Vlora qe nuk shfaqet

Vlorën, kush më shumë e kush më pak, tashmë e njohim të gjithë. Sheshi i Flamurit, Monumenti i Pavarësisë, bulevardi i madh, teatri, skela, plazhet, hotelet dhe pallatet e mëdha, sheshi i demonstratave të 1997-ës, të gjitha janë familjare për shumëkënd anë e mbanë Shqipërisë. Por shumë herë harrojmë se ka edhe një Vlorë tjetër, një lëmsh rrugësh e rrugicash të ngatërruara, të cilat kanë ekzistuar shumë kohë më parë godinave dhe bulevardeve të lavdishme. Pikërisht nga kjo nga Vlora e vjetër ka ardhur ajo që ne njohim sot. Nga Muradija, Varoshi, Karabashi, Llonxha ka ardhur shpirti i vërtetë vlonjat, i këtij qyteti ku përziheshin fort ndikimet e Perëndimit, që sillte deti, me ato që vinin nga malet e Labërisë. Ky shkrim nuk merr përsipër të bëjë historinë e lagjeve të vjetra të Vlorës. Kjo do të ishte një sipërmarrje e madhe. Ai është ndërtuar mbi disa shënime të mbajtura gjatë një shëtitjeje vetëm disaorëshe në një pjesë të vogël të Vlorës së vjetër.

Nga Karabashi në Matthausen

Karabashi është një lagje e vjetër e vendosur mbi një kodër të butë, që zbret ngadalë drejt qendrës së qytetit. Shtëpitë e vjetra kanë mbetur ende të ulëta dhe duket se moda e pallateve marramendëse do ta ketë të vështirë të depërtojë në zemrën e lagjes së vjetër. Miqtë vlonjatë, që na shoqërojnë, na thonë se të gjitha shtëpitë janë të vjetra, ndonëse më pas janë rikonstruktuar. "Më e reja prej tyre duhet të jetë afër 100-vjeçare", na thonë. Ecim për pak kohë mes rrugicave të kësaj lagjeje të pjerrët. Shiu, që nuk ka pushuar tërë këto ditët e fundit, ia ka lënë vendin një dielli të bukur dimëror dhe Vlorës, dihet dielli i shkon aq shumë. Kalimtarët janë të pakët. Hera-herës përshëndeten gratë e moshuara, që vijnë nga pazari të ngarkuara me trastat e rënda dhe që ecin avash me frymën që i merret nga e përpjeta me çupa të reja, ndoshta studente, të veshura sipas modës më të fundit. Neve na duket se befas i kemi takuar në të njëjtin vend të dyja Vlorat bashkë, të vjetrën dhe të renë.

Kthejmë në një rrugicë që vendasit jetë e mot e kanë quajtur Pisorukë. Kujtohemi se jemi në një vend të çuditshëm. Jemi në një lagje që mban emër turk (Karabash - Kryezi), në një rrugë që mban emër grek (Pisoruka - pas teshave) dhe ku flitet një nga dialektet më të pastra të shqipes. "Vetëm kjo rrugicë duhej shpallur simboli i Ballkanit të vërtetë", thotë njëri prej nesh ndërsa i jemi afruar portës së një shtëpie të vjetër.

Vizhdan Rushiti-Vreshtazi është një figurë shumë e njohur në Vlorë. Afër të 80-tave, ai vazhdon të punojë. E takojmë në oborrin e tij të këndshëm teksa po lyen me bojë disa shalle që do t‘i mbajnë në qafë veteranët e Brigadës së V-të, përvjetori i së cilës është pas pak. Xha Vizhdani ka punuar një jetë të tërë në dekorin e qytetit, por një pasion i tij edhe më i madh është sporti. "Unë kam lindur në këtë shtëpi - nis të na rrëfejë pasi kemi këmbyer përshëndetjet e para. Im atë ishte autodidakt, merrej me tregti dhe i vinte mbarë. Njihte mirë shumë gjuhë të huaja dhe udhëtonte shumë. Dëshira e tim eti kishte qenë të shkollohej, por kushtet e atëhershme nuk e lejuan. Ne kishim edhe një problem familjar, gjyshi im ishte shurdhmemec, edhe ky tregtar, kështu që babait iu desh që shumë herët që të punonte me të. Në fakt, babai që në fillim ka pasur një jetë të vështirë. Në 1920, ndonëse fëmijë, atë e internuan bashkë me shumë vlonjatë të tjerë në Sazan. Që 24 vjeç ishte kryeplaku i lagjes tonë, të Karabashit. Punët u ngatërruan kur nisi lufta. Një kushëriri ynë, Qemal Myrseli ishte, kryetar i Këshillit të Nacionalçlirimtares për Vlorën. Ky erdhi një ditë në shtëpinë tonë dhe i kërkoi babait që nga kryeplak të bëhej kryetar i këshillit NAÇL për lagjen. Babai pranoi me gjithë kundërshtimet e gjyshes dhe të nënës. Kështu nisi për ne një jetë tjetër, që do të na sillte pasoja të cilat as që mund t‘i merrnim me mend".

E shoqja e xha Vizhdanit, nënë Ponja, ka përfituar nga heshtja që është vendosur për pak minuta për të na sjellë një foto të madhe. Nga brenda kornizës na shikon një burrë i pashëm mustaqelli. "Ky është babai i Vizhdanit, Vehbiu, po historinë e tij e di më mirë ky vetë", bën me shenjë nga i shoqi. "Po. Ky është babai. Sikurse iu thashë babai u lidh me partizanët. Edhe më parë e kishte ndihmuar luftën. Karvanë të tërë me ushqime ka dërguar falas në zonat e shkatërruara. Kjo histori lidhet edhe me një fqinjin tonë nga Karabashi. Edhe ai quhej Vizhdan. Ishte bej i madh nga familja Risilia. Ky u bë prefekt i Vlorës në kohën e gjermanit. Ruhej gjithë kohën nga dy SS. Njësiti gueril i qytetit i bëri një atentat afër fushës së dikurshme të druve, por nuk e vrau dot. Ky atëherë ka mbledhur 20 burra nga lagjja, mes të cilëve edhe im atë, dhe u ka bërë presion që të dorëzojnë njërin nga djemtë e lagjes që thuhej se kishte marrë pjesë në atentat. Këta sigurisht që nuk pranuan dhe atëherë Vizhdani me gjermanët hodhën hapin tjetër. E mbaj mend si sot. Ishte gusht 1944, natë. Dëgjuam trokitje të forta dhe pamë dy ushtarë gjermanë te porta. Morën babanë, ishte hera e fundit që e pashë. Më vonë mësuam se e kishin çuar në Matthausen nga ku nuk u kthye më kurrë. Xhaxhai im shkoi dhe iu lut Vizhdan Risilisë që ta lironte babanë, por ai iu përgjigj: Më jep atentatorin të të jap Vehbinë. Vonë, pas lufte, nga të paktët që u kthyen që andej ishte dhe një doktor. Ky na tregoi për babanë. Ishte shuar nga mungesa e ushqimit. Atë pak gjë që u jepnin ia kishte dhënë një shoku që kishte qenë shëndetlig". Xha Vizhdani e tret shikimin në shtëpinë përballë, njësoj sikur të dojë të kujtojë hollësi të tjera nga ajo kohë. "Ja edhe dy komshinj që jetonin këtu përballë nesh nuk u kthyen më kurrë", psherëtin. Jeta e Vizhdanit është këputur që në atë kohë në mes. "Eh, e kush ma la ëndrrën mua - i përgjigjet pyetjes tonë se çfarë kishte dashur të bëhej në jetë - ëndrra ime ishte të bëhesha piktor, po nejse…". Xha Vizhdani ka bërë shumë punë, shërbëtor në një familje të pasur, pastiçier në dyqanin e xhaxhait, korrier i Bashkisë, llogaritar e më së fundi një "gjysmëndrre": dizenjator i dekorit të Vlorës. Të paktën pikturës i është afruar ca.

"Po ne qënkemi kolegë xha Vizhdan!", thotë njëri prej nesh, sapo mëson se ai ka qenë për shumë vjet korrespondent i "Sportit Popullor". Xhaxhai shpejton të na tregojë krenarinë e tij, arkivin. Foto të rralla, shënime, portrete, postera na shfaqen sakaq përpara. Më shumë se 70 vjet histori sportive është para nesh. "E të gjitha këto me katër klasë shkollë", na thotë me keqardhje. Më kot mundohemi ta bindim se shkollën që ka kaluar ai nuk e kanë bërë asnjëri prej atyre me shkollë. "Mos ma bëni qejfin, shkolla është shkollë", këmbëngul plaku.

Nga hebrenjtë te Godart

Ca më poshtë Karabashit, fare afër sahatkullës së qytetit hyjmë në një rrugicë. Ajo është bërë edhe më e ngushtë se sa ka qenë nga ndërtimet që janë shtuar anash saj. Eshtë "Rruga e Hebrenjve". Këtu ka jetuar deri në vitet e para të pasluftës komuniteti më i madh hebre në Shqipëri. Një pllakë në anë të saj na kujton se zyrtarisht ndërtesat në të dyja anët e saj janë "Monument Kulture", por duket se pakkush e vret mendjen për një nga rrugët më të veçanta të krejt Shqipërisë. Këtu kanë jetuar për shumë kohë mbi 50 hebrenjtë e familjeve, Kohen, Koreta, Matathia, Sareta, Sollomoni, Yomtov. Të ardhur kryesisht nga komunitetet hebreje në Itali, sikurse ndodh rëndom, ata u vendosën pranë njëri-tjetrit në afërsi të qendrës tregtare të Vlorës. Më së shumti tregtarë, por edhe mjekë e farmacistë, ata kanë qenë një komunitet që ka ndikuar shumë në jetën e vlonjatëve të viteve ‘20-‘30 të shekullit të shkuar. Shumica u vendos në Izrael që me krijimin e tij. Tani rrugica është e heshtur. Një punishte duralumini, ndonjë dyqankë, një dentist, është shumë pak për t‘u quajtur trashëgimi e hebrenjve. Më kot mundohemi të gjejmë ndonjë shenjë të prezencës së tyre. Banorët janë të gjithë të ardhur. Vetëm një e moshuar, e veshur sipas stilit të vjetër me pallton me jakë gëzofi, që tërheq pas mbesën e vogël, na duket sikur ka lidhje me kohën e vjetër, me atë kohë kur këtu thuhej "shalom".

Jo shumë larg, në skajin e poshtëm të lagjes së vjetër Muradije, ndodhet rruga "Justin Godart". Senatori francez, emrin e të cilit mban kjo rrugë, ka qenë vetëm një herë në Vlorë në 1921, por ka qenë një mbrojtës i madh i të drejtave të shqiptarëve në kohën kur kishim pak ose aspak miq. Në të dy anët e rrugës mbahen ende godinat e vjetra shumë prej të cilave banesa të dikurshme të tregtarëve të pasur vlonjatë. Tani rruga ka marrë pamjen e një pazari të madh ku tregtohen pak nga të gjitha. Një rrasë përkujtimore, për parakalimin e forcave fituese të 1920 pikërisht mbi këtë kalldrëm, mezi lexohet. Disa pulovra, që janë rreshtuar para saj na duken tani të vetmit ushtarë, të gënjeshtërt sigurisht. Ca më lart, në drejtim të lindjes ndodhet zemra e Muradijes, sheshi ku qëndron "Xhamia e Kuqe". Një palmë që s‘dihet se si mbahet ende në këmbë dhe disa çarçafë të varur janë të vetmit shoqërues të xhamisë së vjetër pa minare. Ca më tej disa njerëz të shqetësuar presin me letra në dorë. Janë para konsullatës italiane në pritje të vizës.

Nuk është vetëm Vlora e vjetër ajo që nuk para shfaqet. Edhe pjesë të së resë nuk para kanë dalë edhe aq në pah. Kështu që kalojmë në anën tjetër të qytetit. Ecim përmes Varoshit, me kishën ortodokse që lartësohet mbi shtëpitë relativisht të ulëta, kalojmë në krah të shtëpisë së Tole Arapit, babai i shkrimtarit, Fatos Arapi, dhe pak nga pak hyjmë në një Vlorë tjetër, në një Vlorë ku gjithçka është ngritur mbi një ish-kënetë. Eshtë "Çolja", e bërë e njohur për marrëzitë e përgjakura të 1997. Tani lagjja është krejt e qetë. E qetë dhe e sistemuar, aq sa mund të sistemohet një grumbull godinash të bëra me punë vullnetare. Përballë saj është "Kumja". Ndryshe nga fqinja e saj kjo është ngritur mbi një ranishte. Sillemi një copë herë vërdallë mes këtyre lagjeve që e ruajnë ende një si shije trishtimi dhe kthehemi sërish në rrëmujën e Vlorës, këtë herë të asaj që shfaqet më shpesh.

Lugati që bënte seks

Në vitin 1906, rregullimi i disa telasheve të pronësisë, por edhe malli për vendlindjen e detyroi një bej të pasur, pasardhës i pashallarëve Vloraj, që të kalonte do kohë në vendlindjen e tij, në Vlorë.

Në kujtimet e tij ai vetë rrëfen një histori që duket sikur vjen nga filmat horror. Një ditë prej ditësh, ndërsa po rrufiste qetësisht kafenë në sarajet e tij të stërmëdha, i paraqitet një dërgatë e banorëve të Muradijes me në krye kryeplakun. Dërgata dukej shumë e shqetësuar. Një vejushë e re dhe e bukur priste çdo natë "jaranin" e saj. Ky hynte në shtëpi vonë në mbrëmje dhe dilte prej andej herët në mëngjes. Kryeplaku kishte dyshime të forta se nga kjo lidhje vejusha kishte mbetur shtatzënë. Për burrat e lagjes kjo gjë ishte një turp i padëgjuar më parë dhe një ofendim i madh për Muradien. Kishte vetëm një zgjidhje: ajo duhej vrarë, por për këtë duhej të jepte më parë miratimin beu.

Ky është zënë seriozisht në hall. I shkolluar në Vjenë në pjesën më të madhe të fëmijërisë dhe rinisë së tij, as që mund ta imagjinonte jo vetëm këtë zgjidhje makabre, por edhe faktin se krejt rastësisht mund të bëhej pjesëmarrës në një vrasje. Beu u është lutur vlonjatëve që të hetonin edhe një herë më mirë e më gjatë çështjen dhe të mos merrnin ndonjë veprim të nxituar. "Kur të mësojmë më shumë, atëherë do të vendosim", u ka thënë, dhe kështu, telashi është shtyrë edhe për disa ditë. Vejusha kishte qëlluar e zgjuar. E ka pranuar se natën dikush hynte në shtëpinë e saj, por ky nuk ishte gjë tjetër veçse lugati, ish-burri i saj, hija e të cilit dilte natën nga varri dhe bashkohej me të. Pikërisht me burrin-lugat kishte mbetur edhe shtatzënë. Tani mbetej edhe një provë e vetme, ajo e kalit me lugatin. Sipas zakonit merrej një kalë i bardhë dhe detyrohej të kapërcente varrin e dyshuar. Nëse kali kalonte matanë, atëherë varri nuk kishte lugat dhe vejusha gënjente, nëse jo atëherë lugati ishte i vërtetë dhe vejusha lirohej nga të gjitha akuzat. Dhe kështu u bë. Një ditë më pas karvani i burrave me beun në krye u ngjit në varret e vjetra të Muradijes. Beu i kishte mësuar shërbëtorët e tij që në asnjë mënyrë të mos e linin kalin të kapërcente varrin. Kështu ndodhi. Kali nguli këmbë që të qëndronte në vend. "Burri-lugat na paskësh qenë i vërtetë", kanë menduar burrat e llahtarisur dhe kanë nxituar ta djegin varrin e mallkuar. Kështu shpëtoi vejusha nga vdekja dhe beu nga telashi i kotë që e zuri. Ai nuk thotë më tej nëse, pas kësaj, vejusha vazhdoi ta bënte atë punë me lugatin, por sigurisht që kjo tashmë përbënte një hollësi të parëndësishme.

8 Komente

Ça vete me këto vlonjatet. Edhe burrat i ngrejnë nga varri për detyrën e hamallit. Shumë e fortë kjo.

 

Pene e embel Baxhak...Pene e embel .

pene rakie mo smiley

ky cun ka shpirt pijaneci smiley E du fort.

S'ka me Vlonjate ne Vlore.. Mbushur me te ardhur

Te njejten gje mund te thuash per c'do qytet te Shqiperise. 

artikull i mirè...unè kam banuar afèr lagjes sè hebrenjve kur isha fèmi(mè saktèsisht,nè njè prej atyre lagjeve tè vjetra,qè pèrmend edhe autori i shkrimit.."sheshi i kateqit" i thoshin,por nuk di tè them pse kètè emèr)por hebrenj nuk mbaj mend...ishin tè gjithè jevg nè atè rrugicè,pèrshèndetje vlora!!

Do ishte me mire qe artikull-shkruesi te na jepte nje panorame te zhvillimit te turizmit, te infrastruktures nga skela deri ne matane Ujit te Ftohte, se sa ky pershkrim qe nuk sillte ndonje gje te re. 

Ai artikulli mbi Currilat kishte me shum informacion se sa ky artikull.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).