Sigurimet shoqërore, skema e re për bizneset

Taksa ulet me 5% dy muaj para zgjedhjeve

Duke nisur nga 1 maj 2009, bizneset do të paguajnë 5 për qind më pak sigurime të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore. Ligji ka mbërritur dy ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, për t‘u diskutuar nga grupet e interesit, ndërkohë që Ministria e Financave po përgatitet që ta zbatojë atë në mënyrë sa më korrekte. Ulja e taksës me 5 për qind ishte planifikuar të niste që nga 1 janari i këtij vitit, por kundërshtitë e FMN-së e detyruan qeverinë që të shtynte afatin. Kështu, dy muaj para zgjedhjeve, bizneseve do t‘u jepet mundësia që të rrisin radhët e të siguruarve në shtet, pasi norma e kontributeve do të jetë më e ulët. Ky plan është bërë i ditur në muajin tetor, por zbardhja e skemës për mënyrën e funksionimit bëhet për herë të parë pas mbërritjes së ligjit në Kuvend.

Ulja

Masa e kontributit të sigurimit shoqëror në përgjithësi do të ulet me 5 për qind, duke kaluar nga 29.5 në 24.5 për qind. Ulja më e madhe bëhet në pensione, me 2.3 pikë përqindje, si dhe në sigurimin e papunësisë me 1.1 pikë përqindje. Efekti negativ financiar nga ulja e kësaj takse është 4 miliardë lekë, por Ministria e Financave pretendon se do të kompensohet nga rritja e kontribuuesve në skemën e re. Sipas shpjegimit që i bën Ministria e Financave projektligjit të ri "Për kontributet shoqërore dhe shëndetësore", bazuar në normat ekzistuese për degët e sëmundjeve, shpenzimet zënë rreth 40 për qind të të ardhurave, në barrëlindje rreth 60 për qind të të ardhurave, në degën e papunësisë dhe të aksidenteve rreth 50 për qind të të ardhurave. Sa i takon degës së pensioneve, kontributet nuk mbulojnë dot shpenzimet, duke bërë të mundur ndërhyrjen e buxhetit me subvencion, gjë që parashikohet të vijojë edhe për vite të tjera. Vendimi i qeverisë lidhet vetëm për sigurimet shoqërore, pra për pensionet, duke i ulur me 2.3 pikë për qind. Sa i takon kontributeve shëndetësore, niveli i tyre prej 3.4 për qind do të qëndrojë i pandryshueshëm. Nivelet e taksës për kontributet llogariten mbi pagën bruto në shtet dhe në privat. Qeveria ka marrë dhe herë të tjera reforma të tilla fiskale, por efektet nuk u paraqitën dhe aq pozitive.

Situata

Si pasojë e një mase të tillë në vitin 2006, rritja e të ardhurave ishte 2.8 miliardë lekë, ndërsa në 2007-ën u shtua me 3.6 miliardë lekë. Për vitin 2008, Ministria e Financave parashikon një nivel arkëtimi prej rreth 5.2 miliardë lekë më shumë se në 2007-ën. Pavarësisht këtyre rezultateve pozitive, që erdhën pas uljes së kontributeve në 2006-ën me 9 pikë përqindje, masa e evazionit fiskal ishte tepër i lartë, ndërsa ministria nuk arrinte të siguronte të gjithë planin e vitit. Shkaku sipas ekspertëve pranë ministrisë ishte masa e lartë e kontributit, i cili edhe pse pësoi ulje në total me 24 për qind, nuk solli rezultatin e pritur.

Degët e sigurimit totali i masës së sigurimit (%)

Ishte bëhet

Për paaftësi

të përkohshme 0.8 0.3

Për barrëlindje 2.3 1.4

Për pensione 23.9 21.6

Për aksidente 0.5 0.3

Për papunësinë 2.0 0.9

TOTALI 29.5 24.5

Sigurimi shëndetësor 3.4 3.4

Shuma 32.9 27.9

Norma e sigurimit

mbi pagën bruto

Shqipëria 23.9%

Belgjika 16.36%

Gjermania 20.3%

Franca 16.45%

Greqia 20%

Turqia 20%

Kroacia 15%

Maqedonia 21.2%

Serbia 20.6%

Kontributet

Paga e privatit, 15%

më e ulët se e shtetit

Ministria e Financave, në bazë të një sondazhi të bërë gjatë vitit 2008, ka nxjerrë disa rezultate, të cilat tregojnë situatën e pagave në shtet dhe në privat. Sipas ministrisë, vërehet se niveli i pagave reale të punonjësve në privat është i barabartë ose më i lartë se i punonjësve që punojnë në administratën shtetërore. "Ndërkohë, sipas statistikave zyrtare të pagimit të kontributeve, edhe pas vendosjes së pagave referuese, rezulton se paga e raportuar nga subjektet private, për efekt të pagimit të kontributeve është 15 për qind më e ulët se ajo e sektorit shtetëror", raporton ministria.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).