Takim me njeriun që do më vriste babain




Nga Altin Rraxhimi dhe Vladimir Karaj>smiley>
Një natë qershori katër vjet të shkuara, në një klub të vogël pranë Institutit Ekonomik të Pejës, tetë burra rreth një tavoline patën këtë bisedë: “E ke pas njoftë Kapedan Ismail Pogën?” pyeti Xhavit Haliti, atëherë zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëri prej njerëzve kyç të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Po,” përgjigjet Rexhë Berisha, një 85-vjeçar nga Novosella e Pejës pranë vendburimit të Drinit të Bardhë. “Kemi qenë duke ja ccue pandat (pendët).” Duke e vrarë si me qenë zog. Në tavolinë kishte ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe oficerë nga Shqipëria. Ishte dhe Sokol Poga. Ia pret Haliti, duke treguar nga Poga. “Ai aty është i biri!”

>smiley>

Ismail Poga ishte krijuesi i çetës së Hasit në Luftën e Dytë Botërore. Familje me katandi dhe tradita, u bë partizan pasi italianët i zunë vëllain rob edhe vetë bëri burg në Prizren. Në çetë kishte vëllanë, nusen e vëllait, partizania e parë në Has, e njerëz të tjerë të zonës. Çeta e tij, bashkë me një nëjsit nga batalioni Perlat Rexhepi i zonës së Shkodrës, zunë gjallë dhe më pas vranë Ramë Malokun, kryetar komune në Zym, qendrën e Hasit të Prizrenit, të cilin partizanët e konsideronin bashkëpunëtor të italianëve. Më pas u bë komandant batalioni në brigadën partizane që përfshinte luftëtarë nga Shqipëria dhe zona e Kosovës në kufi me të dhe luftoi deri në zonën e Sanxhakut. Partia komuniste, pas çlirimit, e çoi në shkollë ushtarake. Regjimi atëherë ishte ngërthyer në konfliktin ‘e butë’ që solli Lufta e Ftohtë në vitet 50 dhe 60. Mbi 50 grupe diversantësh janë hedhur në vend nga CIA amerikane dhe shërbimi i fshehtë anglez për rekonjicion, për të krijuar baza, për të propaganduar dhe hedhur popullin në luftë kundër shtetit komunist.>smiley>
Të tillë ishin Gjonmarkajt e Mirditës, Alush Lleshanaku i Elbasanit, apo Hamit Matjani i Myzeqesë. Për të shtypur Gjonmarkajt pas vrasjes së Bardhok Bibës, për shembull, regjimi pushkatoi 14 vetë me gjykim të shkurtuar në 1949-ën dhe shpërnguli mbi 300 familje të asaj zone në jug të Shqipërisë. Detyra e Ismail Pogës pas Luftës së Dytë Botërore, si komandant kufiri e më pas shef i zhdukjes së bandave, ishte të gjurmonte dhe të hiqte qafe diversantët dhe bashkëpunëtorët e tyre në zonën e vet.>smiley>
Rexhë Berisha ishte një nga ata diversantë. Ai ishte në grup me shokun e tij të ngushtë, hasjanin Myftar Maloku, i afërm i kryetarit të komunës së Zymit që vranë partizanët në vitet e luftës, dhe dy të tjerë nga Luma e Kukësit. Berisha rrugëtoi shumë pas Luftës së Dytë Botërore nga bjeshkët e Malit të Zi e deri sa u parashutua në Shqipëri më 49-tën.>smiley>
Ish-ushtar në xhandarmërinë e Shqipërisë të bashkuar nga italianët në Luftën e Dytë Botërore, Berisha kishte luftuar partizanët jugosllavë në Mal të Zi, pastaj, për 23 ditë në këmbë, u arratis në Greqi përmes Maqedonisë. Përfundoi në një kamp refugjatësh në Pire, ku rekrutohet nga CIA me një grup shokësh dhe me ndërmjetësimin e udhëheqësve shqiptarë anti-komunistë të mërgimit. Amerikanët e transferojnë në Itali në një kamp refugjatësh afër Barit e më pas në Banjola afër Peruxhias. Në një bazë të CIAs në Rohrbah, një qytezë 60 kilometra në veri të Mynihut, stërvitet për më shumë se 2 vjet për radiondërlidhje, armatim, luftim trup me trup.>smiley>
Në mes të nëntorit 1949, me Malokun dhe dy lumjanët, të pajisur me flori, armatim dhe radio, parashutohen prej Gjermanisë për në Degë të Tropojës pranë Hasit të Shqipërisë. Beson se shpëtuan pasi piloti i hedh në një mal në vend të një lëndine ku i prisnin organet shqiptare të ndjekjes.>smiley>
Në Has dhe Lumë ishte e pamundur të punonin. Jetonin më shumë në shpella. Për të ngrënë herë vrisnin kafshë të egra ose dhi, herë ndihmoheshin nga përkrahës si një Selim Cahani, por dhe ky u zbulua dhe u vra. Florinjtë që kishin marrë për të jetuar dhe rekrutuar njerëz ishin të papërdorshëm. Një herë i dhanë një dyqanxhiu të kthente florinjtë në lekë, por këtij menjëherë i erdhën njerëz të policisë dhe e pyetën nga i kishte gjetur. “Nuk e di ça u ba me atë të shkretin, më duket se na e pa sherrin.” Lëviznin natën dhe një herë, kur ndiqeshin, iu desh të qëndronin një javë në tavanin e një shtëpie për tu fshehur, “ku s’kishim as ku me pshurrë.”>smiley>
Dy vjet shkuan kështu. Një ditë, tregon një hasjan i vjen dhe u thotë, “a e vrisni dot kapedan Ismail Pogën?” Ismail Poga ishte atëherë komandant i kufirit me Kosovën, dhe Berisha rrëfen se ky kishte vrarë tre a katër shqiptarë të Hasit. Sokol Poga thotë se babai kishte vrarë vetëm banditë dhe bashkëpunëtorë të fashizmit gjatë luftës. >smiley>
Tregon Berisha: “Erdhi njani dhe na tha, ‘a po e vrisni atë?’ I themi, ‘Pasha Zotin, po, kur të dush.” Ky grup lëvizte me fotografinë e Ismail Pogës në xhep.>smiley>
Bëjnë planin për ekzekutimin e Pogës. Dihej që ai dilte për gjah në zonën e vet, malësia e Hasit të Thatë, pjesës së Hasit që është në Shqipëri. U thotë personi që kërkonte ta vrisnin, “Nesër në nëntë sahati e keni aty.” Grupi i Rexhës i thotë, “Të vijë kur të dojë se i gjallë s’ka me u kthy një herë.”>smiley>
Këta zënë pusi në mal, marrin lajm që Poga vjen me mushkë, dhe me pesë ushtarë. I thanë informatorit të largohej. Gati! Pritje! Në atë moment fillon një shi rrëmbyer dhe informatori kthehet dh u thotë, “Pasha zotin u kthye.” “Shpëtoi”, thotë Rexha. “Badihava”.>smiley>
Sokol Poga tregon se diversantët i kishin bërë një tjetër pritë Ismailit. Këtë herë ata e kanë pritur në stanet e të atit në malësi, por as atje Ismail Poga nuk shkoi. Pas këtij kurthi të dytë diversantët tërhiqen. Rexh Berisha lë Shqipërinë për herë të fundit.>smiley>
Ismail Poga mbeti gjallë. Sokoli, djali i vogël i Pogës, lindi katër vjet më vonë. “I thashë Rexhës, po si nuk e kreve atë punë të kishim shpëtu edhe nga vuajtjet”, bën shaka Sokoli.>smiley>
Oficer i vjetër dhe me përvojë zbulimi për ish-Jugosllavinë, Sokol Poga u kthye në aleat dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nisi prej saj. Poga mbeti nga ata njerëz që punonin në hije por që ishin vendimtarë për UCK-në. Një prej personave me të cilët bashkëpunonte më ngushtë Poga ishte Xhavit Haliti, ish-anëtar i shtabit të UÇK-së.>smiley>
Aty nga vera e vitit 2004, Sokol Pogën e marrin në telefon nga Kosova, duke qeshur. “Mos eja më në Kosovë, se diversanti Rexhë Berisha me që nuk të ka vra babën, ka me të vra ty.” “Kush është ky more?” pyet ai. >smiley>
Bëri një lojë. Donte të njihte Rexhën, por u thotë shokëve të vet, përfshirë Xhavit Halitin, se donte të shkonte në burim të Drinit të Bardhë. Haliti ishte i fisit Berishë të asaj zone të Pejës dhe kushëri i Rexhës. “Vetëm Xhavit Halitit i besonte Rexha,” thotë Poga.>smiley>
Berishën e gjetën në divan duke ndjekur RTK-në me dorë të mbështetur në mjekër. Aty për aty i thanë se e kerkonte Xhavit Haliti. >smiley>
E marrin në makinë Rexhën dhe shkojnë në klubin pranë Institutit Ekonomik.>smiley>
Kur Rexha u ul në tavolinë grupi iu prezantua si oficerë të Shqipërisë. Plaku ka dyshuar. I ngacmon. “A jeni të DB-së?!” Rastësia bën që edhe Degët e Brendshme të Shqipërisë së komunizmit, dhe Drzhavna Bezbednost, zyra e sigurimit jugosllav dhe serb, të kenë të njëjtat iniciale. “Jo, jo, të ushtrisë janë.”>smiley>
Këtu Rexhës i thonë që ishte në tavolinë me djalin e Ismail Pogës. Ai nuk beson. Sokoli e pyet: “A lexon dot pa syze?” I jep pasaportën. Rexha ndez një cigare. “Ishte i mrrolët (i sertë) ai,” kujton më vonë. Cigarja mban erë plastikë të djegur. Ishte ndezur mbrapsht.>smiley>
Atëherë Sokol Poga i thotë: “O shqiptar, po të kishte zënë Ismail Poga, do te kishte tredhur ty edhe ata shokët e tu!” “E di, e di, por ja që fati e deshti që as ne të mos zëmë atë e as ai te mos na zinte ne.” Qeshin.>smiley>
Ismail Poga u bë me njëmbëdhjetë fëmijë dhe 23 nipër e mbesa. Doli në pension si kolonel, dhe u vlerësua nga shteti i vet. Vdiq në vitin 1982.>smiley>
Berisha i pati dy djem dhe disa vajza, ka nipër dhe mbesa. Pas aventurës së tij si diversant, jetoi në fermë të vet në Novosellë. Tani 91 vjeç, qëndron ende drejt në këmbë, por shokët e grupit të vet diversant kanë vdekur të gjithë, sa në Francë, sa në Amerikë. Në Shqipëri s’ka qenë që prej asaj kohe, megjithëse është anëtar i Ballit Kombëtar dhe teserën e mban me vete. Tash po mendon me dekë e jo me ardhë në Shqipni, thotë, por pastaj ndërron mendje, “Xhaviti më ka premtu me më marrë me kerr të vedin atje.”>smiley>
Ulur në divan, ndez cigaret pa pushim. Kujton takimin.>smiley>
“Ku e dijsha unë që ai dreq ishte i biri.”

Botuar ne Gazeten Korrieri 26 shkurt 2009
>smiley>

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).