Gjuetia e anijeve të mbytura

SARANDË, Shqipëri: Dikur një nga brigjet më të ndaluara të Evropës, ky zgjatim i mrekullueshëm i Detit Jon, dalëngadalë po nxjerr thesare të humbura dhe anije të mbytura në kohët antike, që datojnë 2500 vjet më parë.

Gjatë dy verave të shkuara, një anije kërkimore me ekspertë amerikanë dhe shqiptarë krehu çdo centimetër të ujërave në jugun e Shqipërisë, duke përdorur pajisje skanuese dhe robotë për të kërkuar rrënoja antike.

Organizatorët thonë se është vëzhgimi i parë arkeologjik i shtratit të detit në Shqipëri dhe janë gjetur të paktën pesë vendndodhje, prej të cilave mund të mësojmë mbi teknikat e ndërtimit të anijeve në kohërat antike.

Projekti as nuk do të ishte imagjinuar 18 vjet më parë, kur vendi i vogël i Ballkanit qeverisej akoma nga komunistët, të cilët e ndaluan kontaktin me botën e jashtme. Regjimi brutal "infektoi" natyrën me më shumë se 700 mijë bunkerë, kundër një pushtimi të huaj, që nuk ndodhi kurrë. Në vend të tij, komunistët u përmbysën pas një revolte studentore në 1990-n, e cila e hapi Shqipërinë me botën.

"Shqipëria është një burim (arkeologjik) jashtëzakonisht i pashtershëm",- tha arkeologu, Jeffrey G. Royal nga Kye West, i fondacionit detar RPM, me qendër në Florida, një organizatë jofitimprurëse, që drejton kërkimin nënujor.

"Me atë që kemi zbuluar deri tani ne, mund të themi se Shqipëria është në të njëjtin nivel me Italinë dhe Greqinë".

Ekspedita e fundit ka zbuluar gjurmët e katër anijeve greke të mbytura nga shekulli i VI deri në shekullin e III para Krishtit, ndërsa tre vendndodhje të tjera duhet ende të verifikohen. Ndërkohë që, gjatë sezonit të 2007-s u ra në gjurmët e vetëm një anijeje të lashë.

"Këto zbulime janë shumë të rëndësishme, për shkak të mungesës së objekteve të dokumentuara të asaj periudhe", - thotë Andrej Gaspari, arkeolog nënujor slloven, i cili nuk ishte i përfshirë në projekt.

"Anijet e vetme të gjetura dhe të dokumentuara nga ajo kohë, i përkasin Mesdheut Perëndimor dhe Izraelit. Kështu që, njohuritë tona në teknologjinë e përdorur për ndërtimin e anijeve ishin pak a shumë të kufizuara".

Gjatë kohëve të lashta, Shqipëria ishte një rrugë e rëndësishme tregtare për Greqinë, Italinë, Afrikën e Veriut dhe Mesdheun Perëndimor. Historia na tregon atë që koordinatori i misionit, Auron Tare, e quan "një thesar i vërtetë nënujor", zbuluar gjatë sezonit 6-javor që përfundoi në gusht të 2008-s.

Një shtambë qeramike 5- centimetërshe, apo amforë e përdorur për të transportuar verë dhe vaj ulliri dhe një version më i vogël gjetur në 78 metra thellësi, ka gjasa të jenë bërë në qytetin jugor grek të Korinthit, në shekullin e gjashtë apo fillimi i shekullit të pestë përpara Krishtit.

Të dyja u nxorën nga një anije tregtare, e cila u mbyt tre kilometra larg bregut. Arkeologu shqiptar, Ardian Anastasi, thotë se nëse konfirmohet se ajo i përket shekullit të gjashtë përpara Krishtit, atëherë do të ishte e pesta e llojit të saj e gjetur në botë.

Elementë të tjerë përfshijnë amfora dhe tjegulla të shekullit të katërt para Krishtit, një shtambë afrikano-veriore e shekujve 1 deri në 3 pas Krishtit dhe një spirancë romake ndërmjet shekullit të dytë dhe të parë para Krishtit.

Anastasi thotë se e veçanta e sezonit të vitit 2008 ishte zbulimi tjegullave të pjekura të argjilit, që ishin pjesë e një ngarkese të plotë të një anijeje të mbytur.

"Një anije e mbytur me tjegulla nuk është zbuluar kurrë më parë",- tha ai. "Numri i tjegullave dhe mënyra si ishin vendosur tregon qartë anijen nën to". Anastasi tregon se kishte zbuluar tjegulla të së njëjtës madhësi (73 me 52 centimetra) gjatë gërmimeve në rrënojat e qyteteve antike në perëndim të Shqipërisë.

Ai tha se anija dukej të ishte ngarkuar në afërsi të ishullit grek të Korfuzit dhe ka gjasa të jetë mbytur gjatë rrugës në një koloni korothiase në Shqipëri.

Për të mbrojtur anijet e mbytura nga grabitjet, ekipi i mban sekret vendndodhjet ekzakte të tyre. "Do të thosha, se nëse të gjitha materialet e zbuluara do të nxirren, do të kishim nevojë për një muze të ri për t'i vendosur",- tha udhëheqësi i misionit, Geroge Robb. "Kemi skanuar vetëm 217 kilometra katrorë deri tani".

Pesë vitet e ardhshme, RPM-ja dhe instituti me qendër në Teksas i Arkeologjisë Detare, ka në plan të skanojë të gjithë bregun prej 354 kilometrash, nga kufiri jugor me Greqinë, deri në Mal të Zi në veri.

Çdo ditë pune ka një kosto prej 25 mijë dollarësh, e cila përballohet nga fondet e RPM-së. Sapo të përfundojë projekti i skanimit, RPM-ja dhe INA do të diskutojnë të ardhmen e nxjerrjes së anijeve, duke përdorur robotë nënujorë dhe zhytës, thotë Auron Tare.

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).