Diplomat e reja, ja si do hartohen

Diplomat e reja do të përcaktojnë edhe titullin që marrin studentët, pas përfundimit të ciklit të parë të studimeve. Ministri i Arsimit, Fatos Beja, u ka dërguar universiteteve udhëzimet për detajet që duhet të përmbajë jo vetëm diplomat, por edhe suplementi që do të shoqërojë atë.
Diploma
Sipas udhëzimit të ministrit Beja, emërtimi i diplomës së lëshuar, sipas programeve të miratuara të studimit dhe cikleve të studimit, të jetë: Diplomë e Nivelit të Parë në…(fusha e arsimit të kryer), Diplomë e Nivelit të Dytë në…(fusha e arsimit të kryer), Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë në…(fusha e arsimit të kryer), Master i Nivelit të Parë në…(fusha e arsimit të kryer) si dhe Master i Nivelit të Dytë në…(fusha e arsimit të kryer). Udhëzimi përcakton se për programet e studimit, për të cilat janë miratuar profile, në emërtimin e diplomës, të shtohet edhe profili i fushës së arsimit të kryer. Gjithashtu, udhëzimi i ri përcakton edhe detajet që do të përmbajë formati i ri i diplomës.
"Diploma e secilit student, për të tria ciklet e studimit, duhet të përmbajë këto të dhëna të përbashkëta për IAL-et të hapura me ligjin shqiptar: stemën e Republikës së Shqipërisë, emblemën e institucionit përkatës të arsimit të lartë, emërtimin "Republika e Shqipërisë", emërtimin e institucionit përkatës, emrin, atësinë dhe mbiemrin e studentit, vendin dhe datën e lindjes, emërtimin e diplomës, datën e mbrojtjes së tezës së diplomës, numrin e amzës, matrikulimit të studentit, numrin e diplomës, datën e lëshimit të diplomës si dhe emrin e rektorit dhe të dekanit përkatës të shkruar me dorë", - thuhet në udhëzimin e ri që u është dërguar universiteteve. Po në këtë udhëzim thuhet se senatet akademike përcaktojnë edhe elemente të tjera të veçanta që ato i gjykojnë të arsyeshme, si dhe formulimin grafik të diplomave.
Suplementi
Po ndërkohë, ministri Beja ka firmosur edhe udhëzimin për formulimin e suplementit që do të shoqërojë diplomën e nivelit të parë, diplomën e nivelit të dytë si dhe të programeve Master i Nivelit të Dytë. Por, suplementi i diplomës nuk e zëvendëson diplomën që jepet në përfundim të programit të kryer. Udhëzimi përcakton se suplementi përshkruan natyrën, nivelin, përmbajtjen dhe rezultatet e studimit, të përfunduar nga mbajtësi i diplomës. "Përmbajtja dhe forma e suplementit të diplomës e çdo institucioni të arsimit të lartë, përcaktohet nga senati akademik përkatës sipas Modelit Kombëtar të Suplementit të Diplomës", - thuhet në udhëzimin e MASH-it. Suplementi, në përputhje me modelin e hapësirës europiane të arsimit të lartë, duhet të përmbaje tetë seksione: informacion mbi mbajtësin e diplomës, informacion mbi identifikimin e studimit të kryer, informacion mbi nivelin e studimit, informacion mbi përmbajtjen e studimit dhe rezultatet e arritura, informacion mbi kualifikimin e arritur, informacione plotësuese, certifikimi i suplementit, informacion mbi sistemin kombëtar të arsimit të lartë. Sipas këtij udhëzimi, Informacioni në suplementin e diplomës është unik brenda Institucionit të Arsimit të Lartë për sa i përket formës dhe përmbajtjes, ndërsa të dhënat personale, janë konfidenciale. Ndërkohë që shkollat e larta jopublike, që i organizojnë studimet jo sipas modelit shqiptar, duhet të pasqyrojnë në suplementin e diplomës ekuivalentimin me sistemin kombëtar. Suplementi i diplomës është i detyrueshëm të lëshohet në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Ai do të jetë falas për të gjithë të diplomuarit, sipas sistemit të Bolonjës. Por, suplement diplome mund t'u lëshohet, me kërkesë të tyre, edhe të diplomuarve para zbatimit të sistemit të Bolonjës, kundrejt një tarife që e përcakton institucioni.

2 Komente

ministri Beja ka firmosur edhe udhëzimin për formulimin e suplementit

Beja a rob i mire dhe i urte.

Ketj i thote , ketej shkon, andej i thone andej shkon.

Eshte dhe rob i sinqerte. Kur ishte ne Frangaj  TV tha : po keto pune keshtu e kane, ndaj duhet te prisni Qershorin kur te behet rotacioni. smiley

I urte qingj . Pëshesh me dhalle oh oh oh.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).