Shqipni tavolinash

 

NENAT

Në të njëjtën ditë, në një krah u vranë dy njerëz, nënë e bir, për punë droge, ndërsa në krahun tjetër një tjetër nënë qëndron në burg po për punë droge. Të parët banonin në mes të Tiranës, në mes të mesit, prapa Presidencës, me kamera vëzhgimi, makina luksoze, apartamente ultra. Mirëpo, asgjë nga këto nuk u vlejti. E dyta, nëna që është në burg, edhe ajo ka humbur djalin në punë droge dhe tani që ra edhe vetë në burg, ka lënë në shtëpi dy jetimë të vetmuar që gatuanin vetë në një furnelë të vënë mbi dy tulla në një dhomë për të vënë kujën.

Atë të parin, shteti pati frikë ta arrestojë ndaj e la të lirë t‘i rregullojë vetë punët e veta. Ishte shumë i fortë ai djalë për një shtet të ngordhur si ky i yni. Në rastin e dytë, shteti bëri siç bëjnë gjithmonë spurdhjakët. Kur s‘ia mban me të fortin, shkon e ia nxjerr inatin të dobëtit. Arrestuan një plakë 70 e kusur vjeçe dhe e shtunë në burg. Po ta kishin bërë këtë punë edhe me atë fatziun e Tiranës, ndoshta do kishte shpëtuar e nuk do ta kishin vrarë. Ndoshta edhe do ish ndrequr në burg, e do kish lënë punët e drogës. Nuk do ishte vrarë as e ëma. Në krahun tjetër, atje ku shteti spurdhjak u tregua i ashpër, la në rrugë të madhe dy jetimë që kishin gjyshen e tyre si mbështetje të vetme.

Në kohë të vet, 250 vjet më parë, Volteri denonconte shtetin feudal që, kur shtinte në burg për arsye të ndryshme prindërit, linte në rrugë të madhe fëmijët. Që në kohë të Napoleonit kjo punë u zgjidh duke parashikuar që, në rast arresti të prindërve, kur fëmijët mbeteshin pa mbështetje shteti kishte detyrë t‘u gjente strehë, bukë e shkollë. Kanë kaluar mbi dyqind vjet që atëherë. Kanë kaluar në Evropë, se në Shqipëri nuk ka kaluar ende asnjë ditë. Fëmijët mbeten sërish rrugëve si Kozeta dhe Gavroshi.

Duket krim të futësh në burg një gjyshe se mbjell drogë për të mbajtur me bukë nipërit e saj. Po në krahun tjetër, ata që do ta konsumojnë atë drogë, a nuk janë edhe ata bij nënash? A mund ta ndërtosh fatin dhe mirëqenien tënde mbi fatkeqësinë e të tjerëve? Askurrë.

Sa të koklavitura këto punë. Sikur këto dy nëna t‘u kishin mëkuar bijve edukatë pune, që të mos i hynin udhës së drogës, sikur nëna e Tiranës të mos mburrej para shoqeve me pasurinë e të birit, sikur nëna e fshatit të mos kish dashur ta ndërtonte fatin e nipërve të vet duke nxirë fatin e nipërve të të tjerëve. Sikur shteti të kish bërë punën për të cilën ekziston mbi faqe të dheut që prej 5000 vjetësh, pra të kish arrestuar atë djalin e Tiranës, sikur pastaj po shteti të kish bërë punën që ndër vende të tjera e bën që prej 200 vjetësh, pra t‘u gjente strehë jetimëve, të gjitha këto nuk do kishin ndodhur. Do kishim dy nëna bijsh shqiptarë të vlerë, që do shihnin t‘u rriteshin bijtë, që do plakeshin me nder krah nipërve që hedhin shtat, do kishim shtetin tonë të përbashkët që kryen detyrat e veta, do kishim e ç‘nuk do kishim, ndërsa kemi varre të hapura, gra të vrara, jetimë rrugëve, plaka burgjeve dhe një shtet që më mirë mos e paçim.

DO VIJE NJE DITE

Azem Hajdarin e kam njohur personalisht. Ende nuk më ikën nga sytë dita e dytë e Protestave të Dhjetorit, kur ai, i veshur me një xhup të zi, doli mes sheshit të Qytetit Studenti dhe filloi t‘u japë zemër e të mbledhë sërish rreth vetes studentët që ishin trembur e tërhequr nga dajaku i policisë natën e kaluar. Dhe pas atij guximi vetmohonjës, protestat morën udhë sërish.

Po sikur ta takoje në ato ditë dhe t‘i thoje: Azem, do vijë një ditë që ministrat do vjedhin me miliona euro sa s‘do dinë as ku t‘i stivosin. Prandaj po rrezikojmë, do përgjigjej Ai, që të vijë koha e Demokracisë dhe që të mos kemi më ministra të tillë. Azem, do vazhdonit ju, nuk do t‘i vjedhin ministrat e Partisë së Punës, po pikërisht ministrat e Demokracisë. Le që s‘bën vaki kjo punë, do vazhdonte ai, po edhe në vjedhshin, prandaj po i vëmë gjoksin shkopinjve të policisë, që nesër të vëmë gjykatës që t‘ua nxjerrin nga sytë lekun e popullit në vjedhshin. Në këtë pikë, a do kishit më kurajë të vazhdonit e t‘i thoshit, se do vinte një ditë që pikërisht gruaja e tij, që do bëhej gjykatëse në shtetin e ri shqiptar të demokracisë, do t‘i nxirrte nga thonjtë e drejtësisë ministrat hajdutë.

Arben Broci ka qenë ndër studentët e Dhjetorit. Ata që e kanë njohur, thonë se qe djalë i ndershëm, idealist e plot energji për Shqipërinë e së nesërmes. Kështu qenë më të shumtit e atyre që në vitin ‘90 vunë gjithë shpirtin e tyre për demokracinë. Arben Broci dha edhe më shumë. Dha jetën si një patriot i vërtetë në altarin e Atdheut.

Po sikur ta takoje sa ish gjallë e t‘i thoje: Arben, do vijë një ditë që prapë serbët do komandojnë këtu dhe, jo vetëm që do vjedhin me të dyja duart, por edhe duke vënë në rresht ministrat dhe gjeneralët tanë. Punë që s‘bëhet, do të përgjigjej i nxehur ai, prandaj po përpiqemi sot, që t‘ia ngremë kokën lart Nanës Shqypni. Në këtë pikë, a do kishit më kurajë t‘ia prishnit ëndrrën, duke i thënë se do të vinte një ditë që pikërisht i vëllai, që falë gjakut të tij u bë gjykatës, do nxirrte të pafajshëm në gjyq një hajdut Serbie, si Fazliçi?!

Në të dy këto raste, e në shumë të tjera si këto, protagonistët dhe shumë të tjerë si ata, shkuan nga kjo botë pa ju parë sytë se ç‘u bë me gjakun e tyre.

KOMPJUTERI I GREKUT

Po bën mbi dhjetë vjet që, dy herë në vit, për pushime dhe për Vit të Ri, në Kapshticë dhe në Kakavije prishen kompjuterët në doganën greke. Radhë të gjata njerëzish buzëplasur, të kallkanosur po qe dimër dhe të tharë në diell po qe behar, presin e presin herë orë e herë ditë të tëra, në një torturë të pakuptimtë, që të rregullohen kompjuterët e grekut. Kur ju soset durimi, me shpirtin majë hundës, bëjnë be se nuk do vijnë më në Shqipëri. Megjithatë, prapë vijnë vitin tjetër, se dheu mëmë qenka i dhembur shumë. Megjithatë, një sy i vëmendshëm e sheh se megjithëse sa vijnë e shtohen ata që janë në Greqi, ata që vijnë pas për festa po pakësohen vit pas viti.

Kushdo që i hyn brenda këtij mekanizmi pervers, do thosh: Po mirë, që grekërit e bëjnë me qëllim këtë punë duket që atje tej, po pse radhë pas radhe nuk sajojnë nga një gënjeshtër të re? Llafi që bie, një herë të thonë se u kanë ikur dritat, një herë se është bllokuar porta e doganës nga akulli, a ku di unë ç‘mund t‘u pjellë mëndja. Ndërsa ata gjithmonë po një llaf: "u prish kompjuteri".

Po pra, ka edhe kjo një qëllim, vërtet bizantin, por qëllim ama. Po të ndërronin gënjeshtrën vit pas viti, mund edhe të gënjeheshim e të mendonim vërtet u ndodhnin lloj-lloj defektesh e t‘u qanim hallin. Kështu që nuk do mbarohej qëllimi i tyre që, edhe shqiptarët të mos kthehen më në mëmëdhe, por edhe që ta marrin vesh që kjo e keqe ju vjen prej tyre, grekërve. Dhe kjo mund të realizohet vetëm duke thënë radhë pas radhe të njëjtën gënjeshtër që duket që atje tej që është gënjeshtër.

I ndodhi një herë Nastradinit të kish një komshi që nuk e donte. Nastardin efendi, ma jep ca hua litarin, se do lidh kalin. S‘ta jap dot se kam nderur grurët. Po pse thahet gruri në litar. Po si të të them që, edhe të mos të ta jap, po që edhe ta marrësh vesh që s‘dua të ta jap?

7 Komente

t kritik, ekonomik apo thjesht ele

nuk eshte pjese e artikullit

Thjeshtë, pastër e bukur!

Tamam gjuhë që s'ka nevojë për përkthyes...

Kjo puna e doganes eshte per note te madhe se me te vertet, je ne dogane dhe pret si cjapi te kasapi se po tentove tu kerkosh llogari me te drejte, e hengre, te shqyejne ne dru dhe pastaj ti shqyejne dhe ato copa letrashe qe po vete ata ti kane shitur aqe shtrenjte, sa pula frengun!

 

Dhe ne krye te tavolines... vete i zoti i ketij artikulli.

llogje, llogje, llogje, llogje, llogje,
llogje, llogje, llogje, llogje,
llogje, llogje, llogje,
llogje, llogje,
llogje.

Ku punon ti? Punoj ne nje gazete llogjesh.
- Mami, mami, ika se jam vone per llogje.
Llogjet cajne bllokaden.
Pa llogje, ska jete.
Llogje? My love.

Si perhere prek tema qe kane te bejne me realitetin shqiptar. Shtjellimi dhe qetesia me te cilen i trajton keto tema, jane per tu admiruar.

Po me te vdekurit pse merret ky Lame. Sidomos me te vdekurit e njohur si A.Hajdari ???? 

Azem, do vijë një ditë që ministrat do vjedhin me miliona euro sa s‘do dinë as ku t‘i stivosin

E meqe i permendi, jo se ka ndonje lidhje te madhe por kam pershtypjen se kjo fjali nuk qendron sepse Azemi ka qene gjalle ndersa ministrat vidhnin. Kshu qe e ka jetuar ate kohe.

Perfundimisht, paragrafi me Brocin dhe Hajdarin me la nje shije koti fare.

 

Pjer,

Me sa jam ne dijeni, serbi Fazlic ka blere toka ne durres dhe i ka regjistruar ne pronesi te nje shpk-je me pronar po vete ate. Thuhet se tokat qe ka blere kane kushtuar reth 1.3 milion euro dhe jua ka paguar ne cash pronareve te ngastrave. Tani, keto 1.3 milion euro nuk kane qene nje here ne llogarine e kompanise pasi kjo kompani qe nga momenti i krijimit ne Shtator 2006 e deri me sot nuk ka kryer asnje transaksion financiar, pra asnje debi-kredi. Ne banke kjo kompani ka pasur vetem 100 mije leke, aq sa eshte detyrimi minimal ligjor per regjistrimin e nje shpk-je (limited partnership). Ku i gjeti serbi 1.3 milion Euro? Ne cfare menyre i solli ne Shqiperi me te cilat pagoi pronaret e tokave? Pra gjeja e pare qe te ben te dyshosh eshte se serbi ka pasur 1.3 milion euro te siguruar nga rruge jo ligjore, blen me to toka dhe i regjistron si prona te kompanise. Nese ai arrin ti pasqyroje ato ne bilancin e kompanise, ti miratoje nga nje auditor i pavarur dhe te mare ok nga zyra e taksa-tatimeve, atehere ai i ka pastruar ato para sepse jane kthyer ne pasuri (toka) te ligjeshme dhe mund ti shese per ndertimin e nje TEC-i apo edhe te nje fushe futbolli.

Per keto aresye qe permenda, mendoj se prokuroret kishin te drejte ne vendimin qe morren per ngrirjen e perkoheshme te pronave (tokave te blera) te serbit deri sa te kryhen hetime me te thelluara.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).