Shtyllat e rrëzuara të Opozitës

Gazeta Agon

Përgjatë gjithë kohës së të bërit opozitë, Partia Socialiste gjithçka e ka mbështetur mbi katër çeshtje. E para ishte “Durrës-Kukës”, ku opozita akuzoi për afera të majme korruptive, por edhe për përfshirjen e vetë ministrit të Punëve Publike dhe Transportit asokohe, Lulzim Basha. Një tjetër çështje ishte ajo e zbardhjes së “Gërdecit”, pavarësisht se opozita e ka kërkuar vazhdimisht një gjë të tillë, ajo kurrë nuk kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor. Lidhjet e biznesmenit Damir Fazlliç, të cilat u cilësuan nga opozita si mjaft të afërta me Kryeministrin dhe familjarët e tij, nuk nxorën asgjë në dobi të saj. Një tjetër pikë, ku partia Socialiste kërkoi të dalë mbi maxhoracën, ishte aplikimi për statusin e kandidatit për të hyrë në Bashkimin Europian. Ajo përcaktoi edhe afat për qeverinë- në rast mos respektimi, do të ishte ajo që do ndërmerrte një hap të tillë.

Shtyllat e rrëzuara

Pavarësisht se opozita ka tentuar të tregojë se mund të jetë ajo qeveria alternative, duke përdorur çeshtje të rëndësishme për të bindur elektoratin se qeverisja aktuale nuk po funksion, nuk ka mundur të jetë efektive. Katër prej çështjeve më të rëndësishme, të cilat kanë shoqëruar periudhën post 2005 e deri më tani, kanë mbetur akoma të pazbardhura dhe publiku nuk mund të krijojë një gjykim përfundimtar. Çështja e rrugës Durrës-Kukës, pavarësisht se mbetet akoma në hetim e sipër, asnjë prej zyrtarëve të akuzuar nuk është fajësuar zyrtarisht. E nëse kjo do të jetë panorama deri në mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, opozita nuk do ketë se si të paraqitet përballë elektoratit. Çështja tjetër është ajo e “Gërdecit”, tragjedia e cila mori jetën e 27 personave, e cila u menaxhua keq nga partia Socialiste. PS, asnjëherë nuk kërkoi një komision hetimor për këtë çështje, pavarësisht se partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim, ngulmonte vazhdimisht për një gjë të tillë. Përveç kësaj, PS arriti deri aty, sa doli krah qeverisë për një nga tragjeditë më të mëdha që kanë ndodhur në vendin tonë. Po ashtu, mjaft e debatuar, publikisht, ishte çështja e biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, ku PS akuzonte për lidhje të afërta me Kryeministrin dhe familjarët e tij. Deputetë të PS akuzuan se në Mars të vitit 2006, ministrat e kabinetit Berisha raportuan për çështje të sigurisë kombëtare përpara Damir Fazlliç, personit të cilit nuk iu bë i ditur statusi dhe roli në këtë takim. Megjithëse opozita ngriti një sërë akuzash, debati u kthye mbi çështjen e Drejtësisë. Kryeministri kërkoi edhe hetim ndërkombëtar për këtë çështje. Ndërsa opozita e përdori këtë si një sulm ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Çështja e katër, e cila ishte edhe më e veçanta ndër to, ka të bëjë me aplikimin për statusin e vendit kandidat për hyrjen në Bashkimin Europian. PS bëri të ditur se qeveria apo maxhoranca aktuale kishte kohë deri në muajin Shtator të viti të kaluar për të ndërmarrë këtë hap- në të kundërt, do të ishte ajo e cila do të bënte një gjë të tillë. Shtatori kaloi dhe disa të tjerë pas tij, por opozita nuk mundi të bëjë një gjë të tillë.

Çfarë i intereson PS

Çështjet që ndodhen në hetim e sipër, opozita kërkon t’i mbajë të pazbardhura deri në zgjedhjet e 28 Qershorit. Kjo do t’i lejonte asaj shtrimin e hipotezave, që do të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve. Në të kundërt, asaj nuk do t’i mbesë gjë për të thënë, vetëm të akuzojë sistemin e Drejtësisë se nuk po funksionon i pavarur nga politika. Por edhe këtë e ka të rezervuar nga maxhoranca aktuale, pasi është ajo e cila shpesh herë ka lëshuar akuza të rënda drejtë institucionit më të lartë, Prokurorisë së Përgjithshme.
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).