më të rrezikshëm, pasi nuk flasim thjesht për faktin se po pasurohen ca shtetarë dhe kaq. Etja për para e bën njeriun edhe vrasës, jo nëpërmjet armës por nëpërmjet modelit shqiptar të korrupsionit. Kjo është arsyeja që sot ne hamë ushqime të importuara, jo vetëm më shtrenjtë sesa edhe vendet e rajonit, por shpesh dhe jashtë të gjitha standardeve, duke rrezikuar kështu jetën e gjithsecilit, por sidomos të fëmijëve. Metodat e të bërit korrupsion janë të shumta: Kur porositet një mall importi, ai kërkohet me çdo kusht që të jetë i lirë, që të fitohet sa më shumë dhe si i tillë natyrisht, do të jetë jashtë çdo standardi të miratuar nga organizmat ndërkombëtare që merren me sigurinë e ushqimit. Një tjetër mënyrë e të bërit korrupsion është deklarimi i një malli tjetër për tjetër, në mënyrë që të paguhet më pak në dogana. Kështu evitohet pagesa e TVSH-së së vërtetë dhe malli del më lirë në treg, duke sjellë konkurrencën e pandershme dhe duke bërë që biznese të ngjashme, të futen edhe ato në rrugën e informalitetit për të mbijetuar. Përveç mënyrave që përmenda më lart, shumë nga ata biznesmenë, të cilët u pasuruan gjatë këtij mandati qeverisës, e kalojnë traun e doganës si portën e shtëpisë së tyre, duke mos paguar asnjë detyrim doganor. Autoriteti i konkurrencës nuk ndërhyn, edhe pse mund të gjente fare mirë ku janë shkeljet, duke filluar me analizimin e çdo malli, ku të dhënat për çmimet e shitjes dhe cilësinë, janë lehtësisht të gjetshme në faqet zyrtare të kompanive prodhuese në internet. Natyrisht unë fola për atë korrupsion i cili ka të bëjë me ushqimet, fushë të cilën unë edhe si specialist e njoh mirë, pasi po t'i hyjmë kësaj teme me rrënjë e më degë, ka kaq shumë për të thënë…  
Të kalojmë te kriza, pasi edhe kjo ka specifikën e saj në Shqipëri. Sot flitet për një krizë botërore, e cila pa diskutim na prek edhe ne, pasi jemi pjesë e botës dhe jo të izoluar prej saj. Kjo krizë, bashkuar me krizën tonë të brendshme, e rëndon shumë situatën ekonomike për çdo shqiptar, i varfër apo i pasur qoftë ai. Xhepat e tyre po zbrazen përditë dhe nuk ua mbush dot as demagogjia e radhës e kryeministrit tonë, i cili nga Samiti i Davosit deklaron se Shqipëria është ende e paprekur nga kriza, paçka se është reduktuar importi dhe janë ulur reminancat e emigrantëve….Ndërkohë që kriza tek ne po bën kërdinë, duke bërë që shumë biznese të falimentojnë e me mijëra njerëz të mbeten pa punë, përveç gënjeshtrave të Berishës nga njëra anë, nuk shohim një reagim nga ana e të dëmtuarve, ndonjë organizim sindikalistësh apo grupesh interesi, ku t'i bëhet presion qeverisë që t'i japë zgjidhje emergjencave që i kanë çuar shqiptarët në kufijtë e mbijetesës. Nuk mjafton që një menaxher fabrike të dalë në ekran dhe t'i kërkojë qeverisë që të bëjë disa lehtësira fiskale, që biznesi i tyre të mbahet në këmbë. Jo, sepse po të kishin veshë do kishin dëgjuar me kohë. Duhet një reagim tjetër, më i fortë, në mënyrë që qeveritarët tanë të kuptojnë se qytetarët e këtij vendi nuk janë kavie, me të cilët mund të bësh eksperimente të tipit, "ta heqim edhe këtë e ta provojmë a do të jetojë…" Shqipëria e Berishës që na qenka fare, po fare e paprekur nga kriza, në fakt jo vetëm që është e zhytur në krizë, por kësaj i shtohet edhe një nivel korrupsioni i frikshëm. Personalisht nuk lë rast pa e përmendur, qoftë nga foltorja e Parlamentit apo dhe në media, se kjo qeveri është e korruptuar nga koka te këmbët, dhe i duhet dhënë ajo që meriton, por apatia dhe indiferenca që shpesh e ndjej edhe në mjedise intelektualësh, si dhe të mësuarit me të keqen, është një problem akoma më serioz sesa vetë kriza apo korrupsioni. Prandaj dhe lind nevoja për më shumë ndërgjegjësim dhe mbi të gjitha për më shumë reagim ndaj atyre që me fytyra të përgjëruara iu bënë kaq e kaq premtime, ndërkohë që në këto katër vite dëshmuan se në fakt veçse iu kanë gënjyer. Ka ardhur momenti që e gjithë shoqëria jonë të dëshmojë se po distancohet nga ai pragmatizëm i rrezikshëm, i cili përligj gjithçka në emër të pasurimit. Nuk duhet harruar se çdo gjë që ndodh në këtë vend, na përket të gjithëve dhe të jesh indiferent para krimit apo korrupsionit, është njëlloj si të pajtohesh me të, apo më keq akoma, të bëhesh pjesë e tij.

1 Komente

Artikull me vend, po kujt i flet. Pikerisht atij elektorati qe eshte bere i pandieshem, qe nuk e di se para ligjit jane te barabarte si ai pushtetari ashtu dhe ai i papuni. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).