Viti i Thaçit

Deputeti militant Gani Geci e kishte ruajtur Ibrahim Rugovën prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1999. Teksa Kuvendi po i jepte fund sesionit vjeshtor të sivjetmë, ai ia dërgoi Thaçit një mesazh në telefonin privat me përmbajtjen: “Mos e lësho hajatin më të madh se odën”. Një shprehje drenicake, e mjaftueshme për të treguar mosdurim.

Geci e ka urryer gjatë Hashim Thaçin.

Mirëpo, ai kishte një perceptim shumë sinjfikativ për Thaçin Kryeministër, më vonë, gjatë asaj dite.

“Kush tjetër do të guxonte të vinte një flamur të ri? Do t’ia digjnin sikur Ibrahim Rugovës. Kush tjetër do të guxonte ta shuante TMK’në? Imagjinoni Hashim Thaçin në opozitë, e ndërkohë procesin e gjashtë pikave”. Ndoshta një version i ekzagjeruar.

E sollëm ndër mend, megjithatë, kur filluam të diskutonim për Personalitetin e Vitit.

Në Express tashmë është bërë traditë ta zgjedhim një emër. Dhe, askush nuk kishte dilemë për njeriun e sivjetmë - Hashim Thaçin.

Në zakonet e gazetave prestigjioze botërore, ky epitet u jepet njerëzve me ndikimin më të madh për atë vit. Kështu, revista Time, vitin e kaluar, u përcaktua për liderin rus Vladimir Putin, për ndikimin e tij në marrëdhëniet botërore, ndërkohë që tentonte të rikthente namin e Rusisë së dikurshme si superfuqi.

Sikur mund të imagjinohet, për tërë diskutimet që hap emri i Kryeministrit tonë tek ne, debati më i gjatë është bërë në fakt se si do të reflektohet një përzgjedhje e tillë e ardhur nga Express? Si do të pritet prej orientimeve të ndryshme politike dhe kolegëve profesionistë? Dikush na e sugjeroi Arta Dobroshin, sepse frikohej se do të bënim “një vetëvrasje” të imazhit publik.

Por, ne gjithmonë marrim pozicion për gjërat, ashtu siç ne mendojmë se është më së miri. Fundi i fundit, ky është roli i gazetës.

Në një votim elektronik në faqen e Gazetës Express Online dhe pothuajse në të gjitha matjet e opinionit të kohës së fundit, Kryeministri Thaçi i priu listës së personaliteteve politike.

Por, nuk janë këto opinione ato që e kanë përzgjedhur Thaçin.

Është ndikimi i tij në Kosovë përgjatë tërë këtij viti.

Thaçi kishte rol të rëndësishëm në luftë, duke udhëhequr UÇK’në. Jeta e tij politike filloi të lulëzojë me gjërat që shkuan për së mbari pas Konferencës së Parisit më 1999 dhe pastaj me suksesin në transformimin e UÇK’së.

Mirëpo, as në aventura gjërat nuk janë pa dramaticitet. Le më për një njeri të pasprovuar në politikë. Pa armë.

Kurba e imazhit të tij filloi të marrë kahjen e kundërt pas humbjeve të zgjedhjeve 2000, me kaosin e madh në fushën e sundimit të ligjit, rebelimin kundër Kornizës Kushtetuese dhe kulminacionin e përuljes kur e ndaluan të bëhej Kryeministër i Qeverisë së koalicionit të gjerë më 2001 ndonëse ishte Kryetar i PDK’së. I duhej përvoja apo ishte nën syrin e Hagës?

Ndoshta nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahas ndonjë loje futbolli, ai luftoi në rrugën e tij dhe shpesh ka mundur të gjendet vetëm me disa roje në selinë e PDK’së, kur mbeti në opozitë, ndërsa Ramush Haradinaj me rreth shtatë për qind të votave mori drejtimin e Qeverisë.

Prapë një raund i momenteve të uljes. Ishte si një betejë me vetveten. Shkoi në rezidencën e të ndjerit Ibrahim Rugova për të inauguruar Ekipin e Unitetit dhe tha se “gjendej në shtëpinë e krimit”, gjatë negociatave për statusin shpesh ia drejtonin gishtin kah vetura numër 3 ose 7 e ai mbushej inat. Bile në një moment, e kishte bërë nervoz Albert Rohanin, duke ia prishur protokollin e një dreke pasi kishte zënë vend më serioz sesa iu kishte ndarë paraprakisht.

Vjeshta 2007 po afrohej dhe gjithçka u kthye në favor.

Thonë se ka gjithmonë një shans të dytë e atij po i vinte, vërtet.

LDK ishte ndarë, Haradinaj gjendej në Hagë, një numër personalitetesh publike pranuan t’i bashkohen me lehtësi. Ai ishte kandidati i vetëm për Kryeministër dhe të gjitha matjet e opinionit ia prognozonin fitoren.

Në janar të vitit 2008, Thaçi inauguroi Qeverinë e tij në një koalicion me mbetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dikur rivalin e tij të ashpër. I kishte vënë kusht LDK’së të mos çonte asnjë emër të përbërjes së vjetër të Qeverisë në Kabinetin e ri dhe e kishte detyruar Fatmir Sejdiun t’i hyjë edhe një votimi për President.

Muaji tjetër e bëri një yll televiziv botëror. Ditën e 17 shkurtit, pasi një skandal ishte evituar kur njerëz të PDK’së kishin hequr portretin e Ibrahim Rugovës së ndjerë në Parlament dhe ishte kthyer me ndërhyrje diplomatike, Thaçi kishte lexuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, duke shënuar kulminacionin e rezultateve të aspiratave shqiptare që kapin pothuajse moshën e tij personale.

Ishte drejtpërdrejt në CNN dhe BBC, transmetuesit elitë botëror. Ngjarja globale e atyre ditëve. Shumë shpejt, Kosova njihej nga shtetet më të fuqishme perëndimore, miratoi simbolet e saj shtetërore dhe Kushtetutën. Ai parafytyronte 100 njohje.

Vërtet ka pasur një konsensus të gjerë për të mbajtur sigurinë dhe sugjerime diplomatike deri edhe në media, por shumë gjëra me gjasë do të mund të kishin shkuar ndryshe në një format tjetër. Thaçi Kryeministër ofroi garanci për stabilitetin në vend, në momentet e ndjeshme të Kosovës.

E bëri RTK’në ta transmetonte një mbledhje të Qeverisë së tij, në kohë darke. Zhvilloi fotografi në Samitin e BE’së në Slloveni me Bernard Kouchnerin dhe diplomatë të tjerë, duke e detyruar Vuk Jeremicin në bojkot, u prit bashkë me Presidentin Sejdiu në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Amerikan George W. Bush dhe vonë pastaj edhe nga Kryeministri Britanik Gordon Brown. Mori rreth 1.2 miliard premtime në Konferencën e Donatorëve.

Përbrenda, u fol shumë për shëndetin e marrëdhënies së tij me partnerin Fatmir Sejdiu, për bllokim kështu në mënyrë indirekte të reformimit të LDK’së, largimin e Naser Osmanit.

Më pas, përveç Ministrisë së Transportit dhe asaj të Arsimit, Qeveria filloi të bëhej adresë e kritikave. Madje edhe për shpenzimin e buxhetit për organizimin e ceremonisë së pavarësisë.

Thaçi u kritikua për politikën e jashtme, për gjendjen në veri, për kontroll të mediave, për menaxhimin e aksidentit në shtëpinë e tij, për arrestimin e mjekëve në spitalin turk, etj.

U kritikua edhe për diktim të punës së Kuvendit, për blerje të opozitës, për qeverisje autoritare, për mosgatishmëri për të takuar Ramush Haradinajn dhe përfundimisht u gjend në një krahasim hiperbolik me Mussolinin, liderin e dikurshëm fashist italian.

Në fushën e ekonomisë, privatizimi pritet të nisë me udhëheqjen vendore, termocentrali Kosova C është në prag të hapjes së tenderit, procesi i dhënies me koncesion të Aeroportit do të marrë qartësi vitin e ardhshëm dhe po ashtu edhe fati i PTK’së një pjesë të së cilës e ka vënë në shitje. ORA e akuzoi për kapitalizëm të egër ekonomik ndërsa komunizëm në sektorin social.

Dyshimet dhe akuzat për korrupsion janë ngritur. Këto i pranoi edhe vetë një ditë Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi kur iu drejtua Parlamentit.

Qysh do që të ketë shkuar, ish-Kryeministri Agim Çeku i ra pikës këtë fundjavë, kur tha se e mira e kësaj Qeverie është që ajo e ka adresën e qartë të përgjegjësisë.

Po. Lutfi Haziri tha se modeli i qeverisjes ishte diktuar nga Thaçi.

Hajredin Kuçi e përmbylli këtë argument duke thënë se Qeveria për herë të parë udhëhiqet prej një shefi i cili është edhe politikani më i votuar në zgjedhje.

Ai ka përgjegjësinë dhe shansin. Pjesa e mbetur e mandatit, që pret rritje të kualitetit të qeverisjes, do t’ia përcaktojë të ardhmen politike.

Mirëpo, i dashur, i urryer, i kritikuar ose i mbështetur, çfarëdo të ketë qenë gjatë këtyre dymbëdhjetë muajsh, Hashim Thaçi ka shënuar 2008’tën. Ai është Personaliteti i Vitit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).