KE kërkon të përmirësojë shanset për në BE të Ballkanit Perëndimor

Komisioni Europian (KE) propozoi të martën (3 shkurt) të caktojë së paku 120 milionë euro për Ballkanin Perëndimor për të ndihmuar që shtatë vendet e rajonit të zbusin ndikimin e krizës globale ekonomike këtë vit.

Kjo paketë reagimi ndaj krizës "pritet të ndihmojë një sasi prej 500 milionë euro në kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare," tha BE në një dokument të ri që përshkruan veprimtaritë e rëndësishme rajonale të BE në Ballkanin Perëndimor për 2008-2009.

Gjysma e 120 milionë eurove të propozuara do të shkojë për investimet bashkiake në shtatë vendet. BE do të japë një hua prej 30 milionë euro për projektet që do të rrisin efektshmërinë energjitike. Pjesa tjetër prej 30 milionë euro do të ofrojë mikrokredi, posaçërisht kredi për ndërmarrjet e vogla e të mesme në një program për të zgjeruar aftësinë konkuruese të rajonit, si dhe për të forcuar bashkëpunimin midis rregullatorëve të sektorit financiar në rajon dhe BE.

Paketa e propozuar e reagimit ndaj krizës është vetëm një nga më shumë se 90 veprimtaritë dhe iniciativat e veçanta të mbështetura nga BE, që BE zbatoi vitin e kaluar apo ka në plan të kryejë këtë vit në tetë sektorë të ndryshëm.

"Unë përshëndes përparimin e arritur nga vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë vitit të kaluar," tha të martën Komisioneri i Zgjerimit të BE Olli Rehn.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme vitin e kaluar ishte hyrja në fuqi e marrëveshjeve të lehtësimit të vizave dhe ripranimeve që BE nënshkroi në 2007 me Shqipërinë, Bosnje dhe Herzegovinën (BiH), Maqedoninë, Malin e Zi e Serbinë dhe nisja e dialogut të lehtësimit të vizave me këto vende. Një regjim i përkohshëm pa viza është tashmë në fuqi për Kroacinë.

Përparimi rezultoi në zgjerimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në shumë fusha më 2008, kur Këshilli i sapokrijuar i Bashkëpunimit Rajonal u bë funksionues plotësisht.

Zhvillime të tjera të rëndësishme vitin e shkuar përfshinë rritjen e numrit të bursave në dispozicion të të rinjve nga Ballkani Perëndimor dhe rritjes së fondeve për zhvillimin e shoqërisë civile, krahasuar me vitet e mëparshëm.

"Unë e di se sa shumë nënkupton udhëtimi i lirë apo mundësitë për të studjuar jashtë në jetën e përditëshme të njerëzve," tha Rehn.

Më tepër të rinj nga Ballkani Perëndimor do të jenë në gjendje të studjojnë në BE këtë vit, pasi Brukseli vendosi të dyfishojë numrin e bursave për studentët nga rajoni për vitin akademik 2009-2010.

Nisma e KE për të krijuar një Shkollë Rajonale të Administratës Publike ka të ngjarë të shohë zbatimin e vet të plotë këtë vit. Projekti ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal në fushën e administratës publike, për të forcuar aftësitë administrative dhe për të zhvilluar burimet njerëzore.

Financimi i BE për zhvillimin e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor është përcaktuar për t'u pothuajse trefishuar më 2009.

1 Komente

 Shtimi i borxhit te jashtem, ka per ti detyruar emigrantet qe ti largohen gjithnje e me shume Shqiperise. Dhe kjo fale politikanve shqiptare te shitur tek qarqet financiare perendimore. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).