Zbulohet pakti për varrezat, Greqia: Janë 12 mijë ushtarë të vrarë në Shqipëri

Greqia pretendon se në luftën greko-italiane në vitin 1940 në Shqipëri janë vrarë 12 mijë ushtarë helenë. Madje sipas palës fqinje, ushtarët grekë që kanë rënë në krye të detyrës kanë qenë pjesë e luftimeve deri në zonën e Elbasanit. Një ditë pas miratimit të marrëveshjes mes dy vendeve në Këshillin e Ministrave, gazeta boton të plotë tekstin e marrëveshjes, si dhe negociatat mes dy palëve që kanë nisur që në vitin 2005.
Negociatat
Sipas relacionit të hartuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, pala greke ka kërkuar në vitin 2005 ngritjen e një varreze në Tepelenë. Ambasada greke në Tiranë i është drejtuar me një letër komunës Qendër Tepelenë për të ngritur një varrezë në fshatin Dragot, por që kjo e fundit nuk është shprehur dhe i është drejtuar Ministrisë së Jashtme. Ndërkohë në datën 10 shkurt 2006 pala greke solli në Tiranë një tekst marrëveshje, që iu drejtua Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Jashtme. Fillimisht vendi fqinj kërkonte ngritjen e tre varrezave për të rënët e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. "Pala greke, në funksion të pretendimeve të saj, vuri në dispozicion të palës shqiptare një listë me emrat e ushtarëve grekë, të rënë në territorin tonë, me një shtrirje në gjithë jugun shqiptar, sidomos rezultonin me numër më të madh zonat e Gjirokastrës, Përmetit, Korçës, Himarës e deri në zonën e Elbasanit. Numri i të rënëve sipas listës që komisioni i palës greke i paraqiti komisionit të palës shqiptare arrin në rreth 12000 vetë", thuhet në relacion. Gjithashtu, në materialin shpjegues bëhet e ditur se pala greke kishte parashikuar, që edhe kisha të merrte një rol në zbatimin e marrëveshjes, por që nuk është pranuar nga pala shqiptare, e cila e ka përjashtuar. Sipas Athinës, prezenca e kishës ka të bëjë me një traditë të besimit ortodoks, sipas të cilit varrezat vendosen brenda territorit të kishës ortodokse, për të lehtësuar ceremonitë fetare në kujtim të së vdekurve. "Në tekstin e paraqitur për mendim është përjashtuar roli i Kishës me argumentin se shteti shqiptar është laik, i ndarë nga feja dhe institucionet fetare e për pasojë, as Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nuk mund të përfshihet në marrëveshje. Ndërkohë, shteti shqiptar nuk pengon kryerjen e riteve fetare në territorin, ku do të prehen të rënët e luftës", thuhet më tej në relacion.
Qëndrimi i Oketës
Megjithëse është shprehur parimisht dakord për këtë marrëveshje, Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa ka kërkuar që në tekst të mos quhet "lufta greko-italiane" por "lufta italo-greke". "Kjo për faktin se kjo luftë u zhvillua në një kohë kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe nga pikëpamja e luftës definicioni greko- italiane të jep përshtypjen që grekët në këtë luftë mbronin territorin e tyre. Po ashtu, edhe në historinë tonë kjo njihet si lufta italo-greke", thekson Oketa. Ndërkohë, Ministria e Jashtme nuk e ka marrë parasysh këtë vërejtje, duke argumentuar se "në hartimin e akteve ndërkombëtare respektohet alternativa dhe meqë kjo marrëveshje përfundohet me Greqinë bëhet referimi tek lufta greko-italiane".

Ratifikimi i MSA, Bregu: Ishte fryt i realizimit të reformave

Hyrja në fuqi e MSA-së nuk do kishte ndodhur, nëse Tirana zyrtare nuk do kishte pasur rezultat në reformat e ndërmarra.

Një ditë pas ratifikimit të Marrëveshjes nga Greqia, e cila ishte e fundit anëtare e BE-së që nuk e kishte votuar, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha se ecuria në reforma është më e mira në krahasim me vendet e tjera të rajonit, që kanë aplikuar për statusin e vendit kandidat. "Sigurisht që nuk do të ishte e mundur përmbyllja e kësaj faze dhe hyrja në fuqi e MSA-së nëse qeveria shqiptare nuk do të kishte sjellë rezultate bindëse të realizimit të reformave kyçe para faktorit ndërkombëtar. "Track records"-i (ecuria e reformave) ynë është më i miri në rajon për reformat dhe për anën ligjore, krahasuar edhe me vende të cilat kanë aplikuar tashmë për statusin e vendit kandidat. Gjithsesi duhet të përgatitemi për hapat e mëtejshme, pasi detyrimet sa vijnë e shtohen", tha zëdhënësja e qeverisë. Pas ratifikimit të MSA-së qeveria shqiptare duhet të përgatitet të marrë pjesë në vendimmarrje në Këshillin e Stabilizim-Asociimit, Komitetin e Stabilizim-Asociimit, Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociimin. Këto struktura ndërkombëtare do të ndihmojnë për implementimin e detyrimeve, që do të rrjedhin nga fazat e mëtejshme të procesit. Ndërkaq, Këshilli i Ministrave ka miratuar para pak ditësh krijimin e njësive të integrimit evropian, si struktura të veçanta në nivel drejtorie, në përbërje të së gjitha ministrive, njësi këto që do të merren me bashkërendimin dhe monitorimin e programimit të ndihmës komunitare si dhe mbështetjen teknike të mbledhjeve të grupeve të përhershme të punës. Pas 2 vjet e gjysmë nga nënshkrimi i MSA, BE-ja përmbyll procesin e ratifikimit të kësaj marrëveshje me Shqipërinë, afat kohor ky i konsideruar normal nga qeveria, i krahasuar me vendet kandidate. Pas dorëzimit të instrumentit të ratifikimit nga të gjithë vendet që e kanë ratifikuar, (ende nuk e kanë dorëzuar instrumentin e ratifikimit Gjermania, Franca dhe Greqia) bie marrëveshja e Integrimit dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, si marrëdhënie kontraktuale mes Shqipërisë dhe BE-së.

Varrezat, të gjitha shpenzimet dhe pajisjet teknike i mbulon Greqia

Dokumenti i pranuar nga të dyja palët vendos ngritjen e dy varrezave, një në Këlcyrë, 4 km përpara këtij qyteti si dhe një në fshatin Bularat të Gjirokastrës. Hapësira që do të marrin këto dy varreza është rreth 10 mijë m2. Ndërkohë që të gjitha procedurat e kërkimit, zhvarrimit, identifikimit dhe varrimit të eshtrave do të mbulohen nga pala greke. Në marrëveshje është parashikuar gjithashtu, që nëse hapësirat e zëna nga varrezat do të përdoren për interesa publike, atëherë pala shqiptare është e detyruar të vërë në dispozicion të palës greke një shesh tjetër të përshtatshëm, si dhe do të mbulojë të gjitha shpenzimet për rivarrimin e eshtrave dhe sistemin e varreve të reja. "Pala greke do të mbulojë shpenzimet për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin. Veç kësaj, pala greke do të sigurojë pajisjet e nevojshme teknike dhe infrastrukturën logjistike", theksohet në marrëveshje. Gjithashtu, është përcaktuar edhe data 28 tetor si dita përkujtimore e të rënëve grekë. "Ceremonitë zyrtare të përkujtimit të personave të rënë në luftë do të organizohen nga përfaqësuesit e Republikës Greke dhe të Republikës së Shqipërisë, çdo vit, më 28 tetor. Në këtë ceremoni mund do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të së afërmve dhe miqve të së rënëve".

Marrëveshja

Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës Greke, më poshtë të quajtura "Palët",
duke mbajtur parasysh Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit, Sigurisë dhe Marrëdhënieve të Fqinjësisë së Mirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke, nënshkruar në Tiranë, më 21 Mars 1996, duke njohur dimensionin humanitar dhe rëndësinë morale të varrimit të përshtatshëm dhe me nderime të ushtarakëve Grekë të rënë në luftë në tokën shqiptare, në luftë greko- italiane, gjatë Luftës së Dytë Botërore të viteve 1940-1941,
Janë marrë vesh si më poshtë:
Neni 1
1. Në nderim të ushtarakëve dhe shtetasve të tjerë grekë që kanë shoqëruar ushtrinë me status të veçantë (anëtarë të Kryqit të Kuq, personel mjekësor dhe priftërinj), të rënë në luftë gjatë Luftës Greko- Italiane të viteve 1940- 1941, të ndërtohet vendprehja në Shqipëri, me shpenzimet e Qeverisë së Republikës Greke. Personat e përmendur më sipër, më poshtë, do të quhen 'persona të rënë në luftë'.
2. Vendprehjet e sipërpërmendura do të ndërtohen:
a) në një shesh, 4 km përpara qytetit të Këlcyrës, në rrugën kryesore Lekli- Këlcyrë që qeveria shqiptare do ta vërë në dispozicion për këtë qëllim (shih shtojcën me hartën dhe koordinatat e vendndodhjes),
b) në një shesh, në hyrje të fshatit Bularat (shih shtojcën me hartën dhe koordinatat e vendndodhjes).
3. Në rast se, për shkaqe të detyrueshme publike, sheshi i caktuar për vendprehje do të nevojitet për një qëllim tjetër, atëherë qeveria shqiptare do të vërë në dispozicion të qeverisë greke një shesh tjetër të përshtatshëm, në afërsi të infrastrukturës së ndërtimit të varrezës, do të mbulojë shpenzimet për rivarrimin e eshtrave dhe sistemimin e varreve të reja. Përzgjedhja e sheshit të ri, përshtatja e tij, lëvizja dhe rivarrimi i eshtrave do të bëhet me pëlqimin e të dyja palëve.
4. Të gjithë eshtrat e personave të rënë në luftë, gjatë luftës Greko-Italiane të viteve 1940- 1941, që ekzistojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, do të vendosen në këto vendprehje.
5. Kërkimi, zhvarrimi, identifikimi dhe varrimi i eshtrave do të bëhet nga një komitet i përbashkët me ekspertë shqiptarë dhe grekë. Në mbledhjen e tij të parë, ky Komitet do të hartojë rregullat procedurale të veprimtarisë së tij.
6. Kërkimi, zhvarrimi, identifikimi dhe varrimi do të bëhet mbi bazën e arkivave ekzistuese dhe dëshmive të asaj kohe, mbështetur mbi hartat e miratuara nga Komiteti i Përbashkët.
7. Pala greke do të mbulojë shpenzimet për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin. Veç kësaj, pala greke do të sigurojë pajisjet e nevojshme teknike dhe infrastrukturën logjistike.
8. Ceremonitë zyrtare të përkujtimit të personave të rënë në luftë do të organizohen nga përfaqësuesit e Republikës Greke dhe të Republikës së Shqipërisë, çdo vit, më 28 tetor. Në këtë ceremoni mund do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të të afërmve dhe miqve të të rënëve.
Neni 2
Memoriali kushtuar "Personave të rënë në luftë", do të përbëhet nga një pllakë mermeri, me mbishkrimin e mëposhtëm, të gdhendur në gjuhët shqip dhe greqisht: "NË KUJTIM TË USHTARAKËVE GREKË TË RËNË NË LUFTË GJATË LUFTËS GREKO- ITALIANE TË VITEVE 1940-1941".
Neni 3
Në bazë të kësaj Marrëveshjeje, pala greke merr përsipër si më poshtë:
a. të vërë në dispozicion një ekip ekspertësh, të cilët do të marrin pjesë në Komitetin e Përbashkët të Ekspertëve për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e eshtrave, staf mbështetës si dhe personel tjetër, materialet dhe mjetet e nevojshme për kërkimin, nxjerrjen dhe mbledhjen e eshtrave të personave të rënë në luftë.
b. Për të lehtësuar në përgjithësi kërkimet, të sigurojë çdolloj materiali arkivor lidhur me vendndodhjen e varreve individuale ose kolektive të personave të rënë në luftë dhe çdo të dhënë të disponueshme (skica tipografike, harta ose çdo burim tjetër që mund të shërbejë si dëshmi).
c. Të sigurojë personelin e nevojshëm, i cili do të hyjë në Shqipëri për të bërë transportin e materialeve dhe të mjeteve të nevojshme për ndërtimin e varrezave.
d. Të sigurojë realizimin e të gjitha kërkesave higjienike dhe shëndetësore lidhur me procesin e zhvarrimit, identifikimit dhe varrimit, në përputhje me legjislacionin përkatës shqiptar.
e. Të mbulojë të gjitha shpenzimet e mëposhtme:
1) shpenzimet për transportin e personelit, mjeteve dhe materialeve nga Greqia në Shqipëri, për mbledhjen e eshtrave dhe ndërtimin e varrezave.
2) Furnizimin me ujë, energji elektrike, lidhjen telefonike me varrezat si dhe
3) Ndërtimin e një pike parkimi aty pranë dhe lidhjen ndërmjet tyre me rrugët më të afërme.
f) Të sigurojë pas përfundimit të ndërtimit, mirëmbajtjen e vendprehjes të sipërpërmendur, duke dhënë fondet e nevojshme për shpenzimet operative dhe të pajisë personelin e punësuar me ekspertizën e nevojshme të mirëmbajtjes.
Neni 4
Në zbatim të kësaj marrëveshje, pala shqiptare merr përsipër si më poshtë:
a) të vërë në dispozicion një ekip ekspertësh, të cilët do të marrin pjesë në Komitetin e Përbashkët të Ekspertëve për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e eshtrave, dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të ndihmuar dhe lehtësuar detyrat e Komitetit në fjalë.
b) Për të lehtësuar në përgjithësi kërkimet, të sigurojë çdolloj materiali arkivor lidhur me vendndodhjen e varreve individuale ose kolektive të personave të rënë në luftë dhe çdo lloj të dhënash të disponueshme (skica tipografike, harta ose çdo burim tjetër që mund të shërbejë si dëshmi).
c) Të marrë të gjitha masat për të siguruar, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, hyrjen, lëvizjen dhe qëndrimin e personelit grek në Shqipëri si dhe transportin e materialeve dhe mjeteve në sheshet e miratuara më parë.
d) Pajisjet dhe mjetet e transportit të importuara përkohësisht, gjatë momentit të hyrjes së tyre në territorin shqiptar nuk do t'i nënshtrohej ç'doganimit, me kusht që kur të mbarojnë punimet, ato të kthehen në vendin e tyre të origjinës.
e) Materialet dhe pajisjet e destinuara për procesin e identifikimit dhe ndërtimin e varrezave nuk do t'i nënshtrohen detyrimeve doganore apo taksave të tjera, me kusht që, krahas deklaratave të rregullta doganore, autoriteteve shqiptare do t'u dorëzohet një listë e saktë e mallrave të importuara dhe një deklaratë nga personi i autorizuar nga qeveria greke, i cili të konfirmojë zyrtarisht se mallrat e deklaruara do të përdoren vetëm për qëllimet e përcaktuara në këtë marrëveshje,
f) Të ndihmojë pa shpërblim në realizimin e punimeve të përmendura në nenin 3, paragrafi e (2) i kësaj marrëveshje.
g) Të marrë të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin pa pengesa të shërbimeve përkujtimore të përmendura në nenin 1, paragrafi 8 i kësaj marrëveshje në gjuhët: shqip dhe greqisht.
h) Të njohë palën greke me kërkesat e legjislacionit shqiptar lidhur me procedurën e zhvarrimit dhe procesin e rivarrimit të përmendur në nenin 3, paragrafi d i kësaj marrëveshje.
Neni 5
1. Lidhur me procesin e kërkimit, zhvarrimit, identifikimit dhe rivarrimit të të rënëve në luftë, Komiteti i Përbashkët Shqiptaro- Grek i Ekspertëve, do të mbajë evidenca me të dhëna të sakta, duke regjistruar varret ekzistuese, ato të reja, si dhe të dhënat vetjake e shenjat e identifikimit që nga lindja.
2. Për zhvendosjen e eshtrave të personave të rënë në luftë nga Republika e Shqipërisë në Republikën Greke, pala greke duhet të bëjë kërkesë me shkrim. Autoritetet shqiptare do të japin leje për zhvendosjen në fjalë, vetëm pasi të jetë paraqitur kërkesa zyrtare përkatëse.
3. Për të gjitha kërkesat që i drejtohen Palës Shqiptare lidhur me çdo transferim të mundshëm të eshtrave të personave të rënë në luftë në një vend të tretë, nevojitet konfirmimi zyrtar nga Pala Greke.
4. Pala shqiptare nuk do të mbulojë asnjë shpenzim financiar për zhvarrimin, identifikimin dhe transferimin në vende të tjera të eshtrave të të rënëve.
5. Në rast se në varret ekzistuese të luftës greko- italiane, do të gjendjen eshtra të personave të tjerë, që nuk janë të rënë në detyrë, atëherë kjo çështje do të trajtohet në pajtim me vendimin e marrë mbi mbajtjen dhe ruajtjen e tyre, në bazë të vendimit të Komitetit të Përbashkët të Ekspertëve. Shpenzimet e rivarrimit të tyre do të mbulohen nga pala greke.
Neni 6
1. Kjo marrëveshje do të zbatohet në pajtim me legjislacionin shqiptar.
2. Secila palë ka të drejtë të propozojë ndryshime për çdo dispozitë të kësaj marrëveshje. Çdo ndryshim i tillë do të hyjë në fuqi, pasi të jetë dhënë edhe pëlqimi me shkrim i Palës tjetër, në pajtim me dispozitat e nenit 7.
3. Çdo mospajtim ndërmjet palëve lidhur me interpretimin ose zbatimin e kësaj marrëveshje do të zgjidhet me bisedime të drejtpërdrejta nëpërmjet kanaleve diplomatike.
Neni 7
1. Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi pas shkëmbimit të notave me shkrim ndërmjet palëve, duke informuar njëra tjetrën mbi përfundimin e procedurave të tyre të brendshme.
2. Bërë në.... më....., në dy kopje, në gjuhën shqipe, greke dhe angleze, duke pasur të gjitha tekstet fuqi të barabartë. Në rast të ndryshimeve në interpretim, do të mbizotërojë teksti në anglisht.
Duke dëshmuar sa më sipër, nënshkruesit e pajisur me plotfuqishmërinë e duhur kanë nënshkruar këtë marrëveshje.

11 Komente

 Ndërkohë, Ministria e Jashtme nuk e ka marrë parasysh këtë vërejtje, duke argumentuar se "në hartimin e akteve ndërkombëtare respektohet alternativa dhe meqë kjo marrëveshje përfundohet me Greqinë bëhet referimi tek lufta greko-italiane".

Po shume bukur.?

Kot nuk thot populli nem te jap, po ne dhame me shume sec duhesh!

Ok; Ka per te pare M.J-ja ate qe do behet c'do 28 Tetor ne Bularat dhe ne Kelcyresmileyastaj,gryken e Mezhgoranit gjeten ata qorrat tane per te bere vareza greke??

Turp e faqja e zeze per ne si popull!

S'kemi ça të bëjmë, këtë popull kemi. smiley

Si të kam o lal? Çna thu ndonjë të re?

 

 

Nja dy mendime "ne kembe" per kete:

- Kush mendon qe lufta eshte nje ngjarje e tejkaluar historike ta shohi qe nuk eshte ashtu. Ky eshte Ballkan! Eshte mallkim i varur.

- Kush do te zhbeje luften antifashiste te shqiptareve ne kushtet kur tjetri me gjase te imponon nje varreze ne territorin tend, ta kuptoje cfare demi sjell. Greket kane patur pretendime qe shqiptaret u bene pale me italianet (kunder te cilet u vrane keta 12,000 ushtaret me liste qe hyne ne token e perandorise italo-abisinase-shqiptare).

- Ato listat me 12,000 emra si jane krijuar? Si vertetohen? E mendoni c'do te thote 12,000 veta? Ne 6 muaj? I bie 2,000 te vrare ne muaj ose 70 te vrare ne dite!!! Come on! Une nuk mund te kundershtoj nje shifer kur nuk kam fakte, ama duhen edhe fakte per ta pranuar. Ka inflancion te renesh ne ballkan. Edhe per numurin e deshmoreve tane, kam bindjen. Vetem se vini re: kur te tjeret perpiqen te glorifikojne lufterat e tyre, ne perpiqemi te terheqim ne balte tonen! Ne i prishim tonat.

- Ne Shqiperi kane kaluar shume ushtri. Shqiperia duhet te ishte nje varreze gjigande ushtaresh. Nje "agresion" i tille varrezash me le nje pershtypje te hidhet. Deri edhe varrezat e francezeve ne Korce, te situuara atje prej kohesh dhe te mirembajtura me aq kulture, me kane pas lene nje ndjenje jo te mire.Thjesht nuk me pelqen si shtrirje. Ti marrin njerezit te prehen ne token e tyre; nje permendore mjafton. Shqiperia nuk eshte Varrr i Bamit, as Shtish Tufine, as Sharre!  smiley  Mjaft me! Diskuton edhe shpenzimet junani, pale!!!

- Pse te mos ngrejme monumente per te renet tane nga mizorite e pashembullta te andarteve greke??? Te pashembullta!  Kane prere veshe femrash shqiptare per kollajllek ne grabitjen e vetheve? A?Sa bente turku ne 10 vjet, greku e ka bere per nje jave, thote diku Sabri Godo. Miqesia miqesi, varreza te shkoje e te vije!!!

po e bukura eshte te justifikimi i Sules te Opinini i Fevziut: "S'ka asgje ketu. Ka pasur lufte, ata kane rene dhe mire eshte te kene permendore!!!!!" 

Me kete llogjike, hajde te ngreme edhe varreza per ushtaret serbe qe u vrane ketu ne Luften Ballkanike. Gjynaf edhe ata. Kishte lufte, rane, hajde ta bejme nje varreze apo dy e tre edhe per ata se bij nenash ishin!

 

 

Greku perze te gjallet (camet), ne mbajme e nderojme te vdekmit e tyre!

Po nei pjese me germa te vogla ka ajo marrveshje, psh. kur te duhen kocka per vorret e grekut, t'ua ofroje ceviria jone breke-ulur.

10 mij m2 per nje varreze, mua me duket okupim i nje territori publik apo privat.  Okej per nje varreze me permasa simbolike, megjithse lind pyetja se; ç'deshen ne toke te huaj keta greke. Nese greket duan nje miqesi te vertete, gje qe eshte ne interesin e te dy paleve, pse nuk pranon çamet e debuar nga tokat e tyre. Nese ajo i druhet nje konflikti, le ti lejoje pronaret e vertete, pra çamet e debuar, te marrin shtepite e tyre te pakten me nje pjese te tokave, dhe te ardhurit aty te marrin dhe ata nje pjese te prones, per te mos ngelur ne mes te rruges.

Ajo ideja e Emigrantit, per nje permendore, nuk me duket e keqe. 

..ja si po ja zhveshin nderin pak nga pak atij vendi!!
E shikoni politiken dhe teorine e padukshme; "me mire me buke dhe pa flamur se sa  pa buke dhe me flamur", sa bukur dhe pa buje po imlpementohet! Po ku do na coje dhe sa do na mbaje kjo "buke" dhe kjo shitje dhe perdhosje nderi nga politikanet tane (dhe opozita ka njelloj faj)!
Teorine, se meqe na "mban me buke" fqinji dhe na ka ne dore per integrimin ne BE atehere laviret qe kane marre fatet e kombit ne dore kane te drejte shesin nderin dhe ti ulin breket kombit te fqinjet tane "dashamires". Kaq shpejt i harruam masakrat e kesaj ushtrie fqinje? apo ajo s'egziston si ceshtje harrova..
Keta fqinje qe sic jane masakrat e serbit sot ne Kosove ashtu kane qene dhe masakrat qe ka bere greku ne Cameri madje me keq se ja arriti qellimit te pastrimit etnik!!
Aq makaber dhe i studjuar thelle ka qene shovinizmi grek, sa sot e gjithe diten ke jo vetem arvanitas qe dine shqip dhe te thone se jane greke, po ke dhe nga ata qe s'kane  vecse pak vite dhe jane transformuar ne Vasil e Jorgo. Dhe me deshperues eshte fakti qe elita e shoqerise tone "progresiste" s'e shikon si "red flag" kete fenomen! (bejne nga halli, s'kane faj)
Tek e fundit c'faj ka populli? Kur shteti ame tallet me te, c'fare te prese nga ai i huaj?!

Pse duhet te nderojme ata qe kur iken; plackiten, rropen, perdhunuan, ata qe sot kane akoma ligjin e luftes ne fuqi me ne, ata qe politikanet tane s'guxojne ti permendin e jo me tu kerkojne pronat legjitime shtetasve te vet, ata qe ne 1997 po  te mos kish qene presioni turk dhe nderkombtar do kishin futur ushtrine per te "mbrojtur"  "vellezerit" "vorioepiriote" deri ne Shkumbin, ata qe manipulojne ne emer te Zotit dhe cvarrosin eshtra pleqsh edhe femijesh vetem qe te bejne ushtaret e "shumte" qe rrane, ata qe i kane marre dhjetefish ato fondet qe mburren per emigrantet tane, ata qe gjithmone kane ngritur veton kunder cdo interesi shqiptar dhe kane qene pro vetem atehere kur u ka dashur opinioni nderkombtar (NATO)! ata.. ata..

Marreveshja e Stabilizim Asocimit, he? Kjo eshte tallje! Me parametrat ekonomike qe kemi ne, rrezik atehere kur te behemi per tu futur ne BE te shperbehet fare BE-ja...

Nuk kane faj qe ca zera, megjithese kane qellime te mbrapshta, na quajne kombetarista primitive!

Po c`te keqe ka more njerez qe eshtrat e ushtareve greke, ashtu si te atyre gjermane, angleze etj., te prehen ne nje vend te caktuar ne Shqiperi?!  Bile nese lexohet marreveshja, pala shqiptare eshte kujdesur qe te mos kete gjera qe mund te shkaktojne debate apo mund te kene nje prapavije te caktuar. 

Me pak fjale eshte nje sukses i pales shqiptare.

Hajde tani se nuk do vritemi me greket pse ju shkrepet ne mendje ca kombetaristeve qe per vete jetojne ne USA.  Po po miq, vendin e enderrave dhe kujtohen te na bejne kombetaristin keshtu me raste.

...Hajde tani se nuk do vritemi me greket pse ju shkrepet ne mendje ca kombetaristeve qe per vete jetojne ne USA.  Po po miq, vendin e enderrave dhe kujtohen te na bejne kombetaristin keshtu me raste....

Epo c'a ti besh, diku duhet te jetoje njeriu. Pastaj edhe kur perpiqen njerzit ne Shqiperi te behen patriote, qeveria Shqiptare i rras ne burg se mos largqofte na merziten komshinjte. Qelbsirllek.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).