Të ndahesh nga Bushi …zemërthyer? Ky është mazokizëm publik

Eda Derhemi, Ph.D.*
info@revistamapo.com

Ndarja nga presidenti George W. Bush, është paraqitur më e vështirë sesa pritej jo vetëm në ShBA por edhe në botë. Presidenti amerikan me nivelin më të ulët të aprovimit publik që në muajin dhjetor matej në 30% në anketimet më optimiste dhe 24% në ato më jo-miratueset (imagjinoni që edhe presidenti aq jo-popullor Lyndon Johnson, në periudhën kur amerikanët kafshonin nga tërbimi që u ngatërruan aq keq në Vietnam, kishte një shkallë aprovimi publik mesatar 35%), paraqet disa sfida tashmë që numëron ditët e fundit në Shtëpinë e Bardhë. Krijuesit e fuqishëm të kulturës-pop që drejton publikun (sidomos atë të ri) më shumë se organizmat politikë, civilë dhe më shumë se mediet tradicionale, po krijojnë një Bush “ndryshe” tani që ai i ka ditët të numëruara. Por as mediat dhe as publiku nuk po i rezistojnë si e sa duhet këtyre prirjeve të paarsyeshme, dhe po lënë të kalojë lehtë finishin, një garues që duhej të ndahej me protestë dhe turp nga termi i tij i fundit presidencial.

Nga njëra anë Amerika dhe bota presin Obamën si ujët e paktë në ditë të këqija. Njerëzia, e entuziazmuar nga kabineti profesional dhe politikisht i hapur i përzgjedhur nga presidenti i ardhshëm, gati ka vënë kujën se do Obamën të nisë një orë e më parë me zbatimin e planit të tij ekonomik, ndryshimin e politikave ndaj Iranit, kthimin e teposhtit që ka marrë Afganistani, marrjen në dorë të situatës në Gaza etj. Reagimet e shtypit dhe njerëzve qenë shumë negative kur Bushët ende të pranishëm në Shtëpinë e Bardhë, i thanë “jo” kërkesës së çiftit Obama që të vendosej në një aneks të Shtëpisë së Bardhë që më datën katër janar, përderisa vajzat e vogla nisnin shkollën më datën pesë. Njerëzisë ndoshta i dukej se hyrja e Obamës brenda mureve të ndërtesës presidenciale, do ta bënte vendimmarrjen politike amerikane të influencohej më shumë prej tij. Obama nga ana e vet, sido që aktiv, vibrues e i shpejtë në hapat që po ndërmerr, përpiqet të bindë mediet dhe publikun se nuk mund të veprojnë dy presidentë në të njëjtën kohë. Por teoria “një këndez për qymez”, pak i kënaq amerikanët e drobitur nga tetë vjet zhgënjimi rritës. Ndaj…numërojnë ditët deri më 20 janar, sido që e dinë mirë se mrekulli nuk ndodhin, dhe nëse Amerika rimëkëmbet, as një e as dy terma presidencialë, sado gjenial presidenti, nuk mjaftojnë.

Por nga ana tjetër, pa zhurmë veçse në rritje, gati si në mënyrë të pandërgjegjshme, po ndërtohet nga filmi në Amerikë dhe në botë, e po përkrahet nga mediet dhe publiku, edhe një Bush i një natyre tjetër, idiotik por shpirtmirë, matuf por me humor, jo krejt i paedukuar por thjesht i paaftë të shprehë kulturën dhe mendësinë e vet. Ky Bush dedé ose leshko, i thënë në shqip, është Bushi i lamtumirës. Nisi përcjellja drejt fundit me filmin zhgënjyes të njërit prej krijuesve më kritikë e të patrembur të kinemasë Hollywoodiane (tingëllon pak si kontradiktore kjo), Oliver Stone. Filmi i tij “W” me gjithë kthimet realiste dhe zhvillimin historik e disa-dimensional që përpiqet t’i japë karakterit të Bushit bir, prapë në vështrim final, e shfajëson politikën e tij absurde, dhe hedh për konsum këtë që thamë, Bushin e lamtumirës, që do të bëjë mirë po si pa dashje bën keq. Edhe një nga burrat e lagjes që u bërtet kalamajve që duan të luajnë në rrugë kur ai do të flerë, nuk duhet të kalojë portën e gjykimit të fundit kaq lehtë, e jo më njeriu që bëri lëmsh botën dhe shtetin më të fuqishëm të saj.

Aktori i njohur i filmit komik hollywoodian, Will Ferrell, ka krijuar ndoshta Bushin më qesharak, por edhe të realizuar, në komedinë e viteve të fundit, sidomos i njohur nga publiku si Bush në programin e shumëndjekur komik “E shtuna natën-live”. Will Ferrell nis në Broadway tamam më datën 20 janar, pra ditën e përcjelljes së madhe, shfaqjen e HBO-së të titulluar “S’ka përse, Amerikë! - Një natë e fundit me presidentin George W. Bush”. Shfaqja nuk ka nisur, por përfoljet dhe komentet çojnë në të njëjtën figurë bushjane: qesharak, i trashë, injorant, por babaxhan e pa të keq.

Ndoshta edhe më interesant e familjar për shqiptarët është dokumentari kaq i përfolur i Bollywoodit, ose Hollywoodit të Indisë ose Bombay-it, “Presidenti po vjen!”, që parodizon në mënyrë fiktive vizitën e Bushit në Indi më 2006, dhe është i mbushur me filmime origjinale nga kjo vizitë. Është aq i ngjashëm dhe me të njëjtat procese e reagime masive që shoqëruan vizitën e Bushit në Shqipëri në qershor 2007! Filmi sjell përpjekjet e gjashtë indianëve që kalohen nëpër filtra organizativë qesharakë dhe në ato të ambasadës amerikane në Indi, që të zgjidhet më i sakti për t’i shtrënguar dorën Bushit. Ky i fundit, kuptohet, ka linjën e vet filmike që mbretëron, mbushur me gafa e lëvizje politike të pajustifikuara, kryesisht marrje goje e ngatërresa verbale, paaftësi për të shqiptuar e formësuar fjali. Regjisori 29-vjeçar i filmit, Roy Kapur, thotë se Bush është një shënjestër shumë e lehtë për humoristët se jep material pa fund. Të gjithë do ta kemi të vështirë, shton ai, me Obamën që nuk bën kurrë gafa, nuk ngatërrohet e s’lë vend për tallje. Kapur thotë se Bush është, në fakt, një metaforë për të mirat dhe të këqijat që bën Amerika. Pra, edhe sipas tij, Bush e mbyll karrierën e tij si ai që bën mirë aq sa keq, sido që, që të dyja pa qëllim. Dhe e gjitha kjo papërgjegjësi shoqërore e vazhdueshme e krijuesve është e pabesueshme, ashtu siç ishte e pabesueshme lehtësia e analizave dhe interpretimeve që iu bënë numrit të këmbës së këpucëve që u hodhën drejt Bushit në konferencën e shtypit në Baghdad. Gjithashtu me justifikimin se atij tani i paska ardhur fundi…pse ta rëndojmë më?!

Si do donin të ndaheshin shqiptarët nga Bushi? Ndoshta krijuesit e filmit shqiptar vendosin të bëjnë një version tonin mbi vizitën e Bushit në Tiranë e Fushë-Krujë, duke ndjekur linjën e filmit mbi vizitën e tij në Indi. (A nuk janë shumica e filmave tanë të kohëve të fundit, imitime të dobëta temash, fabulash dhe forme artistike që ka bërë bujë diku tjetër në botë?). Filmi shqiptar do dilte edhe më komik se ai indian besoj, dhe më intrigues po të tirrej si duhej detaji i orës së humbur … e të rigjetur të Bushit, dhe ndonjë histori paralele fshatari të mjerë e të humbur nga Fushë-Kruja. Por ndoshta, ne nuk do guxonim as lehtazi të talleshim me bamirësin, si ballkanas që jemi. Ndoshta do t’i mbeteshim besnikë deri në fund e ndjekës pa kusht atij që formalizoi pavarësinë e Kosovës dhe mbështeti sa mundi hyrjen tonë në NATO. Ndoshta ashtu si edhe India, ne do themi se dashuria për Amerikën në përgjithësi nuk na lejon të tallemi fort me çfarëdo prijësi ai populli zgjedh. Ndoshta është edhe më shumë se kaq, dhe unë nuk do ta kisha problem të kuptoja kompleksitetin e situatës për Shqipërinë, por nuk justifikoj dot atë për Amerikën.

Ky prapa-flirt i vonuar i publikut amerikan me Bushin, më kujton ato çiftet patetike që ia kanë bërë jetën skëterrë njëri-tjetrit për shumë vjet, por pastaj, mu para divorcit të sigurt, nisin dhe ëmbëlsojnë imazhin e tjetrit, “të urryer” deri dje. Këto kategori të papërgjegjshme e joracionale meritojnë një forcë madhore që i rikthen pa kushte në gjendjen e mëparshme. Herën e ardhshme pa dyshim nuk do fluturonin kaq lehtë! (Mendoni një Amerikë që do udhëhiqej nga Bush edhe katër vjet të tjera…ky do ishte fundi i sigurt!).

Shenjat tregojnë se Bushit i pëlqen ky imazh i ndarjes (e vetmja shenjë zgjuarsie në këto tetë vjet), dhe ai dhe punëtorët e imazhit në administratën e tij, e ushqejnë këtë prirje. Ai shfaqet kudo krejt i relaksuar, buzagaz: as vetë ai s’e beson se ia doli të bëjë lëmsh gjithçka për tetë vjet rresht e prapë t’a përkëdhelin në ikje, ia doli t’ia kalojë të atit (që për të gjithë ishte shumë më i aftë se ai) e të rizgjidhet në termin e dytë, ia doli të bëjë luftë me Irakun, pa arsye, pa përkrahës e pa plan e madje të thotë edhe se po del fitimtar…Bushi që nuk kupton asgjë e askënd, ia doli ta përcjellin me “Hë, i shkreti, se s’ishte aq i keq”. Dhe kjo është për t’u dëshpëruar, jo thjesht për hir të bindjeve e ideologjive të mia personale, por sepse objektivisht shkon ndesh historizmit dhe është reagim i rrezikshëm për aq sa i hap rrugën përsëritjes së të keqes në të ardhmen. Të asaj së keqeje që vetë njerëzit, pa dallim ideologjie e partie, e kanë përcaktuar si të tillë, dhe po e vuajnë.

Ky është tragji-komizmi që ndjek veprimtarinë e masës së dobët që vazhdimisht kalon nga turma, në publik, dhe anasjelltas, pa pasur në fakt një formë a ideologji të qëndrueshme. Tragji-komike, ashtu siç është realiteti që duan t’i veshin Bushit tani që po largohet: I thjeshtë e njerëzor si komshiu i kujtdo (s’e kam idenë cilët janë ata idiotë që do digjeshin që komshiu i tyre banal të udhëhiqte botën?!), presidenti që bëri turmat, televizionet, e burrat e shtetit të gajasen, por që s’pati kurrë qëllim të keq.
Përveç realitetit të qindramijëra të vdekurve në Irak, imazhit tejet të keqësuar të Amerikës në botë, politikave ekonomike e financiare absurde që thuajse dërrmuan ekonominë amerikane, dhe një sistemi qeverisës jo efikas e të fryrë kundër çdo premtimi e parashikimi, një herë tjetër ekzistenca e Bushit përforcon faktin se një sistem demokratik ashtu siç ka forcën të sjellë në krye yje të mendimit politik si Obama që përndryshe nuk do kishin shans të prinin, ashtu pjell edhe idiotë plëngprishës, shkatërrimtarë kokëfortë e të paditur që i rëndojnë për dekada demokracisë vetë. Dhe, në kësi rastesh, idiotët prishin shumë më tepër punë sesa ndreqin gjenitë. Hedh një budalla një gur në lumë e njëqind të mençur s’e nxjerrin dot… Dhe ky pësim amerikan, duhet të bëhet mësim për masat zgjedhore dhe për mediet që pasqyrojnë, formësojnë e drejtojnë mendimin e tyre, kudo në botë, sidomos atje ku zgjedhjet janë në prag të derës e ku demokracia është fort e brishtë, dhe ku manipulimi garues politik sakaq ka nisur me marsh nergut të lartë.
*Universiteti i Illinois

5 Komente

Atje ku ke shkruar kete shprehje  Ndoshta Shqipërisë i duhen më shumë sy fëmijësh.  , padiskutim qe ke qene me kendshme.

Ku di une ketu, si e zymte apo ma krijon kete pershtypje argumenti ?

Ky prapa-flirt i vonuar i publikut amerikan me Bushin

Ku e pe prapa-flirtin ti moj anal-iste e politikes ameriqene? Bushi vazhdon akoma te kete nivele mosaprovimi rekorde si president. Populli amerikan sa do turme qe eshte (pak a shume si te tjeret) ka vite qe e ka bere te qarte me sondazhe mllefin e vet per Bushin. Ca prapa-flirti flet ti? Enderr e ke pare kete, sic enderrove per motivet e Stone se ai e beri enkas Bushin me pak te lig ne film per qellime komerciale, dmth qe ta shiste filmin meqe publiku amerikan dhe ai boterror e urrejne Bushin? Blair House gjithashtu nuk eshte brenda mureve te presidences amerikane, sic e ben ti te tingelloje, dhe para se te hynte Obama, aty ishte momentalisht ish-kryeministri Australian.

detaji i orës së humbur … e të rigjetur të Bushit, dhe ndonjë histori paralele fshatari të mjerë e të humbur nga Fushë-Kruja.

Po aq patetike eshte dhe kjo anal-iza jote qe Bushit ne fakt vertet ja vodhen oren shqiptaret (si do te mos ja vidhnin oren keta 'fshataret e mjere dhe te humbur nga Fushe-Kruja' njeriut me te mbrojtur te botes?) po me pas ai beri sikur e gjeti.

Ke perspektiva per gazetare ne memdiat tona, kthehu sa me pare, mor e harxho kohen me doktoratura amerikane.  smiley

Nuk vazhdova ta lexoja me tej pasi arrita ne tofjaleshin "aneksi" i Shtepise se Bardhe.  Jo po do i vinin ne basement smiley

Na zhgenjejne dhe gabelt (globalet) ameriqene shqiptare ndonjehere, s'ke c'i ben lol.

stfu! Shkrim idjot! plehre! kellire! 

Ketyre se kane mbaruar nga nje shkolle dhe kane pare ameriken me sy u duket sikur kane kapur ate nga ato...

pisllek milet...

asnje gje nga ato nuk e pranoj.

Shkrimi jo me teper se nje permbledhje e artikujve neper shtypin e huaj...ide tejet te perseritura dhe asgje e re...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).