Bizneset e te huajve ne Itali

Nga Torino, Benko Gjata - Nga 165 mijë biznese me titullarë të huaj, afro 22 mijë janë shqiptare. Në Itali sot ka mbi 165 mijë biznese me titullarë të huaj, një pjesë e të cilave me pronarë shqiptarë. Nga të dhënat e 2008-ës rezulton se bizneset e sipërmarrësve shqiptarë në Itali janë mbi 22 mijë. Një pjesë e tyre madje kanë xhiro vjetore prej miliona eurosh. Konkretisht, vetëm në Rajonin e Piemontit veprojnë mbi 2300 biznese shqiptare, kryesisht në fushat e ndërtimit, artizanatit dhe shërbimeve. Sipërmarrjet e huaja në Itali garantojnë punësimin e një të dhjetës së punonjësve, italianë dhe të huaj, që kryejnë punë në varësi. Të ardhurat e tyre kontribuojnë në krijimin e thuajse një të dhjetës së PBB-së italiane. Këto të dhëna janë bërë publike dje në Romë, gjatë prezantimit të një studimi të realizuar nga Fondacioni “Ethnoland”, në bashkëpunim me Caritasin dhe disa organizata prestigjioze ekonomike si “Abi”, Shoqata e Bankave italiane dhe Unioncamere, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë së Italisë.

Sipas një studimi të mëparshëm, të realizuar nga Unioncamere, që mbështetet në të dhëna të vitit 2006, 9.2% e vlerës së shtuar të ekonomisë italiane, ose 122 miliardë euro të PBB-së vjetore, i detyrohen bizneseve të imigrantëve. Përherë në 2006-ën, këta operatorë ekonomikë i kanë paguar shtetit italian mbi 4 miliardë euro taksa, shifër e cila arriti në 5.5 miliardë në vitin 2007.

Peshë të madhe në ekonominë italiane kanë edhe imigrantët që kryejnë punë në varësi. Ata, sipas INPS-it, Institutit Italian të Sigurimeve Shoqërore, paguajnë çdo vit rreth 5 miliardë euro sigurime shoqërore. Ndërkaq, vetëm një numër mjaft i vogël prej tyre merr pension, për arsye të moshës ende mjaft të re mesatare. Ritmet e rritjes së numrit të sipërmarrjeve me titullar të huaj janë mjaft të shpejta. Mjaft të kujtojmë se në vitin 2003, regjistroheshin vetëm 56421 prej tyre, kundrejt mbi 165 mijë ndërmarrjeve të sotme. E madhe është gjithashtu edhe shtrirja e tyre në territorin e Italisë. Bizneset e të huajve janë të pranishme në të gjitha rajonet, madje në disa prej tyre, si Kalabria, Sicilia dhe Sardenja, prania e tyre është tashmë e barabartë, në përqindje, me atë të bizneseve të italianëve. Sipërmarrjet me titullar të huaj veprojnë kryesisht në sektorët e industrisë (83578 ndërmarrje, ose 50,6% e totalit) - ku kryesojnë firmat e ndërtimit dhe ato të manifakturës tekstile - dhe të shërbimeve (77515 ndërmarrje), ku numërohen kryesisht njësi tregtare.

Bizneset më të fuqishme shqiptare në Torino

Jo rastësisht, Zyra e parë e Përfaqësimit të një institucioni ekonomik shqiptar u çel vjet, pikërisht në Torino. Vitet e fundit është vënë re një rritje e ndjeshme e interesimit të grupeve të rëndësishme private dhe publike të biznesit italian me qendër në Piemont, për t’u shtrirë me investime në Shqipëri. Në këtë kategori bëjnë pjesë Banka Intesa San Paolo, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Torinos, kompanitë e mëdha “Urmet” dhe “Asja” etj. Por interesim i madh vihet re edhe nga vetë bizneset e emigrantëve shqiptarë në rajonin e Piemontit, disa prej të cilave janë sot realitete të mëdha e të qëndrueshme të ekonomisë së territorit subalpin. Kuptimplotë në këtë kontekst është rasti i biznesmenit shqiptar Adrian Kasa, titullar i “Kasa Coop Società Cooperativa”, firmë e cila ka fituar tenderin e lakmueshëm dhe prestigjioz të ndërtimit të metrosë së Torinos.

Metropolitana e Torinos është më e reja në Itali. Ajo është gjithashtu një nga më modernet në Evropë. Trenat e saj të nëndheshëm udhëtojnë pa makinist, të drejtuara tërësisht nga elektronika. Stacionet e saj të gjera shëmbëllejnë më tepër me hollet e muzeve bashkëkohore. Në përfundim të punimeve, ajo do të jetë në gjendje të transportojë rreth 3 milionë banorë në vit, 80 mijë çdo ditë, duke u shndërruar në një nga arteriet kryesore lëvizëse të qytetit. Sot, me një vlerë të përgjithshme realizimi prej 2 miliardë e 265 milionë eurosh, ajo përbën një nga investimet më të mëdha publike të Italisë së Veriut. Inxhinieri shqiptar, Adrian Kasa, titullar i “Kasa Coop Società Cooperativa” është drejtuesi i punimeve që pasojnë gërmimin në galeritë dhe stacionet e metrosë së Torinos. Skuadrat e tij përbëhen kryesisht nga punëtorë shqiptarë të specializuar. Shoqëria e tij është përgjegjëse e pjesës dërrmuese të punimeve të kësaj vepre madhore. I ardhur në Itali me eksodin e vitit 1991, Kasa është një prej mijëra shqiptarëve që kanë arritur ta përshkojnë me sukses rrugën drejt integrimit dhe afirmimit të plotë personal dhe profesional. Ai është sot titullar i një sipërmarrje të suksesshme, në kurrikulumin e së cilës, krahas dhjetëra punëve të vogla e të mëdha në sektorin e ndërtimeve civile, gjejmë edhe vepra madhore e të rëndësishme industriale e publike, si fabrikat e reja të “Fiat”-it, segmente strategjike të akseve autostradale të veriut të Italisë, si dhe pjesën dërrmuese të ndërtimeve të metrosë së Torinos. E themeluar në vitin 1993, me një xhiro vjetore që shpesh i kapërcen 5 milionë eurot, shoqëria e tij “Kasa Coop” është një nga sipërmarrjet shqiptare më të spikatura.
Rasti i Adrian Kasës dhe i shoqërisë së tij “Kasa Coop” nuk është unik. Vetëm në Rajonin e Piemontit, sipas të dhënave të “Osservatorio Immigrazione”, ka mbi 2300 sipërmarrje me titullarë shqiptarë. Bizneset shqiptare veprojnë kryesisht në fushën e ndërtimit, por kohët e fundit vihet re edhe një diversifikim i sektorëve të investimit. Shqiptarët sot krijojnë sipërmarrje edhe në fusha të tjera, si sektori i shërbimeve dhe ai i teknologjisë së informacionit. Korrektësia në punë, niveli i lartë i profesionalizmit dhe kostot konkurruese, kanë bërë që shumë prej këtyre kompanive të renditen ndër bizneset më të suksesshme të drejtuara nga të huajt në Itali. Kapitalet financiare, por edhe përvoja dhe profesionalizmi i fituar gjatë këtyre viteve veprimtarie të suksesshme në rajonet avanguarde të Perëndimit, janë asete të paçmueshme, të cilat mund të investoheshin me shumë përfitim edhe në Shqipëri. Bashkësia e sipërmarrësve shqiptarë, të cilët shpesh punojnë në partneritet me ortakë italianë, mund të shndërrohej fare mirë në një urë lidhëse përmes së cilës mund të kanalizoheshin drejt Shqipërisë kapitalet e shumë investimeve të huaja të drejtpërdrejta.

2 Komente

 Viva Italia, rrofte Italia. 

"....Jo rastësisht, Zyra e parë e Përfaqësimit të një institucioni ekonomik shqiptar u çel vjet, pikërisht në Torino. Vitet e fundit është vënë re një rritje e ndjeshme e interesimit të grupeve të rëndësishme private dhe publike të biznesit italian me qendër në Piemont, për t’u shtrirë me investime në Shqipëri...."

 

A nuk mundet qe kjo zyre shqiptare aty, te organizoje (ne kontakt me ekspozitat italiane) Expo-Albania, ku firmat shqiptare te te marrin pjese me prodhimet e tyre, apo dhe te ngreje a bleje nje dyqan a magazine ku te shiten prodhimet shqiptare. 

Une e falenderoj me gjith zemer Italine, qe ju jep mundesi shqiptarve te perfaqesohen aty me organizata dhe firma. Ketu ne Belgjik, eshte e veshtire nje mundesi e tille, jo vetem nga ambienti jo miqesor i shtetit dhe burokracise lokale ndaj shqiptarve por edhe nga pengesat, survejimet qe segmente te veçanta ketu bejne ndaj atyre qe duan te bejne diçka te mire ne drejtim te komunitetit shqiptar  dhe Shqiperise. 

na gjeni ndonjè vend pune andej......

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).