Ambasadori Uidhërs për bashkëpunimin Amerikë-Shqipëri

Në Shqipëri, ambasadori i Shteteve të Bashkuara Xhon Uidhers, thotë se shpreson që qeveria t'i hedhë një vështrim të ri ligjit për pastërtinë e figurave i cili sipas tij ka probleme në kushtetutshmërinë e tij. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, ambasadori Uidhërs flet edhe për raportet mes qeverisë dhe drejtësisë, rëndësinë që kanë zgjedhjet e ardhëshme që vendi të hedhë pas të kaluarën si dhe mbi çështjen e Gazetës Tema. Sipas ambasadorit Uidhers, rezultati i zgjedhjeve në Amerikë vetëm do të çojë përpara marrëdhëniet shumë pozitive mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.


Zëri i Amerikës: Z. Ambasador, të hedhim një vështrim mbi vitin 2008 – një vit i vrullshëm në Shqipëri dhe jashtë saj. Me pak fjalë, cili do të ishte vlerësimi juaj për vitin e kaluar?

Ambasadori Uidhers: Ka disa gjëra të mrekulllueshme që ndodhën në vitin 2008: fryma, gëzimi dhe festimi kur Kosova u bë e pavarur më pak se një vit më parë. Ishte vërtet një hap përtej një ndarjeje historike. Do të thoja se për këtë rajon, si dhe për botën, ishte një arritje me përmasa historike për njerëz që kishin luftuar për aq shumë kohë për të qenë të lirë dhe të pavarur që arritën këtë synim të mrekullueshëm.

Pastaj, sigurisht, në prill, ishte samiti i NATOs që ftoi Shqipërinë dhe Kroacinë për anëtarësim të plotë, gjë që shpresojmë, do të arrihet në samitin e ardhshëm pas afro dy muajsh. Edhe kjo ishte një arritje historike dhe njihte vendosmërinë dhe bashkimin e popullit shqiptar në synimin për të arritur diçka me përmasa të mëdha.

Ngjarja e tretë që mendoj pati rëndësi të madhe historike dhe që do të ketë një ndikim shumë pozitiv mbi Shqipërinë ishin zgjedhjet amerikane. Ishte kënaqësi për mua që udhëtoja anembanë Shqipërisë dhe të shihja se sa nga afër shqiptarët e ndiqnin fushatën. Pati një pritje mrekullisht të ngrohtë të zgjedhjes së Presidentit Obama.  Ishte një përvojë shumë pozitive për mua të shihja sa të interesuar për fushatën, sa të interesuar në blloqet që ndërtojnë demokracinë, ishin të gjithë shqiptarët kudo. Ishin të interesuar në kandidaturën historike të Znj. Klinton, të Znj. Palin, përkrah të Z. MekKein dhe Z. Obama. Ishin të interesuar në natyrën pjesëmarrëse të procesit. Ishin të interesuar në mënyrën se si bëhej zgjedhja e kandidatit dhe pastaj edhe në konkurimin mes kandidatëve.

Mendoj që rezultati i zgjedhjeve ishte i tillë që marrëdhënia shumë pozitive mes Amerikës dhe Shqipërisë vetëm do të rritet dhe çohet më tej nga zgjedhja e Presidentit Obama.

Të gjitha këto ishin zhvillime shumë pozitive.

Duhet të them edhe që Shqipëria vuajti një tragjedi, atë që ndodhi në Gërdec në të cilën aq shumë njerëz, njerëz të pafajshëm, humbën jetën dhe aq shumë njerëz të pafajshëm u plagosën dhe jeta e të cilëve ndryshoi, ka mundësi, përgjithmonë. Ishte një tragjedi njerëzore që na preku të gjithëve. Unë shkova, vizitova dhe bisedova me njerëzit në Gërdec. Është shumë e rëndësishme që të jepet ndihmë për jetët e atyre njerëzve në përpjekje për ta kthyer sa më shumë që të jetë e mundur pranë normales.

Pra, me pak fjalë, këto janë gjërat që do të veçoja gjatë vitit 2008.

Zëri i Amerikës: Pak ditë më parë, duke folur mbi pritshmëritë e Sh.B.A. ndaj Shqipërisë, ju përmendët: respektin për kushtetutën, përpjekjet për të luftuar korrupsionin, si dhe një përkushtim ndaj parimeve e veprimeve demokratike që të jenë përtej çdo dyshimi. Janë këto një referim i përgjithshëm, një citim i pritshmërive që Presidenti Obama ka ndaj vetes, apo janë edhe një referim konkret ndaj zhvillimeve të brendshme në Shqipëri?

Ambasadori Uidhers: Mendoj se e diçka e rëndësishme që duhet mbajtur në mend lidhur me zgjedhjen e një presidenti amerikan është që përzgjedhja e tij, zgjedhja e tij, bën dy gjëra; funksionon në të paktën dy nivele në arenën e jashtme. Këto parime kanë vlerë jo vetëm për vendet e mëdha me të cilat Sh.B.A. ka lidhje shumë të ngushta, por edhe me vendet më të vogla. Niveli i parë është marrëdhënia specifike që Presidenti përcakton dhe që u kërkon të gjithëve në qeverinë amerikane, dhe përmes tyre përfaqësuesve të tij kryesorë në vendet e huaja, që të punojnë për ta vënë në zbatim.

Në lidhje me Shqipërinë, lajmet do të jenë mjaft të mira. Kemi një bazë të fortë historike mbi të cilën të ndërtojmë. Amerikanët dhe shqiptarët kanë pasur një lidhje të veçantë që shtrihet në disa dhjetëvjeçarë dhe që mbijetoi edhe përpjekjen e regjimit komunist për ta thyer atë. Kemi arritjen e rëndësishme në rajon që përmenda – pavarësia e Kosovës, si dhe NATO.  Një prej përfitimeve të mëdha të samitit të NATOs në prill është që do t'i japë mundësi Presidentit të fokusohet në mënyrë specifike tek vendet e reja kandidate, Kroacia dhe Shqipëria; do t'u japë udhëheqësve mundësinë për t'u takuar, për të diskutuar mbi çështjet që kanë në plan; dhe kjo është një mundësi e jashtëzakonshme. Vjen në një kohë shumë të mirë për ne amerikanët dhe për ju shqiptarët sepse në ato takime, ne mund të fokusohemi tek çështjet specifike.

Niveli tjetër që është pak më i vështirë për t'u përkufizuar, por në shumë mënyra edhe më i rëndësishëm, është që një administratë e re amerikane sjell me vete energji të re, një paketë të freskët idesh, si dhe një ton të ri. Personalisht mendoj që nuk ka rëndësi nëse kjo administratë është republikane apo demokrate; ndërkohë që zhvillohen rrethanat anembanë botës, kjo administratë formëson tonin e veprimet e veta dhe përqendron energjinë e vet mbi këto rrethana. Në rastin e Presidentit Obama, fokusi i tij shumë qartësisht do të jetë mbi marrëdhëniet e rigjallëruara dhe të internsifikuara kudo në botë. Kjo nuk është diçka që përqendrohet specifikisht mbi Shqipërinë, apo mbi Kinën, apo mbi Afrikën e Jugut. Por, ton ii ri jep një themel, jep një ndjenjë të një qëllimi dhe drejtimi të ri që do të na lejojë ne që merremi specifikisht me Shqipërinë të sjellim një axhendë të re, një seri të re idesh që mund t'ia paraqesim administratës për shqyrtim dh endërveprim. Kjo pastaj na lejon të hedhim një shikim të ri mbi mënyrën se si funksionojnë gjërat.

Mund të flasim pak më shumë më vonë, por koj është një kohë e mirë për këtë qëllim sepse Amerika sapo kreu zgjedhjet e veta vjet dhe Shqipëria do të ketë zgjedhjet e veta këtë vit.

Zëri i Amerikës: Një prej çështjeve më të debatuara kohët e fundit është Ligji i Lustracionit. Ky ligj është kritikuar nga Sh.B.A., por edhe nga OSBE, Këshilli i Europës, dhe së fundi edhe nga BE. Sh.B.A. kanë thënë që ligji ngre shqetësime serioze ligjore dhe kushtetuese. Cilat janë këto shqetësime dhe cilat do ishin pasojat e këtij ligji?

Ambasadori Uidhers: Pozicioni i qeverisë së Sh.B.A. është shumë i njohur. Pozicioni është paraqitur edhe këtu edhe në Uashington. Kemi ngritur problem në kushtetueshmërinë e ligjit si dhe mbi zbatimin e mundshëm të ligjit. Këto janë çështje që janë ngritur edhe nga një numër institucionesh dhe organesh anembanë Europës dhe mendoj që të gjithë ne shpresojmë që qeveria e Shqipërisë do qaset ndaj këtij ligji, do bëjë një qasje të re ndaj këtij ligji, dhe do të shfrytëzojë mundësinë e ndihmës që të gjithë ne, që jemi miq të Shqipërisë, kemi ofruar.

Zëri i Amerikës: Megjithëkëtë, zoti Ambasador eshte vene re nje kembengulje e shumices dhe e qeverise per te mos ndryshuar qendrim.....

Ambasadori Uidhers: Edhe një herë, si miq të Shqipërisë, gjithçka mund të bëjmë është të bëjmë rekomandimet tona dhe të japim këshillat tona më të mira. Shpresojmë që do të merren parasysh. Të gjithë kemi objektivin përfundimtar të përpjekjes për ta bërë situatën lidhur me këtë ligj sa më të mirë që mund të bëhet dhe shpresoj që pozicioni ynë është i qartë dhe që merret si një rekomandim konstruktiv.

Zëri i Amerikës: Shumë vëzhgues e shohin situatën me shqetësim dhe janë të mendimit që proceset integruese të Shqipërisë mund të vihen në pikëpyetje, sidomos afrimi me BE, sepse çështja e NATOs duket se është një fakt i kryer. Cili është vlerësimi juaj?

Ambasadori Uidhers: Nuk mund të flasim në emër të BE. Është një pyetje që u duhet bërë atyre. Mendoj që dinamika e vërtetë këtu ka nevojë të jetë e tillë që drejtimi të jetë përpara. Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë përparimi nga viti 1991, kur vuante nën një regjim shtypjeje dhe tiranie thuajse të pabesueshme. Mendoj që të gjithë miqtë e Shqipërisë, mes të cilëve shpresoj që Sh.B.A. të konsiderohet një prej kryesorëve, po përpiqen t'i japin ritëm këtij përparimi dhe, në këtë mënyrë, shpresojmë që të mund të ofrojmë mbështetje dhe ndihmë të madhe për synimet që kanë shprehur qeveria dhe populli shqiptar – dhe kjo është integrimi në bashkësinë euro-atlantike dhe në bashkësinë e demokracive.

Zëri i Amerikës: Z. Ambasador, gjatë vitit të kaluar, në lidhje me disa zhvillime të brendshme, kryesisht lidhur me sistemin e drejtësisë – kujtoj këtu ligjin për prokurorinë, dekretet e presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, çështja Fazllic – ju dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë ishit në oponencë të qartë me qeverinë. A mendoni se kanë qenë raste të izoluara apo një tendencë për të ushtruar ndonjë lloj presioni mbi sistemin e drejtësisë?

Ambasadori Uidhers: Do shprehesha kështu: ka shumë vende në botë që, si pjesë e baticës së historisë, kanë qenë në gjendje të dalin nga diktaturat komuniste dhe lloje të tjera totalitarizmi. Sigurisht, ne amerikanët kemi qenë gjithmonë absolutisht në krye të luftës kundër diktaturës komuniste dhe mendoj që askush nuk mund të thotë të kundërtën. Por me të gjitha këto demokraci që linden, procesi i arritjes, sigurimit të synimeve kombëtare shprehur nga popujt e tyre nuk është një mbërritje. Nuk është se mbërrin në një destinacion. Gjëja e madhe e demokracive është që janë gjithmonë duke korrigjuar veten dhe duke përmirësuar veten. Kjo është e vërtetë për demokracitë më të vjetra të konsoliduara si në Europë dhe Sh.B.A., por edhe për demokracitë e reja. Synimi ynë në vërtet çdo gjë që qeveria dhe ambasada jonë bën është të nxjerrim mësime nga përvoja jonë, si në vendin tonë ashtu edhe në ndërveprimet tona me demokracitë e reja, për t'i ndihmuar demokracitë e reja të shmangin shumë prej gabimeve apo shtigjeve të gabuara që kanë ndjekur vende të tjera. Në lidhje me situatën që kemi parë këtu si dhe në vende të tjera, ajo që duhet mbajtur mend është që parimi themelor i cilësdo demokraci, dhe këtu mund të përdor Sh.B.A. si një shembull parësor, është parimi i një qeverie të kufizuar.

Qeverisë i jepet pushteti të bëjë gjëra të caktuara dhe i duhet dhënë fleksibiliteti dhe autoriteti të mbrojë vendin dhe të promovojë mirëqenien e përgjithshme të shtetasve të saj. Por ka edhe sfera, brenda cilësdo demokraci, në të cilat pushteti i qeverisë nuk duhet të ndërhyjë. Këtë debat e zhvillojmë gjithë kohën në Sh.B.A. Institucioni kyç për të përcaktuar se deri ku duhet të arrijë autoriteti i qeverisë, fleksibiliteti i qeverisë, veprimet e qeverisë dhe ku jo, është sistemi gjyqësor i vendit. Prandaj, është me rëndësi jetësore që ky gjyqësor të ruajë pavarësinë e tij në mënyrë që të mund ta ruajë këtë drejtpeshim midis sferave të veprimit të qeverisë dhe të drejtave të qytetarit për liritë individuale, në atë nivel ku duhet të jetë.

Në lidhje me interesin për zhvillimet e ndryshme këtu, kjo është vërtet sfera mbi të cilën funksionojmë. Nuk ka asnjë interes të Sh.B.A. në personalitetet e veçanta që funksionojnë në këtë vend. Nuk ka kurrfarë interesi të Sh.B.A. tek partitë. Nuk ka asnjë interes në llojet e ndryshme të konkurimit politik që zhvillohet. Ajo në të cilën populli amerikan dhe qeveria amerikane përqendrohen këtu dhe kudo tjetër janë institucionet. Ato janë themelet; ato janë mekanizmat që jetojnë gjatë. Së dyti, ne shohim proceset dhe procedurat. Edhe një herë, sepse këto janë mjetet nëpërmjet të cilave mund të përforcohet liria e shprehjes, zgjedhjet e lira e të ndershme. Prandaj, mendoj që kemi një mesazh shumë pozitiv dhe shpresoj një mesazh konstruktiv dhe ndihmues.

Zëri i Amerikës: Publikisht ju i keni dhënë mbështetje të hapur prokurorisë shqiptare, e cila aktualisht po merret me disa çështje të rëndësishme, si Gërdeci; sapo mbylli hetimet për rrugën Durrës-Kukës, apo edhe çështjen Fazllic. Ka kritika nga mazhoranca që zyra e prokurorit po vepron në mënyrë politike; gjithashtu, kohëzgjatja e këtyre hetimeve ka krijuar idenë e mungesës së eficiencës, sidomos duke pasur parasysh që jemi pranë hyrjes në një stinë zgjedhore. Vlerësimi juaj?

Ambasadori Uidhers: Përmenda rolin e kufizuar të qeverisë. Më lini të flas pak mbi rolin e diplomacisë. Fola edhe mbi rolin e institucioneve. Në lidhje me pyetjen që bëtë, në fakt është një çështje që duhet ta zgjidhë sistemi i qeverisjes. Mosmarrëveshje do të ketë gjithmonë. Ka gjasa të ketë gjithmonë përshtypje se disa prej çështjeve kanë implikime politike. Secila palë do shohë tjetrën dhe do flasë mbi kohën etj. Por kjo është vërtet një fushë ku mendoj shqiptarët kanë nevojë t'i zgjidhin gjërat vetë. Për sa kohë këto pikëpamje të ndryshme gjejnë zgjidhje brenda kuadrit të duhur ligjor, atëhere duhen lejuar të marrin rrugën e tyre.

Zëri i Amerikës: Korrupsioni është një tjetër temë diskutimesh të nxehta. Ka vlerësime të ndryshme për rezultatet e qeverisë në këtë luftë. Sh.B.A. ka ofruar ndihmë në forma të ndryshme për këtë luftë. Jeni të kënaqur me çka është bërë deri tani?

Ambasadori Uidhers: Kur bëhet fjalë për korrupsionin – një problem universal dhe në fakt kohët e fundit kemi pasur disa raste korrupsioni në nivele të larta në Sh.B.A. – askush nuk duhet të jetë i kënaqur për sa kohë që ai vazhdon. Është një çështje që përbën helm për çdo shoqëri dhe duhet luftuar pa pushim. Nuk mund të ndalosh. Nuk mund të jesh i kënaqur. Duhet vazhduar derisa të jetë fshirë tërësisht. Prandaj qeveria dhe institucionet e drejtësisë janë kaq të rëndësishme. Institucionet duhet të kenë pushtet të mjaftueshëm për të gjetur të korruptuarit, t'i hetojnë ata, dhe t'i sjellin para drejtësisë brenda kuadrit të sundimit të ligjit. Në vende të caktuara dhe në kohë të caktuara në të gjithë historinë, të korruptuarit duken sikur janë në avantazh, por jo nga pikëpamja afatgjatë sepse në fund, institucionet e forta, do të triumfojnë gjithmonë mbi korrupsionin.

E përsëris, prandaj vendosim kaq shumë theks këtu mbi ndërtimin e institucioneve dhe po bëjmë çka mundemi për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit. Kemi një numër programesh që kanë një rol të madh ndihme për shqiptarët kundër korrupsionit. Jam shumë krenar për to. Janë programi ynë OPDAT, programi ynë ICITAP, si dhe programet nëpërmjet USAID; është zyra jonë e Marrëdhënieve Publike që merret me edukimin e njerëzve mbi rreziqet dhe problemet e korrupsionit. Besoj që kemi ndihmuar në shumë mënyra këtu, por nuk mund të jesh kurrë i kënaqur. Lufta duhet të vazhdojë gjithmonë.

Zëri i Amerikës: Këtë vit Shqipëria do të përballet me një sfidë të rendësishme, zgjedhjet e përgjithshme. Shpesh, edhe në zgjedhjet e kaluara, është thenë që janë një provë vendimtare për të ardhmen e vendit. Cila do të jetë pesha e vërtetë e përmbushjes apo jo të standarteve mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët e saj?

Ambasadori Uidhers: Mendoj që këto zgjedhje do të kenë një rol dhe rendësi shumë më të madhe – nuk kam qenë këtu në zgjedhjet e mëparshme – ndoshta se sa zgjedhjet e mëparshme. Peisazhi i Europës dhe peisazhi i Shqipërisë kanë ndryshuar shumë shpejt 20 vitet e fundit. Shqipëria është më e angazhuar, bën tregti më shumë, ka marrëdhënie më shumë me një bashkësi botërore më të gjerë se sa në të kaluarën – jo për faj të saj sigurisht. Ndërkohë që bën këto, përfitimi i atij integrimi dhe ndërveprimi, me të gjitha këto shoqëri të ndryshme, është shumë pozitiv dhe shumë i dobishëm për Shqipërinë. Ndërkohë që zhvillohet – dhe zhvillimi është shumë i shpejtë – pritshmëritë që Shqipëria të arrijë standartet e atyre vendeve me të cilat radhitet bëhen gjithnjë e më të mëdha.

Një prej elementëve kyç të një demokracie janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Të gjithë e dimë dhe dihet publikisht që zgjedhjet shqiptare kanë pasur problem në të kaluarën. Tani, në qershor ekziston një shans i vërtetë për ta lënë gjithça pas, për të pasur zgjedhje ku organizimi, administrimi, pjesëmarrja e njerëzve dhe shumë gjërave të tjerë të jenë siç duhet; është shumë e mundshme për Shqipërinë t'i arrijë. Po punojmë shumë fort për ta ndihmuar qeverinë dhe popullin e Shqipërisë që t'i bëjnë këto zgjedhje një hap gjigand përpara dhe për të vendosur atë bazë thelbësore të demokracisë këtu.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje të fundit. Shtete e Bashkuar janë shumë te ndjeshme ndaj çështjeve të lidhura me lirinë e shtypit. Aktualisht ka një përplasje të hapur me qeverisë dhe gazetës Tema. Sipas jush, a është tregues i një përkeqësimi midis qeverisë dhe medias?

Ambasadori Uidhers: Shpresoj që mos të përfaqësojë një përkeqësim midis qeverisë dhe shtypit. Edhe një herë, një prej elementëve kyç të demokracisë është shtypi i lirë. Gjithçka që mund të sugjerojë, madje edhe perceptimi i një ndërhyrjeje të qeverisë në lirinë e shtypit do të ishte diçka që do shkaktonte shqetësim të madh. Mendoj që rasti i Tema-s është diçka që po e shohim nga shumë afër si këtu edhe në Uashington. Me sa kuptojmë, mosmarrëveshja mes qeverisë dhe gazetës i është nënshtruar një vendimi gjykate. Është shumë e rëndësishme, në kushtet e sundimit të ligjit, që vendimi të respektohet ndërkohë që dy palët përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre.//kk//

1 Komente

 Duket qe ky ambasadori i Amerikes, ka kulture intelektuale dhe inteligjence, me shume se paraardhesit e vet. Me ne fund , USA, e paska gjetur nje njeri te ditur per ambasador ne Shqiperi, pas gjith atyre torrollakeve qe kemi pare gjate ketyre 18 vjeteve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).