Situatë e rënduar nga bora, fshatra të izoluara dhe akse rrugore të bllokuara

 

Bora që vazhdon të bjerë me intensitet në zonat e thella të vendit ka rënduar situatën si dhe ka bërë qarkullimin të vështirë në shumë segmente rrugore. Komuna të tëra në veri gjenden të izoluara për shkak të borës, ndërkohë që shumë akse rrugore janë të pakalueshme.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, pasi ka marrë nga komisionet e emergjencave civile pranë Institucionit të Prefektëve, nga Drejtoritë e Policisë në qarqe, Stacionet e PMNZSH-së në rrethe, ka bërë së fundi një panoramë të situatës në qarqet kryesore të vendit.

Qarku Kukës
Në këtë qark ka pasur reshje intensive bore, të shoqëruara me erë të fortë dhe me temperatura të ulëta deri në -8 gradë C në qytetin e Kukësit. Për pasojë qarkullimi rrugor është mjaft i vështirë. Trashësia e borës ka arritur 50-60 cm në qytetin e Kukësit. Në aksin rrugor nacional Fush Arrëz-Qaf Shllak-Kukës-Morinë deri në 1 m trashësi në zonat e thella malore. Në orën 03:30, në Qaf Mali u rrëzuan dy orteqe të mëdhenj dhe bllokuan rrugën për gati për 5 orë.

Për pasojë në Qaf Mali u bllokua dhe një autobus me 50 pasagjerë për gati 5 orë. Tani rruga është e kalueshme me zinxhirë. Në këtë aks po punojnë 4 borëpastruese. Në këtë qark rrugët nacionale kryesore janë të kalueshme me shumë vështirësi.

Rrugët e tjera nacionale janë të kalueshme, por me mjaft vështirësi. Aktualisht në rrethin e Kukësit situata është mjaft e rënduar dhe pothuajse të gjitha komunat janë të bllokuara.

Në rrethin e Tropojës janë të bllokuara të gjitha rrugët për në qendrat e komunave. Trashësia e borës në qytetin e Bajram Currit është 60 cm dhe vazhdon të bjerë.

Qarku Shkodër
Në rrethin e Pukës vazhdon bora me intensitet, me erë të fortë dhe me ngrica. Aktualisht të gjitha rrugët nacionale janë të kalueshme, por me vështirësi dhe me zinxhirë. Aksi Qaf Mali-Fierzë dhe Fierzë-Bajram Curri e kalueshme me zinxhirë. Në këtë rreth vazhdon të bjerë borë me intesitet e shoqëruar me erë të fortë. Në rrethin e Pukës vazhdojnë të jenë të bllokuara rrugët për në komunën e Iballës dhe të Qelzës. Në qytetin e Pukës ka filluar qysh mbrëmë dëbora intensive dhe situata po rëndohet megjithë atërrugët janë të hapura dhe shtabi i emergjencave është në gadishmëri të plotë.

Dje pasdite një situatë problematike u krijua dhe në aksin Lezhë-Shkodër, pasi bora e imët që binte e bëri asfaltin mjaft të rrëshitshëm dhe rrezikonte aksidentimin e mjeteve. Me ndërhyrjen që bëmë në Drejtorinë Rajonale të Rrugëve u bë e mundur hedhja e krypës dhe e skorjeve, masë që lehtësoi qarkullimin dhe shmangu rrezikun për aksidente.

Borë ka rënë edhe në qytetin e Shkodrës, ku trashësia ka arritur në 15 cm. Në këtë rreth është e bllokuar rruga Pog-Shalë.

Në rrethin e M.Madhe është e bllokuar rruga Tamarë-Vermosh. Gjatë pasditës së djeshme janë bllokuar disa pasagjerë që shkonin për në fshatin Mzi dhe Miliska të komunës Fierzë, të cilët me ndihmën e forcave të policisë dhe pasi rruga u hap në afërsi me fshatin Iballë, të shoqëruar nga policia u strehuan në këtë fshat. Në Malësinë e Madhe janë të bllokuara komunat Kelmend, Shalë dhe Shosh.

Qarku Dibër
Reshjet e borës edhe gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës kanë rënë me intensitet dhe erë shumë të fortë. Për pasojë janë bllokuar pothuajse të gjitha rrugët e komunave në të gjithë qarkun. Situata është rënduar shumë gjatë natës. Trashësia e borës në Peshkopi dhe në qytetin e Bulqizës ka arritur deri në 60 cm.

Rruga nacionale Peshkopi-Shupenzë-Bulqizë-Burrel raportohet e kalueshme me shumë vështirësi, por vet fakti që temperaturat kanë zbritur deri në -80C dhe borë ka rënë gjithë natën me erë të fortë, sa pastrohet mbyllet përsëri, megjthëse firmat kontraktore vazhdojnë punën.

Rruga Kukës-Peshkopi është e pakalueshme.

Me vështirësi kalohet dhe rruga e Arbrit, pasi këtu veç vështirësive të krijuara nga moti, rruga duke qenë në ndërtim ka probleme si rrëshqitje dherash, dhe kuptohet ka bllokime të përkohshme. Dje në këtë aks rrugor vështirësitë e qarkullimit janë shtuar edhe më shumë, pasi firma sipërmarrëse në këtë aks rrugor nuk ka punuar. Sot në një takim emergjent që u zhvillua nga shtabi i emergjencave pranë Prefektit janë futur ne punë te gjithë mjetet e firmës nënkontraktore.

Sot në mëngjes në Komunën Xibër, rrethi i Matit ka pasur një emergjencë mjekësore. Një grua ka pasur shqetësime shëndetësore dhe nga fshati ka zbritur në qendrën shëndetësore të komunës. Pasi morri mjekimet e para ajo po trajtohet në këtë qendër sipas terapisë të përcaktuar nga mjeku kirurg i spitalit të Burrelit. Në rastpërkeqësimi Drejtoria e Policisë e qarkut të Dibrës ka dërguar një mjet me kalueshmëri të lartë për ta transportuar pacienten në spitalin e Burrelit.

Qarku Elbasan
Dje në orën 22:15 u njoftuam për 6 pasagjerë të nisur për në Stërblevë, kishin mbetur në rrugë. Ne kontaktuam me Komisariatin e Policisë në Librazhd të cilët pasi kontaktuan me Komandën e Kufirit në Stërblevë dhe me Kryetarin e Komunës u mundësua kalimi tyre deri në fshatin më të afërt, ku kaluan natën e kaluar.

Në qarkun e Korçës nga reshjet e borës janë krijuar mjaft vështirësi në akset Korçë-Ersekë, në Qafën e Qarrit, në aksin rrugor Korçë-Pogradec-Qaf Thanë, pasi ka ngrica dhe nga Efektivat e Policisë Rrugore lejohen të kalojnë vetëm mjetet me zinxhirë. Po kjo situatë është dhe në rrugën Prenjas-Qaf Thanë. Akset nacionale në të gjithë qarkun janë të kalueshme dhe komuna të bllokuara nuk ka.

“Me urdhër të Kryeministrit u mobilizuan të gjitha forcat e Xhenjos të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat e rendit dhe Forcat e ndërhyrjes së Shpejtë për të mbështetur forcat e Policisë Rrugore për të ngritur postblloqe për organizimin dhe drejtimin e automjeteve në akset rrugore problematikë”- thanë burimet nga emergjenca civile.

Gjithashtu forcat e xhenjos do të mobilizojnë të gjithë potencialin e mundshëm njerëzor dhe të mjeteve për të mbështetur lehtësimin e qarkullimit të automjeteve.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se të tre qarqet problematike nuk kanë pasur probleme me furnizimin me energji elektrike, përjashto ndonjë defekti të përkohshëm në fshatra të veçanta.

Efektivat e Policisë Rrugore janë krye të detyrës duke organizuar dhe drejtuar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu Drejtoritë Rajonale dhe Drejtoritë Rurale të Rrugëve me të gjithë potencialet e tyre me njerëz dhe me mjete, po punojnë për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës dhe skorjeve.

Zonat e thella malore, dyqanet dhe tregtarët e artikujve ushqimorë janë të furnizuar dhe nuk presim situata problematike, edhe në qoftë se moti do të vazhdojë me reshje bore dhe me ngrica.

Sot që në orën 04:00, Komanda e Forcës së Bashkuar ka nisur në drejtim të Qafës së Malit një borëpastruese e cila është duke mbërritur në destinacion si dhe një karoofiçinë dhe një mikrostacion për ndërlidhje. Gjithashtu Komanda e Bashkuar ka urdhëruar 40 trupat e KMR Kukës me mjetet e tyre të jenë të gatshëm për çfarëdo ndihmë që do t’u kërkohet.

10.34
Dëbora izolon fshatrat në veri, shumë akse rrugore të bllokuara

Ditët e para të vitit të ri e kanë gjetur veriun e vendit të izoluar nga bora. Moti i keq dhe reshjet e dendura të borës që vazhdojnë të bien kanë bllokuar shumë komuna në zonat e thella të Kukësit, Shkodrës, Malësisë së Madhe, Dibrës dhe Korçës. Shumë akse rrugore, kryesisht ato rurale në këto zona janë të bllokuara, ndërkohë që situata paraqitet e rënduar edhe në rrugët nacionale.

Situata e krijuar nga reshjet e borës në disa zona të vendit ka bërë që të bllokohen një numër rrugësh kombëtare dhe rurale e po ashtu disa mijëra banorë të fshatrave në zonat e thella veriore.

Policia rrugore këshillon qarkullimin e detyrueshëm me zinxhirë në rrugët që paraqesin vështirësi, ndërkohë që policia bën mban në kontroll situatën për të parandaluar aksidentet.

Sipas raportimit më të fundit të policisë bëhet me dije se akset nacionale janë të kalueshme, ndëonëse me zinxhirë dhe me shumë vështirësi.

- Në Qarkun e Kukësit:

Janë të kalueshme me zinxhirë akset:

1- Kukës-Tiranë, Kukës -Morin,

2- Krumë-Tiranë, Kukës-Has.

3- Bajram Curri- Qafë Morinë, Bajram Curri-Fierzë

Ndërkohë rrugët drejt Komunave të këtij Qarku vazhdojnë të jenë të bllokuara për shkak të reshjeve të shumta të dëborës.

- Në Qarkun e Shkodrës:

Janë të kalueshme me zinxhirë akset:

1- Qafë Mali- Fierzë, Qafë Mali-Fushë Arrëz, Qafë Shllak-Kukës është i kalueshëm me zinxhirë.

Janë të bllokuara akset Fushë Arrës-Iballë dhe Qafë Çelë-Iballë.

Po ashtu janë të bllokuara akset Bogë-Qafë Thore Theth, Dukagjin-Theth Qafë Thorre, Tamare-Vermosh.

- Në qarkun e Dibrës:

Aksi rrugor nacional në Qafën e Buallit është i kalueshëm me zinxhirë. Ndërkohë rrugët që lidhin Komunat Kala e Dodës, Selishtë, Lurë, Ostren, Martanesh janë të bllokuara.

- Në Qarkun e Lezhës:

Vështirësi paraqitet në aksin Mirditë-Kukës, i cili është i kalueshëm me zinxhirë.

- Në Qarkun e Korçës:

Aksi Qafë Thanë-Qafë Plloç është i kalueshëm me zinxhirë. Po ashtu dhe akset Korçë- Pogradec, Korçë Qafë Qarri, Korçë-Devoll janë të kalueshme të zinxhirë. Përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm dhe në akset Devoll-Kapshticë dhe në aksin rrugor në drejtim të Ersekës.

- Në Qarkun e Elbasanit:

Vështirësi paraqitet në aksin Librazhd-Qafë Thanë ku është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve.

“Shërbimet e Policisë Rrugore të përforcuara dhe me shërbime të tjera policore, janë duke patrulluar dhe ushtruar kontrolle në të gjitha këto akse rrugore për pajisjen e automjeteve me zinxhirë”- bëjnë me dije burimet policore, duke shtuar se është garantuar shërbim i pandërprerë i policisë në të gjitha këto akse rrugore, shërbim i cili do të vazhdojë gjatë 24-orëve. Po ashtu vazhdon bashkëpunimi me strukturat e Drejtorive të Mirëmbajtjes së Rrugëve dhe strukturat e Pushtetit Vendor, të cilat janë duke punuar për përmirësimin e kalueshmërisë në akset rrugore dhe shpërndarjen e sasive të nevojshme të skorjes e kripës.

Policia e Shtetit i rekomandon drejtuesve të automjeteve që të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes së tyre në drejtim të këtyre akseve rrugore, pasi shërbimet e policisë të dislokuara me shërbim në këto akse do të bllokojnë lëvizjen e atyre automjeteve që nuk janë të pajisura me zinxhirë.

“Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve, pasi masat e marra kanë si qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale me pasoja për jetën dhe shëndetin e tyre”- theksojnë me tej të njëjtat burime.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).