Arsimi: Gjimnazet, mësues vetëm me master

MASH harton draftin e ri për arsimin e mesëm të përgjithshëm. Kualifikim pasuniversitar edhe për ata që japin mësim në shkollat profesionale. Mësuesit e gjimnazeve nuk mund të japin mësim vetëm me diplomën. Ata duhet të kryejnë studime pasuniversitare, si kusht për të mbajtur vendin e punës, ose për të fituar vendin e punës. Sipas një drafti të ri, që po harton Ministria e Arsimit dhe Shkencës për punësimin e arsimtarëve në shkollat e mesme, përcaktohet se një mësues, veç diplomës universitare duhet të zotërojë edhe kualifikimin master. Kjo vlen për ata që janë diplomuar në sistemin e vjetër universitar 4-vjeçar, si dhe për ata të diplomuar sipas procesit të Bolonjës.

Lajmi për ndryshimin e sistemit punëdhënës në arsimin e mesëm, duket të mos jetë pritur mirë jo vetëm nga mësuesit e vjetër në gjimnazet e kryeqytetit, por edhe nga drejtuesit e këtyre shkollave. Ata theksojnë se nëpër shkolla ka mësues, të cilët duan edhe 5 vite të dalin në pension, dhe e kanë të pamundur të nisin studimet për kualifikimin master, siç kërkohet nga MASH,  pasi koha nuk u premton. Por, nga ana tjetër, dijet e tyre dhe eksperienca ndër vite janë të nevojshme për shkollën dhe gjimnazistët. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kjo reformë ka për synim riformatimin e cilësisë së mësimdhënies në shkollat e mesme. Por, ndërsa flet për kriterin “master” si detyrim, drafti i MASH-it, parashikon gjithashtu, që në vitet e para të shkollave të mesme të japin mësim mësuesit që kanë kualifikimet më të ulëta krahas diplomës universitare, në vitet e dyta mësuesit me master dhe në vitet e treta, ata që kanë kualifikimet më të larta.
Drafti i ri
Projekt-drafti i Ministrisë së Arsimit, është ende në rrugën e përpunimit. Çka do të thotë se, deri në përfundim të këtij viti akademik, të gjithë mësuesit e gjimnazeve mund të japin mësim të qetë, pasi vetëm me fillimin e vitit të ri shkollor, shtatorin e ardhshëm do të ketë ristrukturime brenda radhëve të mësuesve. Një ndër nenet bazë që do të përmbajë ligji i ri për arsimin e mesëm do të jetë pikërisht ai i kualifikimeve. Sipas specialistëve të arsimit, që po merren me hartimin e plotë të draftit, kushti kryesor për një mësues gjimnazi për të mbajtur vendin e punës do të jetë kualifikimi pasuniversitar. Kjo do të vlejë jo vetëm për ata mësues të cilët japin mësim aktualisht, por edhe për të gjithë ata studentë që diplomohen me procesin e ri të Kartës së Bolonjës dhe që duan të fillojnë punë si mësues në shkollat e mesme. Ky rregull do të jetë i vlefshëm edhe për mësuesit e shkollave të mesme profesionale në të gjithë vendin. Edhe për ta është parashikuar që mësuesi i çdo shkolle të mesme profesionale, veç diplomës universitare, duhet të zotërojë edhe kualifikimin master, si në rastin kur është diplomuar në sistemin e vjetër universitar 4-vjeçar, edhe kur ka kryer tre vjet studime sipas Kartës së Bolonjës.

Drafti i Ri
Kritere të reja për mësuesit

Kritere të reja për punësimin e mësuesve. Këtë parashikon drafti i ri i MASH, sipas të cilit punësimi i mësuesve, duke filluar nga shtatori i ardhshëm, do të bëhet në
varësi të vjetërsisë dhe kualifikimit profesional, me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Rishikimi i kritereve të punësimit të mësuesve në tërësi është pjesë e reformës që po ndërmerret në arsimin parauniversitar, ku kualifikimi i mësuesve konsiderohet për të tretin vit si reformë thelbësore arsimore, sipas përvojave profesionale që aplikohen në vendet Perëndimore. Ky vlerësim nxit mësuesin për të përmirësuar aftësitë profesionale dhe, nga ana tjetër, e motivon atë edhe financiarisht. MASH vlerëson se kjo reformë po mbyll përfundimisht kapitullin e praktikave abuzive të para 2006-ës, pasi tashmë po zbatohet parimi i meritës, përmes një testimi kombëtar të mësuesve me procedura mjaft rigoroze.

Kualifikimi
Mësuesit, test për dijet e tyre

Risi e reformës, që zbatohet prej tre vitesh në arsim, është dhe Portofoli i Zhvillimit Profesional të mësuesve, sipas të cilës, në çdo vit gjithë mësuesit me vjetërsi 5, 10 dhe 20 vite pune, i nënshtrohen procesit të vetëkualifikimit, i cili bëhet sipas standardeve dhe përvojave evropiane të trajnimit në punë të mësuesve. Ndryshe nga më parë, sot mësuesit e suksesshëm përfitojnë ngritje në kategori profesionale dhe rritje page, pasi shpenzimi buxhetor për rritjen e pagës bazohet tërësisht në meritën profesionale të mësuesve.

Tre vite më parë, kualifikimi i mësuesve bëhej sipas një udhëzimi të vjetër 17-vjeçar, i cili kishte degraduar në avancim automatik në karrierë dhe në pagë, pa marrë në konsideratë fare aftësitë individuale të çdo mësuesi. Por, pavarësisht reformave të reja të ndërmarra nga MASH, mësohet se ende në fshatra vazhdojnë të punojnë mësues pa arsimin përkatës.

3 Komente

master per te gjithe dru me pre. sa te behet dhe masteri si leng groshe do plasi PHD. Pastaj ne shqiptaret shquhemi per mesime te shpejta ne i marrim te gjitha ne kohe rekord. Kush i mban mend Juristat e Plepave, ke brezin e 50 vjecareve qe po mbarojne me sukses Universitetet e Shkodres, Elbasanit, Gjirokastres, Korces e Vlores ndoshta dhe te Tiranes.

Ke femijet e babit e te mamit qe po mbarojne me sukses kurset e Ko - ka - i*es ne universitetet e shkelqyera private.

Ca na duhet ne thithja e trurit e kishte mire Grupi apo sol-i kur thoshte qe ne vetem tru kena per eksport.

Mësuesit e gjimnazeve nuk mund të japin mësim vetëm me diplomën. Ata duhet të kryejnë studime pasuniversitare, si kusht për të mbajtur vendin e punës, ose për të fituar vendin e punës.

Master ne shkollat private ku mjafton te japesh 2 mije euro ne vit e te japin cfare masteri te duash pa shkruar nje fjale. Moda me e re e firmave piramidale te Berishes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).