Ëndërr për një metropol

Botuar fillimisht nga gazeta zvicerane "Neue Zürcher Zeitung"

 

Xuxi dhe Berati janë dy djem të rinj të cilët pesë mëngjese me radhë gjatë javës, flasin me "Metropolin". Emisioni i tyre në Radion Nacionale të Kosovës "Blue Sky" është i popullarizuar. Nga emërtimi e deri tek ndodhitë që ata përjetojnë, shohin apo dëgjojnë janë temë e "Metropolit", kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

Askush nuk i shpëton ironisë së tyre. Interaktiviteti me dëgjuesit i bën ata dhjetëra mijëra të jenë pjesë e vetkuptueshme e emisionit. Janë pyetjet e tyre dhe më pas përgjigjet ato të cilat jo vetëm që japin frymën e gjendjes së kryeqytetit por edhe të njerëzve të tyre.

"Çfarë do të bënit nëse do të kishim rrymë për 24 orë", është një pyetje e cila merr një përgjigje të tipit "Do ta hapja një fabrikë për prodhimin e automjeteve dhe do ta punësoja krejt familjen e Drejtorit të KEK-ut."

"Çfarë do t'u sugjeronit kompanive kontraktuese për pastrimin e qytetit që të shpëtojmë nga mbeturinat!", është pyetja e ditës tjetër. "Do t'u sugjeroja që të mos pastrojnë aspak sepse edhe ashtu këtë punë do ta bëjnë këta të Misionit të BE-së", është përgjigja tjetër. Një prej pyetjeve është ajo për biletat e trafikut urban i cili nga qyteti u është dhënë në përdorim kompanive të ndryshme të cilat bëjnë të njëjta routa por nuk i pranojnë biletat mujore të njëra-tjetrës.

"Eci në këmbë me biletën mujore", thotë një dëgjues i rezignuar i cili e ka të vështirë ta dallojë "autobusin" që pranon biletën e tij pasi pos mbishkrimeve të fshatrave të thella gjermane a zvicerane këta autobusë nuk i bën asgjë të dallohen nga njëri-tjetri.

Pasuri paradoksesh

Paradokset e Prishtinës janë të shumta dhe njeriu duhet të dijë si të jetojë në këtë qytet- poqese dëshiron të jetojë mirë. Edhepse një pjesë e mirë e qytetit kishte mundur t'i shpëtonte shkatërrimit të luftës së vitit 1999, prej verës së atij viti numri i banorëve është trefishuar. Pra, nga 200.000 banorë që Prishtina i kishte sot në të jetojnë rreth 600.000 sosh.

Me arkitekturë komuniste e cila u gjason atyre të qyteteve të jugut të Serbisë socialiste, Prishtina nuk kishte dhe vazhdon të mos ketë sheshe, rrugë të gjera, unaza anësore që do ta lehtësonin komunikacionin e brendshëm dhe me mbipopulimin e sotëm.

Nëse në këtë mes shtohen edhe ndërtimet pa leje dhe të egra, qytetit i kanë dhënë një pamje amorfe së cilës nuk ia gjen shoqen askund në Europë.

Arkitekturë mes futurizmit e arkaizmit por para së gjithash punëve të papërfunduara me shtëpi e ndërtesa që një zot e di kur do ta marrin dorën e fundit të bojatisjes. Për ta ndalur këtë hov marramendës të ndërtimeve kishte provuar qysh në vitin 2000 arkitekti prominent Rexhep Luci me projektin e tij "Prishtina- Vizioni 2000-2005".

Autori i projektit komunal qe vrarë menjëherë pas përpjekjes së tij dhe sot, në vitin 2009, Prishtina është shndërruar në horrorin të cilin i ndjeri e kishte parashikuar.

Prishtina ka një rrugë kryesore e cila nga zyrtarët quhet edhe "Sheshi Nënë Tereza". Në dhe përreth këtij "Sheshi" me restorantet, kafe-baret, institucionet qendrore e lokale, zhvillohet jeta.

Nëse dikush don ta sheh a takojë dikënd, të gjejë punë e tendera, duhet të parakalojë përgjatë këtij shtegu i cili është i vetmi ku është i ndaluar rreptësisht qarkullimi i makinave dhe për çudi edhe respektohet.

Kjo pjesë e qytetit edhe në fillim të muajit Shkurt vazhdon t'i ketë stolitë e fundvitit të varura në fasada firmash e shtëpishë, degë pemësh apo dritare dyçanesh. Ato nuk janë hequr dhe atë për shumë shkaqe por një shpjegim zyrtar nuk ka.

Kjo don të thotë që për të njëjtën temë mund të dëgjohen shpjegime nga më të nduarnduarshmet. Një është ai që ka patur shumë borë dhe pritohet të punohet. Një tjetër që Kompanitë e telefonisë dhe bankave që kanë sponzorizuar stolitë duan që të jenë sa më gjatë të pranishme me produktet e tyre nëpër qytet.

Një tjetër dhe kjo më duket më spirituozja është ai që stolitë kanë mbetur sepse është dashur të Festohet edhe Viti i Ri Ortodoks me 14 Janar. Duke vazhduar kështu me prognozën që këto stoli do të mbeten deri me 17 Shkurt kur do të kremtohet njëvjetori i shpalljes së pavarësisë.

Në dimër, petku i borës që vesh Prishtinën është gjëja më e mirë që mund t'i ngjajë këtij qyteti. Edhe me kushtin e reduktimeve masive të rrymës apo ngrohjes së qytetit por edhe akullit e ngricave që shkaktohen, atëherë pejzazhi i bardhë i jep disi një fytyrë tjetër këtij qyteti për të cilin për shumë arsye mund të thuhet që të jetohet në të duhet përvetësuar një art i veçantë i mbijetesës. Sidomos në janar e shkurt- kur bora shkrihet dhe në shesh dalin gjithë mbeturinat e mbledhura për ditë a javë të tëra.

Papastërtia dhe balta që grumbullohen në rrugët e ngushta, trotuaret e zëna nga makinat për të cilat thuhet që ka poaq sa banorë të qytetit, shitësit ordinerë, kryesisht fëmijë, të cigareve, kartelave për celularë, çamçakezëve, çantave, flamujve, dorashkave e çka jo tjetër, Prishtinës i japin një zhurmë e cila për banorët e përhershëm është krejt normale kurse për vizitorët e rastit një kaos nga i cili duhet ikur sa më shpejt që të jetë e mundur.

Po të mos ishte nata, Prishtina do të ishte një qytet në të cilin edhe të huajt të cilët janë me mijëra në misione të ndryshme ndërkombëtare, vështirë që do ta duronin.

Por janë lokalet e natës, restorantet dhe kafe baret me kulisa si të Hamburgut, Mynihut apo Zyrihut e Vjenës ato që i mbajnë në jetë edhe elitat vendore edhe mysafirët ndërkombëtarë. Dhe në këto lokale bëhet çdo gjë: nga politika e ekonomia deri tek zbavitja e cila vazhdon deri në orët e vona të natës.

Poqese njeriu zgjohet dhe ecën në Prishtinë në ora tetë të mëngjesit atëherë do të mendojë që në Berlin a Zyrih është pesë e mëngjesit. Jeta në këtë kryeqytet fillon vetëm rreth orës nëntë. Dhe kjo është kështu sepse netët janë të gjata.

Ata që nuk kanë para të shijojnë ofertat e lokaleve shërbehen me një mori kanalesh televizive, vendore dhe sidomos nga Shqipëria të cilat janë aq të fuqishme sa në to mund të shikohen formatet ëndërrore televizive.

Prej filmave më të ri e deri tek "Big Brother" a "talk shows" për politikë, ekonomi a seks. Ky duhet edhe të jetë shpjegimi që në një vend si Kosova në të cilin jetojnë rreth 2 milionë banorë, nga ta rreth 600.000 në kryeqytet, nuk shiten më shumë se 30.000 gazeta ditore në ditë.

Edhepse janë rreth 10 sosh që ditë për ditë në mënyrë brutale luftojnë njëra-tjetrën sidomos për faqet e marketingut, i cili gjithsesi që është më i levërdishmi kur vjen nga Qeveria Qendrore dhe lokale, me konkurset dhe tenderet që natyrisht shtypen tek ato gazeta që janë të afërta me pushtetin.

Edhe kultura në Prishtinë është në gjendje të mjerueshme. Me dy-tre kinema, një teatër nacional e dy-tre teatro private, tre-katër librari, një muze, një Galeri Kombëtare dhe një Bibliotekë e cila është njëkohësisht edhe Kombëtare edhe Universitare, Prishtina nuk ofron asgjë që do të mund të ishte vërtetë kulturore.

Artistët në Kosovë paguhen keq në shikim të parë. Por secili prej tyre ka së paku tre punë paralele në mënyrë që në fund të muajit megjithatë në xhirollogarinë e tij të del me një rrogë më të mirë se të një bashkëvendësi të tij që punon si kamarier apo punëtor fabrike në një vend perëndimor.

Gazetarët me nam janë edhe profesorë por edhe "stringer" të mediave perëndimore; shkrimtarët bëjnë punë edhe gazetarësh e edhe profesorësh në Universitete të ndryshme; artistët janë sa në teatro poaq në salla si ligjërues por edhe këshilltarë ministrash apo edhe anëtarë OJQ-sh e kështu me radhë.

Duhet të jetë ky edhe një prej shkaqeve kryesore pse në Prishtinë nuk ka një oponencë të mirëfilltë kulturore ndaj gjendjes së mjerueshme ekonomike por edhe njëmendësisë politike. Konformizmi i cili ndërlidhet me, tashmë jo nevojën për mbijetesë por mbajtjen e kursit të jetës bukur të begatshme e ka edhe çmimin e vet.

Prandaj nuk është për t'u çuditur që njerëz të teatrit a filmit janë në NGO të cilat bëjnë një dhe të njëjtën punë sikurse edhe në vendet e tyre të punës. Apo që shfaqja e Këshilltarit të Ministrit të Kulturës është prej më të shikuarave në Prishtinë.

Një shfaqje e një Këshilltari të Kryeministrit poashtu është paralajmëruar po këtë vit në Teatrin Nacional. Shpotitësit e skenës kulturore të Kryeqytetit thonë që ka mbetur vetëm edhe ndonjë Këshilltar i Presidentit të vendit të futet në ujërat e kulturës.

E vetmja gjë që shënohet dhe respektohet në Prishtinë janë javët kulturore që ambasadat e ndryshme në kryeqytet organizojnë. Shkëmbimet kulturore janë thjesht në një gjendje kaosi si edhe çdo gjë në këtë qytet.

Pak shanse për përmirësim

Gjasat për një përmirësim të gjendjes janë mëse të vogla. Këtë gjë para pak kohësh e pranoi edhe vet kryebashkiaku i Kryeqytetit Isa Mustafa. I zgjedhur para një viti në këtë post me shumicë të madhe votash, ekonomisti Mustafa i cili nga prishtinasit respektohej për një politikan të një formati tjetër, politikan i cili nuk bën zhurmë por punon, në ndërkohë duket që ka çuar duart nga projekti i tij për kthimin e Prishtinës në një (krye)qytet normal.

Shkaku për këtë është sipas tij mungesa e madhe e kuadrove dhe ligjeve të posaçme të cilat këtij kryeqyteti do t'i jepnin primatin dhe fytyrën që do ta meritonte.

Këtë fundvit janë parashikuar që të mbahen zgjedhjet lokale edhe për kryebashkiakun e Prishtinës. Xuxi dhe Berati, dy moderatorët e "Metropolit" me siguri që do t'i pyesin dëgjuesit e tyre se kë do ta preferonin për kryebashkiak.

Përgjigja e shumicës së prishtinasve në këtë pyetje nuk do të jetë e vështirë të gjindet sa do të mendohej. Nuk do të çuditeshim nëse do ta dëgjonim përgjigjen: Edi Rama. Krybeashkiaku i Tiranës i cili për një vit "punishtes" më të madhe në Europë, Tiranës, i dha një sharm të një prej qyteteve më interesante të Europës Juglindore, do t'i duhej edhe një Prishtine.

2 Komente

Edhe kultura në Prishtinë është në gjendje të mjerueshme. Me dy-tre kinema, një teatër nacional e dy-tre teatro private, tre-katër librari, një muze, një Galeri Kombëtare dhe një Bibliotekë e cila është njëkohësisht edhe Kombëtare edhe Universitare, Prishtina nuk ofron asgjë që do të mund të ishte vërtetë kulturore.

Me mire se Tirana qenka ore shoku   smiley

Krybeashkiaku i Tiranës i cili për një vit "punishtes" më të madhe në Europë, Tiranës, i dha një sharm të një prej qyteteve më interesante të Europës Juglindore, do t'i duhej edhe një Prishtine.

Merreni mer n'Prishtine, jua kemi fal kallamin e gjate  smiley 

Ajo fjala sharm  me 10 krejt smiley

ups spo flas keq se si dihet, mos takon me e gezu ate sharmllik ene une smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).