Urdhri për zyrtarët: Vjehrri e vjehrra të tregojnë xhepat

Shtrëngohen masat e kontrollit të pasurive për zyrtarët e lartë të shtetit. Përmes një urdhri me numër 77, datë 26 dhjetor 2008, kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla, ka miratuar formularët e rinj të deklarimit. Këta të fundit, deri në këtë vendim, kishin në total një numër prej tetë faqesh, ku gjashtë prej tyre i plotësonte zyrtari. Ndërsa dy të fundit i plotësonin personat që janë në certifikatë familjare me të dhe që kanë pasuri më vete; pra, bashkëshorti/bashkëshortja dhe fëmijët madhorë. Pas këtij ndryshimi, në katër faqet shtesë, do të plotësojnë edhe fëmijët madhorë që janë jashtë certifikatës familjare, vjehrri/vjehrra, motra, vëllai i zyrtarit që është subjekt i deklarimit të pasurive. Në këtë formë, shtohet spektri i personave të lidhur me zyrtarin që deklarojnë pasurinë e tyre. Kjo besohet se do të ndihmojë Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive që të zbulojë më shumë raste të Konfliktit të Interesit. Me këtë formular, këta persona në lidhje familjare me zyrtarin, detyrohen që të bëjnë të ditur burimet e tyre të financimit dhe të kuptohet nëse janë ose jo në konflikt interesi me zyrtarin si deklarues kryesorë. Siç ishin deri më tani, do të vazhdojnë të ekzistojnë tre formularë deklarimi; i pari për interesat private para fillimit të detyrës, i dyti për interesat private periodikë/vjetor; i treti për interesat private pas largimit nga funksioni. Në faqen e parë të formularit duhen shkruar gjeneralitetet e subjektit të deklarimit, data e fillimit të detyrës dhe ajo e deklarimit. Në faqen e dytë shënohet përbërja familjare e zyrtarit sipas certifikatës së gjendjes civile. Në faqen e tretë bëhet deklarimi i interesave private, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme. Në faqen e katërt shkruhen të ardhurat e përftuara nga angazhimet publike dhe jopublike. Në faqen e pestë shënohen të gjitha detyrimet financiare ndaj personave juridikë apo fizikë qofshin ata. Në faqen e gjashtë rezervohet sërish hapësira për të shënuar të dhënat konfidenciale që kanë të bëjnë me emra individësh apo numra llogarish bankare. Në faqen shtatë shënohen të dhënat për ata që cilësohen persona të lidhur me zyrtarin. Në këtë kategori hyjnë: bashkëshorti/bashkëshortja, fëmijët në moshë madhore (të ndarë ose jo nga prindërit) dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es. Kur pasuria e pjesëtarëve të familjes të cituar më sipër është e ndarë dhe e regjistruar si e tillë në organet e administratës shtetërore ose gjyqësore, deklarimi paraqitet veçmas nga çdo anëtar i familjes me pasuri të disponuar veçmas dhe i bashkëlidhet deklaratës së personit që ka detyrimin për deklarim. Në faqen tetë paraqitet formulari i deklarimit të interesave private për këto kategori të mësipërme. Në faqen tjetër parashikohen të dhënat për përbërjen familjare të fëmijës në moshë madhore të ndarë nga prindërit me pasuri veçmas. Më tutje vjen formulari i deklarimit të interesave, pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme dhe pas tij faqe për të ardhurat e krijuara nga angazhime dhe veprimtari private apo publike të personit të lidhur me zyrtarin.

4 Komente

eh kush ka kohe ta lexoje gjithe librin...

Natyrisht që nga lista përjashtohen: parlamentarët, anëtarët e qeverisë, nëpunësit e ministrive, të pushtetit qëndror dhe lokal.... amaaaa, ilaqim, bon vaki dhe gjejnë ndonjë vjehërr mësusi apo polici (për tëmos thënë doktori) me ndonjë pare të pajustifikume, do ta varim në litar smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).