Autoriteti i Konkurrencës: Në mars, e vërteta mbi monopolin e karburanteve

Importuesit e naftës kundërshtojnë raportin hetimor

Shoqëritë e tregtimit të naftës me shumicë kundërshtojnë raportin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës, me justifikimin se nuk përmban të vërteta rreth aktivitetit të tyre. Ata shprehen se tregu është plotësisht i liberalizuar dhe se çmimet e karburanteve reflektojnë luhatjet e tregjeve të huaja, në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi. Për këtë qëllim, importuesve të naftës u është lënë afat edhe java e fundit e muajit shkurt, për të sjellë të dhënat rreth aktivitetit të zhvilluar gjatë vitit 2008. Pas kësaj, në mars Autoriteti i Konkurrencës do të bëjë publik raportin mbi hetimin e veprimtarisë së tregut të naftës në vend, i cili nga të dhënat paraprake rezulton me "konkurrencë të kufizuar". Kryetarja e Autoritetit tha për "Shqip", se faza e njohjes së kompanive importuese me hetimin e bërë ka përfunduar, por pronarët e tregtimit me shumicë të karburanteve nuk i kanë pranuar pretendimet e Autoritetit. "Për t‘i ballafaquar më me detaje faktet, ne u lamë kohë kompanive të gjithë muajin shkurt, që ata të sjellin prova, nëse kanë, në mënyrë që të justifikojnë pretendimin kundër raportit tonë", tha Lindita Lati.

Hetimi

Gjatë fazës përfundimtare të hetimit, Autoriteti i Konkurrencës ka thirrur pranë zyrave të saj përfaqësuesit e kompanive importuese, të cilat kanë fuqi të ndjeshme në treg, duke i njohur me rezultatin e raportit. Hetimi paraprak i bërë në muajin nëntor rezultoi se tregu i karburanteve në vend operonte në kushte kufizuese të konkurrencës. Vetë Autoriteti i Konkurrencës e hedh poshtë ekzistencën e monopolit në treg, për aq kohë sa operojnë mbi 42 kompani importuese, por, nga ana tjetër, sqaron se sjellja e shoqërive i përshtatet një tregu me çmime të fiksuara. Nga të dhënat paraprake mësohet se tregu i karburanteve në vend, pavarësisht numrit të lartë të kompanive pjesëmarrëse, zotërohet më së shumti vetëm nga 7 shoqëri. Pikërisht këto janë thirrur nga Autoriteti për t‘u përballuar me faktet. Në rast të verifikimit të shkeljes së ligjit për konkurrencën, gjoba varion nga 2 deri në 10 për qind të xhiros vjetore.

Tregu

Tregu i karburanteve në vend është përfshirë në një situatë të turbullt, mes disa vendimeve të qeverisë, udhëzime nga tatimet dhe hetimi nga Autoriteti i Konkurrencës. Importuesit nuk e durojnë faktin se mbi ta perceptimi i konsumatorit është negativ, si pasojë e çmimeve abuzuese dhe cilësisë. Pas gjithë këtyre ndryshimeve në treg, tashmë edhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka vendosur nisjen e aksionit për prishjen e pikave të paligjshme të shitjes së karburantit. Ministri Ruli u ka lënë kompanive tre muaj afat që të marrin masat për garantimin e sigurisë dhe cilësisë së produktit. Në tregun e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, aktualisht operojnë rreth 120 shoqëri të pajisura nga Ministria e Ekonomisë me "leje tregtimi" (shumic&eumlsmiley, si dhe rreth 870 stacione të shitjes me pakicë të karburanteve dhe 110 stacione të shitjes me pakicë të gazit të lëngëzuar të naftës (GLN). "Kuptohet qartë se tregu i karburanteve paraqitet i liberalizuar, aq sa kompanitë kanë abuzuar me shkeljen e rregullave të përcaktuara në ligj", shprehet Ministria e Ekonomisë, e cila pranon se tregu paraqet probleme, ku shumë pika nuk janë të pajisura me licencë, kurse një pjesë e tyre nuk garantojnë siguri dhe standarde. Për këtë qëllim, kompanive u është lënë afat tre muaj për marrjen e masave, në të kundërt do të prishen ato pika që nuk zbatojnë ligjin. Një pjesë e fajit për situatën e krijuar e mban edhe pushteti vendor, që, sipas ministrisë, nuk ka qenë i kujdesshëm në dhënien e lejeve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).