Të tjerët na i kryejnë punët

Nga http://www.telegrafi.com

Avni Zogiani

Qytetërimi është në rrezik. Në mos qenshin liderët e konceptit të multietnicitetit nga Lugu i Leshanit ta shpëtojnë atë, ka rrezik që qytetërimi po zhduket. Jugosllavia si koncept multietnik dështoi duke qenë se u ndërtua në kurriz të ndonjë etniciteti aty-këtu që pak a shumë konsistoi të jetë në kurriz të shqiptarëve dhe të boshnjakëve. Mirëpo, falë zotit, sot po ringjallet ky koncept me përkrahës të flaktë shqiptarët, kudo që janë, por sidomos multietnikët e Lugut të Leshanit. Shqiptarët, nga para marrin inkurajime për tolerancë, mirënjohje për lojalitet, shpërblime për ndërtimin e mediave multietnike, lëvdata se janë faktor stabiliteti në rajon. Po nga mbrapa ama marrin vetëm të ngulura.

Si askushi, shqiptarët e moderuar kanë ngelur të vetmit në Ballkan që jo vetëm që s’kanë parti radikale e nacionaiste, por nuk kanë as ndonjë person me ndikim të madh që ka një mendim që eventualisht mund të replikojë “ndërkombëtarët”. Thjesht shqiptarët kudo janë, janë bërë shembulli i njerëzve të moderuar në një xhungël të nacionalizmave ballkanas. Kurse, popuj ballkanas, edhe sot e kësaj dite sendërtojnë të ardhmen e tyre në kurriz të shqiptarëve dhe këta të fundit për këtë pranojnë të lumtur si shpërblim një rrahje të lehtë shpatullash. Të qartësohemi se është për t’u vlerësuar toleranca dhe sidomos ajo ndëretnike që përfaqësojnë shqiptarët. Mirëpo, kjo tolerancë e përcjell me degradime të vazhdueshme të pozicionit të tyre në rajonin e mbushur me nacionalizma mund të shihet edhe si qyqarllëk. Përveç kësaj, thjesht ky lojalitet i shqiptarëve nuk është duke u vlerësuar nga askush!

Pas tërë tragjedive që shkaktuan serbët në Ballkan, jo që nuk flitet për një pendim të tyre, por në kurriz të shqiptarëve ata madje po përmirësojnë prospektin e integrimit në Evropë dhe mundësinë e heqjes së regjimit të vizave. Serbët flasin si viktima e shqiptarët dolën në pozicion të mbrojtjes. Në kurriz të shqiptarëve pjesa e banuar me maqedonas në Maqedoni po përparon zhvillimin infrastrukturor dhe të bujqësisë me fonde të BE-së. Në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve grekët madje kanë ngritur pretendime territoriale ndaj jugut të Shqipërisë.

E çfarë bëjnë shqiptarët? Ata thjesht ofrojnë lojalitet pa asnjë kusht. “Ne rrijmë, të tjerët na i kryejnë punët” do të thoshte zëvendësministrja e jashtme Vlora Çitaku. Si në reklamën e fastfood-it “Stake n’Shake”: you sit and we do the work! Ky është mentaliteti që në mënyrën më eksplicite dhe banale është thënë nga politika kosovare. Ne rrimë e të tjerët po na i kryejnë punët, por të tjerët po i kryejnë punët tona siç iu përshtatet atyre ama. Afro 30% e shqiptarëve në Maqedoni vetëm ëndërr mund t’i kenë privilegjet e 5% të serbëve në Kosovë, ose të 2% të grekëve në Shqipëri. Mbi 200 mijë shqiptarë në Luginën e Preshevës nuk kanë të drejta as sa fshati Partesh i Vitisë, i cili me disa mijëra banorë do të ketë komunën dhe gjykatën e vet si dhe mundësinë për lidhje horizontale e vertikale e tërthore e të çfarëdoshme me vendbanimet e shtetin serb.

Nuk është vetëm toleranca politike e shqiptarëve ajo që vlerësohet më pak krahasimisht me etnitë tjera në Ballkan. Sot shqiptarëve iu tregohet haptazi se ata thjesht duhet t’i dorëzojnë vlerat e veta ekonomike për të huajt duke mos pretenduar të marrin çmimin e kompanive ne rajon. Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaqit (edhe ministrit të ekonomis&eumlsmiley kohë më parë në një takim në Prishtinë publikisht dhe troç iu tha nga “ekspertë” ndërkombëtarë të USAID: mos pritni t’i shisni kompanitë publike me çmime të rajonit!

Ata e pranuan këtë me entuziazëm dhe nuk e pyeten veten, pse kompanitë e Kosovës kanë vlerë më të ulët sesa tregu? Mos kompanitë tona publike e kanë zgjeben? Dhe, sidomos, si është e mundur të dihet çfarë çmimi do marrim kur vlera e këtyre kompanive nuk po lejohet të caktohet? Po ashtu kryeministri Sali Berisha ka hapur Shqipërinë pa kusht, pa e parë interesin e publikut shqiptar për investime të përbashkëta në energjetikë. Tërë ky muhabet është më i thjesht se që shitet në të vërtet. Vlera që ofron një popull njihet pikësëpari nëse ai popull e vlerëson vetë atë si të njëjtë me vlerat e të tjerëve. Nëse vetë nuk i vlerëson vlerat tua si të baras-vlefshme me të tjerët, pse të pritet që tjetri t’i vlerësojë ato më shumë?

Përgjithësisht ky qëndrim i shqiptarëve i ka bërë ndërkombëtarët të përdorin standarde të dyfishta në diskursin e tyre politik. Kështu, është banalitet çka quhet ekstremizëm tek shqiptarët dhe në anën tjetër fjala ekstremist pothuaj se nuk zbatohet fare tek serbët edhe atëherë kur ata djegin ambasada. Standardin e dyfishtë në retorikën e ndërkombëtarëve më së miri e ilustron demonstrata e serbëve në veri pas shpalljes së pavarësisë krahasuar me atë të Lëvizjes Vetëvendosje në shkurt të vitit 2007.

Derisa serbët po demolonin, plaçkitnin dhe digjnin ndërtesën e Gjykatës në Veri, ku edhe vranë një polic ndërkombëtar, e tërë kjo u quajt mllef i serbëve kundër shpalljes së pavarësisë. Kurse demonstratat e Vetëvendosjes, ku policia vrau dy protestues, nga vetë shqiptarët u quajtën si ekstremiste dhe dhuna e përdorur në këtë rast si proporcionale. Kështu OKB doli me një raport ku qartazi konstatoi se ka pasur përdorim të tepruar të dhunës në rastin e veriut ku është plaçkitur, djegur e demoluar një ndërtesë publike dhe është vrarë një polic, kurse për vrasjen e dy protestuesve nga policia jo që nuk dha askush përgjegjësi, por madje u fajësuan vetë demonstruesit e lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u mbajt në burg nëntë muaj sepse protestuesit paskan bërë thirrje të futen në ndërtesa publike (sic. ata dogjën, demoluan, plaçkiten e vranë, e këta të dytët u dyshuan se kanë për qëllim të futen në ndërtesa publike- argument qëllimisht i përsëritur).

Ky diskurs publik dhe politik para së gjithash përcaktohet nga vetë shoqëritë gjegjëse. Nëse shihet qëndrimi i qeveritarëve dhe opinionistëve kosovarë, përgjithësisht ekziston një gatishmëri për të përdorur kualifikime të rënda për çfarëdo kritike e proteste ndaj qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar. Fjalët ekstremist, nacionalist, shovinist, nuk janë kursyer nga “opinionistët” në Kosovë e Shqipëri, një pjesë e të cilëve kanë interes direkt nga pushtetmbajtësit vendorë dhe “të huaj”, kurse pjesa tjetër thjesht janë viktima të ambientit të krijuar nga ashpërsimi i terminologjisë së të parëve. Në Kosovë madje ka pasur opinionistë që thjesht kanë arsyetuar vrasjen e demonstruesve nga ana e policisë më 10 shkurt 2007.

Përgjithësisht kjo retorikë është krijuar me objektivin madhor të shkaktimit të inferioritetit tek politika shqiptare e ardhur këtu bashkë me administratën ndërkombëtare por e përkrahur skajshmërisht nga elementë që historikisht vlerësuan të tjerët më shumë sesa vendin dhe etninë e vet. Përgjithësisht tashti ky inferioritet ka filluar të quhet “multietnicitet”, por që në të vërtet nuk nënkupton gjë tjetër veçse nënshtrim me vullnet i shqiptarëve ndaj standardeve të dyfishta. Mirëpo, njerëzit e refuzojnë këtë pozitë të pranuar nga lidershipi dhe krijuesit e opinionit publik shumica e të cilëve janë nën ndikim direkt të qeverisë. Demonstratat që u bënë gjatë nëntorit dhe dhjetorit përgjithësisht ishin kundër këtij inferioriteti të kosovarëve ndaj “të huajve”. Është kjo një lëvizje legjitime dhe reagim logjik ndaj diskursit auto-racist të elitës shqiptare.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).