Destinacioni: SHKODER

Destinacioni: Shkodër.  Qëllimi: takim me fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja. Historia: e dhimbshme, e pabesueshme, e lodhshme. Kohëzgjatja: Pa fund…. Pa fund??? Kjo është pyetja që kam vite që ia bëj vetes sapo kujtoj se diku në Shkodër, diku rreth Shkodrës ndodh një fenomen që do të ishte fare normal për disa shekuj më parë. Kur Liljana Luani, kujdestare e qendrës së Poliçanit për fëmijët e ngujuar, më mori në telefon duke u ankuar e alarmuar se Qendra është mbyllur dhe fëmijët janë rikthyer nëpër familjet e tyre, duke rifilluar ditët e rrezikshme që nga çasti të goditen nga plumbi i hasmit, më erdhi turp nga vetja që herë pas here kisha menduar se gjakmarrja ishte tretur disi në Shkodër dhe se një tjetër atmosferë ringjalljeje e kishte bërë qytetin të kujdesej për parqet e reja, rikonstruktimin e lagjeve të vjetra, ndërtimet moderne. Mendova padashje se “heqja qafe” e fenomenit absurd të marrjes së gjakut të tjetrit, i ka qetësuar qytetarët e Shkodrës, i ka bërë përfaqësuesit e qeverisë lokale të frymëmarrin lirisht për të kaluar në të tjera aksione të dobishme për qytetin, i ka bërë përfaqësuesit e pushtetit qendror të mos hezitojnë ta shpallin fitoren… Por ajo që do të shihja në Shkodër ishte shumë larg asaj që e ëndërrova pa dashje…
22 fëmijë jetonin deri përpara disa muajsh në Qendrën e Poliçanit, qendër e cila pavarësisht nga mënyra e shpejtë e ngritjes dhe funksionimit të saj, përfshiu një bashkëpunim të Ministrisë së Punës me shoqatën “Për edukimin arsimor dhe social të fëmijëve të ngujuar”, e cila është krijuar në vitin 2004. Liljana Luani që e drejton këtë shoqatë në Shkodër është një nga personat më të dashur të fëmijëve, ajo ka jetuar me ta një eksperiencë intensive të përkujdesjes, lodhjes, gëzimit, vështirësive, por asnjëherë nuk u tërhoq nga aktiviteti, përkundrazi, është e vetmja që i viziton tashmë fëmijët pranë familjeve të tyre, megjithëse largësia në secilën shtëpi është e konsiderueshme. Ne na duhej të kalonim nëpër lagje me infrastrukturë të varfër dhe të hyjmë në familje që kishin frikë të shkelnin pragun e derës. Historitë që dëgjon janë gati të pakapshme. Një moment inati, lodhje ekstreme, gabimi, dehje nga pija i disa baballarëve të papërgjegjshëm e shpie të gjithë familjen në një kalvar pa fund dhe në tragjedi të sigurt. Nga njëra palë ishin vrarë 3 vetë, nga pala tjetër 6 vetë. Duket sikur edhe t’i pyesësh se a po presin të barazohen në numër gjaku të marre, përgjigja normale do të jetë: Po. Në mënyrën e qetë se si flasin, sidomos gratë e shtëpisë të mbetura pa burra, duket se ato janë pa pishman për atë që ka ndodhur, ndofta më tepër se kaq, e marrin si një realitet normal, të cilin e njohin qyshkur dhe me të cilin janë mësuar të bashkëjetojnë. Një miku ynë në Shkodër, ndërsa po pinim kafe, na tha se në një familje të një fshati afër qytetit, të gjithë pjesëtarët e kishin falur gjakun, burra dhe djem. E vetmja që nuk pranonte ta falte atë dhe i nxiste burrat për gjakmarrje, ishte halla 75-vjeçare e shtëpisë…
  Gjithsesi, të rriturit u mësuan, po mësohen, ishin ata që e shkaktuan atë për shkaqe nga më të (pa)besueshmet. Ata vazhdojnë ta ushqejnë gjakmarrjen me jetët e tyre, me çmendurinë dhe budallallëkun e tyre, me pseudotrimërinë dhe injorancën e tyre, me të ashtuquajturën traditë dhe me memorien e shtrembëruar historike që justifikon shprehjen se “kjo ka ndodhur dhe do të ndodhë gjithmonë”… Në këtë skenë tragjikë, ka një regjisor që s’ka asnjë talent dhe mundësi t’i drejtojë siç duhet aktorët në linjën e vet, dhe ky regjisor është shteti, ka edhe spektatorët-viktima, që kanë mbetur të mbërthyer në sallë e s’lëvizin dot se dyert e sallës janë mbyllur. Këta spektatorë - viktima janë fëmijët e “cowboy”-ve shqiptarë.
Askush nuk i pyeti ata se po iu devijonte dhe po iu shkatërronte jetën. Fytyra të bukura, sy të sinqertë dhe të dashur, dëshirë për të njohur njerëz të rinj. Ata dinë të përqafojnë fort, sepse kanë kuptuar se vetëm dashuria e njerëzve mund t’i shpëtojë nga burgu ku janë futur. G. është 20 vjeç, ai jeton vetëm në pak metra katrorë, në një ajër të pastër të kontrolluar mirë nga sytë e të afërmve dhe e ka lënë shkollën në klasën e 4. Nuk mund ta pyes dot se ç’ëndrra ka…
Unë takova shumë pak nga ata që janë ngujuar rreth e rrotull Shkodrës dhe në çdo moment bëja pyetjen pa përgjigje “Pse?”. Vërtet jemi kaq të paaftë të ndalim ca çmendurira pijanecësh apo të papërgjegjshmish dhe të biem në lakun e tyre? Cilët jemi ne që nuk veprojmë dot “Ne jemi shteti, jemi qeveria, jemi shoqëria civile, jemi qytetarët indiferentë, intelektualët e dështuar…”.
Liljana Luani, është çdo ditë e shqetësuar sepse çdo ditë i rrezikon jetët e çmuara të fëmijëve që ajo kishte mbledhur në Qendrën e Poliçanit. Tani kjo qendër, sipas një vendimi të ri të Ministrisë së Punës, ka pushuar së funksionuari, sepse po hartohet një legjislacion i posaçëm për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve. Por procedurat po zgjaten sipas çdo shenje shqiptare të procedimit, dhe fëmijët janë në mëshirën e stilit të punës së burokratëve. Le të shpresojmë se institucioni i Ministrisë do ta vlerësojë kohën si një element të çmuar dhe se specialistët e ministrisë nuk do t’i zërë gjumi për të kursyer disa jetë fëmijësh fatkeqë… Kjo nismë është e dobishme pa dyshim, por njëkohësisht duket edhe si e pashpresë. Duket sikur shteti është përulur përpara forcës së një tradite absurde që luajnë disa zhonglerë të pavlerë dhe s’ka asnjë fuqi, dëshirë dhe vizion se si mund t’i jepet fund kësaj tragjedie. “Pse”-ja duhet të na shqetësojë të gjithëve, jo vetëm për të qetësuar veten për instinktet tona humane, por për të gjetur zgjidhjet. Dhe për këtë të fundit, duhet një “DUHET!”.

2 Komente

Liljana Luani që e drejton këtë shoqatë në Shkodër është një nga personat më të dashur të fëmijëve,

Kjo zonja  ishte ajo qe aplikonte per fonde pa pasur asnje status , po hic fare dhe gerthiste ne TV se nuk i le une femijet te shkojne ne Polican se ata i kam gjet une ?

Ajo ajo eshte. smiley

Ik o Else qe te mos them ndonje fjale keshtu te rende fare.

 

Drejtuesja e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut E cuditshme, Znj. Elsa vetem pershkruan ate situate qe tashme njihet, shpreh indinjaten per kete fenomen anakornik (te gjithe jane te indinjuar) ngre gishtin dhe tregon shtetin( te gjithe kete bejne) dhe asgje, asgje, more po hic fare asgje se cfar ka bere kjo zonje dhe cfar do beje si Drejtuese e Grupit Shqiptar per te Drejtat e Njeriut ???? ]

Nuk do ishte me konstruktive te sillje ketu ne kete shkrim ndonje nisme konkrete dhe jo thjesht arsyetime filozofike rreth kanunit, mentalitetit, tradites sic behet rendom neper biseda ne Tv, artikuj e analiza? Nuk do ishte mire qe ato miljona fonde per studime, raporte , konferenca ne hotele luksoze te perdoren per te bere dicka konkrete se paku per femijet  e prekur nga gjakmarrja , pa e lene kete problem ne duart e "qehajallareve te rinj"  te gjakut, alias ndermjetsues e pajtues te veteshpallur cilet ti vete i denoncoje ne mos gaboj ne artikullin e paradokohshem??

Cudia e dyte eshte se per here te dyte ne nje shkrim Ballauri duket sikur kujdeset posacerisht per  lartesimin  e rolit te   L.L  te cilen nuk e njoh personalisht por thjesht fakti qe ceshtja po hetohet nga prokuroria, duhet ta beje zonjen Ballauri  pak me te kujdeshme  ne vizatimin e saj  me nota glorifikuese.

se treti Qendra e Policanit eshte rihapur dhe po punohet per funksionimin e saj sipas te gjitha rregullave dhe  standarteve qe duhet te kete nje qender e tille e nje rendesie te vecante.

Te gjithe jane ne gjendje te shpjegojne kete realitet.Ceshtja eshte si ta ndryshojme ate.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).