Biznesi me Gërdecin, edhe 13 zyrtarë nën akuzë

TIRANE -Prokuroria e Përgjithshme i shton 13 ushtarakë dhe zyrtarë të tjerë grupit të ish-oficerëve të lartë dhe ish-krerëve të Ministrisë së Mbrojtjes, që akuzohen për tragjedinë e Gërdecit. Ata i bashkëngjiten si të pandehur hetimit të organit qendror të akuzës së bashku me dy ish-titullarët, Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes dhe gjeneral lejtnant Luan Hoxha, ish-shef i shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Skandali me tregtinë e municioneve dhe predhave të destinuara për demontimin dhe demilitarizim, u denoncua pas shpërthimeve të 15 marsit të vitit të kaluar në fabrikën "Albademil" në Gërdec, që sollën vdekjen e 26 punonjësve dhe banorëve të zonës, plagosjen e 300 të tjerëve dhe dëmtimin apo shkatërrimin e mbi 2400 banesave dhe aktiviteteve tregtare. Dje ishin thirrur ish-drejtori i Kombinatit Mekanik të Poliçanit, Lavdi Shato dhe ish-drejtori i Uzinës Mekanike në Gramsh, Fiqiret Mato; gjithashtu dhe tre ish-anëtarët e komisionit të çmimit të fishekëve, Rezart Tërshana, Besim Dauti dhe Agim Babameto; katër anëtarë të komisionit të çmimeve për municionet e rënda, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi; dhe katër anëtarë të komisionit të kategorizimit të municioneve, Zenun Cero, Hysni Çoçka, Hilmi Lacaj dhe Fahri Toska. Të gjithë janë paraqitur dje të shoqëruar apo përfaqësuar me avokatë. Burimet zyrtare shprehen se prokurorët u kanë komunikuar atyre akuzat e "shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim", kurse për dy ish-drejtorët Shato e Mato, rëndon edhe akuza e "falsifikimit". Gjithsej numri i të pandehurve ka shkuar në 24, pas 11 ish- zyrtarëve dhe oficerëve të lartë që u njohën me akuzën e "shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim". Të thirrurit e djeshëm në prokurori akuzohet se kanë falsifikuar dokumentet për të dërguar municione për demontim në fabrikën e "Albademil", si dhe kanë kryer favorizime ndaj saj në komisionet për përfitimin e tenderave dhe në vlerësimin e çmimeve në dëm të shtetit. Ata kanë kundërshtuar akuzat, ndërsa prokuroria dukej e vendosur në vendimin e saj duke iu referuar hetimeve që kanë zgjatur rreth 10 muaj. Të mërkurën e kaluar më 11 shkurt, u morën të pandehur ish-shefi i shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha; ish-shefi i KF, Shpëtim Spahiu; ish zv/ shefi i shtabit të Përgjithshëm, Agim Lala; ish-komandanti i FM, Zija Bahja; drejtori i logjistikës së Ushtrisë, Dashnor Caushi; drejtori i Buxhetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Armand Tartari; drejtori juridik në Ministrinë e Mbrojtjes, Ndue Marku; dy ish- sekretarët e përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, Ardian Mullai dhe Adriatik Mema, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Shkëlzen Madani, drejtor i Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).