Të papriturat e zgjedhjeve të PD-së në Tiranë

Zgjedhjet e reja për postin e kryetarit të ri të Tiranës, po i afrohen fundit. Brenda 30 ditëve, demokratët e kryeqytetit do të zgjedhin kreun e ri që do qeverisë degën më të madhe në vend përgjatë një mandati tjetër katërvjeçar. Në fillim të muajit shkurt do të mblidhet konferenca e PD-së së Tiranës e cila, ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, fut në votim jo vetëm kandidatët për kryetarin e degës, por edhe anëtarësinë e re të degës. Kur ka mbetur vetëm një muaj kohë nga zgjedhjet e reja, duket qartë se gara elektorale po përqendrohet tek tri kandidatura kryesore, të cilat janë më të propozuarat nga baza e demokratëve të Tiranës. Bëhet fjalë për Besnik Mustafajn, Aldo Bumçin dhe Edi Palokën, tashmë tre politikanë me një vizion të qartë në politikën e djathtë. Por, deri në konkurrimin e plotë, atyre u duhet të presin edhe përfundimin e gjysmës së procesit të zgjedhjeve në 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit. Sekretari organizativ i PD-së, z. Flamur Noka, konfirmoi dje për “standard” se deri tani ka përfunduar gjysma e procesit të zgjedhjeve në Tiranë, të cilat janë në fazën e propozimeve në 11 njësitë e PD-së së kryeqytetit për postin e kreut të ri të Tiranës. Janë pothuajse gjysma e njësive, të cilat kanë mbyllur fazën e propozimeve nga seksionet dhe konkretisht mësohet të jenë zona nr. 7 ku kryetar i grupit të punës janë Lulzim Basha dhe Marjeta Zaçe, janë zona e Kombinatit, ajo e Laprakës, zona 8 etj. ku mbikëqyr procesin Aldo Bumçi etj. Por ajo që vihet re nëpër mbledhjet e seksioneve, janë propozimet e reja gjithnjë në rritje, por dhe konfirmimi i disa emrave si propozime në disa njësi bashkiake të Tiranës. Aktualisht, të propozuar nga baza e demokratëve janë Besnik Mustafaj, Aldo Bumçi, Majlinda Bregu, Edi Paloka, Sokol Olldashi, Bujar Nishani, Lajla Përnaska, Gjergj Bojaxhiu, Arta Sakja, Ferdinand Poni etj. Një pjesë e tyre janë propozuar disa herë dhe në disa seksione duke përqendruar garën elektorale brenda llojit kryesisht tek emrat e Besnik Mustafajt, Edi Palokës dhe Aldo Bumçit. Në bazë të udhëzimit të ri të kryesisë së madhe, çdo seksion ka të drejtë për të propozuar kandidatura për kryetar të degës së PD-së, kryetar të grup-seksionit, 1-2 kandidatura për anëtar të kryesisë së degës, anëtar (mundësisht drejtues me përvojë apo jurist) për komisionin e apelimit së degës. Por, nga moria e shumtë e kandidaturave të propozuara, do të jetë kryesia e madhe ajo që në bazë të statutit të partisë ka të drejtën e përzgjedhjes së dy kandidaturave të vetme për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës. Më pas, dy kandidaturat e seleksionuara nga kryesia i përcillen konferencës së degës së PD-së, e cila voton për një emër të vetëm. Dhe kush rezulton të marrë vota më shumë, do të zyrtarizohet dhe si kryetar i demokratëve të kryeqytetit për t’i qeverisur ata për një mandat të ri katërvjeçar. Por mbetet për t’u përcaktuar formula e re e votimit, e cilat pritet të ndryshojë nga zgjedhjet e 4 viteve më parë kur u zgjodh Sokol Olldashi në krye të degës së Tiranës. Kandidaturat për kryetar të degës së PD-së përcillen për miratim nga kryesia e degës për në kryesinë qendrore dhe kryetari i grupit të punës. Kryesia qendrore ka të drejtën e refuzimit apo propozimeve shtesë. Vetëm kandidaturat e miratuara nga kryesia qendrore kanë të drejtën t’i nënshtrohen votimit në kuvendin e degës.

Propozimet

1-Besnik Mustafaj
2-Sokol Olldashi
3-Bujar Nishani
4-Aldo Bumçi
5-Edi Paloka
6-Lajla Përnaska
7-Majlinda Bregu
8-Gjergj Bojaxhiu
9-Arta Sakja
10-Ferdinand Poni etj.

Aldo Bumçi

Erdhi në Partinë Demokratike përmes frymës së re të 2005-ës, një strukturë e re e demokratëve që pretendonte të sillte ndryshimin e madh pas 8 viteve opozitë. Mes kop-istëve, ishte dhe politologu i ri Aldo Bumçi. Familja e tij kishte provuar persekucionin e diktaturës komuniste ndaj dhe PD-ja mbante derën hapur për këtë kategori njerëzish. Shumë shpejt në qarqet e së djathtës u bë i dallueshëm nga qetësia, aftësitë në fushën e drejtësisë, por më pas dhe komunikimi i veçantë edhe me kundërshtarët politikë. Tre vjet në politikë, për Aldon, rezervuan ngjitjen në lidershipin e PD-së, atë të qeverisë, por më pas edhe rënien pa e zbehur aspak profilin e tij politik që mundi ta krijonte shumë shpejt brenda në PD. Fillimi i mbarë ishte zgjedhja në forumet e larta drejtuese të partisë përmes votës së anëtarësisë së saj. Më pas, gara për deputet në njërën nga zonat e Lezhës nga ku mori besimin e elektoratit për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe maja ishte posti i ministrit të Drejtësisë sapo demokratët erdhën në pushtet përmes zgjedhjeve të 2005-ës. Zëvendësimi i tij pas një viti nuk zbehu aspak punën e Bumçit në krye të këtij institucioni i cili nën drejtimin e tij kreu një sërë reformash të rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Është politikani që argumentet i përdor si armën më të fortë ndaj kundërshtarit, në betejën parlamentare, dhe në mënyrë të veçantë në Komisionin e Ligjeve ku është dhe anëtar prej dy vitesh. Por ndonëse qetësia e tij lakmohet nga shumë politikanë të spektrit politik, si të majtë ashtu dhe të djathtë, nganjëherë ajo habit. Rasti konkret është ligji i dosjeve. Dhe për shumë arsye baza e PD-së së Tiranës i beson atij një garë të re elektorale, atë të kryetarit të PD-së së Tiranës, por që ende nuk dihet nëse Aldo Bumçi synon apo jo këtë post të ri partiak.

Besnik Mustafaj

Besnik Mustafaj është politikani me karrierën më të gjatë në Partinë Demokratike, bashkë me z. Sali Berisha. E njeh këtë parti që në gjenezën e saj. Është bashkëthemelues i PD-së. Nuk e braktisi atë as në momentet më të vështira. U rikthye në Tiranë, pasi dha dorëheqjen nga detyra e ambasadorit në Francë, fill pas ardhjes së socialistëve në pushtet në vitin ‘97. Atë vit, shumë njerëz iknin nga Shqipëria... Por Besniku preferoi të kthehej në PD, ndonëse tashmë partia e tij kishte kaluar në opozitë. Mori përsipër të drejtonte politikën ndërkombëtare të PD-së, ndërkohë që në çdo zgjedhje ai do të ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Është deputeti që edhe në kohën kur lufta politike mes socialistëve në pushtet dhe demokratëve në opozitë ishte mjaft e ashpër, Mustafaj diti të ruante qetësinë dhe maturinë përballë kundërshtarit. Ndoshta dhe “qenia” tjetër brenda tij, ajo e shkrimtarit, kishte mundur të krijonte tek Besnik Mustafaj politikanin e veçantë... Dhe befasia që nuk i mungoi as në momentin që dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Punëve të Jashtme, gati dy vjet më parë. Argumenti qe aq befasues, sa dhe vendimi i marrë prej tij. Por Besnik Mustafaj me një karrierë të gjatë mbi supe, prej 18 vitesh, nuk ngurroi të publikonte muaj më parë ambicien e tij të re: kandidimin për kreun e ri të PD-së së Tiranës. Synon t’i japë një frymë të re dhe dinamizëm të ri drejtimit të degës më të madhe të PD-së. Ai është zgjedhur disa herë deputet në Tiranë dhe nisur nga fakti se e njeh shumë mirë terrenin e demokratëve kryeqytetas, z. Mustafaj, beson se ata do t’i besojnë mandatin e ri katërvjeçar për t’i drejtuar deri në kuvendin pasardhës të PD-së.

Edi Paloka

Nuk është më ai djali i rrëmbyer që thyente vazo lulesh në poltronin e Parlamentit. Shumë herë më i pjekur politikisht dhe në një kohë kur pret të bëhet sërish baba, Edi Paloka ka vendosur të garojë për postin e kryetarit të ri të PD-së së Tiranës. Është sfida e radhës e Edi Palokës. Karrierën politike e nisi në një moshë fare të re. Edi Paloka ishte student dhjetorin e ftohtë të dimrit të ‘90-ës. Shtysa e parë drejt një rruge që do ta përpinte përgjatë 18 viteve të mëpasme në politikën e djathtë. Një udhëtim i gjatë i mbushur me plot ecejake dhe të papritura. Provoi dhe burgun e neokumunistëve shqiptarë. Jo në kohën e diktaturës, siç ndodhte rëndom, por në sistemin e ri demokratik. Një zëdhënës i PD-së, që guximi i pashembullt e çoi pas kangjellave të burgut. Që andej e nxorën dhjetëra protesta masive të demokratëve anembanë vendit gjatë kohës që PD-ja ishte në opozitë. Tashmë fitimtar dhe sfidues ndaj socialistëve, duke marrë besimin e elektoratit si deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Një i ri plot ambicie, mbrojtës i idealeve të së djathtës edhe në kohët më të vështira për PD-në e cila provoi 8 vite opozitë. Shumëkush fokusoi në ekranet televizive të asaj periudhe rrëzimin e vazove të luleve mbi platenë e Kuvendit, sa herë që ndaj tij apo partisë që përfaqësonte, mohohej e drejta... Edit iu desh të provonte edhe uljet politike. Gara elektorale e 2005-ës për të u bë e vështirë, pasi përballë tij garonte paraja dhe mashtrimi. Por, tashmë, ai djali i rrëmbyer, vendosi të ecë përpara, për t’u rikthyer sërish në sallën e Parlamentit, tashmë në zonën e lënë bosh nga Bamir Topi, pas marrjes së detyrës së kryetarit të shtetit. Dhe sfida e radhës është një garë e re elektorale, siç është ajo për kreun e ri të PD-së së Tiranës.

8 Komente

O Polic kush do fitoje? Se ti si i mrenshem qe je besoj e di ke kan caktu per te fitu!

E kujt i plasi se kush do zgjidhet ? Ketu tek PPU pervec Lefti dhe Polici qe jane antare te PPSH, me falni desha me thone te PD, gjithe te tjeret jane jopartiake e nuk ju intereson aspak kjo lufte brenda llojit.

 

Edi Paloka

Nuk është më ai djali i rrëmbyer që thyente vazo lulesh në poltronin e Parlamentit.

 

Ky eshte "trimi" i xha Jahos!

"Toka jone nuk i duron cibanet e huaj-zoti Toger"

Shperthen depoja dhe xha Jaho thote: Ja, keta "trima" i duhen partise tooooone ,toooookes tone!

 

Artian,

Nuk e di në se të kujtohet Edi Paloka, me pantallona të shkurtra në Kombinatin e asokohe..

Edi Paloka, Edi Rama e te tjere Edra jane e keqja me e vogel kundrejt kucedres se madhe qe po drejton kete vend. E po ti shtosh kesaj Kucedre femijet e saj qe nuk jane pak (si Polici, Lefti etj) , Shqieria rezikon te kthehet nga vendi i shqiponjave ne strehezen e Kucedres! smiley me llap perjashta

Ne nivel lokal duhen njerez te lidhur me territorin,  njohesit e bazes elektorale, militantet.

Cunat e Bales?

Uaa, sa cool, do behen programet si me qene reklame Bureto! :cool:

Po nai llotari per ata qe e gjejne, a ka? smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).