Udhëkryqi i ujgurëve ‘shqiptarë’

Të parën gjë që kanë kërkuar, në Qendrën e Emigrantëve në Babrru, shtetasit ujgurë, ishte një hartë. Pastaj, një ditë të tërë, kanë dhënë e marrë mbi të, por Shqipëria s’gjendej. E dinin se ishte në Evropë, por ajo s’dukej kurrkund, kujton Abuja. E kishin parë në vendin e tyre në filmat dhe doemos e përfytyronin tejet të madhe. Misteri i udhëtimit, që ishte bërë natën dy vjet më parë, dhe ardhja në një aeroport gati pa drita, ua kishte fashitur disi vendin e ri. Kujtuan se i kishin kthyer në Kinë. Burrat me kravatë dhe me tipare evropiane që i kishin pritur, u kishin hequr dyshimin për Shqipërinë... por jo frikën Abu Bakker Qassim, Adel Abdu Al Hakim, Ahtar Qassim, Ayup Haji Ahmet dhe Ahmet Doe.

Për Guantanamon - më mirë heshtim
Ajo frikë i kishte mbajtur vazhdimisht në alarm për katër vjet e gjysmë në burgun e Guantanamos. Sot, kur e kujtojnë, u vjen mirë që burgu do mbyllet. Një nga aktet e para, që priten të firmohen në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti i ri, Barak Obama, është lëvizja e qindra të burgosurve nga burgu i Guantanamos drejt SHBA-së. Pas vitesh të tëra privimesh, shumica prej tyre do të përballet me gjyqe të specializuara të çështjeve të terrorit. Gjatë fushatës së tij elektorale z. Obama e përshkoi Guantanamon dhe burgjet sekrete të CIA-s si një “kapitull të trishtuar në historinë amerikane”. Edhe pse Bota e Civilizuar ka marrë frymë thellë, kjo gjë, tashmë është e huaj për ta. Ujgurët, që kanë fituar statusin e azilit politik në Shqipëri, pak u bën. Shteti shqiptar ka filluar t’u rrëfejë indirekt se nuk mundet më t’i mbajë financiarisht, kurse avokatët e tyre janë kthyer bosh kudo ku kanë trokitur nëpër botë. Gjermania, Kanadaja, Australia etj., duke mos dashur të prishen me Kinën, vendin e tyre të origjinës që i ka dënuar, kanë hezituar duke ia lënë peshën e vetme Shqipërisë. Dy vjet më pas, ujgurët kanë hequr mjekrat, ndërsa veshjet e dikurshme u kanë lënë vend rrobave të lira shqiptare. Strehohen në Tiranë, ku dy prej tyre banojnë pranë zonës, që njihet me emrin “21 Dhjetori”; kurse dy të tjerët në Tiranën e Re. Më fatlumi ka gjetur mundësi të shkojë tek e motra në Suedi. Burrat ujgurë flasin pak, kurse trishtimi i tyre shumë. Kanë humbur atdheun e tyre. Kanë humbur familjet. Pasurinë. Jetën e zakonshme. Të vetëm, krejt anonimë, u duhet që për çdo ditë në një vend që flet një gjuhë krejt tjetër dhe me zakone të tjera, të përshtaten. E vetmja ndihmë e tyre ka qenë besimi i Islamit. Ai, që ‘i futi’ edhe pa dashje në këtë qorrsokak. Besimi ka qenë mundësia e vetme e integrimit në jetën shqiptare. Dikush u ka afruar praktikë tek një nga piceritë “Hallall” në rrugën Hoxha Tahsim. Njërit prej tyre po i mësohet shqip, ndërsa tjetri ka filluar studimet universitare në universitetin privat “New York”. Kanë mbetur gati të paprekshëm për median vendase (që ka abuzuar shumë me ta), ndërsa në pak raste, që u janë shkëputur pak fjalë nga perëndimorët, u janë nxjerrë gjëra që s’kanë lidhje fare me ta. Këtë e kupton nga ngurrimi, por më shumë procedura e stërgjatë e bisedës me ta. Ka qenë i njohuri dhe një nga mbështetësit e tyre, Ahmet Dursun, krijuesi i restorantit “Efendi”, që ndihmon në përkthim dhe në kontaktin me ta. Ai është njeriu që e ka ndjekur prej kohësh mbijetesën e tyre. Falë një projekti për mbjelljen e pemëve, ai i angazhoi ata të mbillnin. Kjo punë gratis e tyre në dobi të komunitetit të fëmijëve ishte një nga punët që u hoqi atyre përfundimisht vulën e terrorizmit dhe paragjykimit. Kurse Ahmetit i kushtoi mosardhjen më - të disa prej klientët e tij. Ani, puna pret.
Abuja, 39-vjeçar, që bën dhe punën e zëdhënësit të tyre, flet më shumë se të tjerët. Fillimisht i druajtur. Me pak fjalë shqip që i shqipton: “Në radhë të parë Guantanamo është një gjë shumë e keqe”. Këtu futet Ahmeti në përkthim, që mundohet të përshtasë nga turqishtja e vjetër: Tani e kuptuan amerikanët se folën shumë avokatët dhe ata janë të ndërgjegjshëm dhe nuk e kanë qejf fare. Kam përshtypjen se i gjithë populli amerikan nuk e do atë. Ndërkohë gjithë bota e di si shtet demokratik dhe i beson parimeve demokratike që ka ndërtuar. Kjo është një gjë shumë e keqe dhe e papranueshme. S’kam pasur asnjë lloj problemi as unë dhe as ata. Problemi ynë ka qenë të Drejtat e Njeriut në Kinë, që e dinë mirë SHBA dhe e gjithë bota. E para gjë, të cilën duhet të bëj OBAMA është ta mbyllë. Zyrtarisht do jetë lajm i gëzuar dhe për ne. Do jetë një lajm i mirë për Amerikën dhe e mira është që të heq mëdyshjet që ka për Guantanamon, sepse në Turkistanin Lindor i është besuar shumë demokracisë në atë vend. Mbyllja e saj do të thotë fund i pikëpyetjeve për të. I jemi mirënjohës popullit shqiptar që na pranoi ndryshe nga të tjerë që nuk na pranoi”...Hesht. Është Ahmeti që drejton bisedën tani.

Kthim pas
Besimtarët ujgurë janë pjesë e komunitetit mysliman në Kinë dhe vazhdimisht të persekutuar në këtë vend. Atë ditë, që lanë shtëpitë e tyre ujgurët ‘shqiptarë’ në krahinën Xingjang të Kinës, nuk e mendonin kurrë se kjo do ishte e fundit. Ikën të gjenin një vend të sigurt, ku do mund të studionin Kuranin. Një grup i tërë prej 17 vetash, të gjithë me mjekër (formë e besimit), që u nisën një ditë drejt Pakistanit dhe më pas në Xhalalabad të Afganistanit. Ndërkohë Amerika ishte ndezur flakë dhe bomba pa fund po binin mbi Afganistan. Ujgurët u kthyen në Pakistan, por nuk kuptuan se vendasit e të njëjtit besim, pas gostisë së ngrohtë që iu afruan, po i dorëzonin tek amerikanët. Atëkohë, kuptuan përmbajtjen e atyre fletushkave, që i mbanin me aq kujdes dhe si relike “mikpritësit” e tyre. Ishin fletushkat e hedhura në Afganistan dhe pastaj në kufirin e Pakistanit me mesazhin e mëposhtëm: “Hunt an Arab, become rich forever.” (Të gjuash një arab bëhesh përjetë i pasur) . 20 dhjetor 2001 ishte fundi i lirisë së ujgurëve. Reklama thoshte se për një terrorist ishin në dispozicion 5000 USD, kurse për një krye-terrorist 5 milionë USD. Deri në atë kohë, burrat mëtojnë se nuk dinin asgjë për atë që kishte ndodhur me Kullat Binjake. Ashtu si nuk do dinim asgjë edhe për Guantanamon. Në burgun e Pakistanit, pas katër muajsh, njerëz me siglën e Kryqit të Kuq (ata vetë e thonë por nuk mund ta provojnë kët&eumlsmiley u pohuan se nga këtej - ata do përcilleshin diku, ku të kishin shtëpi, të laheshin dhe të ushqeheshin mirë. Abuja, tashmë pret sa të përkthejë Ahmeti dhe shikon vetëm nga ai. Si në një rrokopujë personazhe, ngjarje, politikë...dhe Guantanamo, i dalin nga goja. Por në ‘parajsën’ drejt Kubës që po i çonin burrat, që në udhën e ajrit, e dinin se ishin drejt ferrit. I lidhën. “Ishim 20 veta në aeroplan... ishim me kapallëk, me kapuç në kokë dhe rrobat portokalli. Aty u futëm në kafaz dhe atje gjithçka ishte prej hekuri”.
Hekuri dhe qetësia vrastare do ishin gjërat e para me të cilat do i duhej të mësoheshin në Guantanamo. “Kuptohet se nuk ishte ajo që na ishte thënë”, - thotë Abuja. Në vesh u kumbonin ende fjalët, që u thoshin njerëzit që u prezantoheshin si njerëz të Kryqit të Kuq në Kandahar: “Do keni fusha futbolli, madje po të doni dhe mund të martoheni aty... Ka femra... Keni për të shkuar dhe nuk do të doni që kurrë të ktheheni. Aq mirë do kaloni”. Burrat mëtojnë se nuk ka rrahje normalisht. Të paktën, ujgurët nuk u keqtrajtuan. Por, u kuptua se problemi nuk ishte aq i vogël sa ishte në të vërtetë. “Ne u futëm në një problem të madh”, thonë ujgurët ‘shqiptarë’. Akuzat ndaj tyre ishin se: kishin bashkëpunuar me talebanët. “Mund të më tregoni ndonjë gjë të saktë, thotë Abuja duke u munduar të bëj dialogun e gjyqit. Jo ne nuk e dimë - Abuja bën indiferentin. Nëse ne nuk e dimë kush e di. Më tregoni një provë. Ne nuk e kemi. Ne kemi dyshime”. Historia vazhdoi e njëjtë për katër vite e gjysmë në Guantanamo, sepse gjyqi bëhej vetëm njëherë në vit. “Për burgun shqiptar nuk e di se si është. Mund thjesht ta imagjinoj. Kemi kaluar kohë shumë të vështira. Dhe, në Shqipëri ka 5000 të burgosur dhe të paraburgosur, por Guantanamo është diçka krejt tjetër”. Çfarë ndryshimi ka, si e hamendëson, e pyesim. “Nuk kishim fare lidhje me familjen dhe asnjë lloj lajmi. Vetëm se rrinim brenda një kafazi dhe asnjë nga njerëzit e dashur s’mund të vinte aty dhe as nuk e di se ku do të dalësh që aty, sepse ligje nuk ka. Aty s’ka as ligje komuniste dhe as demokrate. Po të dojë të jep bukë po të dojë jo. Dhe ka ndodhur”. Po ndëshkimet? - i pyesim. “Kam pasur një debat me një ushtar dhe i thashë se nuk je ushtari amerikan. Ti, thjesht po vepron me kokën tënde. Në Guantanamo çdo gjë arrin kulmin sepse ushtarët veprojnë me kokën e tyre dhe ligjet nuk bashkohen as me sistemin komunist dhe as me atë demokrat. Kur shkon atje ku s’mban vjen gjenerali dhe ti je i detyruar që e kërkon faljen”. Por, Guantanomo s’mund të quhet ende kapitull i mbyllur, sepse edhe 17 ujgurë që janë totalisht të pafajshëm gjenden ende atje. “Ligji thotë se janë të pafajshëm dhe nuk lirohen”, e mbyll Abuja.

Intermexo-familjet e tyre
Ujgurët e mbetur tash në Guantanamo dhe ujgurët e Shqipërisë kanë një hall të përbashkët. Ato janë familjet e tyre dhe pamundësia, që ndonjëherë do mund të bashkohen. “Kam tre fëmijë dhe gruan pa punë. Jeton me pensionin e të ëmës, që jeton ndërsa i ati i ka vdekur. Kam një vëlla që i ndihmon herë pas here me ndonjë ndihmë. Shpesh shkon policia që i pyet për ta, por nuk i shqetëson”. Për Bajram, me pak lekët e mbledhura u kanë dërguar diçka familjeve të tyre. Njësoj dhe të tjerët, me pak lekët e kursyera, kanë gjetur një mundësi për Bajram që t’u dërgojnë diçka familjeve të tyre. Kush më pak dhe kush më shumë, falë postës, kanë gjetur një mundësi për t’u dhënë sadopak kënaqësi familjeve të tyre.

Shqipëria
Vetëm se nuk kanë ndonjë shpresë të madhe t’i sjellin në Shqipëri njerëzit e tyre, ndërsa kanë filluar të mësojnë shqip dhe me veshët e ngrehur presin se ku do t’i çoj fati në të ardhmen. Deri më tashti u janë kthyer të gjithë përpjekjet e avokatëve të tyre. Pas një viti e gjysmë, që kanë qëndruar në Babrru, ata tashmë gjenden më të lirë. “Kushtet ishin jo të mira, për sa i përket integrimit tonë në Babrru, sepse nuk kishim atë mundësi. Pastaj dolëm. Na dhanë shtëpi me qira. Shkuam dhe në xhami, ku kemi komunikim normal. Një ditë erdhën në restorantin e Ahmetit për një adresë dhe atje kishin qenë dhe një grup gazetarësh në një drekë. Ahmetin, që tashmë veç të tjerave drejton dhe Qendra për Përgjegjësi do u jepte idenë e bashkëpunimit me të. Duke ditur mallin e familjes së tyre, ai do t’i fuste më vonë në projektin e mbjelljes së pemëve. “Unë i kisha parë shumë më parë dhe i bëra një test duke u treguar se për çfarë ishte projekti dhe për çfarë bënte fjalë. Abuja erdhi dhe prezantoi një pjatë të vendit të tij dhe e gatoi vetë: një pilaf me karota dhe mish fantastike”. Deri atëherë këtë punë e kishin bërë vetëm diplomatë të vendeve të ndryshme. Dursun, që së fundi ka prezantuar një roman në shqip, nuk do ndalej më këtu. Ai do t’u sugjeronte thjesht për ndihmë dhe mundësi të tjera ujgurëve, që tash po shqiptarizohen pak nga pak. Për të ndihmuar fëmijët e të burgosurve, për të ndihmuar fëmijët e ndryshëm shqiptarë. Abuja nuk flet. Papritmas shqipton:
“Tani na kuptuan. Më parë ishte shumë e vështirë ndërsa populli shqiptar na ka kuptuar. Tashmë, nga anët e tjera është e lehtë për ne dhe është kaluar. Kurse është keq për popullin amerikan, që tash po informohet për atë realitet që ka ndodhur dhe është duke ndodhur. E veçoj popullin amerikan nga politika e Guantanamos”, mbaron diplomatikisht.
...
Turkistani Lindor është 1.5 milionë kilometër katrorë ose rreth më shumë se 50 herë nga Shqipëria, vendi i ri, që ujgurët nuk e gjenin dot atë ditë-natë në hartë. Është vendi i tyre i ri, pas ikjes nga Guantanamo dhe me shpresën e madhe... dhe pas mbylljes së tij. Një vend, që nuk u jep dot bukë të mjaftueshme, por të paktën u ka falur qetësi. Qetësi para udhëkryqit të rëndë të jetës së tyre.

4 Komente

Keshtu eshte kur kapesh ne vendin e gabuar, ne kohen e gabuar dhe me trute e gabuara.

Kush i solli keta ujguret ne ate aeroportin pa drita? Pse Amerika i mbajti per sa kohe ishin te dyshuar e pastaj i leshoi kur s'iu deshen me? Me c'fare marreveshje i pranoi Shqiperia keta ish-te burgosur qe i refuzoi Gjermania, Suedia, Kroacia e madje edhe Maqedonia? Pse xhanem shteti shqiptar ka qef kaq te madh te shtrihet barkas per kapricot amerikane e e kthen tere Shqiperine ne Guantanamo po iu kerkua, e nuk sheh perjashtimin e diskriminimin qe po i bejne fqinjet europiane?

Ujguret jane myslimane qe vijne te rehatohen ne nje vend me shumice myslimane. Perralle e bukur. Per ata te shkrete eshte shpetim, por per ne eshte nje tjeter gur ne identifikimin e Shqiperise si vend mysliman, fort i orientuar drej bindjes amerikane e po kaq fort i perjashtuar nga "qyteterimi perendimor me rrenje ne Europe".

 

 Ujguret e shkrete nuk e dine se Guantanamo, he per he nuk do te mbyllet. Obama sapo deklaroi kete jave se mbyllja eshte pak e veshtire, por denoi torturat e CIA-s e shtoi se nuk do te lejohen me tortura si fizike ashtu dhe psikollogjike. Per ta zbutur habine e milionave njerzeve, Obama shtroi dhe tezen se Bushi dhe tere ata qe kane te bejne me Guantanomon, do te pergjigjen para ligjit. Keshtu qe nuk eshte çudi te shohim Bushin para drejtesise, nese llafet e Obames nuk i merr era.

Mendoj se nje nga shkaqet qe e shtyne Obamen te terhiqet nga premtimi i tij per mbylljen e burgut famekeq te Guantanamos, eshte mos pranimi i te burgosurve (qe do liroheshin) nga vendet europiane dhe vende te tjera. Amerikes i ka ngel dopio gjashta ne dore. Ti fusi ne territorin amerikan, nuk guxon ngaqe i ka bere armiq me zor. Ju ka hap pune e madhe ju ka hap, nga torrollaket e CIA-s.

 Ujguret e shkrete nuk e dine se Guantanamo, he per he nuk do te mbyllet. Obama sapo deklaroi kete jave se mbyllja eshte pak e veshtire, por denoi torturat e CIA-s e shtoi se nuk do te lejohen me tortura si fizike ashtu dhe psikollogjike. Per ta zbutur habine e milionave njerzeve, Obama shtroi dhe tezen se Bushi dhe tere ata qe kane te bejne me Guantanomon, do te pergjigjen para ligjit. Keshtu qe nuk eshte çudi te shohim Bushin para drejtesise, nese llafet e Obames nuk i merr era.

Mendoj se nje nga shkaqet qe e shtyne Obamen te terhiqet nga premtimi i tij per mbylljen e burgut famekeq te Guantanamos, eshte mos pranimi i te burgosurve (qe do liroheshin) nga vendet europiane dhe vende te tjera. Amerikes i ka ngel dopio gjashta ne dore. Ti fusi ne territorin amerikan, nuk guxon ngaqe i ka bere armiq me zor. Ju ka hap pune e madhe ju ka hap, nga torrollaket e CIA-s.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).