Vit kritik, ekonomik apo thjesht elektoral!

Vetërregullimit si zgjidhje  e të gjithë problemeve i ka ardhur fundi. Laissez-faire-it i ka ardhur fundi. Dhe tregut, që gjithmonë ka pasur të drejtë, i ka ardhur fundi”. Kjo sentencë, edhe pse shfaqet në një pamje tejet goditëse, është deklaruar nga një politikan i djathtë, Ky është pikërisht presidenti francez Sarkozi. Madje, që në fjalën e tij në OKB, më 2 shtator 2008, ai është shprehur për domosdoshmërinë e një veprimi serioz ndërkombëtar për kapërcimin e krizës financiare. Dhe, mbi të gjitha, duke ngulur këmbë për një angazhim tërësor mbi rindërtimin ...e një sistemi kapitalist të qëndrueshëm dhe të rregulluar mirë, ai thekson prerë se: “Çdo hallkë e veprimtarisë financiare të mos u lihet më vetëm gjykimit të operatorëve të tregut”...
* * *
    I tillë është shqyrtimi i thellë, analiza dhe korrektimi i sistemit financiar e monetar. Pra, leksioni i parë që serviret nga kriza financiare globale është, në radhë të parë, ekzaminimi i sistemit global financiar dhe monetar në çdo këndvështrim, po ashtu si në rastin e Bretton-Woods pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe e gjitha kjo për të krijuar instrumentet adekuatë për rregullimin global, të domosdoshëm në funksionimin sa më të drejtë të vetë procesit të globalizimit dhe të tregtisë në nivel botëror.
    Të tilla janë në radhë të parë:
   - Rregullimi i sistemit financiar. Thelbi i tij është që asnjë nga institucionet financiare apo fondet e ndryshme të mos i shpëtojnë kontrollit të autoritetit rregullator. Ndryshe e thënë, ky është mënjanimi i skemave të spekulimit për shmangien e riskut të menaxhimit.  
   - Rregullimi i sistemit bankar. Po aq i domosdoshëm është mirëfunksionimi i bankave për të aranzhuar sistemin në tërësi. Për më tepër, bankat të kontrollohen ngushtësisht mbi mënyrën sesi kryejnë punën e tyre, si e shmangin riskun apo e menaxhojnë atë, efektivitetin e kontrolleve të brendshme, etj. Me fjalë të tjera, duhet të detyrohen bankat që të financojnë zhvillimin ekonomik dhe jo spekulimin.
    Në funksion të këtyre synimeve mund dhe duhet të reformohen instrumente ndërkombëtarë (si FMN, BB, OBT) apo të gjenerohen mekanizma të tjerë globalë të mbikëqyrjes kombëtare, pa përjashtim.
* * *
Po aq të domosdoshme janë dhe mjaft rregullime, korrigjime, ndërhyrje apo orientime të tjera. Midis tyre vlejnë të theksohen:
  - Metoda shtrënguese mbi shefat ekzekutivë. Pra, kërkohen praktika të pranueshme për të përcaktuar dhe shtrënguar metodat e pagesës, kompensimit apo “bonuseve” të drejtuesve e operatorëve, të quajtur ndryshe: shefa ekzekutivë, (CEO-chief executive officer). Sidomos për të lidhur në mënyrë sa më të drejtë apo të arsyeshme këtë shpërblim me arritjet konkrete të kompanisë. Po të shihen shifrat e deritanishme thjesht pagesat e tyre vjetore (në vendet e G7-ës) kanë kapur nga disa milionë dollarë në dhjetëra milionë dollarë. Natyrisht, edhe pse ky rast është jashtë të qenit, ai shfaqet me teprime në disa fusha të veprimtarisë. P.sh., i tillë ai shfaqet dhe në “tregun mediatik”!...   
   - Mobilizimi i BE-së. Komisioni Evropian ka propozuar disa masa të reja, tepër të rëndësishme, si kundërvënie ndaj rënies ekonomike. Midis tyre janë dhe ato që tentojnë të frenojnë më tej recensionin ekonomik në nivel evropian e kombëtar. Po ashtu, në emër të simulimit të rimëkëmbjes ekonomike është menduar një ulje e TVSH-së, është realizuar një ulje e konsiderueshme e përqindjes së interesit të Euros në nivelin e Bankës Qendrore Evropiane (ndoshta, e pasuar dhe me ndonjë rregullim pasues), etj. Një çështje tjetër është dhe vetë përmasa e këtij stimulimi. Sipas një vlerësimi të parë ajo mund të arrijë në afro 1-1.5 % të PBB-së të vendeve anëtare të BE-së. Madje, pritet në total një ndërhyrje simuluese në intervalin nga 130 deri në 195 miliardë euro. Por, dhe në këtë rast, ndërtimi i një konsensusi është po aq i domosdoshëm.
    Ndërkohë, në Shqipëri, as nuk është diskutuar, aq më pak menduar, për këto masa. Apo të paktën të mendohej për ndonjë reduktim të TVSH-së për disa prodhime ushqimore të nevojës minimale!...   
   - Mbështetje e aktivitetit ekonomik dhe garantim i kursimeve. Një problem për t’u përballuar është dhe kriza e besimit dhe, mbi të gjitha, garantimi i depozitave. Pra, shteti të garantojë siguri dhe vazhdimësi të sistemit bankar e fiskal, përfshirë dhe ndonjë aplikim të domosdoshëm të procesit të rikapitalizimit. Ky problem vlen të analizohet me shqetësim e kujdes dhe për sistemin bankar shqiptar. Sepse, jashtë euforisë fillestare, mund të lexohen, aktualisht. Jo pak tronditje ndaj depozitave, ndaj vetë besimit të garantimit të tyre...  
   - Vendosje të biznesit e vlerës së punës në zemër të sistemit kapitalist. Të ngrihet e “nderohet” (edhe nga organet tatimore) shpirti i ndërmarrjes në zemër të sistemit të vlerave të ekonomisë kapitaliste dhe për më tepër të restaurohet vlera e punës. Për këtë kërkohen të hidhen në përdorim skema më të studiuara e kontrolluara për oportunitete, kthim-ndarje e interesi në biznes, pra dhe për suksesin e tij. Apo që të kërkohen balancime në shpërndarjen e të mirave materiale midis kapitalit dhe punësimit. Dhe për këtë ndërhyrja e shtetit është mëse normale dhe e domosdoshme. Aq më tepër të spekulohet me konceptin e mosndërhyrjes së shtetit, apo me teorinë e “laisser-faire” ushqyes të krizës aktuale...
    - Të mos rritet kostoja e punësimit dhe e promovimit të investimit. Një problem në vete është ruajtja e konkurrencës. Pra, për të mos dobësuar kompetivitetin midis bizneseve sidomos atyre të vogla, të synohet që të mos rritet kostoja e tyre. Njëlloj, për të mos rritur koston e punësimit, të mos rriten përfitimet apo “beneficet” e tjera, pa rritur të ardhurat financiare.
    Ky është një problem kyç për miradministrimin e ekonomisë shqiptare, shoqëruar ai dhe me korrupsionin tatimor (qoftë neutral, qoftë politik-klanor)! Po ashtu, kërkohet një reformë e taksave lokale të biznesit, madje të shihet mundësia e pakësimit të tyre në një periudhë të dhënë. Po ashtu investimet e reja të mos tatohen në një periudhë të parë, p.sh., deri sa të mbulohet 50% apo 100% investimit, etj.  
   - Reduktim i kostove operative të shtetit për të krijuar hapësirë manovrimi. P.sh., mund të reduktohen shpenzimet qeveritare joefektive. Apo, në mënyrë konsensuale, të tentohet një reformë e domosdoshme administrative dhe e autoriteteve lokale, përfshi këtu dhe riorganizimin territorial-administrativ më të përmbledhur.
   - Rritje e qëndrueshme. Një problem në vete është garancia e qëndrueshmërisë së rritjes. Një ndihmë deri tani kanë dhënë investimet në sektorin e ndërtimit apo vetë projektet e infrastrukturës. Parë në një perspektivë jo aq optimiste, vlen të konsiderohen dhe më tej investime në fusha të tilla si transporti publik e infrastruktura e tij.
 

1 Komente

 Mendoj se dhe ne Shqiperi, Banka qendrore duhet ti pershtatet masave te ndermara nga Banka qendrore Europiane, per uljen e interesit, interes i cili do te ulet dhe ne prill. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).