Eksportimi i propagandës drejt Kosovës

Një spot publicitar ka nisur të shfaqet në ekranet e varfra të Kosovës. Spoti, i cili për fat ka dizajn dhe paraqitje më të mirë se ai i kryeministrit Berisha në Shqipëri, në të vërtetë bën të njëjtën gjë. Flet për sukseset e qeverisë së kryeministrit Thaçi gjatë këtij një viti e gjysmë… Edhe aty përmenden rrugë, taksa, rritje ekonomike… E pashë dje në Kosovë dhe më ra pika. M’u duk sikur po shikoja në zyrë të Hashim Thaçit Aleksandër Frangajn, duke e këshilluar të bëjë ca spote për televizione, madje t’i japë dhe te TV “Klani”, se do dalë së shpejti në Kosovë.

E mbylla televizorin në dhomën e hotelit dhe zbrita në kafe. Hapa gazetat. Debati për dosjet shfaqej dhe aty në ballina. A duhen hapur apo jo? A kemi në administratë njerëz të regjimit të vjetër? Komente logjike dhe alogjike. Por zotëronte toni kërcënues i njerëzve të qeverisë ndaj njerëzve të vjetër të Kosovës, që kanë qenë komunistë.

Njësoj dhe kjo thashë me vete. Prapë m’u bë një si hije në zyrën e Hashim Thaçit, që e këshillon si ta tërheqë vëmendjen e njerëzve nga problemet e ditës, duke e çuar tutje, te koha kur ishin nën Serbi.

Por s’u mbyll me aq. Titujt e tjerë të gazetave bënin fjalë për një “ofensivë antikorrupsion” të qeverisë së Kosovës ndaj qeverisë së mëparshme të Kosovës, por jo bash e atij kryeministrit të mëparshëm, por e Ramush Haradinajt. Shkaku është se ky nuk paska përdorur mirë disa fonde që duheshin përdorur për sistemimin e disa banorëve të një fshati. Shkaku është se Haradinaj ka ngritur ndjeshëm zërin në Kosovë kundër qeverisë, dhe kjo po i përgjigjet.

E gjithë kjo më trishtoi, jo si problem i Kosovës, por si një problem i shkaktuar nga vendi im ndaj tyre. Lidhja shpirtërore e Kosovës me Shqipërinë, mania për t’u udhëhequr nga shkolla politike e Tiranës dhe sekserët e njëjtë të dy kryeministrave, duket se e kanë bërë tashmë punën e vet. Dhe puna e tyre është si të bësh propagandë bajate me taksat e qytetarëve duke u mbushur atyre mendjen për arritje, ndërkohë që në mbrëmje s’kanë bukë të hanë, si të sulmosh kundërshtarët politikë duke hapur dosje, për të cilat ke heshtur, kur kanë ndodhur, për shkak të aleancës politike dhe mbi të gjitha për t’u marrë me dosjet e së shkuarës si një lodër zbavitësve për qytetarët, të cilët nuk duhet ta kenë mendjen se ç’po ndodh sot. Ky eksportim i shkollës politike të Tiranës zyrtare në Prishtinë është një përgjegjësi e jona, një përgjegjësi e imja dhe kolegëve të mi, si qytetarë të Tiranës dhe vizitorë të Prishtinës, por dhe një përgjegjësi e intelektualëve dhe shtypit të Prishtinës që shpesh janë vizitorë të Tiranës. Është një përgjegjësi e jona, pasi ne së pari nuk duhet të lejojmë që produktet e vetme që duhet të shkëmbehen mes Tiranës dhe Prishtinës të jenë perversitetet e qeverisjes. Qeveria e kryeministrit Thaçi është ende e re dhe ka kohë të mos gabojë. Ajo ka kohë të bëjë vërtet rrugë dhe jo vetëm show me rrugët, ka kohë të mos vjedhë, ka kohë të mos gënjejë, ka kohë të merret me të ardhmen e Kosovës. Ajo ka boll probleme për të zgjidhur dhe të gjithë do ta respektojnë, dhe sikur të mos i zgjidhë të gjitha, po së paku mos t’i përkeqësojë ato. Ajo akoma s’ka bërë ndonjë Gërdec, falë Zotit akoma s’ka bërë ndonjë gjëmë si ajo e 60 km të rrugës Rrëshen-Kalimash që kushton mbi një miliard euro dhe së paku akoma nuk e kanë Damir Fazlliçin apo të klonuarin e tij sekser për tenderë energjie apo biznese të së ardhmes që marrin licenca sot. Duke mos qenë në hall sa qeveria Berisha, ajo qeveri nuk ka pse imiton qeverinë e Tiranës, panikun dhe problemet e saj. Ajo ka sfidat e veta dhe historinë e vet me Kosovën. Importimi prej Tiranës i shkollës politike propagandistike dhe imitimi një për një i gjithë problemeve është qesharak dhe fyes për inteligjencën e qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, përpjekja e tyre për të mbajtur medien nën influencën e pushtetit duke përkëdhelur gazetarë mediokër dhe duke trafikuar me informacionin, janë simptoma të një sëmundjeje që na kujtojnë qeverinë e Tiranës. Qeveria e zotit Thaçi është në kohë për të mos gabuar. Dhe do të ketë një bilanc të mirë, qoftë dhe sikur të mos imitojë ato që bën Tirana.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).