ISSH: Ulja e normës së kontributeve ul koston e bizneseve mbi 14%

Nga 1 maji, paralelisht me uljen e normës së kontributeve do të ketë dhe rritje pensionesh

Ulja me 5% e taksës për pensionet nuk do të ndikojë në fondin e pensioneve. Nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ali Emini, shprehet se "ne nuk kemi të bëjmë fare me ndonjë prekje të fondit apo me ndonjë rrezik të tij për pensionistët, përkundrazi është parashikuar që përveç kësaj uljeje që do të fillojë nga data 1 maj, të fillojë dhe një rritje e pensioneve me 10% në qytet dhe 15% në fshat". Sipas Eminit, ligji për uljen e normës së kontributit pritet të hyjë në fuqi më 1 maj të këtij viti dhe parashikohet që të rrisë në mënyrë të ndjeshme edhe numrin e kontribuesve. Nga ana tjetër, ulja e normës së kontributeve të sigurimeve shoqërore me 5% pritet të ndikojë ndjeshëm edhe në reduktimin e punës së zezë, si dhe të rrisë numrin e qytetarëve që kërkojnë të derdhin këtë kontribut. Nëndrejtori i ISSH-së, Emini, sqaron gjithashtu se ulja me 5% do të japë efekte të uljes së kostos së bizneseve për mbi 14%. "Efektet financiare të këtij reduktimi në total parashikohen që të jenë rreth 8 miliard lekë, nga të cilat 5 miliard janë efekte në ulje të kostos së bizneseve", ka deklaruar Emini. Kështu, taksa e sigurimeve shoqërore për punëdhënësin, duke filluar nga 1 maji i 2009, pritet të ulet me 5%. Kjo masë e ndërmarrë nga qeveria në kuadër të lehtësimit fiskal të biznesit pritet të hyjë në fuqi në 1 maj 2009. Rreth 50 milion dollarë në vit, pra 4 miliard lekë, pritet të ikin nga arkat e shtetit dhe të mbeten në duart e punëdhënësve dhe investitorëve shqiptarë. Kjo përkon në kohë me një reformë tejet të thellë që po dizenjohet tashmë në zyrat e qeverisë në fushën e pensioneve dhe që do të ketë dy fronte kryesore: së pari, reformimin e sistemit ekzistues, i cili bazohet në solidaritetin e brezave me fokus të veçantë tkurrjen e degëve të sigurimit si askidentet, papunësia, barrëlindjet, sëmundjet dhe mbajtjen gjallë të të vetmes degë të rëndësishme që është sigurimi pensional. Gjithashtu, projektligji për sigurimet shoqërore, parashikon ndryshime të rëndësishme në masën e kontributit, e cila paguhet nga punëdhënësi për financimin e përfitimeve që ofron sistemi i sigurimeve shoqërore. Meqënëse reduktimi i masës së kontributeve do të japë efekte në uljen e kontributit në 5 degët e sigurimit, ai do të ketë efekte edhe në uljen e masës së kontributit të sigurimeve shoqërore të personit të vetëpunësuar. E thënë ndryshe, nga 1 maj, masa e kontributit të sigurimit shoqëror do të ulet me 5 njësi, duke kaluar nga 29.5 në 24.5%. Ky projekt ka të bëjë me lehtësimin e veprimtarisë së subjekteve nga barra e kontributeve, duke krijuar mundësitë për rritjen e numrit të kontributpaguesve në sistemin e sigurimeve shoqërore, shmangien e veprimtarisë joformale dhe krijimin e raporteve më të drejta në zërat e shpenzimeve me synimin e deklarimit të pagave e të shpërblimeve.

Regjistrimi i subjekteve në bazë të të dhënave për derdhjen e kontributeve

Personat juridikë, publikë, privatë dhe personat fizikë, që fillojnë veprimtari ekonomike për herë të parë, janë të detyruar të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në strukturat tatimore, sipas rregullave të përcaktuara me ligj. Regjistrimi i subjekteve, në bazë të të dhënave të sigurimeve shoqërore dhe mbyllja e veprimtarisë, bëhen sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. E thënë ndryshe, regjistrimi është një akt administrativ, që nuk tregon detyrim për mbulimin me sigurime shoqërore". Ndërkohë, burime zyrtare nga ISSH bëjnë të ditur se masa aktuale e kontributit të sigurimit shoqëror që paguhet nga punëdhënësit dhe punëmarrësit për të pesë degët e sigurimit, është 29.5 përqind e pagës bruto. Për efekt të pagesës në fondin e sigurimeve shoqërore, masa e përgjithshme e kontributeve, pra 29.5%, ndahet ndërmjet punëmarrësve dhe punëdhënësve. Punëmarrësit paguajnë kontribut në masën 9.5 përqind të pagës bruto, ndërsa punëdhënësit 29 përqind të kësaj page.

Masa e kontributit për personat në nevojë

Për personat e vetëpunësuar dhe për anëtarët e papaguar të familjes, të cilët jetojnë e punojnë me personin e vetëpunësuar, për arsye të mosmbulimit të degës së sëmundjeve, aksidenteve dhe të papunësisë, masa e kontributit është 26.2 përqind e pagës bruto, minimale dhe paguhet totalisht nga personi i vetëpunësuar. Përveç sigurimit shoqëror, punëdhënësit, personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, paguajnë edhe kontribute të sigurimeve shëndetësore dhe konkretisht, të punësuarit 3.4 përqind të pagës bruto, ndërsa të vetëpunësuarit 7 përqindëshin e pagës minimale, të caktuar nga qeveria. Edhe në këtë rast, për efekt pagese, kontributi i të punësuarit, ndahet ndërmjet tij dhe punëdhënësit në raportet 50 përqind me 50 përqind, ndërsa i vetëpunësuari e përballon totalisht vetë këtë kontribut.

Fermerët, si mund të përfitojnë pension të pjesshëm

Sipas nenit 34 të Ligjit nr. 7703, personat e siguruar për një kohë më pak se 35 vjet dhe më shumë se 15 vjet sigurimi (ndryshuar me ligjin 9337, datë 21.04.2005, nga 20 vjet që ishte), kanë të drejtë të përfitojnë pension të pjesshëm pleqërie kur kanë arritur 65 vjeç burri dhe 60 vjeç gruaja. Duke siguruar periudhat nga viti 1993 deri në periudhën e plotësimit të moshës për pension, bëhet e mundur që ata persona, të cilët për arsye të ndryshme nuk arrijnë të kenë vitet e mjaftueshme për pension të pjesshëm, me derdhjen e kontributeve si fermer të arrijnë ta përfitojnë atë. Kjo vlen edhe për ata persona, të cilët për arsye shëndetësore bëhen invalidë.

Baza e të dhënave për kontributpaguesit, një hap i ri për ISSH-në

Përfundimi i bazës së të dhënave për të gjithë kontributpaguesit, do të hapë një faqe të re për historikun e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Gjithashtu, do të përmirësonte së tepërmi shërbimin ndaj kontribut paguesve, duke eleminuar plotësisht abuzimet apo shpërdorimet në skemën e sigurimeve shoqërore. Nga ana tjetër, ky informatizim shkurton në mënyrë të dukshme kohëzgjatjen e lidhjes së një pensioni, me synimin që përfitimi i pensionit të bëhej në muajin pasardhës pas marrjes së pagës së fundit. Ky program i ri, sipas specialistëve, do të lejojë një aplikim korrekt të ligjit, matjen e indikatorëve kyç të performancës dhe transparencë në procesin e politikbërjes, evidencën bazuar në vendimmarrje dhe menaxhimin e risqeve. Një funksion i sistemit suplementar mund të zhvillohet dhe shtohet për programin në një fazë të dytë të zhvillimit të programit, që është sistemi i pajtimit. Ashtu sikurse dihet, shërbimi i pagesës së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, bazuar në Ligjin nr.9136, datë 11.09.2003, "Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republiken e Shqipërisë", kaloi pranë organeve tatimore. Sipas tyre, nevojitet një angazhim maksimal nga të dy institucionet dhe nga bizneset për informatizimin e sistemit të pagesave të kontributeve për të gjithë kontributpaguesit, për të pasur në çdo kohë historikun e sigurimit për çdo të siguruar dhe informuar sistematikisht çdo kontributpagues.

ISKSH, kategoritë që duhet të paguajnë sigurime të detyrueshme shëndetësore

Instituti i Sigurimeve Shëndetësore ka përcaktuar të gjitha kategoritë që bëhen pjesë e derdhjes së detyruar të sigurimeve shëndetësore. Burime nga përfaqësuesit zyrtarë të këtij institucioni bëjnë të ditur se, projektligji për sigurimet shëndetësore parashikon penalitetet dhe gjobat për evazion, pagesa të vonuara dhe zgjidhje të kontratës nëse shkelen rregullat dhe procedurat për regjistrim, identifikim, llogaritje të pagesës së kontributeve. "Mosregjistrimi ndëshkohet me gjobë deri në masën 60 mijë lekë për punëdhënësit dhe 20 mijë lekë për personat e vetëpunësuar dhe personat e tjerë të siguruar, të detyruar për të paguar kontribute", bëhet e ditur në projektligjin e hartuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, duke shtuar se vonesat e punëdhënësve në konfirmimin e kontributeve të paguara dhe deklarime të tjera, ndëshkohen me gjobë në masën prej 10% të kontributeve objekt i vonesës. Ndërsa, sa i takon vonesave për personat e punësuar në vërtetimin ose informimin në Fond të kontributeve të paguara, ndëshkohen me gjobë në masën 20 mijë lekë. Gjithashtu, në projektligj parashikohet që evazioni për pagesën e kontributeve, deklarimi i kontributeve më të ulëta dhe vërtetimi i rremë, kur nuk përbëjnë vepër penale, dënohen me një gjobë deri në 100 mijë lekë. "Mosderdhja e kontributeve të mbajtura nga punëmarrësit, dënohet si mashtrim sipas Kodit Penal dhe informacioni i vonuar mbi ndryshimet për llogari të personave të siguruar dënohet me një gjobë deri në 20 mijë lekë dhe vonesat për llogari të kontribuesve, me gjobë deri në 60 mijë lekë", bëhet e ditur në projektligjin e ISKSH-së.

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).