Banka Botërore bllokon Projektin e Jugut për shkak të dhëndrit të Berishës

 

Banka Botërore ka njoftuar pezullimin e financimit të projektit për “Zhvillimin e Integruar të Bregdetit të Jugut” pas konstatimeve të një paneli hetimor se drejtuesit e këtij projekti në Shqipëri kanë keqpërdorur misionin e projektit për interesa të tyre dhe kanë hyrë në konflikt me interesat e popullsisë vendase. Njoftimi është bërë publik prej vetë Bankës dhe pritet mesi i shkurtit, kur Bordi i Drejtorëve në Uashington do të diskutojë mbi raportin e panelit hetimor dhe të dëgjojë dhe një raport hartuar nga drejtuesit lokalë të projektit që drejtohet nga dhëndri i kryeministrit, Jamarbër Malltezi.

Hetimi i Bankës Botërore arrin në përfundimin se projekti i saj, i parashikuar për të mbrojtur zonën bregdetare, u përdor për prishje selektive dhe se pas kësaj ndërhyrjeje qëndrojnë interesa konkrete korruptive. Sipas hetimeve të bëra nga vetë Banka Botërore, projekti i saj në Jug të Shqipërisë është keqpërdorur nga drejtuesit lokalë të projektit, në krye të të cilëve qëndron dhëndri i kryeministrit, Jamarbër Malltezi. Raporti hetimor ngul këmbë te prishja selektive, e ndodhur në fshatin Jalë dhe përdorimin e policisë ndërtimore prej drejtuesve lokalë të këtij projekti. Banka ka provuar se Jamarbër Malltezi i ka çuar një letër për prishje policisë ndërtimore dhe e ka shoqëruar atë me fotografi ajrore të banesave, bërë me paratë e Bankës Botërore.

Projekti, i cili kishte nisur para se PD të vinte në pushtet, pra që në vitin 2004, u kryesua pas vitit 2005 nga Jamarbër Malltezi. Shumë fshatra turistikë që thuajse ishin dhënë nga studimet pjesore në zona të tilla si Ksamili apo Saranda, u anashkaluan, kurse shumë biznesmenë vrapuan të lobonin pranë drejtuesve të projektit ose të merrnin “këshilla” nga studio ligjore, të cilat kishin akses mbi drejtuesit e projektit.

Kjo histori korruptive e drejtimit të projektit u kurorëzua me prishjet në Jalë në fillim të vitit 2007, ku sipas gjithë gjasave, drejtuesit kombëtarë të projektit kanë pasur interesat e tyre dhe kanë bërë spastrimin e zonës për interesa selektive. Ata kanë dëmtuar rëndë pasuritë e banorëve të zonës, të cilët ende nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim.

Një problem i dytë serioz në këtë histori është dhe përdorimi i këtij projekti nga koordinatori i saj kombëtar, Jamarbër Malltezi, për biznes privat. Ndërsa projekti po shkonte drejt fundit, në vjeshtën e vitit të shkuar Malltezi ka regjistruar një kompani private, e cila ka objekt të njëjtë me atë të projektit.

Dokumenti tregon se më datën 7 tetor të 2008, zoti Malltezi së bashku me dy ortakë të tjerë (Ardian Shehu, biznesmen dhe Lirim Selfo, ekspert i licencuar mjedisor), kanë themeluar kompaninë “Mjedisi dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm”. Objektivat dhe statuti i kësaj kompanie private përputhen plotësisht me objektivat e projektit të financuar nga Banka Botërore për bregdetin e jugut, projekt i cili në Shqipëri dirigjohet direkt nga zoti Malltezi.

Objektivat e kompanisë private të zotit Malltezi përputhen plotësisht me objektivat e projektit të Bankës Botërore, i cili përcakton se “do të sjellë një zhvillim turistik dhe kulturor të integruar, në kujdesjen dhe mbrojtjen e mjedisit dhe të vlerave kulturore. Plani do të synojë planifikimin e investimeve në zonat e piketuara duke respektuar rigorozisht standardet mjedisore dhe ato ndërtimore”. Përputhja dhe ngjashmëritë nuk lënë vend për koment!

Pra, është e qartë se, ndërsa zoti Malltezi menaxhon projektin “Për Bregdetin” (i cili prokuron dhe paguan shërbime konsulence dhe kompani zbatuese), dhe po zoti Malltezi ka hapur pikërisht një firmë private konsulence, ku një prej ortakëve është pikërisht pronar i një firme që zbaton në terren ndërtime të një kategorie që përkon dhe me objektivat e projektit kombëtar.

Vetëm në dy vitet e fundit “Projekti për Bregdetin” ka sponsorizuar rreth katër studime mjedisore për zona të ndryshme, ndërsa gjatë vitit 2009 pritet që projekti të lëvrojë qindra-mijëra euro të tjera për studime të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Dhe është guxim i madh që këto pará të shkojnë tek ortakët e zotit Malltezi, të cilët janë dhe partnerë të Bankës Botërore, dhe ortakë me zotin Malltezi në të njëjtat biznese që financon Banka Botërore.

2 Komente

Bravo!

Tani do na thone c'plane kishin per Karaburunin dhe a i kane pezulluar keto plane? 

PS: Titulli eshte pak si corbe, se sic dihet nga vete investigimi i BB, gishtat i kishin te ngjyer dhe ata, jo vetem dhenduri.

 Qe behen studime per Bregun e Detit (siç quhet zona nga Karaburuni deri ne Ksamil) , ketu s'ka asgje te keqe, perkundrazi. Mirpo nuk mund te perdoren parametrat, qe perdoren per zonat e sheshta, siç jane zonat e Adriatikut, ku i vihet theksi (tashme eshte kthyer ne norme, por fatkeqesisht n'leter) qe ndertimet te behen 100 metra pas vijes se detit. Ne zonen e detit Jon, qe ka pjerrtesi te madhe, ndertimet mund te fillojne 15-20 metra me tutje, sipas percaktimeve qe bejne ekspertet mjedisore. Ka zona qe e kane pjerrtesine te bute, dhe aty ekspertet e mjedisit mund ta percaktojne 30 m a 40 m. Jane ata qe i bejne parashikimet per çdo gje dhe qe percaktojne kufirin e ndertimeve. Ne pergjithesi brenda kufijve qe ata vendosin (p.sh. 30m nga vija e detit) nuk mund te ndertosh asgje, aty mund te rrine vetem ambulantet, qe shesin gjera te vogla, kafe, birra, limonatra, qofte, hamburger, topa, tullumbace, rroba plazhi etj.) dhe keta jo te ngjitur, por me distance nga njeri-tjetri, percaktim qe e bejne po ekspertet e mjedidit ne bashkpunim me ekspertet/tin e urbanistikes se bashkise a te komunes.

Mendoj se ndonse puna per fiksimin e gjerave ne Bregun e Detit ishte mbi principe te drejta, prishja e atyre shtepive ne Jale ishte e gabuar, sepse shtepite ishin ndertuar para se te niste projekti per zhvillimin e integruar te turizmit ne detin Jon. Banka Boterore, juridikisht eshte e detyruar tu paguaje demshperblim pronarve te atyre shtepiave, aq me teper qe shtepite ishin mbi pronat e tyre. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).