Durrës, dështon dhënia e hekurudhës me koncesion

DURRËS -E ardhmja e hekurudhës përsëri ka mbetur në udhëkryq. Tashmë kur kanë kaluar disa muaj qëkurse hekurudha çeke, ajo estoneze si dhe një grup i madh kinez shfaqën interesa për hekurudhën tonë, me synim marrjen e saj me koncesion, asnjë prej të interesuarve nuk ka kthyer përgjigje, edhe pse pala jonë u dërgoi dosje të detajuara për gjendjen e udhëve të hekurta. Ndërkohë që në programin qeveritar të 4-vjeçarit që po mbyllet ishte parashikuar dhënia e hekurudhës me koncesion, e cila shihet si shpëtimi i këtij sektori. Sot në hekurudhë punojnë mbi 2000 punonjës, ndërsa arsenali i vagonëve dhe lokomotivave paraqitet tejet i varfër dhe për më tepër, i amortizuar. E njëjta situatë paraqitet edhe në shina, në trase e në bazën mekanike.
HEKURUDHA
Inventari i hekurudhës sot është shumë i thjeshtë, rreth 30 vagonë pasagjerësh dhe 120 vagonë mallrash (të cilët lëvizin me shpejtësi 35 deri 40 km në or&eumlsmiley, nga 2300 të tillë në fund të viteve ’80. Ajo që ka mbetur e pandryshuar është fuqia punëtore. Në këtë “sh.a” shtetërore janë të punësuar mbi 2100 punonjës, rroga mesatare e të cilëve arrin 18 mijë lekë në muaj. Duke qëndruar me shpresën e dhënies së saj me koncesion, gjatë gjithë këtyre viteve nuk është ndërmarrë asnjë reformë në këtë lloj transporti. Tashmë që ka nisur edhe viti elektoral askush nuk ka ndërmend të merret me hekurudhën, e cila për më tepër ka mbingarkesë të fuqisë punëtore. Kompanitë e huaja të cilat kanë kryer studime për të ardhmen e hekurudhës kanë sugjeruar shkurtimin e 50 deri 60 për qind të fuqisë punëtore. Kjo do të thotë që më shumë se 1000 punëtorë duhet të lënë vendet e tyre të punës në mënyrë që hekurudha të nisë të marrë frymë. Por, studimi i tyre është marrë përsipër që të zbatohet nga ana e drejtuesve të këtij sektori.
KËRKESAT
Vitin që shkoi, hekurudha e shtetit çek, e përfaqësuar nga “Suola Praha”, kompania estoneze “Skinest Rail Blacom” si dhe shumëkombëshja “Kina”, paraqitën interes për hekurudhën shqiptare, me synim marrjen e saj me koncesion. Për këtë qëllim, përfaqësuesit e tyre kërkuan dosje të hollësishme të cilat përmbanin të dhënat teknike të hekurudhës si dhe inventarin e saj. Por, në hekurudhë thonë se tashmë kur kanë kaluar disa muaj që prej asaj kohe, nga ana e të huajve nuk ka ardhur asnjë përgjigje. Sipas specialistëve, minimalisht, kompanitë e interesuara për marrjen me koncesion të hekurudhës shqiptare që kanë shfaqur interesin, duhet që në harkun e një muaji duhet të kishin kthyer përgjigje. Por, kanë kaluar muaj të tërë e asnjë interes nuk është konfirmuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave në Durrës. E mbetur në mëshirën e fatit, në vështirësi teknike e financiare për mbijetesë përballë konkurrencës së transportit automobilistik, hekurudha po përballet dhe me një frekuentim të pakët nga ana e pasagjerëve. Njëkohësisht, pamundësia financiare ka bërë që në këtë sektor të mungojnë investimet si dhe të mos bëhet rinovimi i teknologjisë e pajisjeve të saj. E ndërkohë që hekurudha lufton të mbijetojë, sektorët e transportit rrugor, atij ajror dhe detar vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë të pandërprerë. “Për hekurudhën nuk ka asnjë projekt zhvillimi”, - thonë në administratën e kësaj ndërmarrjeje. Edhe gjatë këtij viti buxheti ka parashikuar subvencionin për pagat dhe shpenzimet operative, në mënyrë që sektori të vazhdojë të qëndrojë dhe vetëm kaq.

3 Komente

 Hekurudha ne Shqiperi, nuk ka pse jepet me konçension. Fare mire, per rihabilitimin e saj mund te kujdesen komunat, por jo me kete sistemin primitiv te ndarjes se buxhetit nga qendra. Pjesa nga Prrenjasi (duke e lidhur me Maqedonine) deri ne Durres , mund te elektrifikohet dhe te jete me rentabilitet, po te llogarisim dhe qytetaret e saj qe do te levizin çdo fund jave drejt Durrsit. 

Si te kujdesen "komunat" per hekurrudhat? Ide e cuditshme. Ju paskan dal me teprim paret Komunave kte vit?

Po s'u dha me koncesion hekurudha, ajo vdes...thjesht per faktin se shteti Shqiptar s'ka pare per ta mirmbajtur e lere mo per ta modernizuar. (nuk punojne me panele djellore lokomotivat Pjer. Po e them se e di qe do ta permendesh)

Kinezet me sa kam lexuar, kishin propozime te mira.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).