Eksperti grek: Si mund të zgjidhet çështja e pronave çame

Eksperti grek i tregut të kapitaleve, Themistoklis Kossidas, flet për konfliktin. “Çështja nuk zgjidhjet teknikisht. Çamët duhet të ushtrojë presion te qeveria këtu”

Çështja e pronave greke zgjidhet vetëm me rrugë politike dhe një gjë të tillë duhet t’ia kërkojë Athinës Tirana zyrtare. Ky nuk është mendimi i ekspertëve vendas, por i atyre grekë. Në një intervistë ekskluzive për “Albania”-n, Themistoklis Kossidas, auditues në Komisionin e Tregut Kapital në Greqi, ka thënë se pretendimet e popullsisë çame nuk mund të zgjidhen në rrugë teknike. Madje ai ka pohuar se ka përfunduar tashmë regjistrimi i titujve të pronësisë dhe pritet që të mbyllet edhe regjistri elektronik i pronave. Në tryezën 2-ditore të realizuar në Tiranë “Për të drejtat e posedimit të pronës mbi tokën, instrumentet e mundshme dhe zgjidhjet për qeveritë, me synimin e reduktimit të kostove dhe nxitjes së investimeve të huaja”, Kossidas, i ka dhënë të njëjtën përgjigje edhe Agim Toros, i njohur si përfaqësues i Shoqatës së Pronarëve në vendin tonë, i cili ka pasuri të trashëguara edhe në Greqi. Ai bëri të qartë dje, në takimin mes ekspertëve shqiptarë dhe të BE-së, se problemi është me natyrë politike dhe kërkon zgjidhje politike.
Pamundësia teknike
Megjithëse Greqia është shtet i Bashkimit Europian dhe funksionon sipas ligjeve dhe direktivave të tij, po duket gjithnjë e më e vështirë për popullsinë çame, të dëbuar 60 vjet më parë, që të marrin tokat e tyre. Eksperti i Komisionit të Tregut Kapital, Kossidas, pasi refuzon të komentojë këtë çështje, thotë se në bazë të ligjit grek, ka disa kritere për mbajtjen, sigurimin apo humbjen e së drejtës mbi pronën. “Nëse dikush përdor pronën tënde për më shumë se 20 vjet dhe nuk ka kontestime ligjore nga pronari, kjo i kalon në pronësi përdoruesit”, - thotë Kossidas për “Albania”-n.
Kjo është një ndër pikat e kuadrit të brendshëm ligjor, që sjell pengesa për popullsinë çame, të dëbuar që pas vitit 1944 nga vendlindja e tyre. Një pjesë e pronave të çamëve mund të jetë përdorur nga grekët, ndërsa eksperti i tregut të kapitalit mohon faktin se pasuritë e patundshme të çamëve të jenë ende të lira, ose nën mbikëqyrjen e shtetit.
Një tjetër pengesë teknike është edhe viti i përcaktuar si limit, që shënon njohjen e titujve të pronësisë. Data e vënë si zanafillë është viti 1955. Kjo shërben pikërisht si periudhë kur fillon njohja e dokumenteve të pronësisë. Kossidas pohon se deri tani në Greqi ka pasur regjistra manualë, dhe tani po punohet për të përfunduar regjistrin elektronik të tokës. Çdokush që do të verifikojë tokën e tij, mund të shkojë në zyrën e specializuar dhe të shohë hartën e detajuar të pronës, e cila tregon edhe numrin e pemëve që ndodhen brenda saj. Ai pohon se në këtë regjistër ndodh shumë rrallë që të ketë mbivendosje pronash.
Problemi politik
“Çështja e pronave të çamëve nuk është çështje teknike, por është historike dhe politike”, - thotë Kossidas. Teksa refuzon të japë detaje për pronat e shtetasve grekë me origjinë shqiptare, që u dëbuan pas luftës, ai thotë se qeveria shqiptare dhe greke duhet të ulen bashkërisht për t’i dhënë një zgjidhje këtij problemi. “Popullsia shqiptare duhet të ushtrojë presion te qeveria shqiptare dhe më pas qeveria shqiptare duhet të ushtrojë presion te qeveria greke”, - thotë Kossidas. Pra, nëse realisht qeveria shqiptare do të zgjidhë problemet e këtyre personave, duhet ta bëjë një gjë të tillë.
Eksperti për çështjet e pronave thotë se “nëse popullsia çame do të jetonte në Greqi, nëse do të kishin dokumentet e identifikimit, ky problem do të ishte shumë i thjeshtë, dhe mund ta merrnin pronën e tyre. Por ata janë larguar tashmë dhe problemi është kthyer në një çështje historike dhe politike mes Tiranës dhe Athinës.
Ai ka pohuar se mbi 90 për qind e tokës në Greqi është private dhe vetëm 10 për qind është shtetërore.
Themistoklis Kossidas paraqiti në seminarin 2-ditor në Tiranë të dhënat për të procesin e blerjes së pronës nga shtetas me kombësi greke dhe jogreke në Greqi për investime. Ai sqaroi se kjo është një procedurë e thjeshtuar tashmë dhe përjashtohen nga shitja vetëm prona që janë në zona arkeologjike, në një zonë prej 12 kilometrash pranë kufirit, apo edhe në pikat ushtarake, si dhe në disa raste të tjera specifike.

Greqia bllokoi legalizimet që nga viti 1983

Eksperti grek, Kossidas, deklaroi se që nga viti 1983 autoritetet shtetërore kanë bllokuar procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Ai pohoi se politika dhe qeveria shpeshherë mund të tentojnë ta rikthejnë këtë proces për qëllime politike, por nuk lejohet ligjërisht një gjë e tillë. Deri në atë vit kishte jo pak ndërtime pa leje, të cilat u formalizuan kundrejt një gjobe që paguan qytetarët që i kishin bërë këto ndërtesa pa zbatuar ligjin dhe politikat urbane.

Agim Toro fajëson Ligjin e Luftës: “Grekët fituan mbi 10 miliardë euro me pronat tona”

Sipas përllogaritjeve, shteti grek mund të ketë përfituar mbi 10 miliardë euro me pronat e bllokuara të popullsisë çame, që u dëbua me forcë nga Greqia pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo shifër është deklaruar nga Agim Toro, i njohur si ekspert për çështjet e pronave dhe një nga përfaqësuesit e Shoqatës së ish-Pronarëve që prej 16 vjetësh kërkojnë kthimin dhe kompensimin për tokat që kanë pasur paraardhësit e tyre. Toro thotë se procesi i marrjes së pronave të çamëve në Greqi mbahet i bllokuar për shkak të lënies në fuqi të Ligjit të Luftës nga pala greke. Por, nëse realisht ka fuqi ligjore, ky ligj ka pasur shumë debate. Segmente të caktuara të shoqërisë apo politikës kanë kërkuar vazhdimisht shfuqizimin e ligjit, që nisi prej Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur Greqia ishte në konflikt me Italianë. Ndërsa pala greke, apo edhe segmente të caktuara të Tiranës zyrtare, mendojnë se marrëveshjet e nënshkruara mes këtyre vendeve pas viteve ‘90 kanë bërë që të humbasë fuqinë e tij ligjore Ligji i Luftës. Realisht, Athina zyrtare ka pasur disa debate dhe ka ndërmarrë disa nisma që në vitin 1985 për heqjen e ligjit që mban në gjendje lufte dy vendet.

2 Komente

Shume i lireshem ne te folur ky eksperti grek?

Thua se munde te jete ne paktin e simfonis se varrezave ne shkembim?

 Eksperti grek i tregut te kapitaleve, duhet ta dije se nje investitor vendas apo i huaj e ka te veshtire te investoje ne nje prone te tjetersuar me dhune. E duke qene keshtu, eshte me shume ne interes te Greqise ta rregulloje kete pune duke i lejuar pronaret e vertete (çamet) te marrin pronat e tyre. Ne te kundert do te kete vazhdimisht mungese transaksioni ne kete treg si dhe mungese investimesh.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).