Epopeja e një obelisku

A ka sens që të përvuajturve politikë të një regjimi famëkeq e totalitar si ai që të gjithë shqiptarët njohin, t'u përjetësosh martirin dhe t'i ngadhënjesh, duke lartuar në kohët e sotme një obelisk? Objekti mendohet të ngrihet përkundruall një godine tjetër që në memorjen e paçrrënjosur tiranase e mbarëkombëtare njihet si piramida apo varri i ish- diktatorit.

Pas hapjes së Kanalit të Suezit, Zoti i Egjiptit, Khedive Ismail, i premtoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës një obelisk. I ngarkuari i transportit, komandanti Henri Gorrige, një tenent komandant i forcave detare amerikane, i duhej të çonte peshë një gur monolit prej 50 tonësh i cili më pas do të transportohej nga Heliopolis në Aleksandri e prej këtej në Quarantine Station në Nju Jork në korrik 1880.

U deshën gjithsej 32 kuaj të shaluar në 16 çifte për të tërhequr zvarrë obeliskun rrugëve të qytetit, derisa të mbërrihej në pjedestalin e gdhendur enkas në Graywacke Knoll në Central Park të qytetit e që më pas do të çohej në drejtim të Manhatanit.

Aty udhëtoi për 112 ditë derisa u ngrit përpara 10 000 celebruesve njujorkeze në janar 1881. Në ceremoninë e ngritjes, Sekretari Shtetit William Maxuell Evarts i deklaroi turmës:

"Vërtet..., kush mund të thotë se ç'mund të bëjë një shtet n.q.s çdo lloj perversiteti ka gjasë të ndodhë? Dhe gjithsesi ky obelisk mund të na pyesë: Mendoni se do të lulëzoni përgjithmonë, pa kurrfarë rrënimi njerëzor?

A mund të pretendoni vërtet se mirëqënia vetëm do na paraprijë, dhe njerëzimi nuk do njohë humbje? A mund të plakeni ju, por kurrsesi kombi vetë? Këto janë pyetje që do të gjenin përgjigje veçse në kohëra faraonësh por kurrsesi këto kohëra nuk janë më tonat..."

...

Më 8 janar 2009, një e përditshme shqiptare përcillte kronikën se "Obelisku në nderim të viktimave të regjimit komunist do të ndërtohet te Piramida. Këtë e vendosi dje Kryeministri Berisha, i cili pa marrë leje nga instancat përkatëse, urdhëroi Pangon që obelisku të vendoset "te piramida e diktatorit, aty e dua..."

...

Është i ditur fakti që obeliskët, apo monumente monoliti në formë të stërzgjatur piramidale lëshojnë hijen e tyre mbi glob që prej qytetërimit asirian mesopotam ku i pari ndër llojin ishte kurorëzuar Obelisku i Zi i Mbretit Shalmaneser III, që në mijëvjeçarin IX para Krishtit.

Obeliskët ishin pjesë e rëndësishme e komplekseve templarë egjiptianë të cilët kishin zakonin dhe bestytninë t'i vendosnin çift në hyrje të pilonëve ose portaleve hyrëse në tempuj. Ngrehinat e tyre simbolizonin kultin e diellit-zot Ra dhe kishin shëmbëlltyrën e ngurtësuar të rrezeve të tij në tokë.

Ata mendonin dhe besonin se dielli-zot i tyre i gjithëfuqishëm, jetonte dhe ekzistonte brenda trupit të obeliskut. Kështu kulti i obeliskëve ishte asociuar me përjetësinë dhe përkujtimin.

Të parët evropianë që u magjepsën pas kultit e vizionit të këtyre "gjilpërave" të larta e të përjetshme, ishin të gjithë mbretër, pushtonjës e perandorë romakë...aq sa i zhvatën Egjiptit mijëvjeçar pothuajse gjysmën e "rrezeve të tyre hyjnore" ku edhe sot e kësaj dite sheshet romake gëzojnë në numër, dyfishin e monumenteve obeliskë që zotëron sot Egjipti, pra, gjithsej 13 copë.

Dhe jo çdo obelisk "i vjedhur" romak përfundoi në Romë. Gërmime arkeologjike dëshmojnë se vetë Herodi i madh imitoi bashkëkohësit e tij duke ngritur për vete një obelisk në qytetin e Cesarese në Palestinën Veriore.

Edhe në kohërat bizantine, perandori lindor Teodosius hodhi mbi kuvertën e anijes së tij një obelisk 25.5 m të lartë e më pas e lartoi atë në një pjedestal të skalitur në qendër të sheshit të hipodromit të Stambollit modern që asokohe vetëquhej Kostantinopojë, ku paraqitej fitimtar duke dorëzuar/shtrënguar një kurorë dafinash në dorë.

Por kryeqyteti par excellence i obeliskëve është Roma antike e perandorëve dhe papëve. Të ngritur në kohëra të ndryshme, nga sheshi Shën Pjetër ose i Vatikanit, deri tek ai në Montecitorio, ose nga obelisku i Rotondës apo Pantheonit tek ai i Minervës me elefantin berninian, fjalët e skalitura në përjetësi nën hijen e tyre kuptimplotë janë:
Caesar divi fil. / Augustus / pontifex maximus / imp. XII cos XI trib pot XIV / Aegypto in potestatem / populi romani redacta / soli donum dedit. (Perandori Cesar, bir i zotit, Augustit, pontific i parë, i shpallur perandor për të dymbëdhjetën herë, konsull për njëmbëdhjetë herë, që ka veshur potestà tribunicia për katërmbëdhjetë herë, që ka udhëhequr Egjiptin nën pushtetin e popullit romak, ia jep (obeliskun) në dhuratë diellit.)

Të ndikuar mbase nga bëmat dhe mundimet për përjetësi të "ushtarakëve" romakë kjo lloj mode u përçua në kohë dhe në vende të tjera evropiane e mbase dhe në kryeqytete botërore që pretendoheshin të deklaroheshin si të tilla në ato kohë si psh. Parisi ose Londra.

"Nëse shkon në Tebë, mos harro të më sjellësh një obelisk". Këto ishin sipas legjendës, fjalët e Zhozefinës në përcjellje të bashkëshortit të saj Napoleon, përpara se ky të kryente tentativën e tij të dështuar për pushtimin e Egjiptit më 1798. Paçka se historia është apo jo e sajuar, njëri prej obeliskëve kulmorë të Luxorit të famshëm lartohet sot në Place de la Concorde, Paris, pas dy muajsh udhëtimi me anije, tre vjetësh mundime e stërmundime, derisa inxhinieri J. B. Lebas ta ngrinte atë në sheshin e lartpërmendur më 1831, ku Ramsesi pa atdhe, sot përkujton çiftin e lumtur perandorak që mori mundimin ta çrrënjosë dhe tempulli i tij mëmë.

Rasti në Londër ose saktësisht në Victoria Embankment është i ngjashëm, veçse obelisku i radhës qëlloi të quhej "Gjilpërat e Kleopatrës", pra ishin në çift, për t'u ndarë përfundimisht më 1870, kur njëri prej të dyve u imbarkua për në Nju Jork dhe destinacionin tjetër e njohim tashmë.

...

Historia moderne obeliskiane kalon në suaza kryekëput të transformuara. Rasti i kontinentit amerikan dhe ato në vijim si psh.

Nelson memorial, Springfield Park, Liverpool, më 1805, Bunker Hill Monument, Charlestoën, Massachusetts,1827-1843, The Political Martyrs monument, Edinburgh, 1844, Ëellington Monument, 1861,e si plot raste të tjerë, theksojnë një përdorim të shumtë të kultit ushtarak.

Të gjitha, pa përjashtim, datojnë shek. IX, kur gjilpërat sahariane tashmë lartojnë kulte heronjsh, ngadhnjimtarësh në mbrojtje qytetesh, luftëtarësh të rënë në betejë, martirësh politikanë, etj.

Ikontrasenjuar në vitet e fundit apo gjysmën e dytë të shek. XX një përdorim masiv i këtyre shenjuesve historikë, është verifikuar dendur në viset e demokracive të brishta me historira të dhimbshme epopesh diktatoriale siç janë psh të gjitha vendet e Amerikës Latine e Jugore.

Përmendim: Obelisk i Montevideos, Uruguaj, 1930, Obelisku i Buenos Ajresit, Argjentinë, 1936, Obelisku i Sao Paulos, Brazil, 1954, Obelisku i La Pazit, Bolivi. Pothuajse të gjithë janë banorë të përhershëm parqesh e hapësira sheshesh, aty ku edhe historia merr një dimension transhedental.

Po ka edhe raste ku herë pas here ngrejnë kokën kobshëm shenjues historish të frikshme dhe heronjsh diktatorialë edhe aty ku obeliskët pothuajse ishin zhdukur, pra në Evropën plake si psh Foro Italico në Romë (në Lungotevere Maresciallo Diaz), i ngritur për nder të Benito Mussolinit më 1932.

...

Është me rëndësi fakti që obeliskët në kontinent (Evrop&eumlsmiley janë një specie në zhdukje, siç del qartë dhe nga përmbledhja më lart. Mënyra dhe kuptimi i mbivendosur tek ta si dhe arsyeja e lartësimit të tyre është një fakt sa kohor, aq edhe gjeografik e rajonal.

Theksoj se në Evropën tonë përdorimi dhe njëkohesisht moda e tyre është kryesisht një veçori mbretërish, okupatorësh, perandorësh, diktatorësh, e dhunuesish, pra simboli i tij është përjetësisht i lidhur më kultin dhe ngurtësimin e një figure të vetme podestale dhe totalitare.

E prandaj duket e pakuptimtë dhe na lë më gojen hapur fakti që as edhe ish- diktatori ynë i tejkaluar tashmë nuk i dhuroi vetes një guxim e një mbrapshti të tillë. Kulti i obeliskut për të mbase do të ishte e do t'i fliste vetëm për historira oksidentale që për një martir komunist të edukuar nga fryma e largët lindore e stepave sllave vërtet që nuk do të thoshte asgjë. Sepse pikërisht këtu është dhe nuk është arsyeja apo mosarsyeja e lartësimit të tij.

A ka sens që të përvuajturve politikë të një regjimi famëkeq e totalitar si ai që të gjithë shqiptarët njohin më së miri, t'u përjetësosh martirin, e, mbase dhe ti ngadhënjesh, duke lartuar në kohët e sotme një obelisk?

Por nuk është vetëm këtu e gjithë dilema. Ky obelisk i cili thërret kultin e të lashtëve të tij faraonë egjiptianë merr dhe gjen fytyrën e tij si të tillë vetëm kur do të mund t'i vendoset përkundruall një godine tjetër që në memorjen e paçrrënjosur tiranase e mbarëkombëtare njihet si piramida apo varri i ish -diktatorit.

Vetëm për kujtesë: këto 20 vitet e fundit është bërë çmos e për të thënë e pamundura, që për fshirjen nga kujtesa e kësaj toponimie të kobshme e të bezdisshme, vetë objekti ka ndërruar sens e destinacion disa herë.

Është munduar gjithsaherë nga organe të ndryshme ligjvënëse që t'i japin atij një përdorim gazmor, fieristik e kryekëput të kundërt me gjithfarë simbolesh me të cilat ishte rënduar në jetën e tij të shkurtër (vetëm 5 vjet) që nga dita kur u ngrit e deri në ditën kur u përçudnua.

E pikërisht kjo e fundit ka qënë edhe arsyeja për të cilën sot e kësaj dite atij i është aplikuar radhazi një keqtrajtim i qëllimshëm, një gjymtim e lënie në harresë deri kur para pak kohësh përflitej veçse shndërrimi i tij në një qendër polifunksionale që më se fundmi do ta ekzorcizonte përfundimisht.

Por nuk qenka e thënë. Për ata të cilët vërtet do të kishte nevojë për një paqe e prehje gati hyjnore, një përjetësim dhe përkujtim në gjirin mëshirëplotë të një vdekjeje dhe ngadhënjimi pasvdekësor u duhet të mbajnë serish peshën e kryqit të tyre jo gjithkund e në hapësire mundësisht, atje ku shpirtrat prehen në paqë, por pikërisht, përjetësisht e përkundruall një ish- varri që nuk është më, por që po rindillet për të dytën herë vetëm për t'i dhënë trup dhe jetë një objekti obelisk që kurrsesi nuk mund të jetë lapidari i tyre.

Obelisku ibernon vetëm kultin e atij që e ngreh, duke shprehur vetveten si një simbol thellësisht teokratik, opresiv e totalitar pra, jodemokratik.

Sot ai do të përkufizohej si një xhest anakronik i kryer në kohë dhe vende që mezi presin të çlirohen nga mbizotërime kuptimesh dhe valencash që u ka kaluar koha.

Simbolika të tilla të rëndomta e ogurzeza që funksionojnë vetëm në bazë nënkuptimesh vendore, pra që do të kishin sens vetëm në një vend që mirëfilli është quajtur piramida ose varri i diktatorit - simbolikë e cila me një sërë transformimesh kuptimplota është munduar të shqitet njëherë e përgjithmonë nga vetëdija kombëtare - shkon sot dhe përforcon kumtin e saj, e dyzon atë me kultin e "sovranit të ri", ngadhënjimtar kundrejt të shkuarit, që kurrsesi nuk mund të pasqyrohet tek kori i braktisur për vite me radhë, i të përndjekurve politikë, në memorie të të cilëve mund të ishte gjithçka, përveçse një shenjë e re totalitare që i përqesh, u tërheq forcë dhe energji për të ngritur e ngurtësuar lart pastaj frymën e re të atij për të cilin realisht do të shërbejë.

Simbolet apo shenjat kombëtare i shërbejnë gjithë komunitetit dhe kombit mbarë. Diktatura e egër ishte fati i gjithë kombit, kobi apo nderi i tij. Përjetësimi apo harresa, përkujtimi dhe nderimi na përket të gjithëve dhe të gjithë bashkë jemi zot të vendosim e duam apo jo atë kujtim.

E për më tepër kur përmendore të tilla do të jenë në sytë, respektin dhe vemendjen e të gjithëve, mbërrin natyrshëm kërkesa që vendimi apo jo ti takojë vullnetit të të gjithëve, dhe jo të na imponohet, qoftë edhe për të pavdekësuar kujtim martirësh.

Them se do të ishte pasqyrë largpamësie dhe demokracie, e mbase edhe gjest frymëzues dhe fisnik sikur një herë të vetme t'i mundësohej këtij populli të zgjedhë vetë simbolet që dëshiron t'i shkojnë për shtat.

Dhe jo rrallë herë, edhe në historinë botërore, tradita ka treguar se vendet që krijohen dhe ku natyrshëm derdhet respekti, përulja dhe përkushtimi popullor janë edhe ato ku ndihet fare qartë dimensioni populist i çliruar nga protokolle të ngurta zyrtare, pra, atje ku njeriu njehsohet me dimensionin e lirisë dhe të paqes.

Dua t'ju kujtoj edhe një herë fjalët e fundit të sekretarit të shtetit William Maxuell Evarts në ceremoninë e ngritjes se obeliskut: "Bëjani pyetjen vetes: këto janë pyetje që do të gjenin përgjigje veçse në kohëra faraonësh dhe kurrsesi këto kohëra nuk janë më tonat..."

8 Komente

"Nëse shkon në Tebë, mos harro të më sjellësh një obelisk". Këto ishin sipas legjendës, fjalët e Zhozefinës në përcjellje të bashkëshortit të saj

sa e lashtë

Ka plotesisht te drejte, ketij artikulli nuk mund ti heqesh apo ti shtosh asgje.

Por mos harro se nuk vendos ti.

Te behet apo mos te behet obeliksu?!  Kjo eshte ceshtja. 

Te behet apo mos te behet para piramides?!  Kjo eshte ceshtja. 

Eshte dinjitoz per viktimat apo s'eshte?!  Kjo eshte ceshtja. 

Me poshte po sjell disa artikuj nga analiste te ndryshem, botuar tek Shekulli. 

Food for thought...s smiley

Nga Ardian Klosi:

Përmendore Demagogjike

Shumë pak dimë për idenë e një monumenti kushtuar të përndjekurve të regjimit komunist, i cili do t'u vendoska pranë Piramidës në përfundim të një konkursi ndërkombëtar.

Në gjithë këto lloj vendimesh e çuditshme është që ato i marrin njerëz të cilët në të vërtetë ne nuk i kemi zgjedhur as si historianë as si artistë, por vetëm si menaxherë të institucioneve, legjislacionit dhe ekonomisë sonë.

Pavarësisht nga kjo situatë, të cilën nuk mund ta ndryshojmë dmth. nuk do t'ua heqim dot nga duart politikanëve vendimmarrjen për monumente dhe përkujtimore për sa kohë tek ne qytetaria nuk është e organizuar - mendoj se në rastin konkret ka dy gabime apo lajthitje thelbësore:

Në krye, nuk mund të jetë ndërkombëtare autorësia për një monument që u kushtohet vuajtjeve të shqiptarëve të kallur nën dhè, në burg, të internuar e të përndjekur me dhjetëvjeçarë në Shqipëri.

Një i huaj punimin do ta bënte, siç është afërmendësh, në mënyrë të abstraguar, "ndërkombëtare", të tillë që mund të vendosej edhe në Vladivostok, edhe në Minsk ose në Goli Otok.

Është e logjikshme që me këtë punë të merren artistë shqiptarë, qoftë që e kanë provuar ferrin komunist dhe janë ende gjallë, qoftë familjarë të atyre që nuk jetojnë më, por qoftë që dhe nuk kanë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë familjare por ndjeshmërinë dhe ndershmërinë e duhur për ta trajtuar këtë temë siç duhet.

E dyta, më keq e më kot nuk mund të bëhet vendi i zgjedhur. Përdoren ikona të projektuara nga regjimi i shkuar, konkretisht nga familja Hoxha, për të nderuar të persekutuarit e kësaj familje, të diktaturës që drejtoi i vjehrri i projektuesit.
Një monument është i mirë dhe i goditur edhe në raport me vendin ku vendoset, jo ashtu thjesht në vetvete.

Për shembull, monumenti i dy poetëve të ekzekutuar, G. Leka e V. Blloshmi, është mirë aty ku rri në qytetin e tyre, Librazhd, Kristoforidhi i shkon bukur qendrës së Elbasanit, një statujë e Kolë Idromenos do t'i rrinte shumë mirë rrugës që ai projektoi në Shkodër, kurse monumenti i ri që duket kanë menduar Berisha-Pango, do t'i shkojë Piramidës dhe kryeministrisë, po aq sa i shkon bie fjala Sulejman Pasha Partizanit të panjohur që ka në krah dhe Bibliotekës Kombëtare që ka përballë.

Një monument i tillë duhet të gjejë vendin e duhur, përndryshe ai nuk ka peshë (guri i rëndë në vendin e vet). Nuk di cili do të ishte vendi më i mirë në Tiranë, ish-hetuesia komuniste a qoftë dhe Ministria e Brendshme, a një zonë që është ngritur me punë të detyruar të të burgosurve, por jo Piramida e as Komiteti Qendror ose kryeministria.

Në përgjithësi Bulevardi i Tiranës është kaq i ngarkuar me regjime të ndryshme dhe simbolet e tyre, sa simbole të tjera zor se mban më. Gjithçka ka shkuar në velje e stërpërdorim, duke u bërë neutrale.

Një bulevard që ka trajtën e sëpatës fashiste të liktorëve, i projektuar me emrin Musolini, i ngarkuar më pas me arkitekturë sovjetike, sikurse është ish-Komiteti Qendror, me xhaminë e qendrës anë kullës veneciane të Sahatit dhe arkitekturën socialiste të Pallatit të Kulturës dhe Muzeut Kombëtar, do të bërtasë pa kuptim kur atij t'i shtohet edhe një përmendore e të persektuarve nga komunizmi. Përsëri një çorbë shqiptare.

Ajo do t'i shkonte bulevardit tonë po aq sa i shkon disidenca këtyre politikanëve tanë ish-anëtarë të Partisë së Punës dhe regjimit të tyre demagogjik.

Nga Kristi Andoni*

Ju mendoni referendum?

Monumentet të trashëguara apo të reja janë dhe duhet të jenë vepra të veçanta (të artit dhe kulturës) të njohura si bartëse të vlerave dhe që konstituojnë një pjesë të memories së shoqërisë. Në rastin në fjalë (të obeliskut) është një potencial real që të bëhet pjesë e memories së patrimonios.

Nga ana tjetër obelisku duhet të hyjë në bashkësinë e kompleksit të veprave apo objekteve në të cilat komuniteti dallon apo veçon partikolaret apo vlera specifike me të cilat identifikohet. Identifikimi në këtë rast s'është gjë tjetër veçse procesi i seleksionimit apo përzgjedhjes së vlerave - vlera të gjeneruara në kontekst komuniteti, në kontekst kohor, dhe që transferohen tek monumentet autentike si rasti në fjalë i obeliskut.

Vlerësimi apo rivlerësimi i autenticitetit të monumenteve që marrin pjesë apo konfigurojnë qytetin, pra bashkësia e karaktereve esenciale të certifikuar historikisht, apo që do të certifikohen, janë pashmangshmërisht një outcome i transformacioneve të ndryshme sociale në kursin e kohës.

"Scenario" i memorial obeliskut mendoj se duhet të jetë konseguencë e zgjedhjeve të vlerave të akumuluara të mendimit qytetar, të kulturës sociale dhe që arkitektët apo artistët që do kenë fatin e madh të merren me këtë vepër e abstragojnë në një repertor modern vlerash ku dominon kultura dhe qytetaria.

Po e mbyll me një remark profesional apo një konsideratë shumë personale.

1. Projekte të tilla përfundojnë zakonisht në një numur të vogël "scenarios" konkurrues të cilët bazohen zakonisht në të njëjtat prezumime socio-kulturore ekonomike. (S'ka të papritura që orientojnë memorien e shoqërisë dhe qytetit).

2. Procesi i përzgjedhjes së "scenarios" fitues është dhe mbetet elitist dhe ekskluziv (ne jemi shumë familjarë me këtë apo jo?) Si mund të evitohen decizione arbitrare "ala Rama"?

3. Është shumë i rëndësishëm konstituimi i termave të referencës për këtë obelisk memorial..dmth ku dhe kush do të hartojë "manifestin" ku do të bazohen artistët apo arkitektët: do të jetë "approach" historik? Arti? Urbano-arkitektonik? Miks i integruar?

4. Historikisht këto lloj veprash janë definuar "dictatorship design" që moralisht nuk është më keq se vota demokratike.

Ju mendoni referendum? Pra monopoli i vendimit t'ju jepet qytetarëve të Tiranës apo Shqipërisë? Kjo kërkon një atmosferë perfekte të simbiozës midis mendimit liberal dhe atij konservativ.

Megjithëse është një shans prej kohësh i munguar që në trupin e Tiranes të mos ketë vetëm përçudnime haluçinative betonesh që gabimisht mund të quhen banesa - por edhe copëza kulture të cilat besoj se vazhdojmë t'i meritojmë.

*Arkitekt, këshilltar i ministrit të TKRS, Ylli Pango

Nga Ervin Hatibi

Që obelisku të mos ketë fatin e kolegëve të vet

Lajmet nga Tirana flasin për një obelisk, porositur në nderim të viktimave të diktaturës, që qeveria do ta ngrehë buzë piramidës bosh të ish-diktatorit.

Karshillëku shtytës piramidë-obelisk, bëhet menjëherë tërheqës e nis e përhapet nëpër territor duke lypur të tjera evokime egjiptiane.

"Pas hapjes së Kanalit të Suezit, Zoti i Egjiptit, Khedive Ismail, i premtoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës një obelisk."

Kjo është fjalia e parë e të vetmit komentar eseistik mbi nismën qeveritare, që kam parë në shtyp. Komentuesja, duke na shëtitur në trajektoren e obeliskut tejpërtej kohërash e kontinentesh, mbërrin deri këtu:

"Obelisku ibernon vetëm kultin e atij që e ngreh, duke shprehur vetveten si një simbol thellësisht teokratik, opresiv e totalitar pra, jodemokratik." Pastaj përfundon: "Diktatura e egër ishte fati i gjithë kombit, kobi apo nderi i tij.

Përjetësimi apo harresa, përkujtimi dhe nderimi na përket të gjithëve dhe të gjithë bashkë jemi zot të vendosim e duam apo jo atë kujtim.

E për më tepër kur përmendore të tilla do të jenë në sytë, respektin dhe vëmendjen e të gjithëve, mbërrin natyrshëm kërkesa që vendimi apo jo ti takojë vullnetit të të gjithëve, dhe jo të na imponohet, qoftë edhe për të pavdekësuar kujtim martirësh" ("Epopeja e një obelisku"/Shekulli- 04/02/09)
Ishte e rëndësishme të ndërfusja pjesë nga ky komentar mbi obeliskun rrëzë piramidës, për të argumentuar praninë në zmadhim e sipër të një tjetër monumenti "egjiptian" në skenë.

Ky monument është Sfinksi, koka që kundërthotë trupin, trupëzimi i enigmës kërcënuese. Ky Sfinksi ynë, është qëndrimi deledash ndaj diktaturës: disa e anatemojnë dhe duan të mbajnë gjallë kujtesën e krimeve të saj, të tjerë bëjnë të kundërtën.

Diktatura në kujtesën publike shartohet si Sfinks, me trup kafshe e fytyrë njeriu a anasjelltas.

Problemet që ka shoqëria me kujtesën, i reflekton bukur edhe shteti: ky institucionalizoi një ditë kujtese komode për Shoan, vite para se të skuqë një datë në kalendar për viktimat e diktaturës sonë.

Shteti dhe shoqëria e kaluan vitin 2007 pa vënë re se mos ishin bërë 40 vite nga ndonjë gjëmë kombëtare që ende dhemb e që duhej përkujtuar. Se përkujtimi i tragjedive nuk bëhet për ndonjë mazokizëm, por si vaksinë që sëmundjet të mos bëhen kronike.

Prandaj nismat për "zyrtarizimin" e kujtesës mbi të keqen, janë për t'u përkrahur, edhe pse kjo do bërë pa falenderuar fare nismëtarët. (Në vitin 2009, një obelisk i kujtesës si shtyllë e vonuar kurrizore, nuk mund të mos lexohet në vazhdën e sindromës Tourette të antikomunizmit paraelektoral që zapton periodikisht të djathtën tonë...)

Që obelisku të mos ketë fatin e kolegëve të vet të cilët prej dekadash tek ne rrënohen a internohen (si Heronjtë e Vigut, që të pest&eumlsmiley ndërtimi i tij do të ishte e mira të financohej drejtpërdrejtë nga qytetarët, jo "arbitrarisht" nga taksat.

Do të ishte e turpshme që obelisku i kujtesës të fëlliqej me kontributet e atyre shqiptarëve që ende mbështesin krimet e diktaturës, sado qoftë vlera e tyre në lekë.

Nga Artan Raça*

Arkitekturimi i Kujtesës

Ideja për të ndërtuar vendet e kujtesës njerëzore ka impenjuar prej kohësh shoqëritë e ndryshme që pretendojnë e duan të mbajnë një lidhje të fortë e të thellë me të kaluarën dhe me ndjenjat e tyre.

Për secilin prej nesh ekziston një vend për të kujtuar njerëzit e afërt e të dashur ashtu siç ka edhe një vend për të kujtuar njerëz e ngjarje tepër domethënëse e përfaqësuese për një komunitet më të gjerë se sa familja.

Të dy këto vende trupëzohen dhe bëhen të dukshme nëpërmjet veprave të kujtesës të cilët shpesh janë skulptura apo vepra arkitekturore e të gjitha këto kanë një qëllim: të na këshillojnë të mos harrojmë, apo të kujtojmë vdekjen.

Ashtu siç thuhet edhe nga Shën Egidio, se varret janë një lloj "monumenti" që i bëjnë njerëzit të mendojnë se në fund të fundit fati i tyre është vdekja.

Deri para Luftës I Botërore - sipas historianit Reinhart Koselleck - monumentet e kujtesës u dedikoheshin Sovranëve dhe vetëm pas kësaj kohe e më saktësisht me ndërtimin e dy monumenteve njëri në Marylebone të Anglisë dhe tjetri në Regen të Gjermanisë, ku ushtari i thjeshtë zë vendin e Sovranit, nis ajo që ai e quan demokratizim i "kujtesës së vdekjes".

Sipas tij një nga ngjarjet më të mëdha të shekullit XX është pikërisht demokratizimi i vdekjes në monumentet e Ushtarit të Panjohur, i cili simbolizon "vdekjen anonime në masë".

Deri afër viteve '30 të shekullit XX ideja e monumentit qëndroi e lidhur me imazhin e vdekjes së lavdishme, e një vdekjeje që dukej se kishte njëfarë kuptimi: pra vdekja për Kombin e Atdheun.

Por me konfliktin e Luftës II Botërore të nisur nga nazizmi e fashizmi çdo ide e luftës së drejtë (tashmë e vënë në diskutim nga masakra e përjetuar e viteve 1914-1918) ishte lëkundur.

Dukej se asnjë luftë apo betejë nuk ishte e denjë për një monument qoftë kjo edhe nga ato të fituara nga Aleatët, por që lanë prapa me miliona të vrarë e shumë shkatërrime.
Më pas tragjedi të tjera dhe viktima të tjera do të numëroheshin përsëri.

Jo vetëm ato të cilat i prodhon natyra por edhe ato që i prodhojnë shoqëritë njerëzore si ajo e shkaktuar nga regjimet komuniste për më se gjysmë shekulli në shumë vende të Europës dhe të Botës.

Pas afro një shekulli të vendosjes së komunizmit dhe 20 vjet pas rënies së tij në vendet evropiane, ideja e hedhur tek ne për ngritjen e një Memoriali kushtuar këtyre viktimave do të shënonte jo vetëm fillimin e ngritjes së vendeve të kujtesës për këtë lloj tragjedie por edhe reflektimin për një interpretim artistik e modern të kësaj tipologjie për rastin në fjalë, e cila për të thënë të vërtetën është ende e paeksploruar (duke qenë se jo vetëm nuk kemi një rast të tillë por dhe se në botë janë duke u ndërtuar ende ato në kujtim të viktimave të Luftës II Botërore).

Por ashtu siç ka një histori katedralesh ashtu ka dhe një histori memorialesh, bile dhe një histori moderne dhe bashkëkohore të tyre.

Për të mos shkuar shumë larg, e për të mos cituar shumë raste njëri prej tyre është monumenti që Maya Lin (1959) ka krijuar në Ëashington në kujtim të 60 000 ushtarëve amerikanë të rënë në Vietnam.

Një bllok i gjatë graniti i zi dhe tepër i lëmuar i jep mundësi njerëzve që duke u pasqyruar në të njëkohësisht të lexojnë emrat e të gjithë të rënëve.

Një rast tjetër janë memorialët e ndërtuara në shumë vende të Europës Lindore dhe sidomos në vendet e Ballkanit nga arkitekti serb Bogdan Bogdanoviç(1922) një nga gurutë e memorialëve të këtij lloji në botë.

Një nga ata dhe ndoshta me i realizuari është edhe "Trëndafili i Gurtë", në kujtim të viktimave të kampit të përqëndrimit në Jasenovac të Kroacisë i nderuar së fundmi me çmimin "Carlo Scarpa" nga Fondacioni Benetton.

69842 viktimat e makinës perfekte të shkatërrimit të Njeriut janë kujtuar me një vepër befasuese arti ku frymëzimi nuk kërkohet tek ideja për të rijetuar të keqen por tek melankolia e një luleje të madhe betoni e cila nuk ofendon kërkënd, nuk proklamon, nuk kërcënon, nuk tregon me gisht as vrasësit as viktimat, nuk flet për vuajtjet dhe nuk nxit hakmarrjen, por dhe nuk mbulon te vërtetën.

E padyshim një nga momentet më të rëndësishme të evolucionit të memorialëve dhe një nga veprat më novatore në këtë fushë është edhe "Il grande Cretto" i Alberto Burri-t (1915-1995) në kujtim të 1150 viktimave të tërmetit të 15 janarit 1968 në Sicili. Ky përbën një nga pikat e kthesës në evolucionin e memorialëve për shkak të idesë së re për një interpretim arkitekturor të këtyre monumenteve.

Më 1989 përfundon projekti i Burri-t, 12 hektarë rrënoja të qendrës historike të qytetit të Gibelline-s të mbledhura dhe të mbuluara me beton të bardhë, një qytet i tërë i ngurtësuar, një land-art tepër tërheqës i llojit brutalist e postminimalist.

Efikasiteti i veprës dhe intensiteti i impaktit janë dhënë nëpërmjet ndërveprimit pamor midis pamjes së jashtme (vepra si një art mjedisor mund të lexohet me kilometra larg me një efekt pothuaj piktoresk) dhe hapësirave te brendshme: një vepër arti si hapësirë e kalueshme në lartësinë e trupit të njeriut, një labirint i hapur që të kujton të çarat e tokës, ku ecja kthehet në një rrugëtim pa krye, një reflektim i fortë mbi vetë thelbin e humbjes.

Edhe pse i ngjashëm me atë të Burri-t Memoriali i Holokaustit në Berlin i projektuar nga arkitekti amerikan me origjinë çifute Peter Eisenman (1932) përbën një nga realizimet më të mira në fushën e memorialëve dhe një nga piketat më të rëndësishme të referimit për rastin që po shqyrtojmë.

2511 blloqet e betonit gri të larguara 95 cm nga njëri-tjetri me lartësi e pjerrësi të ndryshme, mohojnë çdo nocion të aksialitetit absolut, të rregullit dhe sigurisë duke krijuar një pyll pa fund, pa destinacion, pa drejtime, pa hyrje e pa dalje të përcaktuara.

Reflektimi mbi këtë projekt është tepër i rëndësishëm së pari jo vetëm se është i fundmi i ndërtuar në Evropë, jo vetëm se kujton një nga ngjarjet që për nga numri i viktimave i afrohet atij të komunizmit në tërësi, jo vetëm se është i ndërtuar në qendër të Berlinit, afër portës së Brandeburgut shumë afër me bunkerin e kancelarisë së Adolf Hitlerit, dhe ndërtesave tepër moderne qeveritare e parlamentare të Gjermanisë së Re, por edhe sepse (dhe këtu qëndron e reja dhe suksesi i kësaj vepre) ka arritur të japë një vepër në kujtim të të vdekurve por dhe një meditim mbi hapësirën tonë jetike.

Kjo hapësirë ashtu si dhe te memoriali i Burri-t është e kalueshme nga njerëzit, pa barriera dhe pa gardhe, e hapur ditë e natë, me te vetmin ndryshim se ndodhet në qendër të qytetit.

Nga berlinezët është interpretuar në mënyrën më të saktë: duke fituar mbi variantin e teologut protestant Richard Schroeder që parashikonte një kolonë me shkrime në shumë gjuhë të fjalës "mos vrit", kjo vepër nuk është një "monument" i heshtur e statik por një arkitekturë që krijon një "vend" dhe një "kontekst" bashkëkohor.

Nëse është e vërtetë që memorialet shërbejnë për të na bërë që të reflektojmë mbi historinë, po aq e rëndësishme është që ato të mos kthehen në vende të ftohta e të thata, momente thjesht të një përhumbjeje dhe refleksioni mbi një të shkuar që në pamje të parë nuk na përket më.

Ashtu siç thotë vetë arkitekti Eisenman "ky nuk është një varr, njerëzit mund të ulen, të rrinë në këmbë, të shëtisin apo të hipin mbi blloqet e betonit... nuk dua një vend ku vizitorët të mallëngjehen për të ikur më pas me ndërgjegjen e pastër".

Interpretimi arkitektonik dhe jo monumental ia ka bërë të mundur kësaj vepre që të jetë pjesë integrale e këtij qyteti dhe nëse flasim për një qytet bashkëkohor nuk ka rëndësi vendndodhja (në qendër apo në periferi) por fakti se memoriali duhet të jetë po aq bashkëkohor, ose më mirë pjesë e gjallë dhe aktive e pëlhurës urbane e jo thjesht moment kënaqësie pamore si varreza pa kufoma ku mbretëron qetësia në emër të një "respekti" hipokrit ndaj të vdekurve.

Zgjedhja dhe interpretimi arkitekturor dhe antimonumentalistik si një vend për njerëzit dhe për qytetin si përvojë e jetueshme dhe jo vetëm pamore do të bëjë të mundur kthimin e këtij memoriali në një përvojë sa individuale aq dhe të përbashkët.

Pikërisht një nga idetë që historiani Koselleck ka nënvizuar ka të bëjë me këtë çështje. Në kulturën tonë flitet shpesh për "kujtesë kolektive" sikur të ekzistonte në të vërtetë një subjekt kolektiv në gjendje për të kryer këtë akt, pra për të kujtuar dhe nderuar të rënët.

Në të vërtetë për sa kohë secili prej nesh jeton jetën e përditshme edhe kujtesa është tepër personale, eksperiencat e secilit individ nuk janë të komunikueshme me njëra-tjetrën. Edhe kur kanë të bëjnë me një ngjarje traumatike dhe të tmerrshme kujtimet përsëri mbeten personale.

Çdo njeri ka nevojë për kujtimet e tij pa të cilat do ta ketë të pamundur të jetojë. Monumentet nga ana e tyre punojnë që të transformojë kujtesën personale në një kujtesë të përbashkët.

Por jo gjithmonë ia arrijnë, shpesh e drejtojnë kujtesën e individëve të veçantë në një drejtim politik e ideologjik.

Prandaj për mendimin tim kudoqoftë ky memorial, pse jo edhe në qendër të qytetit ai duhet domosdoshmërisht të ketë një interpretim arkitekturor dhe antimonumentalistik për të bërë të mundur një integrim me kontekstin dhe qytetin jo vetëm fizikisht por edhe mendërisht e shoqërisht, duke na kujtuar nga njëra anë për mundësitë dhe forcën shprehëse të arkitekturës, për sa kohë ajo vihet në shërbim të vullnetit shoqëror e civil, dhe nga ana tjetër duke na vërtetuar fjalët e Georges Bensoussan në librin "Trashëgimia e Aushwictz-it", se ishte një kohë që arsyeja sqaronte ngjarjet; ndërsa sot është ngjarja që ndriçon arsyen.

*Arkitekt

Ne se do te ngrihej pa buje ,nje pllakate ose obelsik i vogel per memorjen e te persekutuarve,ne nje cep andej te lagjes se Tirones ,ose aty afer nga qendra ,ose me ndonje qytet provincial ,..ai obelisk , do te kishte edhe vlere edhe jete gjatesi ,sepse ai do te ngrihej nga "ata" qe vertete vuajten persekutimin ,por te ngrihet" tjeteri " dhe te vendos ku do ai ,dhe sa te madh e do ai Obeliskun ,kjo eshte qe me deshire ta rezosh ate Obeliske ,sepse ti sot me neser jene ne kete dynja, se nuk je koka e zeusit ,te vendosesh se ku dhe si ?

keto obelisqet e vendosura nga Partia e kane shume te shpejte edhe rrezimin,ja ,ceshtje kohe ,si te thuash se ze dote mengjezi i dites tjeter !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).