Deficite në demokraci? - Në Gjermani vendoset para provës Pakti i Lisbonës

 

 
 

Gjykata Kushtetuese ka përfunduar seancën dëgjimore lidhur me Paktin e Lisbonës. Padia është ngritur nga fraksioni i majtistëve në Bundestag, por kundër saj janë shprehur edhe disa deputetë të partive tjera.

 

Shkaku kryesor i refuzimit të Paktit të Lisbonës nga e Majta dhe disa deputetë gjermanë janë mungesat demokratike dhe zhvlerësimi i rolit të parlamenteve kombëtare. Vendimi i institucioni më të lartë juridik në vend pritet në pranverë dhe mund të ketë pasoja serioze për dokumentin e miratuar prej Parlamentit. Marrëveshja ende nuk është futur në fuqi, për shkak të kundërshtimit prej Irlandës.

Qëndrimet e politikanëve gjermanë ndaj dokumentit evropian

Shumica dërmuese në bundestag në prill të vitit të kaluar ishte dakord me Paktin e Lisbonës: Gati 90 % e deputetëve votuan për këtë dokument, ndërsa kundër ishte vetëm Partia Majtiste. Kritika e tyre kryesore ishte mungesa e legjitimitetit, për shkak se në shumë vende të BE-së nuk ka pasur referendume, mungesa e garancive për të drejtat elementare sociale, por edhe fakti që në pakt nuk përjashtohet as armatosja.

Pas seancës dëgjimore dyditore në Gjykatën Kushtetuese, shefi i fraksionit majtist në Parlament, Gregor Gysi ishte optimist i matur. Ai tha se ende nuk është thënë fjala e fundit. Gysi i mbështet shpresat tek pyetjet kritike të gjykatësve. „Për shembull: në Evropë mund të hartohen ligje penale, të cilat më vonë duhet të zbatohen edhe në Gjermani. Kjo do të thotë se kur shumica në Bundestag pohon se një vepër nuk është e dënueshme, ndërsa Evropa pohon të kundërtën, atëherë Gjermania duhet t'i zbatojë rregullat që vijnë nga Evropa. Ne këtu e kemi vënë një pikëpyetje të madhe."

Parlamenti gjerman dhe Evropa

Me fjalë kritike kundër Paktit të Lisbonës shprehet edhe deputeti i të gjelbërve, Hans-Christian Ströbele, i cili megjithatë ka votuar për këtë dokument. Ai mendon se ai do të forcojë rolin e Parlementit Evropian. Ströbele shpreson se vendimi i gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese në pranverë do t'i mundësojë më shumë të drejta edhe Parlamentit gjerman, në raport me Brukselin. Ströbele: „Rregullat duhet të përkufizohen, që do të thotë se ne nuk mund të jemi vetëm zbatues të direktivave, që mbizotërojnë atje. Atje merren drejtimet, ndërsa ne jemi vetëm si noterë, na mbetet vetëm t'i fusim ato në ligjet gjermane. Kjo nuk është e mundur, sepse edhe ne duhet të kemi një lloj përgjegjësie. Duhet të ekzistojë mundësia që Parlamenti gjerman të thotë edhe 'Jo'."

As kryetari i liberalëve, Guido Westerwelle nuk është i mendimit se Pakti i Lisbonës është zgjidhja më e mirë. Por ai e shfrytëzon çdo rast  për të deklaruar: „Evropa nuk është vetëm një shoqëri ekonomike apo shoqëri monetare. Evropa garanton para së gjithash paqen dhe mirëqenien. Madje sikur Evropa vetëm paqen të ketë sjellë në kontinentin tonë, kjo është e mjaftueshme. Shumëkush harron kur kritikon Evropën, shpesh edhe me të drejtë, se ne po e ndërtojmë Evropën për të siguruar paqen në Evropë."

Por Qeveria federale nuk ka nevojë të bindet për Paktin e Lisbonës. Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, dhe ai i Brendshëm, Wolfgang Schäuble, deklaruan se debati për këtë Marrëveshje është i domosdoshëm dhe në përputhshmëri me Kushtetutën. Një pikë tjetër kritike është kuptueshmëria e tekstit të Marrëveshjes. Deputeti Hans-Christian Ströbele thotë: „Madje edhe për juristët është vështirë ta kuptojnë si dhe për shumicën e deputetëve.“

Një pjesëmarrës në seancën dëgjimore e komentoi kështu cilësinë e tekstit të Paktit: nuk është kërkuar lirikë e mirë, por edhe një prozë e mirë do të kishte mjaftuar. 

 

Kaos për Marrëveshjen e Lisbonës në Parlamentin Çek

 
 

Në rendin e ditës në parlamentin e Çekisë është sot votimi për Marrëveshjen e Lisbonës. Ka shumë gjasa, që ratifikimi të shtyhet për herë të dytë, në mënyrë që qeveria të mos përjetojë turpin e një dështimi.

 

 

Është si të thuash një "mjaft",  „musime“, thotë ministri i Jashtëm i Çekisë Karel Shvarcenberg (Schwarzenberg)  „Ne duhet ta ratifikojmë Marrëveshjen e Lisbonës.“ Por kjo është e lehtë të thuhet dhe e vështirë të realizohet. Ndonëse në dhomën e ulët të parlamentit çek është në rend të ditës votimi për Marrëveshjen e BE-së, duket se kjo sërish nuk do të arrihet.  Ish-disidenti dhe më vonë ministri i Jashtëm, Jiri Dienstbier, i cili angazhohet fort për Marrëveshjen e Lisbonës, tani s´mund të bëjë më asgjë:

„Ne nuk jemi në gjendje ta miratojmë Marrëveshjen e Lisbonës, sepse ne vazhdimisht shpikim pengesa për ta bllokuar atë. E ky qëndrim ndodh pikërisht në një kohë që ne duhet të integrohemi plotësisht në BE për t´i zgjidhur atje problemet reale që ka bota.“

Në vend të kësaj në Çeki vazhdojnë ec e jaket. Arsye për kaosin është grindja në radhët e partisë më të madhe në pushtet të Kryeministrit Mirek Topolanek,  Robert Shuster (Schuster), politolog në Institutin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare  në Pragë:

"Gjysma e partisë mbështet Kryeministrin Topolanek dhe do ta ratifikojë marrëveshjen. Ratifikimi i saj është i lidhur fort me prestigjin, nëse vendi nuk do që të konsiderohet tani "si plangprishësi" i BE-së. Pjesa tjetër e partisë, që është kategorikisht kundër marrëveshjes, e konsideron atë si antidemokratike, që forcon vetëm pozicionin e vendeve të mëdha, e konkretisht të Gjermanisë. Kjo sipas tyre është diçka, që drejtohet kundër një vendi të vogël si Çekia, ndaj nuk duhet pranuar."

Duket se pikërisht ky fraksion ka tani shumicën në radhët e partisë në pushtet. Përkrahësit e Marrëveshjes së Lisbonës prej muajsh po përpiqen përmes bisedimeve pafund në prapaskenë që të krijojnë shumicën e duhur.  Deri tani këto përpjekje kanë shkuar kot. Parlamenti çek kurrsesi nuk do të riskojë dhe të humbasë fytyrën me një "Jo". Ndaj pritet që sot ata të venë sërish në funksionim frenat e emergjencës dhe të kërkojnë shtyrjen e votimit. E ashtu siç ndodhi në dhejtor votimi sërish mund të shtyhet për tre muaj. Ndonëse Kryeministri Topolanek tregohet optimist, ai përsëri theksoi, që Marrëveshja e Lisbonës do të ratifikohet brenda këtij muaji. Por tashmë askush në Pragë nuk e beson një gjë të tillë.  Shuster:

„Votimi do të zhvillohet atëherë kur Topolanek të jetë i sigurtë, që ka shumicën brenda koalicionit të vet. Tani për tani kjo s´është e qartë. Në parti ka edhe devijues, të cilët mendojnë t´i bëjnë një reng Topolanekut për të larë borxhet e vjetra. …. Unë mendoj, se vendimi do të merret pasi të përfundojë presidenca çeke e radhës në BE.“

 

 

Christina Janssen

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).