Takim pune

U vështrova gjatë në pasqyrë. «Nuk dukem dhe aq keq» mendova. Ndjeva se prej disa ditësh kisha marr atë dreq vesi të keq të të mbajturit të bërrylave poshtë, gjë që e vendoste kornizën në një lartësi të papërshtatshme. Por aty për aty, vetja më pëlqeu. Ndjeva siguri : me duar të fuqishme e mbërtheva fort, krahët i ngrita në lartësinë e duhur, kurse fytyrën e shënjestrova në qendër të kornizës. «Van Gogh do më kishte bërë një portret të shkëlqyer. Të paktën mua më duken veshët » thashë me vete duke buzëqeshur. E kisha lënë të takohesha me të në tre mbasdite në një lokal diku në qendër të qytetit. Punëdhënësin nuk e kisha parë kurrë, kisha folur me të në telefon, por zëri i tij nuk më la ndonjë përshtypje të veçantë, e as ndonjë shtysë për të imagjinuar se ç’lloj kornize mund të mbante ai. Me siguri, si gjithë kornizat që mbajnë shefat, duhet të ishte një kornizë e madhe, por materialin e saj e kisha të pamundur ta përcaktoja. Për një gjë isha i sigurtë, që kornizën ky far soji, e mbante shtrembër dhe koka u dilte diku në cep të kornizës,madje ndonjëherë një pjesë e kokës u dilte dhe jashtë.

Kur dola, gërrmova si zakonisht çelsat në xhepa. Shpresa, komshija përballë, po lante shkallët. Ishte një grua zonjë. Nuk e kisha parë kurrë të dilte njëherë të vetme pa kornizë. «Mirëmëngjes, si u gdhive? » më pyeti. Me një dorë lante me shkop, shtynte kovën plot ujë me këmbë dhe me dorën tjetër kornizën e saj e mbante lart. Koka pak a shumë ishte në qendër, por i lëvizte sa andej këndej dhe e pata të vështirë ti përgjigjesha. Mendova ti them vetëm « Mirë » dhe të mjaftohesha me kaq duke shpresuar se në një pikë të kornizës, koka e saj lëvizëse do ta kapte përgjigjen time.

Në rrugë nxitova hapat. Isha vonë. Tek Myslim Shyri gëlonin kornizat. Kishte nga të gjitha, druri, alumini, plastike, fringo të reja, të vjetra, të kalbura, të pista. E imja shkëlqente, ishte e re, e pastër, dru dhe origjinale. Ma kishin sjell nga jashtë. Të tilla zor se gjeje në vend. Dhe më shkonte, por dhe e mbaja siç duhej. E ruaja me kujdes, se ishin kohë të vështira, krizë botërore, të humbje kornizën ishte më zi se të humbje jetën.Teksa kaloja pranë një lypsi, mbështetur pas një muri, që pa kurrfarë kornize më kërkoi  lekë, hyra në një kontakt të dhunshëm me dikë që vinte përballë. Dëgjova një thyerje. Mu dridhën duart. Përtokë, në këmbët e mia, shtrihej sa gjerë e gjatë një krijesë e mrekullueshme, që në një vend e në një kohë tjetër, pa asnjë kornizë do ta kisha penetruar fort nga pas duke e kafshuar ku të mundja si qen i tërbuar. Fatmirësisht korniza ime nuk kishte pësuar asgjë! Ndërkohë korniza e saj kishte marrë një frakturë të rëndë në një nga vertikalitetet e saja dhe me gjithë përpjekjet e të zonjës, ajo meritonte të quhej një kokëposhtë. Duke mbledhur vertikalitetin e thyer të kornizës së saj, asaj ju mbushën sytë me lot, gjë që mund të rëndonte edhe më  pozicionin e saj. “Ç’më bëre?” më tha me buzën që i dridhej. “Ku të futem unë tani? Po më sheh e gjithë bota! E mjera unë”. Lypsi qeshte dhe brohoriste si i marrë “ti je si unë, ti je si unë”.

Vazhdova rrugën. Krahët i mbaja lart, kokën në qendër, duart nuk më dridheshin. Të tillë aksidente mund ti ndodhin gjithkujt. Por çdo lëkundje sentimentale mund të bëhet fatale. U ula në lokalin ku kishim lënë takim me punëdhënësin tim dhe porosita një uiski. Teksa ktheja gllënjkën time të dytë, ai erdhi ashtu siç e prisja: me një kornizë të madhe, por vulgare, me fytyrën që i rrinte në cep dhe një pjesë të kokës që po i merrte erë, pasi veshët i kishte tërësisht jashtë. Ai foli gjatë, pa dalë nga korniza e tij, mbi postin tim të ri dhe detyrat që më ngarkoheshin. Ndërkohë, përbrenda katrorit tim, nuk e di pse mu kujtua ajo vajzë kornizëthyer. Mu dhimbs, por s’pata lot për të. Lagështia është e dëmshme për kornizat e drurit.

 

18 Komente

Hej Arber, kjo eshte ide fantastike. Shume e goditur, harmonike, muzikore, jane fjale qe me vijne ne mendje, madje madje menjehere pasi e lexova e riimagjinova krejt pjesen si nje video kenge.

Faleminderit Lulian.

tregimi eshte shume i bukur por shume  i koncentruar ( te vjen keq qe mbaron aq shpejte). Nepermjet gjetjes se "Kornizes" trasmeton idene e asja qe na kerkohet te jemi. Si qenie shoqerore na duhet te mbajme nje kornize, e cila nganjehere vlersohet me shume se thelbi yne. Korniza eshte kufiri mes asaj qe ne jemi ne te vertete, dhe dukjes. Ajo eshte mburoja jone, kufiri deri ku njerzit mund te afrohen, eshte shenje e nje integriteti te rreme. Korniza mbolon friken tone, ankthin, semundjet, dhe te gjitha dobesita. Mbivlersimi i KORNIZES, apo kushtimi i nje vemendjeje te tepruar asaj, e ndan njeriun nga thelbi i tij i vertete, dhe vendos nje raport hipokrizie mes atij dhe botes. 

Per mendimin tim tregimi duhet te titullohej Korniza, dhe une sygjeroj se ka vend per tu thene me teper. Autori eshte i koncenturar. e ka trasmetuar idene, por gjithsesi une mendoj se ka hapesira te pashfrytesuara. 

Urime Arberit dhe shume te tejra si kjo.

smiley po punoj dicka te re.

Kendveshtrim shume interesant, sidomos 2 rreshtat e fundit jane per tu shenuar ne ditar, ashtu sic beja kur lexoja Remarkun.......really nice

Gjetje interesante dhe padyshim qe duhej titulluar "Korrnizat"

Cdo person kerkon te kuroje imazhin e vet brenda nje korrnize te pelqyeshme, te luciduar dhe terheqse pe tjetrin. Megjithse keshillohet qe  njeriu  te jete vetvetja,  jo gjithmone arrijme te kontrollojme veten dhe te cfaqim kurdohere anen me te ndritshme te personalitetit. Korrniza eshte edhe sinonim i maskes se hipokrizise. Ne boten esotme te imazhit siperfasorja merr rendesi dhe eshte ambalazh i mire per te tu shitur ne tregun e gjese se gjallesmiley

Flm te gjitheve per komentet. 

Shume interesante gjetja e kornizes.

Shkrim i mire. Mbyllje e bukur.

Bukur,  Arber!

Pikant jo vetem kornizlleku (lol)  si detaj teper i gjetur qendror, por edhe perpjekja per te qendruar ne mes te saj ne menyre qe te mos dale jashte kornizes asnje pjese  e fytyres(ne tekst veshet e  punedhenesit). smiley

Edhe une mendoj se "Korniza (t)"  do te ishte me gjitheperfshires   si titull.

Mbyllja  dhe fjalia permbyllese e tregimit shume e bukur!

Shume, shume bukur. Krejt brenda kornizes, pa asnje cep jashte. Shume gjetje e bukur dhe fjalia e mbylljes eshte fantastike. urime edhe njehere autorit.

Arbër, mjaft e bukur ideja e vendosjes së gjithçkaje në korniza... por (sepse megjithse i shkurtër tregimi) që pas takimit me lypsin dhe me përplasje/thyerjen e kornizës së asaj tjetrës, po imagjinoja një skenarB: Korniza e punëdhënësit tënd të ri, përfaqësohej prej asaj kornizës që ti përplase dhe e le në mes të rrugës duke qarë.... po sikur në takim të paraqitej ajo? Po sikur prej shkakut të thyerjes së përkohëshme të kornizës së saj ajo të vendoste të kthehej në shtëpi dhe të mos t'i binte ndërmënd për kornizën "e panjohur" me të cilin kishte lënë takim???

nje sugjerim:

ne fillim flet per nje zonje, ne fund te tregimit i drejtohesh me vajze. me sa di une, zonje = grua, vajze=zonjushe.

ndryshe, me pelqen

Meh... pak si shterpe mu duk mua, mbase gabohem kur po shikoj komentet e tjera. Kte punen e kornizes e pashe si klishe; mu duk sikur zevendesove maske me kornize mbase per ti dhene njefare imazhi me kuptim ndryshe nga maska, dmth pak me te ri e pak me hm interesant.

Dhe dicka tjeter, kishe ca fjale te thjeshta qe ekzagjeronin nganjehere pamjen e madhe te skices si psh: "E ruaja me kujdes, se ishin kohë të vështira, krizë botërore, të humbje kornizën ishte më zi se të humbje jetën." ose tejperdorja e fjales 'kornize'. Cdokush ka stilin e tij, megjithate nqs une do lexoja dicka te ekzagjeruar do preferoja te ishte teme hm mbase teme sureale apo dicka e tille. Nuk e di sa mkuptove, nejse, tre fjalite e fundit ishin te bukura.

smiley

Urime Arber ke noten 10!  me pelqeu shume , gjetje zgjuar kjo puna e kornizes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).