KE: Pronat, kusht per investime dhe integrim

Procesi integrues i Shqipërisë për në Bashkimin Europian kërkon tituj pronësie të qartë, garantim të një procesi gjyqësor të shpejtë dhe një proces të sigurt të kthimit, kompensimit dhe legalizimit të pronarëve”. Ky ishte mesazhi i ambasadorit të KE-së, Helmut Lohan, i bërë publik në seminarin “Për çështjen e pronësisë në Shqipëri në lidhje me Investimet e Huaja Direkte”, i cili ishte financuar po nga KE-ja. “Fuqizimi i të drejtës së pronës dhe një zgjidhje për çështjet e kthimit, kompensimit dhe legalizimit të pronave, që ende nuk kanë gjetur zgjidhje, janë thelbësore për mbarëvajtjen e gjithanshme të vendit. Tituj pronësie të qartë dhe siguria ligjore, janë kushte paraprake për zhvillimin e suksesshëm të vendit, për tërheqjen e Investimeve Direkte të Huaja, për paqen sociale, si dhe për procesin integrues të vendit në BE”, - tha dje Lohan. Këto shqetësime të KE-së ngrihen edhe sot, pas 18 vitesh të ardhjes së demokracisë, ku çështja e pronësisë, jo vetëm që është e pazgjidhshme, por sipas vetë qeverisë, përgjegjësja kryesore për këtë çështje, nuk do të zgjidhet edhe për disa vite të tjera. “Duhet pranuar e vërteta ashtu siç është, se çështja e titujve të pronësisë në Shqipëri nuk ka gjetur ende një zgjidhje dhe nuk do ta gjejë edhe për dy apo tre vitet e ardhshme”, - ishte përgjigja e zëvendësministrit të Ekonomisë, Eno Bozdo.
Në fjalën e tij, Lohan pohoi se moszgjidhja e çështjes së pronësisë ka penguar Investimet e Huaja Direkte, investimet e bizneseve shqiptare, ka krijuar probleme sociale, e mbi të gjitha, ka nxjerrë në pah edhe problemet e gjyqësorit. Sipas tij, çështjet e pronësisë diskutohen dhe debatohen me vite në gjykatat shqiptare pa gjetur asnjë zgjidhje, por duke e çuar qytetarin deri në humbjen e besimit të demokracia dhe institucionet e saj.
“Debati për pronësinë ka dhe implikime të tjera. Mbështetja e vakët ligjore dhe mekanizmat e zbatimit, bëjnë që gjykatat të ngatërrohen keqas me këtë çështje”, - u shpreh dje Lohan. Sipas tij, pikërisht drejtësia po pengon zhvillimin e vendit, turizmit, por edhe të integrimit të Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare. Ai përmend rastet kur debati për pronat ka marrë edhe jetë njerëzish, për shkak se konflikti i pronësisë ka shkuar deri në përdorimin e armëve. “Veç pasojave tragjike sa i takon problemeve familjare, ngatërresat sa i takon debatit për pronësinë të çojnë normalisht në shkatërrimin e besimit të qytetarit të demokracia dhe institucionet e saj”, - bëri të ditur dje, ambasadori Lohan.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).