Vit jubilar i marrdhënieve Shqiptaro-Kineze

E Hëna e parë e vitit 2009 në bursën e Nju Jorkut nisi me një ngjarje të veçantë: gongu i fillimit të veprimeve tregtare nderoi 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve kino-amerikane. Të pranishëm ishin Përfaqësuesi i Përhershëm  i Republikës Popullore të Kinës pranë OKB-së, Konsulli i Përgjithshëm i saj në Nju Jork, që të dy me rangun e Ambasadorit, si dhe ish-Sekretari i shtetit Henri Kizinger, i cili mbahet si arkitekt i marrëdhënieve kino-amerikane.

Shqipëri – Kinë, 60 vjet lidhje miqësie
Mirëpo ndër vendet e para që njohu Repubikën Popullore të Kinës fill pas shpalljes së saj më 1 tetor 1949 ishte Shqipëria. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike u krye as dy muaj më pas, më 23 nëntor 1949 dhe shpejt ato u ngritën në rang ambasadorësh duke pësuar rritje të madhe në të gjitha fushat: diplomatike, ushtarake, ekonomike, kulturore, etj. 

Kulmi i marrëdhënieve miqësore dypalëshe u arrit në vjeshtën e vitit 1971, kur Rezoluta e propozuar nga Shqipëria për pranimin e R. P. të Kinës si anëtare e ligjshme e O.K.B.-së dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit u miratua me shumicë dërrmuese nga Asambleja e Përgjithshme. Pas vitesh përpjekje të pareshtura, kjo ishte pa dyshim një sukses i madh i diplomacisë shqiptare,

Duke lënë mënjanë konturet ideologjike të kohës, angazhimi i Shqipërisë në rivendosjen e të drejtave të mohuara të R.P. të Kinës në OKB është përvojë e vyer prej nga ku mund të mësojnë breza juristësh dhe diplomatësh. Mirëpo ende kjo ose nuk mësohet, ose përmendet shkarazi në tekstet e lëndës të së Drejtës Ndërkombëtare që jepet në fakultetet e drejtësisë në vend. 

Nga ana tjetër, përpjekja e suksesshme e Shqipërisë në OKB i hapi objektivisht rrugën rritjes së ardhshme të rolit dhe peshës ndërkombëtare të R.P. të Kinës.

Si një popull punëtor, mirënjohës dhe me histori e kulturë të lashtë, populli kinez nuk e ka harruar ndihmën e madhe të Shqipërisë, çka vërehet tek përshtypjet e vizitorëve ende të pakët shqiptarë që shkojnë në Kinë për punë zyrtare ose biznes. Madje, siç më thoshte para disa ditësh një zonjë kineze “¨kënga e parë që kam mësuar në anglisht ishte për miqësinë shqiptaro-kineze.” Ndjenjat e miqësisë së sinqertë midis popullit të madh kinez dhe popullit të vogël shqiptar nuk u tronditën as nga pezullimi absurd i marrëdhënieve dypalëshe në fund të viteve 70 prej qeverisë shqiptare të atëhershme, çka e futi vendin në periudhën e izolimit të plotë dhe të së ashtuquajturës “bllokadë”.

Ndryshimet demokratike në Shqipërinë e viteve 90 sollën më së fundi rigjallërimin e marrëdhënieve midis dy popujve e vendeve miq.  Vizita zyrtare të nivelit të lartë në R. P. të Kinës janë bërë nga ana e Dr. Berishës si President dhe Kryeministër, nga Prof. Mejdani si President, nga z. Nano si Kryeministër, nga znj. Topalli si Kryetare e Kuvendit, si dhe nga Kryetari Rama.  Vizita janë shkëmbyer edhe në nivel Ministrash të Jashtëm.

Megjithatë, me përjashtim të Deklaratës së Përbashkët prej 9 pikash të 14 shtatorit 2004 midis Kryetarit të Këshillit të Shtetit Uen Xhiabao dhe Kryeministrit Fatos Nano, që afirmonte vullnetin e mirë dypalësh për fuqizimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, shumë pak është bërë për konkretizimin e perspektivës së shkëlqyer të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve.

Marrëdhëniet diplomatike më të rëndësishme në botë

Nga ana tjetër, vende të tjera nuk ngurrojnë të kenë marrëdhënie të ngushta me Kinën.  Marrëdhëniet kino-amerikane, për shembull, konsiderohen jo vetëm si strategjike nga të dyja qeveritë, por madje edhe si lidhje “ndërvarësie” [Zheminzhibao, 15 janar 2009].

“Sot në botë nuk ka marrëdhënie diplomatike më të rëndësishme se sa ajo çka është arritur midis Republikës Popullore të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara” deklaroi para disa ditësh në Pekin ish –presidenti Karter, i cili edhe vendosi rilidhjen e marrëdhënieve dypalëshe me 1 janar 1979.  Tridhjet vjet më vonë vëllimi i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve është mbi 400 miliard dollarë. Sot ka rreth 145 binjakëzime midis bashkive amerikane dhe kineze, kurse Qendra të kulturës kineze “Konfuci” janë hapur në dhjetëra universitete amerikane e mijëra studentë amerikanë mësojnë çdo vit gjuhën kineze (Nju Jork Tajms, 12 janar 2009). Aq të ngushta janë lidhjet edhe në nivelin më të lartë sa, sipas gazetës “Kina Sot”, Presidenti Bush e pat takuar 19 herë homologun e vet kinez Hu Xhintao gjatë tetë viteve të Presidencës.

Peza e Tiranës apo…?
Edhe Greqia po i jep rëndësi të madhe marrëdhënieve me Kinën. Vizita të nivelit të lartë kanë kryer në Pekin Presidenti Papulias, Kryeministri Karamanlis dhe Ministresha Micotaqis-Bakojani.  Këto janë konkretizuar me marrëveshje të rëndësishme ekonomike e tregtare, sikurse është koncesioni i rëndësishëm kinez në portin e Pireut , hapja e linjës ajrore Pekin – Athinë, etj.  Zhvillimi i mençur i marrëdhënieve me Kinën nga ana e qeverisë greke synon ta kthejë Greqinë në qendrën e hyrjes së kapitalit, investimeve dhe mallrave kineze për Ballkanin, por edhe të rrisë eksportet greke në Kinë.

Po pse të mos e marrë këtë rol Shqipëria?  Emblematike në këtë kontekst është fotoja e shpërndarë vjet nga agjencitë e lajmeve që tregonte Presidentin kinez Hu Xhintao duke ndihmuar në vjeljen e ullinjve në një kooperativë bujqësore në fshatin Pezë. Puna është se nuk kishim të bënim me Pezën e Tiranës, por me Pezën e Kretës…  Dhe të mos harrojmë se bisedimet për lidhjen e marrëdhënieve greko-kineze në vitin 1972 janë bërë nga përfaqësitë e tyre në Tiranë…

Çfarë pret Shqipëria?
Kur një vend i madh si SHBA dhe një vend fqinj si Greqia u kushtojnë rëndësi kaq të madhe marrëdhënieve me Kinën, po Shqipëria çfarë pret? Ka ardhur koha që administrata shqiptare të ngrejë në një nivel cilësisht më të lartë marrëdhëniet me Kinën. Për fat kjo favorizohet nga qëndrimi konstant miqësor i qeverisë kineze, si dhe nga nostalgjia e brezit të tanishëm të drejtuesve dhe biznesmenëve kinezë që ende ruajnë kujtimet e miqësisë së ngushtë të viteve 1960-1970.

Hap i parë do të ishte krijimi i lehtësirave për hyrjen e bankave kineze në tregun shqiptar, përfshirë krijmin e bankave me kapital shtetëror të përbashkët. Një nga mësimet e krizës së pashembullt financiare globale është se shteti nuk qenkërka më gogoli i “tregut të lirë”. Përkundrazi, ndërhyrja masive me kapital shtetëror në industrinë bankare, etj, në SHBA e Angli, e quajtur me eufemizëm si “injektim kapitali”, nuk është gjë tjetër veçse formë shtetëzimi. Për fat të keq, prirja e kundërt vërehet në Shqipëri, ku mbështetur në këshillat e FMN-së e Bankës Botërore, nuk u la bankë shtetërore pa u privatizuar e ndërmarrje shtetërore strategjike pa u hequr nga kontrolli publik shtetëror.

Shteti shqiptar nuk duhet të ngurrojë të ngrejë ndërmarrje shtetërore strategjike duke u mbështetur në “joint ventures” me ndërmarrje shtetërore e private kineze në mbarë ekonominë, sidomos në transport, energji, përfshirë energjinë e gjelbër, telekomunikacion, mjekësi, infrastrukturë, bujqësi, financë,  etj. Teprica e fitimit që do të vinte prej tyre do të mund të transferohej në sektorë jetikë si arësimi, shëndeti publik, rendi, etj. Lidhja e drejtpërdrejtë ajrore Tiranës - Pekin, dhënia me koncesion e portit të Shëngjinit apo Durrësit, modernizimi i infrastrukturës për të gjitha llojet e transportit, hapja e Instituteve Konfuci në Universitetet publike të Shkodrës, Gjirokastrës, Korçës e Vlorës, etj, do të ishin vetëm fillimi.  Madje nga përvoja kineze mund të mësohet edhe në lëmin e drejtësisë e hartimit të legjislacionit sepse juristët kinezë, para se të hartojnë ligje, studiojnë me vemendje përvojën vendase dhe të huaj dhe marrin prej kësaj të fundit çka i duhet dhe përshtatet Kinës - nëse vërtetë i duhet - por kurrsesi pa kopjuar dhe adoptuar fjalë për fjalë tekstin e huaj.

Probleme të vetme në marrëdhëniet dypalëshe janë strehimi i panevojshëm në Shqipëri i pesë ish-të burgosurve të Guantanamos, si dhe qëndrimi ndaj Kosovës. Për problemin e parë mund të gjindet zgjidhje praktike, sidomos me ardhjen në fuqi të z. Obama si President.  Kurse lidhur me Kosovën, zyrtarëve kinezë mund t’u shpjegohet se Kosova nuk gjen kurrfarë paraleleje tjetër në Azi e gjetkë, se ajo ishte njësi konstitutive e Federatës Jugosllave, se anullimi i statusit quasi-republikan të Kosovës solli fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, se Komisioni Badinter nuk u shpreh për Kosovën pasi kjo nuk iu kërkua, se heshtja e tij mund të interpretohet vetëm në favor të njohjes së kufinjve të brendshëm të të gjitha njësive federale të Jugosllavisë, dhe se me shëmbjen e saj pavarësia i takon edhe Kosovës sikurse edhe njësive të tjera, etj.

Duke qenë të ndërgjegjshëm se anëtarësimi në BE mbetet perspektivë e largët edhe si pasojë e mosgatishmërisë së Brukselit dhe ndonjë kryeqyteti tjetër evropian, fuqizimi ekonomik i Shqipërisë me ndihmën kineze do ta bënte vendin më të pavarur politikisht si dhe më tërheqës para syve të skeptikëve evropianë. Sidomos në kushtet e krizës së sotme globale, zhvillimi me përparësi i marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës është domosdoshmëri historike, që do të ndihmonte rritjen reale ekonomike të vendit, do të hapte vende pune, si dhe do të përmirësonte nivelin e jetesës së popullit. Viti i ri kinez, dhe përvjetori i 60 i lidhjes së marrëdhënieve dypalëshe janë rasti më i mirë, edhe pse i vonuar, për të fituar kohën e humbur.

16 Komente

Oh, oh kinezet !

Xhan xhan kinezet ! smiley

Poshte Juli qe del ne radio !

 

Më dëgjove o? smiley Apo thjesht e more vesh? smiley

Shif ktu ça bojnë kta kinezët e tu, se janë të kqi kta.

Kanë filluar tashi ekspansionin në Afrikë për naftë. Po e shfrytëzojnë si amerikoni, mirëpo janë ca më të kujdesshëm, nuk harrojnë të shpërndajnë bursa për në Kinë, edhe i ndihmojnë kto vendet, sponsorizojnë revolucione, u shesin armë me çmim të lirë etj. Gjysma e Afrikës është filokineze.

 

Del llafja del ! smiley

P.S. Kush eshte ai maskara/reshe qi ka votu me pak se 5 yje aty ?

Kur shkon të hash darkë ti? smiley po të pys që t'i jap vlerësimin e duhur (skam votu akoma).

Armik i kinezëve nuk jam, se si thonë pak janë i miliardë ata...

 

Na ka ndritur Politika Mixhiste " Li pen turi QEN - ne po vemi ne Jemen". Rrofte e lulezofte miqsia Shqiptaro -Kineze , nga llojet e miqsive SHEMBULL ne bote . Rrofshon edhe te studiuarit ne KINEN POPULLORE . Desha te shtoja se eshte nje prurje mjaft cilesore!!!!!!

Curcilli ka thene: "Ruajuni rrezikut te Verdhe!"

Dhe Curcilli ka qene burre me mend.

Kulmi i marrëdhënieve miqësore dypalëshe u arrit në vjeshtën e vitit 1971, kur Rezoluta e propozuar nga Shqipëria për pranimin e R. P. të Kinës si anëtare e ligjshme e O.K.B.-së dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit u miratua me shumicë dërrmuese nga Asambleja e Përgjithshme

Tamam sic beri Kina me Kosoven. smiley

 Ne fakt, siç e kam thene dhe me perpara, prishja e marrdhenieve me Kinen ishte gabimi me trashanik i regjimit te asaj kohe. Ka qene ose nje budedallik, mendjemadhesi e politikanve te asaj kohe  ose  kane qene te shtyre nga "patriotet" e nendheshem shqiptare, siç i quaj une lojtaret e sherbimeve serbe e greke, te cilet me "patriotizmin" e tyre ndikojne ne politiken shqiptare, dhe politikanet e tredhur shqiptare, ju besojne ketyre "patrioteve" shqiptare. 

Kina sot, ne fakt eshte e zene me Afriken, ata kane çuar me qindra e mijra misionare aty, biznesmene, inxhiniere, studente, puntore, etj. dhe veshtire ta kene vemendjen tek Shqiperia. Aq me teper qe mallrat e tyre , ata kane filluar ti transportojne me tren nepermjet Rusise, ne baze te marrveshjes qe kane bere dhe me gjermanet.  Tani ekziston dhe treni ndermjet Mongolise dhe Kines (Pekin-UlanBator) qe u shkurton kilometra te tera.  

Mendoj qe duhet te fokusohemi ne Europe dhe SHBA.Me Kinen nuk na lidh asgje.

Edhe ne ate kohe ishin si te huaj ne Shqiperi dhe asnjehere nuk jane pranuar nga shqiptaret(pavaresisht se propoganda komuniste i cilesonte vellezer dhe kosovaret miq).Asnjehere nuk jane bere si te shtepise, pasi jemi shume te ndryshem.Ata jane si mish i huaj kudo.

Sa per biznesin,mos ja qani hallin se biznesmenet tane kane shkuar ne Kine dhe po bejne tregeti.

Greqia dhe te tjeret do tja shikojne hajrin kesaj lidhjeje qe po bejne me Kinen, por do te jete vone.

Shkurt me Kinen duhet te afrohemi vetem nese na kthen borxhin,duke njohur pavaresine e Kosoves.

Shkurt me Kinen duhet te afrohemi vetem nese na kthen borxhin,duke njohur pavaresine e Kosoves.

 

 

Dmth, ne do ti bejme aq shume nder Kines duke i "afruar" miqesine tone sa ajo ne shkembim te kesaj duhet te na bjere ne gjunje. Kjo po qe eshte besim ne vetvete smiley

 Miqesia midis popullit kinez dhe atij shqiptar...

-nisi me te lypme (ndihme internacionaliste) dhe mbaroi me te vjedhura. Enveri gjeti sebepin e "tradhtise" me amerikanet dhe nuk u ktheu asgje nga ajo qe u detyrohej...

- "miqesi e sinqerte"- sa shqiptareve u ka ardhur keq per prishjen me Kinen? 

- Resoluta e OKB-se...nos te behemi qesharake me rezoluten. Mos te kishte qene Nixon dhe Kissingeri perfaqsuesi shqiptar ne OKB dhe sot e kesaj dite do te ishte duke folur (ato 37 sekonda qe i takojne) per te drejten e mohuar te popullit kinez...diplomacia shqiptare ne ato kohera ishte ne nivel qesharak...i kthehej kurrizi ne menyre demostrative diplomateve "armiq", peshtyhej pertoke per ti treguar urrejtjen e thelle, nuk i zgjatej dora shoqeruar me nje veshtrim te eger...me nje fjale treper hesapi si ai trapi qe rrinte i mbyllur ne shtepi dhe ja mblidhte si e ema e Zeqos...ham, ham, ham udhetare qe shkonin rruges per hesap te tyre.

-marredheniet Kino-Amerikane. Keep your friends (Shqiperine) close, and your enemies (guess who) closer. Kjo eshte politika e nje kombi te mençur si Amerika.

Shembet pushteti komunist ne Kine dhe ajo qe vlen 1$ del ne shitje me 5 cent. Kush i blen te gjitha?

-gjithsesi marredheniet diplomatike jane arme e shkelqyer ne ndihme te nje shteti dhe sa me pare te shohim diplomate te kalibrit aq me mire do te jete per ne. Njerez te shkelqyer Shqiperia ka plot.

Ne çdo vend qe vizitoj une shkoj gjithnje per nje kafe ne ambasaden shqiptare dhe kam pare se çfare pune te madhe bejne diplomatet tane edhe ne kushte jo optimale.

Jam i mendimit qe te dyja vendet do te perfitonin shume nga mardhenie me intensive. Zgjerimi i nivelit tregtar me Kinen do te nxiste kapitalin Europjan qe te ishte me aktiv ne shqiperi, do te nxiste konkurencen duke rezultuar ne cmime me te uleta te produkteve dhe sherbimeve per qytetaret por edhe ne mundesi zgjedhjesh me te shumta.

Nje nder me te rendesishmet qe ju keni permendur besoj se eshte linja Tirane, Bejxhing pasi do ta bente aeroportin "Nene Tereza" si pike te rendesishme lidhese te Evropes me Kinen. Do te mundesonte zgjerimin e kompanive ajerore qe operojne ne te, do te jepte mundesi per zgjerimin e kapacitetit te tij dhe ti jepte shtyse per tu krijuar si pike strategjike dhe si ure e rendesishme lidhese. Pastaj dhenia me koncension te porteve gjithashtu do te rriste ninvelin operues te tyre, do te zgjeronte numrin e kompanive operuese, do zhvillonte infrastrukturen e tyre dhe fitimet do te ishin gjithnje ne favor te vendit tone.

Do te argumentoja "thjeshtesine" qe ju tregoni ne kete artikull per te fituar mbeshtetjen e Kines per Kosoven. E verteta me rezulton te jete shume e komplikuar per dy arsye madhore. E para sepse Kina nuk do ja lejonte vetes nje gje te tille, per fatin tone te keq sepse ka territore te veta si Tajvani dhe Hong Kongu qe kerkojne status Republike dhe ajo i kundershton me force. E dyta sepse Kosova shihet si "produkt" Amerikan gje qe e ben edhe me te ngjashme per Kinen per ta kundershtuar pasi Amerika eshte nxitese e levizjeve te tilla brenda territorit te saj. Por nga ana tjeter eshte per tu pershendetur vertete "heshtja" e Kines qe gjithnje eshte ne favorin tone.

Kam nje profesoresh qe eshte Kineze dhe po me fliste nje dite per nivelin e mardhenieve ndermjet vendeve tona dhe e shikonte ate kohe si nje kohe mardhenjesh teper te ngushta, kujtonte me ironi "marrezite e diktatoreve" dhe e cilesonte si interesante miqesine midis Kines dhe Shqiperise.

Une uroj qe mardheniet te intensifikohen.

alproud,

Sado krenar te jemi per ate dheun e mjalte qe leme prapa e qe tushes i grin dhembet dita dites, icik me te matur; linja ajrore Tiron-Pekin do te realizohet atehere kur teknologjia te na lejoje ndezjen e turbinave me uje te kripur.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).