Vizioni pa vullnet

Në Kosovë po përforcohet pavarësia si pavarësi prej Shqipërisë, dhe po dobësohet pavarësia si pavarësi prej Serbisë. Në njërën anë sajohen flamuri i ri, himni i ri dhe abetarja e re kurse, në anën tjetër, tolerohen gjithnjë e më shumë strukturat e Serbisë dhe zbatohet gjashtëpikëshi i Ban Ki-Moon-it. Multietniciteti promovohet vetëm aty ku shqiptarët janë shumicë dhe jo në vendbanimet ku serbët janë shumicë. Multietniciteti promovohet në Kosovën jashtë enklavave dhe pa veriun, por jo në Zveçan e Ranillug. Mu ashtu siç nuk promovohet as në Serbi, përveç në Kosovën Lindore, që është me shumicë shqiptare dhe ku ndodhet njëfarë policie multietnike që s‘e pyet kush.

Thjesht, në Kosovë nuk ka shtetndërtim, por vetëm kombbërje. Nuk është qëllimi që Kosova të bëhet shtet normal me ushtri, sovranitet, integritet territorial, kufij të kontrolluar dhe me zhvillim ekonomik. Qëllimi është që shqiptarët e Kosovës identitetin e tyre krahinor e gjeografik ta shndërrojnë në identitet kombëtar. Kosovën e bërë shqiptaro-serbe në vitin 1999 atëherë kur u ‘çliruam‘, tash që u ‘pavarësuam‘, një dekadë më pas, duan ta bëjnë kosovaro-serbe. Ndërkohë, Serbia do t‘i ketë duart e lira për republikën më të re serbe në Ballkan: atë që Milosheviqi ua krijoi serbëve të Bosnjës për dy javë në Dayton, Tadiqi po ua krijon dalëngadalë serbëve të Kosovës.

Jemi dëshmitarë se që prej shpalljes së pavarësisë, Serbia më shumë e ka shtrirë sovranitetin në Kosovë sesa vetë Kosova. Realiteti në Kosovë është shumë më afër gjashtëpikëshit (dhe po lëviz në drejtim të tij) sesa neneve 1.1 e 2.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (nga të cilat po largohet vazhdimisht). Nuk po forcohen institucionet e Kosovës në kuadër të shtetndërtimit, por po institucionalizohet ndarja funksionale e Samarxhiqit në kuadër të gjashtëpikëshit. E, kur funksionon ndarja nuk funksionon Kosova.

Aktualisht, Serbia po i terrorizon shqiptarët në Kosovën Lindore dhe në veriun e Kosovës. Aty ku shqiptarët kufizohen me Serbinë, aty realisht nuk ka kufi. Sepse Serbia aty ka xhandarmëri, ushtri e paramilitarë, kurse Kosova nuk ka as polici. Ose, edhe më keq se kaq: ka policë që nuk janë të saj: pjesëtarëve serbë të ShPK-së u ec rroga nga buxheti i Kosovës gjersa i zbatojnë urdhrat e Ivica Daciqit. Në veri dhe në lindje të Kosovës koha nuk po punon për shqiptarët. Atje popullata shqiptare e braktisur nga sistemi i vet shtetëror po përballet me sistemin e Serbisë që i mobilizon dhe pajis kundër tyre edhe popullatën serbe. Vetorganizimi i shqiptarëve këto ditë në veri të Kosovës është gjithsesi i admirueshëm, por ai s‘mund të zgjasë pakufi. Shqiptarëve duhet t‘iu dalë zot Kosova, apo jo? Përndryshe, pak nga pak, numri i shqiptarëve në veri dhe në lindje të Kosovës do të bjerë ndjeshëm - shpërngulja do të intensifikohet pa shumë zhurmë.

Për çështjen e sovranitetit dhe integritetit territorial nuk mund të llogarisim aq në bashkësinë ndërkombëtare. Jo vetëm për shkak se krejt çfarë po ndodh po ngjan para syve të saj. Bashkësia ndërkombëtare në Kosovë nuk është bashkësi ndërkombëtare. Jo vetëm për shkak se nuk është bashkësi dhe as ndërkombëtare, por veçse konglomerat interesash kombëtare të shteteve të veçanta. Bashkësia ndërkombëtare nuk është bashkësi ndërkombëtare në Kosovë, sepse ajo nuk bazohet në parimet, vlerat dhe standardet e saj këtu te ne. Në Kosovën e pavarur, UNMIK-u dhe EULEX-i janë në bazë të marrëveshjeve me Serbinë dhe sipas kushteve të saj. Bashkësia ndërkombëtare në Kosovën e pavarur është e varur nga Serbia si në aspektin legal po ashtu edhe në atë politik e praktik.

Politika e jashtme e BE-së nuk e sheh Kosovën si shtet të veçantë: për shkak se nuk e njeh Kosovën si të tillë, por edhe për arsye se udhëhiqet nga paradigma e stabilitetit rajonal. Javier Solana nuk ndërmerr asgjë pozitive në Kosovë nëse vlerëson se kjo mund të shkaktojë diçka negative në Serbi, Bosnjë apo Maqedoni. Javier Solana na sheh neve gjithnjë duke e menduar Serbinë. Në shikimin e tij, në politikën e jashtme të BE-së shprehje e së cilës janë ICO-ja dhe EULEX-i, ne s‘jemi të pavarur. Ky pavarësim në shikimin e tyre nga jashtë nuk mund të bëhet nga jashtë. Ai mund të bëhet vetëm nga brenda. Ne duhet ta ndryshojmë atë që ata e shohin, atë që BE-ja e sheh kur na shikon neve. Ne duhet ta ndryshojmë shikimin e tyre para se ai të na ndryshojë neve pakthyeshëm. Ne duhet ta ndryshojmë gjendjen tonë. Sepse vetëm ne mund ta bëjmë këtë.

53 shtete na e kanë pranuar që Kosova është shtëpi e jona. E di, ata na e kanë pranuar këtë me kushtin që kjo shtëpi të jetë e ndërtuar sipas një plani (të Ahtisarit), që është koncesion i hatashëm ndaj Serbisë. Por, le ta ndërtojmë shtëpinë si na konvenon neve, le të bëjmë mbindërtime e ndërtime aneksesh. Këtë po e bëjnë shqiptarët me aq lehtësi dhe guxim në rrafshin privat, apo jo? Pse të mos e bëjnë ata këtë kolektivisht në rrafshin shtetëror?! Edhe dobia do të jetë patjetër më e madhe për të gjithë, por edhe për secilin në një periudhë ca më afatgjatë. Mandej, do t‘i detyrojmë të na e legalizojnë atë mbindërtim, apo jo? Krejtësisht ngjashëm, shumë shqiptarë pas luftës janë vrarë ndërmjet vete për megja të arave të tyre që i kanë riblerë nga serbët, ndërkohë që ndjeshmëria kolektive e shqiptarëve për territorin e tyre të përbashkët, për hapësirën e tyre kolektive (përfshirë këtu veriun e Kosovës) ka rënë.

Kemi inflacion të guximit dhe vetëbesimit individual dhe deficit të atij kolektiv. Edhe popuj të tjerë kanë këso problemesh, mirëpo atje këto minimizohen nga shteti, nga sistemi politik i cili dijen dhe vullnetin i vë në shërbim të shoqërisë dhe publikut. Përderisa ne nuk e përcaktojmë dhe mbrojmë interesin tonë të përbashkët, përderisa nuk restaurohemi dhe konsolidohemi në rrafshin kolektiv, vazhdimisht do të merremi me njëri-tjetrin në mënyrë rrënuese. Duhet ta sigurojmë dhe mbrojmë kolektivitetin tonë për të siguruar kushte të volitshme për individualitetin tonë. Individualizmi i njerëzve e qytetarëve pa u siguruar e forcuar ajo që është kolektive te shoqëria dhe populli shpie në degradim kolektiv. E, për ta bërë këtë, lypset vullnet politik për fuqi shtetërore. Pa mekanizmat e forcës dhe pa vullnetin për t‘i bërë ato e për t‘i përdorur ato, qeveria e Kosovës po funksionon si një kokë pa trup. Dhe, siç e kemi parë deri më tani, jo aq kokë e mençur.

Megjithëkëtë, mangësia kryesore e qeverisë së Kosovës së pavarur nuk është dija, por vullneti. Më parë se vizioni dhe strategjia për realizimin e tij, qeverisë së Kosovës i mungon vullneti politik. Aq shumë analistë e politikanë opozitarë i janë hedhur në qafë qeverisë së Kosovës për mungesë vizioni, plani, strategjie etj. Mirëpo, mungesa themelore e qeverisë nuk është vizoni, por vullneti. Madje, vizioni pa vullnet është edhe i dëmshëm. Vizioni pa vullnet krijon halucinacione. E keni parë se si Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi flasin për sovranitetin e Kosovës, të cilin e ruan dhe garanton Kushtetuta?!
 

20 Komente

I sakte si gjithnje, fatkeqsisht smiley

Duhet ta sigurojmë dhe mbrojmë kolektivitetin tonë për të siguruar kushte të volitshme për individualitetin tonë.

Teorikisht 100% e drejte,po praktikisht si?

Mendje e kthjellet dhe konsistent perhere ne mendimet e veta.

Kritikues i permbajtur, i ftohte dhe praktik. Artikulues i shkelqyer, me goje dhe me shkrim.  Une e degjoj perhere ne TV.

Me vjen keq qe Shqiperia se ka nje Albin te vetin, por nje tufe me llomotites te peshtire, qe as teorikisht sic flet Albini nuk dine te flasin apo te argumentojne.

 

Me ka pelqyer gjithmone linja qe ka ndjekur A.Kurti si shpirti dhe mendja e  Levizjes  "Vetevendosje" Me kriticizmin dhe skepticizmin e tij ndaj qendrimeve/politikave te nderkombetareve dhe shtetareve kosovare,  ka demostruar me se njehere dyshime realiste duke evidentuar  rreziqe te reja atje ku te tjeret shikojne zgjidhje te reja. Mbetet perhere nje kembane   alarmi ne disonance me muziken e llafollogjise diplomatike te Prishtines zyrtare .

Nje artikulues i shkelqyer i interesave kombetare perballe drojes diplomatike (sigurisht) te Thacit, Sejdiut dhe shtetareve te tjere qe tregohen te kujdesshem ne pozicionet e tyre:  as mos e e prish me nderkombetaret por as mos me injoru edhe problemet dhe rreziqet akute te ardhura prej Serbise te mbrijtur  me shpirt shoven.

Uroj te mbetet perhere njeri i mendimit te lire dhe veprimit efikas pa u mikluar prej tundimeve te pushtetit.

Shkrim mjaft i mire.  Me duhet te pranoj gjithashtu qe kam pasur rezerva me pare ndaj taktikave te Kurtit. 

Si eshte kjo puna e abetares se re?  Excuse my ignorance, por kujtoja se ishte thjesht nje fabul kelmendiane. 

Keta jane guerilet e Sorosit qe bejne te pakenaqurin dhe "kritizeret" ne cdo gje.  Nuk ja kane haberin realpolitikes dhe kerkojne qe shqiptaret te armiqesohen me gjithe boten.  Kujtojne se do t'i ndihmoje Sorosi kur te te kthejne krahet fuqite e medha qe perkrahen Kosoven gjate dhe pas lufte dhe njohen pavaresine...

O Pilic po nuk ka fjale qe te pershkruan ty!

Po nga e nxorre Zorrist, Albinin? A mendohesh ndonjehere kur flet apo del sa per t'ja myt kuturru.
Askush nga ne nuk e ka haberin se ç'ndodh ne Kosove realisht. Une kur shkova atje vura duret ne koke nga ato qe pash e nga ato qe degjova. A e di ti mer qe ne muzeun e Prishtines kalohej nga epoka e bronxit (kati i pare) te lufta e UCK-se kati i dyte. Dhe qe ne fotot dhe pershkrimet e luftes nuk permendej asnjehere mbeshtetja e Shqiperise qofte edhe per refugjatet.

A e di ti qe kur fola me nje mikun tim gazetar dhe i thashe se si eshte e mundur ai me tha se muzeu eshte bere sipas porosive te fUNd-arMIK-ut dhe se askush nuk guxonte te shkruante kunder?

Ky eshte nje shembull ordiner ne krahasim me ato qe ndodhin ne veri te Kosoves apo me kantonizimin absurd qe i eshte bere Kosoves. Ku e shef lidhjen midis denoncimit te ketyre gjerave dhe Sorosit, zoterote?

Pastaj sipas llogjikes tate i bi qe t'ja japim jugun Greqise se mos na merzitet pastaj!

Qëllimi është që shqiptarët e Kosovës identitetin e tyre krahinor e gjeografik ta shndërrojnë në identitet kombëtar.

 

Ne ket qellim do te deshtojne. E provuan Turqit e Rinj (qe fundja ishin te kryesuar nga Shqiptare) dhe deshtuan, e jo me debilat e Brukselit. Me forta eshte qe vete Brukseli (ne sensin e Belg) ka probleme me 'nationbuilding' ne Belgjike, e jo me te t'ia dalin ne Kosove.

Albin Kurti for Prez!

 Mire e ka mo.Drejt e sakte flet ky.Por e drejta nuk eshte politika e as fuqia.

Teorikisht flasin te gjithe mire,sakte,bukurshkrim e bejne.Ashtu po bertet dhe Ramushi.Por ka harruar se ishte ne kryje te qeverrise para ketyre.Se cila eshte zgjidhja te gjithe e mbajne skret nga frika se po ua vjedhin(si PS qe paska vendos te mbaje te fshehur programin nga frika e vjedhjes se ideve). smiley

O rebel ma jep pak adresen tate qe t'i them Albinit te te fusi te lista e shperndarjes se artikujve te tij. Kshu do shofesh qe Albini nuk o fare si PS-ja e jo vetem nuk ka frike se ja vjedhin idete po lutet qe t'i vjedhin qofte edhe nje pjese te idese.

L.Z-Nuk mendoj qe i duhet add ime se une ta jap.Nuk i duhet se une pikerisht ate pune nuk e bej mire,si shperndares.S'di nga e fitove kete pershtypje.

Desha zgjidhjen se teorine e di vete.

 

Mos fol perçart aman se nuk te kerkoi njeri ta shperndash po thjeshte qe para se te flasesh te informohesh. Albini ka shkruar aq shume e ka dhene aq zgjidhje per problemet e Kosoves sa qe ti nuk e di se ku gje guximin te thuash qe ai flet vetem ne teori. Po faj kam une qe merrem me sqarimin e çdo budallai qe hedh nje gur ne lum.

Albin "reloaded".Nga pesimizmi konstruktiv, ne optimizem destruktiv me ne mes te pashmanguren filozofi Hegeliane.

I dashuri  "Che",nese rastesisht lexon keto rreshta atehere nje keshille nga une smileyhetite Boten.

 ...ne muzeun e Prishtines kalohej nga epoka e bronxit (kati i pare) te lufta e UCK-se kati i dyte. Dhe qe ne fotot dhe pershkrimet e luftes nuk permendej asnjehere mbeshtetja e Shqiperise qofte edhe per refugjatet.

Po ja qe koburja e Ises na mbeti ne Tirane,s'bashku me syzet e Hajdar Dushit e Emin Durakut.Mbase edhe ndertesa e muzeut te Prishtines do te kete qene e vogel te ekspozohej gjithe ajo mbeshtetje e Shqiperise.

 

 

 

 

O Jakove, ti besoj se ku e kom hallin une. Mua nuk me shqeteson as vogelsia e muzeut as fakti se nuk u permend ndihma e vllait per vllain (se ky o detyrim jo nder). Hallin e kom se ne ate muze nuk flitet per vllezer, pra qe qellimisht nuk permendet idetiteti shqiptar i Kosoves.

Pastaj mire koburja e luftetarit me te madh Shqiptar pas Skenderbeut, Ises, paska ngel ne Tirane po xhamia ku u be Lidhja e Prizrenit eshte akoma ne Kosove me duket. Kaq e veshtire ishte me i bo na dy foto.

Po ne aktin e Pavaresise se 1912 a flitej edhe per Kosoven? Pse pra nuk permendet fare kjo ne asnje vend ne muze?

Sa per bindjet e majta te Albinit, çeshtja eshte e thjeshte. Kur Kosova te jete vertete shtet me institucione te pavarura dhe me identitet kombetar (shqiptar) te pacenuar, atehere une dhe Albini nuk do jemi me dakort nqs ai do doje te vazhdoje te merret me politike. Po ne gjendjen ku jemi bindjet socialo-politike nuk kane asnje rendesi. Se te merresh me bindjet politike te Albinit sot eshte sikur te diskutosh ngjyren e flokeve te nje njeriu qe eshte ne koma.

 

Na ka zene sherri me keto levizjet anarkiste qe financohen nga Soros.  Ky Albin Kurti ka kohe, qe para pavaresise qe bente thirrje per largim te nderkombetareve, per anarki, shpeshhere eshte perdorur edhe dhune ne protestat qe organizonte kjo levizje.

Prezenca e nderkombetareve ne Kosove, me shume se per ta eshte e domosdoshme per Kosoven.

....Udheheqes si Egjyptiani Anwar Sadat dhe Israeliti Ytzhak Ragbin paguan cmimin me te shtrenjete ( jeten e tyre), te dy u vrane nga extremistet qe kundershtojne cdo kompromis te bere ne emer te paqes...... Mare nga Ulërimë për udhëheqje

 

Na ka zene sherri me keto levizjet anarkiste qe financohen nga Soros. 

O polic mos u bej idiot

Sorosi dhe ata qe ai financon i takojne nje grupimi tjeter, atij grupimi qe e quajne veten "Qytetare te botes" "Globaliste" Ndersa Albini dhe levizja e tij i takon ekstremit tjeter. Prandja jo cdo gje qe del nga goja e Ll ka lidhje me Sorosin dhe Mjaft. Mos haro Ll eshte njeri ka edhe ai mendimet e tij te pavarura , ndryshe nga ty qe....... nejse me ke merem edhe une

Te lutem, a mund te na sjellesh ndonje fakt, qofte dhe aludues, qe te deshmoje drejt a terthorazi ndonje lidhje te vetvendosjes apo albin kurtit me sorosin?

 

Ti thua: Ne pergjithesi Sorosi ka mbeshtetur dhe mbeshtet levizje te tilla, qe medemek jane kunder establishmentit ne fuqi, pavaresisht se si e artikulojne kete. - po kjo nuk perben fakt... eshte thjesht hamendesim. do te qe e ndershme intelektualisht qe kur hamendeson, te tregosh qe po ben dicka te tille, e jo ta paraqesesh si fakt te kryer per te cilin medemek paska dhe evidenca...

Celesi i shkrimit qendron ne paragrafin e fundit, dhe ne titull.

Albini ( i cili nuk ka retorike nacionaliste, por antikolonialiste, antineoimperialiste, antikorporaliste ) e fillon shkrimin duke treguar disa probleme qe qendrojne sipas argumentave qe paraqet. Po problemi qe parashtron ne paragrafin e fundit prek shqiptaret edhe jashte kosove...

Shqiptaret kurre nuk kane vuajtur per mungese projektesh, planesh, programesh a idesh. Vetem dje doli ai traplliku i socialisteve qe paskeshin bere programin e endrrave, po nuk e thoshin...te gjithe shqiptaret, sidomos partite e tyre kane programe superbe...por pa vullnet te qarte e te forte (politik) nuk ka per t'u bere asgje. Vetem zhgenjim do te kete, e me pas refuzim qytetar per te bashkepunuar

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).