“Telashet e Ballkanit”

"Wall Street Journal"

Bosnja dhe Kosova me të madhe janë zhdukur nga syri i opinionit. Washingtoni dhe Brukseli shpresojnë se premtimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të triumfojnë përballë tensioneve etnike në rajon. Sikur të ishte kështu.

Megjithatë, ndarjet në Bashkimin Evropian po e lejojnë Ballkanin të rrëshqasë drejt një jostabiliteti edhe më të madh, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten anash. Investimet masive të Amerikës në rajon gjatë viteve të 90'ta mund të zhyten në një treg të rrezikut të lartë.

Bosnja është një shtet jofunksional, i cili jeton nën kërcënimin e vazhdueshëm të rajonit autonom serb për të mbajtur referendumin mbi pavarësinë. Kryeministri mysliman i Bosnjës synon ta shfuqizojë Marrëveshjen e Daytonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë më 1995, t'i japë fund autonomisë serbe dhe të formojë një shtet unitar. Mbikëqyrja ndërkombëtare ka dështuar në zbutjen e tensioneve midis grupeve etnike. Plagët e luftës janë ende të freskëta.

Shteti i ri i pavarur i Kosovës, ende i panjohur nga dy të tretat e shteteve të botës – përfshirë këtu edhe pesë vende anëtare të BE-së – mezi që po funksionon pas 10 vjetësh administrimi nga Kombet e Bashkuara. Ka një papunësi të lartë dhe pak investime të huaja dhe ka nevojë për ndihmë të madhe nga jashtë.

Dëmi më i madh politik për këtë shtet të ri vjen nga veriu i banuar me shumicë serbe, pjesë kjo e cila vazhdon të udhëhiqet nga Beogradi, pa ndonjë vërejtje më thelbësore nga BE-ja ose SHBA-ja. Kjo në fakt ndan shtetin e brishtë të Kosovës dhe sforcon tensionet e vazhdueshme etnike.

Shkaku kryesor për pjesën më të madhe të këtij jostabiliteti ende gjendet në Beograd. Edhe pse qeveria e re synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ajo insiston që t'i udhëheqë serbët në Kosovë dhe është duke bërë çdo gjë që është e mundshme për ta kthyer prapa pavarësinë.

Në Bosnjë, Beogradi është duke punuar me Moskën për të forcuar autonominë serbe me mbështetje politike dhe posaçërisht ekonomike. Dhe, përkundër garancive që jep për të arritur të ardhmen evropiane, Serbia vazhdon të jetë e mbështjellë me të kaluarën, duke dështuar të dorëzojë të dyshuarin për krime lufte, Ratko Mlladiq, në Tribunalin e Hagës.

Bashkimi Evropian, i cili beson se Serbia është qendra e Ballkanit, është duke bërë pak për ta tërhequr atë jashtë kësaj balte. Të gjitha vendet anëtare janë të prira të besojnë se nën presidentin pro-evropian Boris Tadiq, Serbisë duhet t'i lejohet të ndjekë rrugën e saj drejt procesit për të hyrë në BE – pavarësisht nga politikat e saj në raport me Kosovën dhe Bosnjën dhe faktit se Serbia ende nuk i përmbush kërkesat e BE-së për reforma politike dhe ekonomike.

Brukseli ka frikë se çdo dështim për t'i dhënë mbështetje të fuqishme zotit Tadiq, mund t'i sjellë në pushtet nacionalistët ekstremë. Shtetet e Bashkuara me të madhe janë pajtuar me Bashkimin Evropian. Brukseli dhe Washingtoni duket se besojnë se koha dhe paraja mund t'i zgjidhin problemet. Qeveria e Serbisë ndërkaq - të paktën për qëllime të brendshme - thotë se beson se e ka bindur me manovra Bashkimin Evropian të premtojë anëtarësim pa i zgjidhur më parë mospajtimet territoriale.

Për ta ndalë këtë trend të kthimit prapa në Ballkan, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të tregojnë një vendosmëri më të palëkundur dhe qartësi më të madhe. Për të parandaluar kthimin e dhunës etnike në Bosnjë, Përfaqësuesi i Lartë, i cili administron zbatimin e Marrëveshjes se Daytonit, duhet të mbështetet qartazi nga BE-ja, duke përfshirë këtu edhe ruajtjen e nivelit të tashëm të forcave paqeruajtëse. Përfaqësuesi i Lartë duhet të ringjallë reformat kushtetuese.

Duke marrë parasysh kundërshtimin e Moskës, nuk është e mundshme të arrihet një marrëveshje për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Por, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, misioni i ri i të cilit tani operon edhe në veri të Kosovës, mund të fillojnë procesin e riintegrimit të pjesëve të këtij shteti të ri, të kontrolluara nga serbët, duke siguruar që rendi dhe ligji nuk administrohen nga Beogradi.

Deri më tash, kokat e ftohta kanë fituar në Kosovë, duke mos u lënë hapësirë ekstremistëve që të bëjnë përpjekje ta rimarrin veriun me dhunë. Por, Perëndimi duhet të jetë i shpejtë që t'i lejojë Kosovës ta qeverisë gjithë territorin e saj, për të mundësuar fitoren e paqes.

Serbia, Bosnja dhe Kosova e kanë vendin në Bashkimin Evropian. Pasi të jenë bërë vende anëtare, kufijtë nuk do të jenë edhe aq relevantë. Por, BE-ja duhet ta bëjë të qartë se anëtarësimi nuk është i mundshëm me çështjen e Kosovës ende të pazgjidhur apo me Bosnjën ende në rrezik.

Asnjë nga këto nuk do të jetë e lehtë për BE-në, meqë duhet të arrijë pajtimin e 27 vendeve anëtare. Shtetet e Bashkuara kanë probleme të tjera edhe më jetësore për sigurinë e tyre, se që ka Ballkani. Por, me një veprim të përbashkët, Brukseli dhe Washingtoni kanë arritur t'u japin fund luftërave në Ballkan gjatë të 90'tave. Tani është koha që të punojnë bashkërisht për të vendosur një paqe jetëgjatë në rajon.

1 Komente

 "....Por, BE-ja duhet ta bëjë të qartë se anëtarësimi nuk është i mundshëm me çështjen e Kosovës ende të pazgjidhur apo me Bosnjën ende në rrezik...."

 

Kete gje EU duhet t'ia beje te qarte Serbise.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).